Pavijoni për diktaturën mbahet pezull
Rikthehet çështja e pavijonit "Genocidi". Drejtori ri Luan Malltezi thotë se hapet "së shpejti". Objektiv i largët, i Muzeut Historik Kombëtar, duket dixhitalizimi i pasurisë historikeNë shkurt të vitit 2009, kur hapej ekspozita "Nderim viktimave të sistemit komunist" në Muzeun Historik Kombëtar, u vë për herë të parë se çfarë janë në gjendje të bëjnë institucionet e kujtesës historike për të dëshmuar krimet dhe dhunën e diktaturës. Aty u tha se ky ishte vetëm fillimi.
Se ekspozita në fjalë do të shërbente si modeli bazë për një pavijon permanent në Muzeun Kombëtar. U tha dhe u harrua. Qysh atëherë u ndërruan disa ministra kulture, u ndërrua dhe drejtori i Muzeut, por në asnjëra palë deri tani nuk ka pohuar se çfarë ka ndër mend të bëjë me projektin e pavijonit antikomunist apo të të ashtuquajturit "Pavijon i Genocidit".
Apo duhet besuar se ekspozita e 19 shkurtit 2009 ishte një show politik.
I pyetur nga Shekulli për projektet e vitit 2010, ndër të tjera edhe për këtë pavijon, Luan Malltezi, tha se po punohet dhe "së shpejti" do të ngrihet.
Është ngritur një grup pune që po merret me projektin, më pas ky projekt shqyrtohet në Këshillin Shkencor të Muzeut Historik Kombëtar dhe prej këtej në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Procedurat, hallkat dhe ritmi i burokracisë nëpër cilën kalojnë "këto punë", lënë të kuptosh që do duhet kohë për të parë rezultatet e kësaj ideje që u shpall nga kryeministri Sali Berisha, u propagandua nga ish ministri Ylli Pango dhe u premtua deri vjeshtën e shkuar nga ish drejtori Kasem Biçoku.
Megjithatë projekti më i afërt për zbatim për drejtorin Luan Malltezi është pavijoni për diktaturën. Duket utopike kur MHK ka nëpër këmbë çështje më të vogla se kaq, e që ende nuk kanë gjetur zgjidhje.
Se çfarë projektesh të tjera ka për vitin 2010, ku në asnjë prej tyre nuk zë vend një politikë më e mirë për prurjen e vizitorit në Muze, Malltezi tregon në këtë intervistë.
Z. Malltezi cila është detyra e ngutshme që duhet të përmbushë gjatë 2010-ës Muzeu Historik Kombëtar?
Muzeu Historik Kombëtar paraqet disa probleme. E para, është një muze i politiziuar dhe e dyta ka mbetur pas zhvillimeve teknologjike. E them këtë sepse muzeu ka probleme të paraqitjes muzeale.
Ai nuk paraqet situatat reale të fushave të tjera, si për shembull arkeologjia.
Konsideroj shumë të rëndësishëm dixhitalizimin. Ky është një program afatgjatë.
Institucionet kryesore të trashëgimisë dhe të kujtesës e kanë vënë në vijë më kohë procesin e dixhitalizimit. Ju në ç'fazë jeni?
Do të depozitohet i gjithë informacioni për figurat dhe periudhat historike, sipas një programi shkencor të përpunuar nga specialistët.
Çfarë po bëhet për pavijonin për diktaturën? Ka një vit është premtuar.
Aktualisht për të po punojmë. Kemi mbledhur specialistët më të mirë dhe shpresojmë që shumë të shpejtë të kalojmë në krijimin e pavijonit të genocidit.
Do të kemi një bashkëpunim me Arkivin e Shtetit, me Bibliotekën Kombëtare, me Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me muzetë e rretheve, kudo që të ekzistojë materiali.
Cilët specialistë po punojnë?
Marrin pjesë specialistë të Muzeut Kombëtar, të Arkivave dhe nga Ministria e Brendshme. Projekti do ta kalojë në Këshillin Shkencor, pastaj në Ministrinë e Kulturës për ta ekzekutuar.
Po punojmë ndërkaq, për të ngritur pavijonin e etnografisë, ku do të ekspozohet kultura e qytetit dhe të fshatit.
Keni gjurmuar dhe mbledhur të tjera materiale veç atyre që u ekspozuan një vit përpara në ekspozitën e antikomuznimit?
Janë materiale për një kategori njerëzish të cilat, aktualisht, nuk pasqyrohen në Muzeun Historik Kombëtar. Prandaj thashë edhe më parë, Muzeu Historik Kombëtar është i politizuar. Muzeu është Kombëtar dhe duhet t'i shërbejë gjithë kombit.
Materiali filmik dhe fotografik do të jetë më i pasur sesa ai që kemi parë në ekspozitën e kaluar.
Ndërkohë muzeu ka një veprimtari të përhershme të tijën. Organizimin e ekspozitave të ndryshme, siç kishim këto ditë, ekspozitën kushtuar shpëtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Duke iu referuar stendës që përmendët, por edhe ekspozitës për 90-vjetorin e Kongresit të Lushnjës.
Vihet re mungesa në prezantim e dokumenteve origjinale.
Në muze nuk pasqyrohet i gjithë dokumentacioni që disponon shteti për ngjarjet. Tek stenda dedikuar hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë paraqitur pak materiale. Ekipi i punës në MHK sigurisht që do të punojë, për pasurimin e mëtejshëm.
Deri tani nuk përmendët vizitorin. Çfarë do bëni për ta sjellë në muze?
Aktualisht, numri i vizitorëve nuk është shumë i madh. Por nëse fusim një program të pasur, besoj se do ta bëjë shumë interesant. Sigurisht kjo kërkon që idetë të diskutohen me specialistë, të fillojë kërkimi i këtij materiali që gjendet në institucione të ndryshme.
Jorida Pasku
Gazeta Shekulli 10.02.2010
Nuk ka komente:
Posto një koment