e hënë, 30 gusht 2010

Osmanofobia si përpjekje për të minimizuar dëmet e komunizmit


Në një intervistë të historianit të shquar anglez, Noel Malcolm, të marrë para pak ditësh nga gazetarja Jeta Xharra për emisionin “Jeta” në Kosovë, Malcolm foli gjatë e gjerë lidhur me zhvillimet politike në Kosovë. Mirëpo një ndër gjërat më interesante që përmendi ishte fakti që tiparet negative të manifestuara në Ballkan nuk e kanë origjinën tek e kaluara e afërt e komunizmit, si dhe te rrethanat konkrete shoqërore të tanishme si varfëria, institucionet e brishta e të tjera. Sipas tij, “në rastin e ballkanëve, unë do të thoja se 50 vitet e komunizmit janë shumë më të rëndësishme si pjesë e sfondit kulturor, sesa afërsisht 500 vitet e sundimit osman”.
Nuk ka vend ku kjo gjë të jetë më se e vërtetë për vendin tonë i cili e ka përjetuar totalitarizmin komunist në formën e vetë më të rreptë e të kulluar. Një inxhinieri e mirëfilltë sociale e përmasave të skajshme që ndërhyri pa kujdes edhe në pjesët më intime të jetës së individit. Më keq dhe intruziv se edhe vetë nazizmi, i cili kishte korporatizëm në ekonomi, por nuk të zhvishte nga prona private siç ndodhi me kolektivizimin dhe tufëzimin tonë. Nuk eliminoi fenë dhe nuk ndërhynte aq thellë në familje dhe jetën private siç bënte përpjekja komuniste për të krijuar njeriun e ri. Është e vështirë që t'i mvishet faji periudhës osmane të historisë shqiptare kur vetë kalimi nëpër një regjim si ky komunist e lë të kuptohet qartë që ka qenë pothuaj një tabula rasa për traditën shqiptare të deriatëhershme.
Pikësëpari ekzistojnë sot shumë disiplina shkencore që kanë shumë më tepër instrumente për të shpjeguar në mënyrë më të thellë dhe më kompetente realitetin e sotshëm sesa historia. Sociologjia, shkencat politike, ekonomia, psikologjia dhe jurisprudenca kanë shumë më tepër për të thënë sesa mendimi fatalist i kultivuar tek ne që çfarë do bëhet është shkruar në të kaluarën.
Fillimisht duhet thënë se determinizmi historik në vetvetë, pra kjo bindja se zhvillimet janë të parapërcaktuara dhe shkaktuara nga zhvillime apo situata historike të mëhershme, është një përqasje tipike rudimentare marksiste tek ne. Kjo përqasje është një reminishencë e drejtpërdrejtë e determinizmit historik marksist që vinte në formën e materializmit dialektik që e shikonte ecjen e historisë të kornizuar nëpër disa etapa, të karakterizuar kryekëput nga lufta e klasave dhe të mbërthyer nga disa ligje të pandryshueshme që e bënin të pashmangshme një rrjedhë të caktuar të historisë. Me pak fjalë, historia është e përcaktuar si një lëvizje rendesh primitiv, skllavopronar, feudal, kapitalist dhe prej Marksit në mënyrë të pashmangshme historia ishte e parapërcaktuar që do të shkohej në rendin sipëror socialist.
Determinizmi historik si përqasje është i dyshimtë në një realitet monoton dhe të pandryshueshëm të shteteve si Zvicra apo Suedia e jo më Shqipëria ku historia karakterizohet nga pavazhdueshmëria. Shqiptarët e shkretë pas ikjes së osmanëve kanë kaluar tre realitete tronditëse, historike që i bën të papërfillshme gjurmët e lëna nga sundimi osman. Shqiptarët jo vetëm që kanë kaluar gjatë shekullit 20 pushtimin fashist dhe regjimin komunist, por edhe një dhunë e kërcënim të vazhdueshëm të dhunës prej fqinjëve shovinistë, kolonizimit dhe pastrimit etnik. Faktikisht asnjë komb tjetër në Europë nuk ka pasur përjetimin e gjenocidit, shpërnguljes, tkurrjes edhe aparteidit që kanë pasur shqiptarët, duke pasur parasysh përmasat demografike dhe territoriale. Kur u shpall pavarësia jonë prej Perandorisë Osmane, shqiptarët jetonin në rreth 75 mijë kilometra katrorë dhe sot, pothuaj një shekull më pas shqipja flitet vetëm në rreth 45 mijë kilometra katrorë.
Traumat e këtyre përvojave e kanë tronditur rëndë shoqërinë shqiptare por komunizmi te shqiptarët e Shqipërisë ka qenë veçanërisht transformuese dhe gjurmëlënëse dhe ka pasojë të drejtpërdrejtë në atë që ndodh tek ne sot. Pra kjo analizë lë të kuptohet që gjithë kjo prani masive e historisë së fillim shekullit 20, si dhe diskutimi lidhur me ndikimin osman në vendin tonë sot është i paarsyeshëm dhe i panevojshëm. Mjafton të shohim mungesën e ringjalljes fetare pas rënies së komunizmit për të kuptuar impaktin e politikës ateiste komuniste. Numri i besimtarëve aktivë sot është i papërfillshëm krahasuar me shtete të tjera lindore. Për këto arsye të duket çudi që në ligjërimin publik flitet kaq dendur për problemet që pretendohen se na lindin nga trashëgimia otomane dhe nuk bëhen analiza aq sa duhet për pasojat e regjimit komunist. Për të mos folur pastaj që periudha e pushtimit fashist në Shqipëri nuk përmendet fare dhe të krijohet përshtypja që ardhja e këtyre forcave perëndimore pushtuese si Italia dhe Gjermania trajtohet sikur të ketë qenë një “aksident pozitiv dhe qytetërues” për Shqipërinë.
Në fakt, shpjegimi i gjithë kësaj tendence s’ka aspak të bëjë me dobinë e përkujtimit dhe shqyrtimit të rolit të pesëqindvjeçarit otoman por me nevojën e shumë individëve që të sigurojnë harresën e diktaturës pesëdhjetëvjeçare. Shumë prej personaliteteve që dominojnë jetën publike në Shqipëri kanë pasur lidhje me atë regjim ose kanë qenë pjesë përbërëse e tij, janë lançuar dhe promovuar nga sistemi i dikurshëm, statusin që gëzojnë sot e kanë si inerci të privilegjeve që kanë gëzuar gjatë atij regjimi, kanë pasur lidhje familjare dhe personale me nomenklaturën, janë formuar dhe kalcifikuar intelektualisht nga ai regjim dhe për rrjedhojë ngelen nostalgjikë të tij. Me pak fjalë ne nuk kemi pasur një zëvendësim të mirëfilltë të elitës sonë, por thjesht një riqarkullim brenda të vjetërve, një inerci të elitës së vjetër që sot vjen e rifreskuar me trashëgimtarë të rinj.
Individëve të kësaj elite iu leverdis të flasë për otomanizmin e t'ia mveshin fajin sundimit turk për të minimizuar dhe relativizuar përgjegjësinë e komunizmit dhe për rrjedhojë edhe të tyren që shpesh kanë qenë pjesë e sistemit. Këtyre individëve iu konvenon kultivimi i një amnezie sociale, lidhur me tiparet mizore të regjimit komunist në Shqipëri dhe pasojat e shumta që ka lënë sot, sepse përndryshe do të trondisnin themelet e statusit të tyre social të sotshëm. Shumë prej tyre nuk kanë gojë të nxjerrin në shesh fajet e regjimit komunist, sepse kanë qenë pjesë përbërëse e tij. Nuk kanë as kurajën të distancohen nga ai regjim, duke e pranuar me ndershmëri përgjegjësinë e rëndë historike të kastës së atij regjimi, edhe nëse mund të kenë pasur lidhje biologjike, shpirtërore apo nepotike me ta.
Prandaj është bërë në modë sot te ne orientalizmi, si një taktikë për të eklipsuar dhe amnistuar rolin që ka luajtur e vazhdon të luajë pesëdhjetëvjeçari i regjimit komunist dhe si një orvatje për të mbrojtur vetë trashëgimtarët e elitës komuniste. Diskutimi mbi pasojat e osmanizmit ishin më se të arsyeshme për elitën shqiptare të viteve ‘20-‘30, pasi gjurmët ishin ende të freskëta dhe këto diskutime kishin realisht dobi për realitetin aktual. Mirëpo rikthimi në qendër të vëmendjes të të njëjtave tema të diskutimit në periudhën e sotshme, ndërkohë që ne ende nuk i kemi qëruar hesapet siç duhet me komunizmin dhe plagët e hapura të lëna pas prej tij, është padyshim një përpjekje dashakeqe për të revizionuar historinë dhe pasojat e totalitarizmit në Shqipëri. Mbajtja e vëmendjes te diçka që ka ndodhur shumë kohë më parë, dhe largimi i përqendrimit nga ajo që na ka ndodhur pak kohë më para apo vazhdon të na ndodhë, është një sabotim i memories sonë kolektive. Kjo përpjekje për të mohuar dhe retushuar historinë bashkëkohore, duke kanalizuar debatin ekskluzivisht tek trashëgimia otomane, duket që synon të pengojë shoqërinë tonë që të distancohet, pastrohet njëherë e mirë nga totalitarizmi komunist. Pra një instrument i trashëguar prej komunizmit, sikurse është determinizmi historik, është duke u përdorur për të fshehur e minimizuar rolin e trashëgimisë komuniste nëpërmjet një diversioni të bërë në debatin publik. Ky diversion ka për qëllim ekzagjerimin në sytë e opinionit publik të impaktit të sotshëm të asaj që na ka ndodhur mbi 100 vjet më parë dhe minimizimin e rolit të vuajtjeve të pësuara gjatë pesëdhjetë viteve të fundit.

Gazeta Shqip    29.08.2010