Për eposin e kreshnikëve mblidhen njëqind studiues botërorë
Prishtinë, 26 gusht- Rreth njëqind studiues nga vende të ndryshme të botës do të shpalosin kumtesat e tyre në konferencën shkencore për eposin e kreshnikëve, e cila për herë të parë do të mbahet në Prishtinë. Konferenca dyditore, e cila është organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe nga Qendra e Studimeve Albanologjike e Tiranës, do të nisë më 28 të këtij muaji. Konferenca është organizuar në kuadër të projektit për futjen e eposit të kreshnikëve nën mbrojtjen e UNESCO-s, përderisa kumtesat do të përmblidhen për t’u botuar së bashku.
Organizatorët e konferencës shkencore për eposin e kreshnikëve, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, kanë shpalosur detaje lidhur me organizimin, duke shprehur pakënaqësi për përkrahje të paktë institucionale.
Udhëheqësi i Këshillit organizativ të konferencës, Zymer Neziri, duke dhënë detaje për këtë organizim, është shprehur i pakënaqur me mbështetjen e pamjaftueshme institucionale. “Me keqardhje mund t’ju them se ky është muaji i nëntë i vitit dhe nuk e kemi pasur përkrahjen e nevojshme si do të duhej, por përkundër kësaj konferencën e kemi nisur për ta mbajtur madje edhe në kushte të jashtëzakonshme”, ka thënë i pari i Këshillit organizativ. Sipas tij, edhe pse është kërkuar përkrahje nga Ministria e Arsimit, këtë të premte u ka ardhur kumti se kjo ministri do të mbulojë vetëm shpenzimet e fjetjes. “Megjithatë, ne do ta mbajmë konferencën edhe në kushte jo të mira”, ka shtuar Neziri.
Nga ana tjetër, Artan Behrami, këshilltari për media i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ka thënë se MASHT-i do të mbajë përgjegjësi vetëm për shpenzimet e fjetjes për seminaristët e konferencës. “Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do t’i sigurojë mjetet për fjetjen e seminaristëve të konferencës shkencore për eposin e kreshnikeve, pas kërkesës së Institutit Albanologjik të Prishtinës,derisa për pjesën tjetër të shpenzimeve do të përkujdeset Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë Behrami.
Ndryshe, Neziri gjatë konferencës ka folur edhe për përmbajtjen dhe rëndësinë e kësaj konference. “Është e para e kësi lloji që mbahet në Prishtinë, e dyta ndër shqiptarët, pas konferencës së mbajtur në Tiranë në vitin 1983. Kemi pasur fatin që të paraqiten kaq shumë studiues nga vende të ndryshme, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Austria, Italia, Polonia etj.”, ka thënë ai.
Neziri po ashtu ka theksuar edhe qëllimin e organizimit të kësaj konference shkencore. “Tash jemi në muajin e 17 të përpjekjeve që eposin e kreshnikëve ta fusim në mbrojtjen e UNESCO-s dhe kjo konferencë do të jetë ndihmesë”, ka thënë ai.
Sekretarja e Këshillit organizativ të konferencës, Arbnora Dushi, ka thënë se nisma e këtij organizimi ka qenë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, por ka hasur në përkrahje të parezervë nga Shqipëria, ka dhënë më shumë detaje rreth kumtesave që do të shpalosen në kuadër të konferencës. “Studiuesit e huaj më shumë merren me studime krahasimtare. Këtë e kemi vërejtur në temat që janë dorëzuar deri më tani”, ka thënë Dushi. Sipas saj Konferenca do ta ketë temën bosht, ‘Eposi i Kreshnikëve, monument i trashëgimisë kulturore shqiptare’ që do të pasqyrohet nga Zymer Neziri dhe Shaban Sinani.
Në kuadër të konferencës shkencore për eposin e kreshnikëve do të marrin pjesë studies si John Kolsti, Andrej Fajgejl, Nicola Scaldaferri, Antonio Belushi etj.
Ndryshe, me vendim të Qeverisë së Kosovës në janar të këtij viti është formuar komisioni qeveritar i Republikës së Kosovës për kompletimin e dosjes që eposi i kreshnikëve të futet nën mbrojtjen e UNESCO-s, në mënyrë që të vlerësohet dhe të radhitet ndër kryeveprat e trashëgimisë gojore të njerëzimit. Projekti, i iniciuar nga Zymer Neziri, është paraqitur si propozim i dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, për shkak të statusit politik të Kosovës dhe mungesës të së drejtës për konkurrim në UNESCO, meqë nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.
I'm Teacher of Historian. I give history lectures. My interest is also the field of medieval period like a Scanderbeg's Age, Crusades, Nemanjid period etc