e shtunë, 13 shkurt 2010

Zbulohet letra e vëllait të Musine Kokalarit: Ja si Enver Hoxha e propozoi Musinenë për martesë
E Marte, 22-09-2009, 02:03pm (GMT)

Musine Kokalari - “Martir i Demokracisë”
Musine Kokalari - “Martir i Demokracisë”
Historia tronditëse e social-demokrates që refuzoi “dashurinë” e Enverit
Nga Mexhit Kokalari

Në radhët e grave atdhetare shqiptare për liri dhe demokraci, një vend të merituar zë dhe atdhetarja Musine Kokalari, e cila për tridhjetë e pesë vjet u dergj nëpër burgje dhe internime për të vetmin “faj”, se e donte me gjithë shpirt Shqipërinë të çliruar nga pushtuesit dhe tiranët. Kjo bijë me origjinë Gjirokastrite, lindi më 1917 në një familje intelektuale patriotike. Mbasi mbaroi shkollën e mesme pedagogjike “Nëna mbretëreshë” në Tiranë, shkoi në Romë, ku mbaroi studimet për letërsi me nota të shkëlqyera. Dekanati i universitetit të Romës donte ta mbante si pedagoge, por ajo nuk pranoi duke u thënë se dijet e saj të fituara, do t’ia kushtonte rinisë shqiptare, në atdheun e saj të shumëvuajtur. Si studiuese e letërsisë, (në veçanti e folklorit), botoi shumë libra: “Siç më thot nënua plakë”, “Rreth vatrës”, “Sa u tund jeta”, etj., përveç artikujve të shumtë brenda dhe jashtë shtetit. Gjatë pushtimit italo-gjerman, Musine Kokalari, krijoi në Tiranë Partinë Socialdemokrate, e cila ishte edhe një sfidë për synimet grabitqare të serbomëdhenjve, të cilët me petkun e komunizmit, donin të sundonin e të drejtonin çdo lëvizje çlirimtare në Shqipëri. Pikërisht në këto kohëra të zymta; kur Meladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha bënin ligjin në Shqipëri, në lëvizjen tonë Nacionalçlirimtare. Vëllai i Musinesë, Hamit Kokalari, botoi librin e tij voluminoz, shkencor, demografik, “Kosova djepi i shqiptarizmit”. Musine Kokalarit i vranë gjyshin në ditët e para të largimit të pushtuesve gjerman; dy vëllezër nga komunitetet: Muntazin, themelues i shkollës shqipe “Kosova” në Ejup të Stambollit dhe demokrat i shquar në kryesinë e shoqërisë “Bashkimi”, në degën e Gjirokastrës, dhe Vesimin, përhapës i flaktë i librave patriotike shqiptare. Por e vërteta në atë kohë plotësisht nuk dihej, por ajo: Ndoshta vonon por nuk harron, thotë gjeniu popull. Enver Hoxha e kishte kërkuar si grua Musine Kokalarin, jo vetëm si bashkëshorte por edhe si grua të zonjën, “sy hapur”, të ishte krahu i djathtë i Enverit në punët e tij për Partinë Komuniste. Por gaboi rëndë në pikëpamjet e tij: Atdhetaria e madhe me zemër të pastër shqiptare, e kulturuar, nuk e tradhtonte mëmën e shenjtë Shqipëri, popullin e saj liri-dashës: Kërkesën e Enver Hoxhës e hodhi poshtë me neveri. Enveri, në vjeshtë të vitin 1941, shkon i zemëruar tek vëllai i Musinesë: Muntaz Kokallari, (noter në atë kohë në Tiranë), dhe i përsërit propozimin. Ne le t’ia japim fjalën gruas së Muntazit, Ixhlalit (që unë shkruesi i këtij shkrimi e kam vajzë tezeje Ixhlalin.
“Muntazi i dha përgjigje negative Enverit, ashtu si ja dha Musineja. Bisedimet u ndeshën mes tyre. Enveri i shoqëroi bisedimet e tij edhe me fjalë kërcënuese.

Letra e vëllait të Musinesë

Tani le t’ia japim fjalën vëllait të Musinesë, noterit Muntaz Kokallari, që në një letër shkruan me dorën e tij, ( me vulë noteriale) dhe e firmosur prej tij. Data 9 nëntor 1944, drejtuar bijës së Ymer Vrionit, zonjës Makbule Xomo Vrioni, gruas së Feim Leskovikut, me të cilën ka pasur miqësi familjare. (Kjo letër është botuar në gazetën “Luftëtari i Lirisë”, botim i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve, më 21 nëntor 1944 nr. 8, para 15 viteve).
Zonjë e nderuar Makbule
“ Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur....Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua (vagabondi M. K.), Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: Thjesht për motive personale....... Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së Gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinza, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Fëlliqi botën me borxhe. Ne intelektualët gjirokastrit ja dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura prandaj kërkon të na asgjësojë...”
Fatkeqësisht, në 12 shtator 1944, kjo letër me plot të vërteta ra në duart e Enver Hoxhës. Të dy vëllezërit e heroinës Musine, Muntazi dhe Vesini, së bashku me kushëririn e tyre, Surja Kokalarin, u arrestuan dhe u pushkatuan pa gjyq në bodrumet e hotelit “Bristol”. Në atë kohë, vetën nga fisi Kokalari i qytetit të Gjirokastrës, u shfarosën edhe këta intelektual, komshi të Enverit: Salim Kokalari, Izvi Kokalari, Isa Kokalari, Verra Kokalari, Emin Kokalari etj. Ndërsa Munir Kokalarin, udhëheqja e degjeneruar, me sjelljen e tyre të poshtër e detyruan të vrasë veten. Nuk flas për të dënuarit e të pushkatuarit në Kokalar në Durrës, si pedagogun Salim Kokallari etj., qoftë edhe për internime deri tek motra ime me gjithë familje, që duan kapituj librash më vete për t’i shkruar ku kanë arritur komunistët, me nxitjen e shovenëve grekë, që prishën dhe varrezat tradicionale të këtij fisi me të kaluar të vjetër kombëtare, ku mbi këto varreza, mbi kockat e Kokalaranjve, sot është ngritur vila e konsullit grek të Gjirokastrës. Vlen të theksohet vepra kombëtare e kushëririt të Musinesë, e arsimtarit Tajar Kokalarit, që ka lokalin në treg kundrejt konsullatës greke të Gjirokastrës, të cilit i grisën flamurin kombëtar armiqtë e Shqipërisë, që e mbante ngjitur në dyqan. Ndërsa shtëpinë e Sami Kokalarit, ku pjesa më e madhe ishte e tij, komunistët e shpallën: Shtëpia Muze e shokut Enver Hoxha. Nën ndikimin e inatit të tërbuar të Enver Hoxhës dhe shërbimin e detyruar ushtarak, bijtë e Kokalarëve duhet ta kryenin: Në repartet ushtarake punë, pa armë, vetëm me kazma dhe lopatë, nëpër miniera guri për ndërtime ushtarake, hapje galerish, nëpër bregdet për strehim të nëndetëseve si në Himarë, ku edhe unë me djalin tim në këto reparte e punë ndëshkimore e kemi kryer shërbimin ushtarak, pa pasur asnjë faj personal, përveç se ishim “Kokalarë”. Unë si efektiv i repartit ushtarak 7710 në guroren e fshatit Brar të Tiranës, ndërsa djali në bregdetin e Himarës. E përsëris i vetmi, i ashtuquajturi faji ynë, pse ishim “Kokalarë”. Dhe për gra kishim bija të reaksionarëve të pushkatuar nga partia, sikurse ishte rrasi im që isha martuar me bijën e gjirokastritit Hajro Late, druvari analfabet, dy vëllezër të vrarë nga shovinistët grekë në postën kufitare Kakavijë, ku kanë edhe sot lapidaret, ku vet vjehrrin tim Hajro Laten, nën ndikimin grek, e vrau partia komuniste në vjeshtë të vitit 1943, pa pasur asnjë faj dhe as e dinte pse e kërkoi partia! Çfarë kishte bërë për ta vrarë? Sikurse dihet, socialdemokratja gjirokastrite Musine Kokalari, bashkë me vëllezër, i dënoi këto dënime të komunistëve. Ajo mbeti një heroinë e pamposhtur kundrejt partisë komuniste me në krye tiranin Enver Hoxha. Ditët e fundit të jetës së saj i kaloi në Rrëshen, në një pension të mjerueshëm, dhe kur vdiq e shpunë në varr mbi një makinë të ngarkuar me zhavorr.

Letra e dytë
Zonjë e nderuar Makbule.
“Erdha dhe s’të gjeta, mbesa juaj me tha se ndodheni në Elbasan bashkë me Feim Beun. Po përjetojmë ditë të vështira. Erdha t’iu përshëndes se kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur, që tani ka aq shumë nevojë për mua. Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua i Gjirokastrës, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: Thjesht për motive personale, se na kemi qenë kundërshtarë të okupatorit Nazi-Fashist dhe kemi punuar thjeshtë për të mirë e përparimin e Kombit. Siç e kemi biseduar edhe herë të tjera, fatkeqësi e Kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinëzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar edhe kur që jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Fëlliqi botën me borxhe. Ne intelektualët gjirokastrit ja dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura prandaj kërkon të na asgjësojë. Po kam besim se këtij batakçiu, bashkë me djajtë e kuq, shpejtë ka për t’i dalë boja. Këtë radhë besoj se do të na ndihmojë Evropa dhe Amerika dhe mbas shkatërrimit të tij, me të do të tallën dhe gurët e sokakëve. Më fal që u zgjata më këtë çështje se nxora pak dufin. Megjithatë, përpjekjet e vazhdueshme nuk ta mbarova dot hipotekimin e shtëpisë, gjë të cilën ju e kishit me shumë merak, sepse në këto rrethana ngatërresash, nuk funksionojnë zyrat prej kohësh, e për më keq ato kanë rënë në duart e djajve të kuq. Jam bashkë me mikun tim dhe tuajin të besës, zotin Hamid Llagami. Mbetëm dakord që një kopje të Note Transkriptimit të shtëpisë së përgatitur për hipotekën, e kemi lënë bosh vendin e hipotekimit që ta plotësojë kur t’i krijohet mundësia zoti Hamid, dhe në fund të faqes kam firmosur e vulosur unë mbi boshllëkun e bardhë pa caktuar datën. Hamitit i kam lënë të gjitha materialet e orenditë me gjithë pajimet e zyrës time noteriale. Për çdo problem që do të lindë me mungesën time, t’i drejtohesh pa asnjë ndrojtje sikur të jem unë. Me këtë letër po të dërgoj dhe një Note Transkriptim të shtëpisë origjinale, firmosur e vulosur nga unë, ta kesh për çdo eventualitet se ka fuqi ligjore. Do të të lutem shumë të më mbani afër familjen, se ju jeni grua e zonjë , e me aftësi të rrallë, zemër të madhe, dhe ke forca të përballosh këtë rrebesh të egër. Të fala shumë mikut tim të dashur, Feim beut. E përqafoj duke ju lutur Zotit të na ndihmojë e të shihemi në Shqipërinë e lirë dhe pa djaj të kuq.
Me respekt të thellë, i juaji, Muntaz Kokalari
Tiranë më 9 nëntor 1944

Kush ishte Musine Kokalari?

Musine Kokalari lindi në 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të pare “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë, formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, te cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxorën nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës, i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.
Kur vdekja komandohet nga “lart”
“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste, duke lënë të kuptohej se “ai” nuk ishte veçse Enver Hoxha, i cili u kujdes deri në fund për dënimin e saj. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983, nga kanceri. Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba.
Tirana Observer

Përurohet Muzeu 'Ibrahim Kodra'

Flet politikani dhe biznesmeni Behxhet Pacolli.


Nga Evis Golja
12 Shkurt 2010


ROME (ITALI) - Cilido artdashës, shqiptar apo italian, i cili ka shfletuar faqet e gazetës «Corriere della Sera», të datës 7 shkurt 2010, pa dyshim ka mundur të lexojë në brendësi të saj njoftimin e shkurtër mbi artin e Kodrës: «In memoria di Ibrahim Kodra. Inaugura, alle 17.30, la mostra «Ibrahim Kodra. In memoria di un artista ultimo post-cubista» organizzata dalla «Fondazione per i ragazzi di Ibrahim Kodra» alla Residenza La Romantica, via Cantonale 3, Melide, accanto a SwissMiniature (Svizzera). Nella Residenza sorgerà il museu intitolato a Kodra.»

Do zgjidhej pikërisht 7 shkurti, dita e përvjetorit të vdekjes së Ibrahim Kodrës, për tu inaguruar Muzeu dedikuar shqiptarit dhe artistit të madh, në Melide, një nga zonat më piktoreske të Lugano-s, me inisiativën e biznesmenit dhe politikanit kosovar Behxhet Pacolli i cili, së bashku me z.Fatos Faslliu, janë autorizuar nga vetë Kodra «të kujdesen për trashëgiminë e tij kulturore».

Në një ambjent majft të këndshëm e mikpritës, nëpërmjet dritareve të mëdha të së cilës admirohet liqeni i bukur i Lugano-s, ku për çdo detaj është treguar një kujdes i veçantë, duke filluar që nga qirinjtë, që të shoqërojnë përgjatë hyrjes, e deri në përshëndetjen e mirëseardhjes që z.Pacolli, në hyrje të sallë, i bën personalisht çdo të ftuari, pasditja e 7 shkurtit kthehet në një moment krejtësisht të veçantë për të gjithë.

Në muret e kësaj ndërtese shumëvjeçare, janë ekspozuar mjaft punime të Kodrës, totem-at karakteristike dhe dalluese të artit të tij, faqe gazetash nga shtypi i kohës, dëshmi që Maestro ka marrë në vite e deri edhe veshjet e tij «të çuditshme», këpucët dy ngjyrëshe e çorapet shumëngjyrëshe, ku asnjë prej tyre nuk lidh me tjetrën.

Sepse kështu e shikonte botën ai, shqiptari Kodra, plot ngjyra që do ishin karakteristike edhe në punimet e tij. Për cilindo nga ne, që e ka njohur Maestron dhe artin e tij, këto elemente dikur nuk përbënin asnjë çudi ndërsa sot, tek i rishokojmë të ekspozuara, ato, padyshim, kthehen në emocion.

Do të ndalej gjatë dhe do të tregonte shumë momente private, nga njohja me Kodrën, z.Pacolli; Do të fliste me majft dashuri dhe do thoshte se ndjehej krenar që përfaqësonte një figurë si Maestro Kodra, por do të shprehte njëkohësisht edhe keqardhje për indiferentizmin e shtetit shqiptar ndaj figurës së Kodrës.

Bexhet Pacolli flet gjatë dhe tregon punën që ka bërë në gjithë këto vite pas ndarjes nga jeta të Kodrës dhe atë që mendon të bëj në të ardhmen, duke filluar së pari nga mbledhja e punimeve të Kodrës, kudo që janë, për t'i ekspozuar në ambjentet e këtij muzeu, projekti i të cilit është të zgjerohet akoma më shumë për tu kthyer në një nga muzeumet më të mëdhaja të këtij lloji.

Ndaj edhe inagurimin e tij, nëpërmjet kësaj ekspozite, e nderuan me pjesëmarrjen e tyre autoritete zviceriane, kritikë arti sidhe ata, që në këtë rast nuk mund të mungonin, mjaft shqiptarë të Milanos, një pjesë e të cilëve kishin patur fatin ta njihnin Maestron personalisht. Padyshim është paksa e vështirë të mundesh të flasësh me z.Pacolli, por gjithsesi gjej rastin për t'i drejtuar atij 2-3 pyetje. I qeshur dhe me mjaft përzemërsi z.Pacolli do t'i përgjigjej pyetjeve të mia në lidhje me këtë projekti i cili, momentalisht, realizoi fazën e parë të tij.

«Po, ky është hapi i parë. -do përgjigjej z.Pacolli -Ne kemi krijuar një Fondacion, që quhet «Ibrahim Kodra», i cili është krijuar menjëherë pas vdekjes së Kodrës. Ky Fondacion ka bërë hapin e parë, që është hapja e Muzeut «Ibrahim Kodra», këtu në Zvicer, sigurisht muzeu i parë krahas shtëpisë ku ai ka jetuar, pra jashtë Shqipërisë dhe Kosovës dhe do të pasojë me hapjen e një Muzeu në Prishtinë dhe Tiranë, pasi mendoj se këto dy vende kanë ngelur pak mbrapa në këtë drejtim dhe kështu mund ta njohin Ibrahim Kodrën. Nëse Muhameti nuk shkon tek Kodra, Kodra shkon tek Muhameti dhe, nëse ata nuk kanë mundur të njohin Ibrahim Kodrën, tani ne do ta çojmë Ibrahim Kodrën dhe veprat e tij në Kosovë dhe Shqipëri. Dhe ne mbesim, po e theksoj, me shpresën më të madhe që amanetin e tij ta çojmë në vend, trupin e tij ta zhvendosim në Tiranë dhe varrin e tij ta dekorojmë në një mënyrë shumë të thjeshtë, me dy gurë, njëri nga Kosova e tjetri nga Shqipëria».

Ndërsa, në lidhje me kontributin e shtetit shqiptar në projektet mbi Kodrën, z.Pacolli do shtonte: «Kontributi i shtetit shqiptar do të ishte shumë i madh vetëm nëse nuk do të pengojë dhe do mbështesë inisiativën mirëdashëse për Ibrahim Kodrën. Ibrahim Kodra e ka dashur shumë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe ai e meritonte që amaneti i tij të realizohej por, siç ndodhi, ky amanet nuk u realizua. Më kujtohet, me shumë keqardhje momenti kur u rrëmbye prej pushtetit të atëhershëm kufoma e tij prej aeroportit të Rinasit dhe e çuan për në një fshat ku ai nuk donte të varrosej. Dhe ne duhet të bëjmë çmos, të lusim çdokënd që e don Ibrahim Kodrën që kufoma e tij të kthehet aty ku ai donte».

Afërsia e z.Pacolli me Kodrën bëri që të njohë e bashkëpunojë edhe me z.Fatos Faslliu (kujdestar i testamentit të Kodrës) ndaj sot, në këtë ditë të veçantë, ku përkujtohet Kodra, por një ditë e veçantë edhe për vetë ata pasi kurorëzojnë një nga momentet e rëndësishme të punës së tyre, ata gjenden në krah të njëri-tjetrit, ashtu siç i kishte lënë vetë Maestro dikur e siç do të donte t'i shihte gjithmonë, të rrethuar nga dashamirës të cilët i kanë njohur vite më parë e të cilët nuk kursejnë sot falenderimet për ta, prandaj, edhe pyetjes sime, për të mbyllur bisedën me z.Pacolli, se si shkon bashkëpunimi midis tyre, z.Pacolli do t'i përgjigjej: «Gjithmonë me z.Fatos Faslliu kemi punuar dhe jemi miq të vjetër. Kontributi i Fatosit për Kodrën është i pamatur, pasi në ditët më të vështira, kur Kodrës i nevoitej dikush afër, ky ishte aty, ditë e natë. Edhe unë kam patur nderin që të jem pjesë e fund jetës së tij dhe ta kaloj me të dhe mund të krenohem që ai shtëpinë time e ka quajtur si shtëpinë e tij të dytë. Kështu që unë për Fatosin nuk kam fjalë më të mira, por më mbetet t'i them lavdi këtij burri e perëndia e ruajt atë e familjen e tij».

Pasditja jonë e këndëshme do të shoqërohej nga një mbrëmje akoma më e bukur. Për të gjithë të ftuarit z.Pacolli kishte shtruar një darkë, në Hotel Swiss Diamond, fare pranë Muzeut, ambjentet e bukura të të cilit ishin zbukuruar me mjaft punime të Kodrës. U larguam nga Zvicera, pas mesnatës, ndoshta për t'u mbledhur përsëri, në të njëjtin vend, në datat përkujtimore të Mjeshtrit të madh Ibrahim Kodra, ashtu siç do të shprehej edhe vetë z.Pacolli, duke ju drejtuar të ftuarve, para ndarjes: «Ju falenderoj për praninë tuaj dhe ju ftoj të vini përsëri. Dyert e këtij Muzeu do t'i gjeni gjithmonë të hapura ashtu siç do të gjeni gjithmonë edhe një zemër të hapur».

HermesNews - ©2010