e mërkurë, 17 shkurt 2010

 Himara në regjistrat osmanë, shqiptare

 Gazeta Panorama    29.01.2010


Alma Mile

Për vite me radhë në historinë e Shqipërisë është propaganduar si një periudhë e errët. Por arkivat tregojnë se nuk ka qenë tërësisht kështu. "Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare", kështu titullohet libri i historianit Ferit Duka, botim i UET/Press, i cili u prezantua mbrëmjen e së mërkurës në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Përmes burimeve arkivore ai hedh dritë mbi periudhën e sundimit të Perandorisë Osmane në Shqipëri. Në të trajtohen tema të një rëndësie të veçantë, siç është konvertimi fetar, zhvillimi i qyteteve të mëdha, urbanistika, pakicat etnike, Himara, apo Çamëria. Në një intervistë Duka tregon mbi këtë libër studimor dhe përfundimet që dalin prej tij. Prof. Duka, sapo keni botuar librin "Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare", çfarë i sillni lexuesit përmes tij?
Libri është përmbledhje e studimeve të kryera gjatë viteve në një fushë të vështirë, siç është periudha osmane. Ky libër pasqyron tema të tilla, që paraqesin vështirësi, por dhe sfida, si në rastin e Himarës, e cila është parë në këndvështrimin demografik, social. Kam studiuar disa nga qytetet kryesore, si Vlora, apo Gjirokastra, të shoqëruara me dokumente origjinale që flasin për to, siç është defteri osman. Fokusi i studimeve të mia kanë qenë edhe pakicat jo shqiptare, që kanë banuar në territorin tonë e janë bërë pjesë e historisë shqiptare. Përveç Dropullit, i cili në fillim banohej nga popullsi shqiptare e vllahe, e më pas nga një popullsi e helenizuar greqishtfolëse, kam analizuar edhe grupe etnike të ardhura që larg, siç kanë qenë hebrenjtë. Një studim i veçantë, i takon Çamërisë në shek. XV-XVI, për të cilën kam shqyrtuar një dokumentacion të panjohur më parë. Jam i kënaqur t'i shpalos lexuesit brenda e jashtë vendit pasurinë e madhe, që paraqet periudha osmane, e cila ndihmon për kthjellimin e historisë shqiptare dhe në perceptimin e shumë çështjeve paraosmane. Na ndihmon që të kuptojmë dhe probleme që lidhen me identitetin e shqiptarëve, me zhvillimin e tij, strukturën fetare që pësoi ndryshime të thella, etj. .
Cilat janë burimet arkivore që keni shfrytëzuar?
Për një periudhë shumëvjeçare kam studiuar në arkivat e Stambollit e Ankarasë, që janë një pasuri e jashtëzakonshme, sidomos për trevat shqiptare. Kam zhvilluar disa ekspedita, nga ku kam mundur të nxjerr një numër të madh fotokopjesh, cd-sh dhe materiale që më kanë ndihmuar që këtë periudhë ta shoh në një prizëm më të gjerë. Gjithashtu kam shfrytëzuar edhe Arkivat e Shtetit Shqiptar, ku ruhen disa fonde të rëndësishme, që lidhen me zyrat gjyqësore të kohës osmane. Kemi një koleksion të fuqishëm të dokumenteve të Kadiut të Beratit. Janë mbi 230 dosje, për të cilat më janë dashur 5 vjet për t'i shfletuar, analizuar dhe për të nxjerrë gjithë dokumentet që më duheshin.
Kjo periudhë është konsideruar si e "errët", ishte vërtetë e tillë për Shqipërinë?
Periudha osmane lidhet me sundimin e gjatë të një perandorie të fuqishme. Pushtimi osman ndryshoi në mënyrë rrënjësore shumë tendenca zhvillimi në trojet shqiptare. Vendosja e sistemit politik, ekonomik, administrativ të pushtuesit të huaj ishin zhvillime të papritura që shënonin një kthesë të fuqishme në jetën e shqiptarëve. Por duhet të kemi kujdes dhe interpretimin e periudhës osmane nuk duhet ta bëjmë duke u nisur nga gjykime skematike, apo me një retorikë politike, propagandistike. Vendosja e sundimit osman kishte efektet e veta negative, por 500 vjet nuk janë thjesht një kohë e errët për shqiptarët. Është gjithashtu një periudhë zhvillimesh me rëndësi, si në aspektin ekonomik, social, kulturor, fetar. Shoqëria shqiptare dhe brenda orbitës osmane pati një dinamikë, ndonjëherë të paimagjinueshme. Qytete si Vlora, Gjirokastra, në shek. XVI, patën një progres të jashtëzakonshëm, që shprehet në rritjen e demografisë, të zejeve, të tregtisë.
Sipas studimit tuaj, cilët ishin faktorët që çuan në islamizimin e Shqipërisë?
Përqendrimi vetëm në një faktor në shpjegimin e dukurisë së konvertimit të fesë së shqiptarëve, nga krishterimi në islam, do të ishte i njëanshëm. Faktorët janë ekonomikë, politikë, socialë, kulturorë dhe fetarë. Po të ishte vetëm faktori dhunë, i cili nuk përjashtohet, procesi do të kishte mbaruar brenda një periudhe fare të shkurtër, por ky ishte një proces që zgjati 300 vjet. Kjo do të thotë që kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë. Së pari, ai politik. Fisnikëria shqiptare u gjend përpara dilemës: të humbiste gjithë privilegjet ose të zgjidhte rrugën e kompromisit, të bashkëpunimit me pushtetin, të përfshirjes në strukturat e reja administrative e ushtarake osmane. Dhe sigurisht, çmimi për këtë do të ishte kthimi në islam. Ky proces vazhdoi edhe në shtresat më të ulëta. Por unë mendoj se qëndresa e krishterimit ndaj procesit të islamizimit do të kishte qenë më i fuqishëm, nëse në prag të vendosjes së sundimit osman, pozita e kishës së krishterë do ishte e konsoliduar. Shqiptarët ishin të vetmit ndoshta në Ballkan që nuk kishin një kishë të tyren, unike, kombëtare. Ky është faktor përcaktues. Duke qenë se një pjesë ishte e lidhur me kishën greke të Kostandinopojës, një pjesë me kishën e Romës, të tjerë me Patriarkanën e Pejës, apo me Patriarkanën e Ohrit, krishterimi shqiptar ishte më i dobët në momentin kur u përball me fenë zyrtare të pushtuesve të fuqishëm osmanë.
Një tjetër temë e nxehtë është ajo e Himarës, si paraqitet ajo gjatë periudhës osmane, a ka tendenca pro greke?
Në dokumentet origjinale, Himara manifeston karakteristika të qarta shqiptare nga ana etnike. Kjo duket sidomos në emrat e mbiemrat e njerëzve të regjistruar në regjistrat osmane të taksave, ose të pronave. Pa përmendur faktin tjetër, që Himara ishte pjesë e të parës qendër administrative të krijuar nga osmanët në Ballkan, që ishte Sanxhaku Shqiptar. Shkruesit osmanë nuk bënin asnjë dallim mes kësaj popullsie, duke e quajtur si joshqiptare, greke, apo minorancë, por përkundrazi, Himara del si njësi administrative e varur nga Sanxhaku i Vlorës, e më tej në varësi të Sanxhakut të Delvinës, të krijuar në mesin e shek. XVI.
Një ndër temat që ju prekni është edhe prania hebreje në Shqipëri, ç'tregojnë dokumentet osmane?
Sipas një studimi të thelluar del se qëndrimi që është mbajtur nga populli ynë për mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve gjatë viteve të pushtimit nazist, shpjegohet jo vetëm me faktorë të kohës, shoqërorë apo politikë, por edhe historikë. Prezenca e hebrenjve në Shqipëri shkon edhe shumë më herët se periudha osmane, ndonëse prezenca e tyre në këtë periudhë ka qenë më masive se kurdoherë tjetër. Shqipëria ishte një nga vendet pritëse më të mëdha në Ballkan të valëve të emigracionit hebre nga perëndimi, gjatë përndjekjeve antisemitike, që shpërthyen pas dekretit të famshëm të mbretit të Aragonës, Ferdinandit dhe Izabelës së Kastiljes. Dy monarkët firmosën dekretin e vitit 1492, me të cilin filloi stuhia anti hebre. Shqipëria u bë një qendër pritjeje për vetë pozitat gjeografike, si urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, por edhe për shkak të traditave mikpritëse për të huajt, sidomos për ata që janë në nevojë. Vlora u bë një nga pikat më të mëdha të pritjes dhe vendosjes së tyre në shkallë ballkanike, e dyta pas Selanikut. Kjo vërtetohet përmes dokumentacionit të kohës, ku tregohet jo vetëm vendosja e tyre si komunitet. Shumë shpejt ata u shquan si eksponentë të tregtisë, të zejtarisë dhe si përfaqësues të tregtarëve të Vlorës në këshillin e Ankonës, apo aktiviteteve të tjera të kohës.
Përse pushtimi osman u tërhoq nga Shqipëria, më vonë se në vendet e tjera të rajonit?
Shqipëria ishte një nga vendet ku osmanët u larguan më vonë, për disa faktorë specifikë. Pjesa më e madhe e popullsisë kaloi në islam dhe u bë pjesë e strukturave osmane. Kanë dalë vezirë të mëdhenj, komandantë, vali, sanxhakbej, kadi, etj. Kjo krijonte një lidhje që duhej më shumë kohë për ta çmontuar, për shkak të interesave politike, materiale, pse jo dhe shpirtërore, kulturore, apo psikologjike. Këto e ngadalësuan procesin e mëvetësimit politik të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Por ky është vetëm një nga faktorët. Ne kemi dhe faktin tjetër që na vjen keq kur e përmendim. Realiteti fetar i shqiptarëve, ndikonte edhe në preferencat e Fuqive të Mëdha për të përkrahur dhe inkurajuar tendencat shkëputëse dhe të mëvetësimit kombëtar.

Nuk ka komente: