Histori e shkruar nga polakët
Botohet në Poloni "Historia e Shqipërisë" nga kohët e lashtë deri në vitin 2005. Botim i pasuruar me hulumtime mbi Shqipërinë postkomuniste mbështetur edhe nga dokumente të Arkivit të Shtetit.Përpjekja e parë për të dhënë atë sekuencë fenomenesh që kanë qenë përcaktuese për formën e jetës politike dhe shoqërore të shqiptarëve bashkëkohorë
Botohet në Poloni "Historia Albanii" ("Historia e Shqipërisë") i autorëve Tadeusz Czekalski, Jerzy Hauzinski, Jan Leśny. Libri trajton historinë e Shqipërisë që nga kohët e lashta deri në vitin 2005.
Siç na njofton një nga autorët, Czekalski, kjo vepër është sinteza e parë tërësore e historisë së Shqipërisë, që publikohet në gjuhën polake, që prej vitit 1992. Ajo përfshin periudhën që nga zbulimet e para arkeologjike në territorin e Shqipërisë së sotme, deri në vitin 2007, vit kur zgjidhet si President i Shqipërisë, Z. Bamir Topi.
Botimi i mëparshëm i Historisë së Shqipërisë, i botuar në vitin 1992, po nga këta tre autorë, "përfshinte praktikisht vetëm periudhën deri në vitin 1946, duke reflektuar njohuritë që asokohe ekzistonin në Poloni për Shqipërinë", thotë për "Shekullin" prof. Çekalski, përgjegjës për Periudhën nga Tanzimati deri në shekullin XXI.
"Botimi i ri është pasuruar dhe plotësuar me hulumtime të ndërmarra prej autorëve tashmë mbi Shqipërinë postkomuniste si dhe është mbështetur nga dokumentet e grumbulluara nga Arkivi i Shtetit.
Kjo është po ashtu përpjekja e parë për të dhënë në gjuhën polake atë sekuencë fenomenesh, që kanë qenë përcaktuese për formën e jetës politike dhe shoqërore të shqiptarëve bashkëkohorë."
Autori bën të ditur se libri ka karakter popullarizues, por do të shërbejë edhe si libër shkollor për studentët e degës së studimeve ballkanistike "të cilët e shohin Shqipërinë me interesin e politologut, etnologut, apo të njohësit të kulturës.
Ky libër krijon gjithashtu mundësinë e thellimit të atyre pjesëve që trajtojnë çështjet shqiptare, në librat e historisë së Ballkanit të botuara së fundmi në gjuhën polake (Maria Todorova, Barbara Jelavich)."
Hyrja e cila i dedikohet historisë së kërkimeve mbi problematikën shqiptare si dhe periudhës së Mesjetës deri në shfaqjen e Skënderbeut është shkruar nga historiani i çështjeve të Mesjetës, i ndjeri profesori Jan Lesny, i Universitetit të Poznanjit.
Historia e Antikitetit të Shqipërisë (para luftës me Romën) dhe periudha e dominimit otoman është vepër e historianit të Orientit dhe Turqisë, prof. Jezhi Hauzhinjski, ish rektor i Shkollës së Lartë në Supsk.
Pjesa e fundit të librit, e cila përshkruan periudhën nga fillimi i reformave të Tanzimatit deri në kohërat moderne, është shkruar nga prof. Tadeush Çekalski - historian, ballkanist dhe pedagog në Universitetin e Jagielonëve në Krakovë.
Çekalski ka ardhur disa herë në Shqipëri. Vitin e kaluar nënshkroi një marrëveshje në emër të Institutit të Historisë të Universitetit të Jagelonëve me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Institutin e Historisë.
Ai njihet si autor i mjaft artikujve për Shqipërinë dhe i librave "Histori e shkurtër e krishtërimit shqiptar në vitet 1912-1993", "Shqipëria në vitet 1920-1939, shteti, ekonomia dhe kultura", "Shqipëria në vitet 1920-1924, aparati shtetëror dhe funksionimi i tij" me të cilën mbroi tezën e doktoraturës dhe "Shqipëria e shekullit të XX-të", Varshavë 2003.
"Historia e Shqipërisë" plotësohet nga harta, të cilat përvijojnë para së gjithash ndryshimet e lëvizjeve të popullsisë dhe të kufijve të shtetit, si dhe me tabela, të cilat pasqyrojnë zhvillimin ekonomik të vendit apo me tabelat gjenealogjike të udhëheqësve shqiptarë prej Taulantëve e deri tek fisi i Zogollëve.
Leximin e librit e lehtësojnë indekset e zgjeruara (personale dhe gjeografike) si edhe lista e krerëve të shtetit dhe e udhëheqësve të qeverive shqiptare e sjellë deri në ditët tona. Prof. Çekalski shpjegon se "problematikës së diktaturës dhe të transformimeve i janë kushtuar katër kapitujt e fundit të librit.
Në dallim nga shumica e botimeve të publikuara në Poloni, ky libër orvatet të përkufizojë sfondin shoqëror të diktaturës si dhe mekanizmat e ndikimit të saj mbi shoqërinë. Rëndësi të veçantë merr analiza e modelit kulturor që ishte i një lloji krejt të veçantë për komunizmin si dhe mekanizmat e ateizimit të vendit."
Edhe pse në tekst mbizotërojnë ngjarjet të cilat ndodhin brenda kufijve të Shqipërisë, ato janë të ndërlidhura me reflektime mbi transformimet në Kosovë dhe Maqedoni të bashkësive shqiptare, që jetojnë në këto territore.
Procesi i transformimit është treguar në dy faza: deri në vitin 1997 dhe pas vitit 1997 - dhe është paraqitur kryesisht si fenomen ekonomiko-shoqëror. Çekalski shton se "natyra sipërfaqësore e ndryshimeve që po ndodhnin, dobësia e aparatit shtetëror por edhe barrierat esenciale anti-moderniste, të cilat bllokonin zhvillimin e vendit, janë paraqitur si faktorët vendimtarë që çuan drejt katastrofës së vitit 1997."
Faza e dytë e transformimeve (pas vitit 1997) është trajtuar në formë të përmbledhur, më tepër e parë në prizmin e stilit të qeverisjes së Fatos Nanos dhe Sali Berishës, por edhe në dritën e sfidave dhe kërcënimeve kryesore, të cilat dalin para Shqipërisë së sotme.
Për lexuesin polak kjo është një prej përpjekjeve të rralla për të paraqitur veçoritë e transformimeve politiko-ekonomike të Shqipërisë, që pothuaj nuk është fare e pranishme në mediat polake si dhe për të përshkruar ndryshimet shoqërore që lidhen me këto transformime.
Elsa Demo
Gazeta Shekulli 17.02.2010
Nuk ka komente:
Posto një koment