e premte, 11 shkurt 2011

Mbërritën në atdhe eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit 

U rikthye në atdhe pas 94 vjetësh. Eshtrat e Imzot Dom Nikollë Kaçorrit, një prej figurave më të rëndësishme të lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, mbërritën në Rinas, dje në orën 15:00, ndërsa janë pritur me nderime nga dhjetëra qytetarë e të afërm të tij. Pas ceremonisë së thjeshtë, të organizuar nga vetë kisha katolike, në Rinas eshtrat janë nisur drejt Durrësit, ku do të rivarrosen me datë 13 shkurt, në ambientet e Kishës katolike të qytetit bregdetar, pas një ceremonie përkujtimore, e cila do të mbahet në sheshin “Liria”. Kërkesa për riatdhesimin e eshtrave në Shqipëri është bërë nga Kisha Katolike e Durrësit, e cila u ka drejtuar një kërkesë autoriteteve austriake. Eshtrat e Imzot Kaçorrit preheshin në Vjenë të Austrisë, por pas një kohe të gjatë përpjekjesh dhe me ndihmën e familjes Kaçorri, që jeton në Shqipëri dhe Kanada, me përkrahjen e ambasadës shqiptare në Vjenë, me ndihmën e veçantë e autoriteteve austriake, të cilat mbuluan edhe shpenzimet e këtij procesi, më në fund u bë i mundur kthimi në atdhe. Një kontribut të veçantë për riatdhesimin e eshtrave kanë dhënë dhe anëtarë të Misionit Katolik Shqiptar nën drejtimin e meshtarit dom Pren Kola. Imzot Dom Nikollë Kaçorri, ishte figurë kryesore në lëvizjen kombëtare për pavarësi. Nënkryetar i qeverisë së Vlorës l9l2, një personalitet i spikatur i kishës katolike, sekretar i Argjipeshkvisë së Durrësit, me qendër asokohe në Delbnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke pasur në administrim dhe kishat e famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, ku u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe, përkrah Fishtës dhe personaliteteve të tjera të kohës. Në vitin l909, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit, ku u diskutuan probleme të shkollës shqipe. U nda nga jeta në Vjenë, në vitin l9l7, pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 55-vjeçare. 

Gazeta Panorama

10 Shkurt 2011             

Kullat e jugut

 Ermir Hoxha         07/02/2011

 Qendra Rajonale e Trashëgimisë Sarandë, ka përfshirë në 116 monumente të kategorisë së parë që ka nën administrim disa banesa karakteristike të Delvinës 


Prej një farë fame që gëzojnë kullat e veriut, me ato arakteristikat që kulmojnë në të qenit heroike, një konotacion që në fakt përmblidhen dhe tipare të tjera si besa, mikpritja, burrëria, trimëria, etj., të vjen të pyesësh nëse dhe jugu i ka të tilla.

Në shikim të parë, duket se kështu është, por në zhargonin e profesionistëve të fushës, të cilat ngrehinat e gurta të jugut, karakteristike sidomos për zonën e Delvinë-Sarandës, i klasifikojnë thjesht si shtëpi karakteristike, gjigande për nga madhështia dhe funksionaliteti.
Në këtë aspekt për shembull, veçohen ambientet apo dhomat e shërbëtorëve e hyzmeqarëve, të cilat nuk mund hasen në kullat e veriut, siç nuk hasen frëngjitë në ato të jugut. Kjo diferencë, sikur i bënë më të paqme këto të dytat, ndërsa grandioziteti i përgjigjet më tepër salltanetit, parasë së madhe, agallëkut, bejlerllëkut, ndryshe nga ç'mund u përgjigjen ato të veriut treguesit të forcës, vitales, heroikes.

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Sarandë, në 116 monumente të kategorisë së parë që ka nën menaxhim, një pjesë prej tyre janë dhe banesat karakteristike të zonës, ku veçohet Konispoli me banesën e Hame Takos, të Beqo Zenunit, të Alush Takos, të Maze Gaxhait, të Dino Omerit, ish-spitalin dhe banesën e vëllezërve Koqini.

Po ashtu, janë zgjedhur për të qenë monumente të Kategorisë së Parë dhe nga një banesë në Vagalat, Sopik e Janjar. Këto banesa, disa janë të braktisura e disa ta banuara, gjithnjë nën vëzhgimin e autoriteteve lokale të trashëgimisë, ndërkohë që dëmin më ta madh duke pësuar një rrënim të dhimbshëm e kanë pësuar banesat karakteristike të Dizdarajve në fshatin Rusan të Delvinës.

Por një resurs i madh i kësaj pasurie të trashëgimisë, është dhe lagja Llakë në Delvinë, që autoritetet bashkiake lokale në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë, kanë vendosur t`ia bëjnë hyzmetin për t`i klasifikuar dhjetëra banesa karakteristike të kësaj lagjeje, si Monumente të Kategorisë së Parë.

Ato aktualisht janë me status "mbrojtje paraprake", një fazë e parë kjo para kategorizimit së synuar, nëse do jetë i tillë pas mbledhjes së të dhënave për plotësimin e kritereve, ku ndër to është dhe vjetërsia e tyre që duhet të jetë mbi 100-vjeçare, si dhe veçoritë e konstruktit, arkitektura dhe teknika e ndërtimit. Disa prej këtyre banesave ndodhen tërësisht të braktisura prej ikjes së të zotëve të tyre në emigrim, të cilat shkojnë drejt një rrënimi të pashmangshëm.

Ndërsa disa të tjera që banohen ende, u janë adoptuar elementë të modës në përpjekje për meremetime të pjesshme, siç janë kasat prej duralumini në dyer e dritare apo dhe ndonjë shtojcë a arnim prej betoni, që ua ka cenuar rëndë origjinalitetin.
Sakaq, Delvina zotëron dhe një resurs të madh trashëgimie, ndonëse nuk mundet ta ketë në mbrojtje zyrtarisht si vlerë monumentale, që është ajo e godinave karakteristike dykatëshe në qendër të qytetit.

Nuk mundet ta ketë, sepse sipas Qendrës Rajonale të Trashëgimisë, ato godina nuk plotësojnë disa kritere, siç një prej tyre, vjetërsinë. Megjithatë, ato ruajnë një efekt aparencial të magjishëm me karakteristikat e tyre dhe për qytetin shërben si një element i fortë identitar. Për këtë arsye, shumë banorë të Delvinës, nga 30-ta e sipër, "qajnë me lot", prishjen e të tilla godinave në vitin 1987, për t`u ndërtuar në vend të tyre një rresht pallatesh të përzishme "enveri", që ata e konsiderojnë si një "`97 urbanistike" për qytetin.

Po kështu "qajnë" dhe prishjen e godinave të pazarit karakteristik, me nam për gjithë zonën e Labërisë e një pjesë të mirë të jugut të Shqipërisë, duke mbetur të muzeuara përveçse në foto të ndryshme, edhe në imazhet e filmit "Historiani dhe kameleonët". Ato që kanë mbetur, po ashtu janë arnuar me duralumin. E megjithatë, mbeten një kujtesë e vyer për qytetin; një fotografi reale e një të shkuare të nurshme, të sojshme.

Gazeta Shekulli