e martë, 11 tetor 2011

Muzeu Historik, i shtohet një kopje e dixhitalizuar të Statutit të Shkodrës

Pavijonit të Mesjetës i shtohet një dokument i rëndësishëm dhurimi i një kopje të dixhitalizuar të Statutit të Shkodrës nga studiuesja e italiane, Lucia Nadin, e cila është marrë që prej vitit 1995 me studimin e statuteve.

Drejtori i Muzeut, Luan Malltezi tha se ky është projekti i pare për bashkëpunimin në të ardhmen me Muzeun Historik Kombëtar në drejtim të pasurimit të fondeve (shek. XIV).

Studiuesja Nadin, gjatë konferencës, prezantoi punën e saj hulumtuese, kërkimore, shkencore për veprën në fjalë si dhe planet për të ardhmen në drejtim të pasurimit të fondeve të MHK.

“Me ekzistencën e kësaj vepre jam njohur që në vitin 1995 në arkivat e Venecias. Libri përbëhet nga 279 kapituj që përcaktojnë me ligj, jetën qytetare të Shkodrës, në regëti, bujqësi, artizanat, ndërtim, në marrëdhëniet e pronësisë, si dhe në shumë aspekte të së drejtës civile dhe penale”, tha ajo.

Ky është projekti i parë për bashkëpunimin në të ardhmen me MHK në drejtim të pasurimit të fondeve të muzeut me dokumente të rëndësishme në formë dixhitale.

e hënë, 29 gusht 2011

Ekspozita “Shkëlqimi i Bizantit” prezanton në Sofje dorëshkrime të paçmueshme shqiptare 

E Premte, 26 Gusht 2011 Radio Bullgaria, Kultura, 
 
Eksponate të paçmueshme të ofruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Tiranë ndodhen në Sofje në Galerinë e Arteve të Huaja. Në botë ekzistojnë 7 Ungjij të purpurit me tekste nga Dhjata e Re. Dy prej tyre erdhën nga Shqipëria. Ata janë nga një kishë në qytetin Berat. Bëhet fjalë për dorëshkrime mbi pergamenë të purpurit – nga vjen dhe emri i tyre. Natyrisht koha ka ndryshuar shumë ngjyrat e faqeve.
Kodiku i Korçës, nr. 92 dhe nr. 93, katërungjillësh, shek. X
Kodiku i njohur si Beratinus I, i cili daton në shek. VI, faqe numër 108
Me siguri kodikët nga Shqipëria janë eksponatet më të vlefshme në këtë ekspozitë. Më i vjetri është nga shekulli i gjashtë dhe është një nga 4 arketipat ekzistuese në botë, sipas të cilëve shkencëtarët restaurojnë tekstet e Dhjatës së Re. Ungjilli i dytë nga Berati është nga shekulli i IX-të.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte fshehur në një pus dhe në vitin 1968 ishte gjetur përsëri. Restaurimi i tij është bërë në Kinë. Përveç teksteve ai përfshin dhe miniature të mahnitshme të ungjillorëve Gjon, Mateu dhe Marku. Të dy kodikët në fjalë janë nën mbrojtjen e UNESKO-së.

Pjesa më e madhe e dorëshkrimeve në këtë ekspozitë janë prona e Qendrës së studimeve sllavo-bizantine “Akademik Ivan Dujçev” pranë Universitetit të Sofjes.
Kodiku i njohur si Beratinus I, i cili daton në shek. VI, faqe numër 112
Ekspozita është pjesë e ngjarjeve të organizuara në lidhje me Kongresin e XXII ndërkombëtar të studimeve bizantine, i cili zhvillohet në Sofje nga 22 deri më 27 gusht të vitit 2011. Ai organizohet nga Asociacioni i bizantologëve dhe medievistëve në Bullgari dhe është nën patronazhin e UNESCO-së dhe të presidentit të Republikës së Bullgarisë, Georgi Përvanov.
Mikpritës i forumit është Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. Profesorja Aksinia Xhurova është bashkëkryetare e komitetit të organizimit të kongresit. Ajo shpjegoi se dorëshkrimet sllave, me të cilat disponojmë në Bullgari janë nga shekulli i X-të, nuk kemi më të hershme. Dhe mund të përfytyrojmë çfarë është vlera e dorëshkrimit nga Shqipëria, i shkruar në kohën kur Qirill dhe Metodi dhe nxënësit e tyre kanë qenë në këto troje.

Një nga organizatorët e ekspozitës nga ana shqiptare është shkencëtari Sokol Çunga – arkivist në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në Tiranë. Ai është në Sofje bashkë me kolegun e tij Andi Rembeci – profesor në fushën e historisë bizantine dhe paleografisë greke në Universitetin e Tiranës. Ata të dytë kanë përgatitur një kumtesë lidhur me koleksionin e dorëshkrimeve bizantine dhe postbizantine, të cilat ndodhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë.
© Foto: Jordanka Ivanova
Andi Rembeci (majtas) dhe Sokol Çunga para Galerisë së Arteve të Huaja në Sofje.
Sokol Çunga ka studiuar filologji greke, studimet e tij mastër në Greqi ishin për metodologjinë e kritikën e botimit të burimeve historike dhe prej tre vitesh punon në Arkivin Qendror të Shtetit në sektorin e dokumenteve “Mesjetë, Rinlindje, Pavarësi” – ky është sektori, në të cilin ruhen kodikët e prezantuara në Sofje. Vizituesit e ekspozitës mund të takohen me të në Galerinë e Arteve të Huaja dhe ai gjithmonë është gati të shpjegojë për kodikët shqiptarë në hollësirat më të vogla. Këtë e bëri edhe para mikrofonit të Radio Bullgarisë.

Nëse doni të dëgjoni intervistat me shkencëtarët Sokol Çunga dhe Andi Rembeci, klikoni AUDIO.
Fotografitë janë ofruar nga organizatorët

e premte, 4 mars 2011

“Ndarja e kufijve shqiptaro-grekë, në arkivat e Londrës”

“Principata e Shqipërisë dhe Mbretëria e Greqisë 1913-1914” titullohet vepra e historianit Romeo Gurakuqi, promovuar dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Një vepër që na kthen pas në kohë dhe hedh dritë mbi marrëdhëniet e komplikuara Shqipëri-Greqi. Ndonëse histori e gjatë, Gurakuqi është ndalur në ato dy më vendimtarët, pikërisht në vitet ’13 dhe ’14 të shek. XX. Vite konferencash, vendimesh të Fuqive të Mëdha, makinacionesh, komisionesh, kufijsh. Një material i ngjeshur dokumentar, i cili na vjen në një kohë kur është ndezur debati mbi regjistrimin e popullsisë dhe deklarimit të fesë. Një debat që të kujton fillimshekullin e kaluar, kur politika greke përdorte përkatësinë fetare për të përcaktuar kufijtë shtetërorë.
Promovuat librin “Principata e Shqipërisë dhe Mbretëria e Greqisë 1913-1914”, çfarë synoni me këtë vepër?
Është në përpjekje për të analizuar marrëdhëniet mes Principatës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Greqisë në vitet 1913-1914. Monografia synon të ndriçojë mbi një bazë dokumentare arkivore problemin e vendosjes së vijës kufitare në mes shtetit helen dhe shtetit shqiptar më 1913-1914. Punimi është një përpjekje për të shqyrtuar një pjesë të historisë së vendosjes së një vije ndarjeje politike në mes shtetit të fundit ballkanik, të lindur nga shpërbërja e Turqisë europiane, Principatës Shqiptare, me Mbretërinë e Greqisë. Prej më shumë se 15 vitesh puna ime kërkimore ka qenë e përqendruar në hapësirën kohore të viteve 1911-1921 të historisë së Shqipërisë, por veçimin nga e gjithë problematika, e çështjes së Shqipërisë së jugut, vendosjes së vijës kufitare mes dy vendeve tona, në rrjedhën e viteve 1912-1914 dhe shqyrtimi i një numri çështjesh ende të debatueshme, ma imponoi dokumentacioni i pamatë, me të cilin u vendosa në kontakt dhe zotërim, sidomos nga viti 2005 në Public Record Office dhe rishfaqja në formë ciklike e këtij problemi në diskutimet publike në rrjedhat e viteve të fundit, të cilat nuk mund ta linin këtë dokumentacion më të ndrydhur në kompjuterin tim.
Keni marrë përsipër të trajtoni një çështje delikate, sa e vështirë ka qenë për të menaxhuar informacionin?
Trajtimi i kësaj teme, pavarësisht se nuk është i pari në historiografi, paraqiste vështirësi, për shkak të imponimeve që reminishencat e së kaluarës rëndojnë ende mbi opinionet publike të dy vendeve dhe shpeshherë gjendemi para druajtjes së shkrimit të të vërtetave të rëndësishme të historisë sonë të përbashkët të epokës moderne. Me besimin se dy vendet tona tashmë janë jo më pjesë e Ballkanit, por pjesë e shoqërive demokratike të emancipuara europiane dhe perëndimore, të dy vendet tona kanë gjegjësisht një shekull, apo gati dy shekuj jetë shtetërore dhe me besimin se vendet tona do të duhet të jenë të çliruara nga fantazmat ndasive dhe do të duhet të lexojnë jetët e tyre politike të brendshme dhe të jashtme ballkanike me syrin e qytetarit europian të shekullit XXI, unë vendosa ta shkruaj çdo gjë, ashtu sikurse del në dokumentacionin arkivor të fuqisë kryesore të Europës së kohës, Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe ta interpretoj bazuar në kritere vetëm shkencore.
Përse iu rikthyet kësaj teme?
Mbi të gjitha, dy popujt tanë qëndrojnë njëkohësisht dhe barazimtarisht në bazamentin e historisë antike të Europës, e për rrjedhojë do të duhet të jenë plotësisht të përgjegjshëm për leximin e vërtetë të së shkuarës dhe po aq optimistë për ndërtimin e të ardhmes së përbashkët europiane dhe jo më asnjëherë vetëm ballkanike. Librin e kam shkruar i bazuar në kriteret që ofron shkenca e shkrimit të historisë sot, me shpresën se njohja e mirë e së të kaluarës së dy popujve tanë do t’i shërbejë: 1. udhës së tyre të përbashkët europianizuese dhe perëndimizuese, 2. respektit reciprok për të drejtat e minoriteteve gjegjëse dhe 3. të drejtës në tërësi. Për të gjitha këto arsye jam përpjekur me kujdes të veçantë për të bërë të njohur dhe vlerësuar me dokumentacionin parësor të një vendi anëtar të njërit prej blloqeve politiko-ushtarake të asaj kohe, Antantës, një numër çështjes të konsideruara “delikate” dhe të debatueshme në historiografi. Jam munduar gjithashtu të bëj të gjitha përpjekjet profesionale në mundësinë time, që punimi të jetë i çliruar nga paragjykimet politike dhe emocionet e përkatësisë, por gjithsesi i takon lexuesve dhe studiuesve të përcaktojnë nëse vërtet ia kam arritur kësaj paanësie.
Çështja shqiptaro-greke është shumë komplekse, ku jeni fokusuar më së shumti?
Më duhet të vë në dukje se dokumentacioni arkivor britanik jep mundësi të ndriçohen një seri çështjesh të rëndësishme që lidhen me përkatësinë etnike të të gjitha segmenteve të Shqipërisë së jugut, këndej dhe andej kufirit, të jep mundësinë për të ndjekur në spektër të gjerë gjenocidin dhe zhvendosjet e sforcuara të popullsisë nga Çamëria, Labëria dhe Bregdeti në rrjedhën e vitit 1914; të jep mundësinë për trajtimin në hollësi të problemit të vllehëve që banojnë në Epirin Antik dhe të saktësohet se vendi i origjinës së këtij populli që u bë një dhe bashkudhëtar i fatit të përbashkët me popullin shqiptar, Rumania, ka këmbëngulur deri në fund që ky territor ku ata banojnë, që korrespondon kryesisht me pjesën përtej kufirit aktual juglindor të Shqipërisë, t’i mbetej Shqipërisë; ai dokumentacion ndihmon të saktësohet topografikisht në detaje kufiri i vendosur nga Protokolli i Firences, i 17 dhjetorit 1913 dhe një numër çështjesh mjaft të rëndësishme të kësaj periudhe mjaft të debatueshme, që ka lënë mbrapa probleme që diskutohen dhe politizohen, mendoj jo saktësisht edhe sot. Më duhet të theksoj se studiuesit, në mënyrë të veçantë etnologët kanë ndërtuar prej kohësh një hartë krejtësisht të qartë të situatës etnike në çdo segment të Epirit në tërësi dhe çdo përpjekje e kohëve të fundit për ta risjellë politikisht në një formë të ndryshme nga çfarë studiuesit kanë përcaktuar, raportet e paanshme të ekspertizës diplomatike kanë fiksuar shumë herët deri në agimet e shekullit të XX, më duket krejtësisht i papërshtatshëm, anakronik dhe i pavend në kohën tonë dhe jo luajal për kohën e vështirë që po kalon vendi ynë në këto ditë.

Alma Mile

e enjte, 17 shkurt 2011


(Foto: Tringa Ramadani)

Pellazgët dhe ilirët

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare u përuruan gjashtë vepra të studiuesit dhe historianit Arsim Spahiu
Nga Alfred Beka më 20 nëntor 2010 në ora 13:17
‘Varre në zemër’, ‘Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër’, ‘Iliriciteti i maqedonasve’, ‘Orakulli i Dodonës dhe epirotët, I’, ‘Mbi arkeologjinë e Dodonës dhe të Epirit, II’ si dhe ‘Gjuha e epirotëve të vjetër’ janë titujt e veprave të historianit Arsim Spahiu, për të cilët folën Ethëm Çeku, Jahja Drançolli dhe Muhamet Mala.

Në kumtesën e tij, Ethëm Çeku më shumë foli për biografinë e Spahiut, për të cilin tha se është i lindur në vitin 1942 në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, në Prizren.

“Duke qenë një hulumtues i vendosur dhe i palodhur, ai arriti të shtrojë, të shqyrtojë dhe të argumentojë një tezë interesante në shkrimet e tij: gjuha e epirotëve të vjetër, njëkohësisht duke mbrojtur kështu një tezë interesante, delikate dhe komplekse, karakterin etnik ilir dhe epirot”, tha Çeku.
Sipas tij, përpjekjet e profesorit Arsim Spahiu për t’i argumentuar tezat e veta të paraqitura në librat e tij si dhe në shkrimet e tij publicistike janë të mbështetura në të dhënat e pranueshme dhe të qëndrueshme, të cilat të sistemuara me kujdesin e një kërkimtari shkencor janë edhe të dokumentuara.

Ndërkaq, historiani Jahja Drançolli tha se pellazgët dhe problemi pellazgjik është një çështje tepër e vështirë dhe e ngatërruar. Sipas tij, bibliografia për këtë problem është shumë e gjerë, pasi që janë ngritur teza e kundërteza nganjëherë të çuditshme e të pabesueshme.

“Duke shfrytëzuar rezultate të kërkimeve të dijetarëve të ndryshëm, pra duke krahasuar të dhënat burimore, mitologjike, historike, arkeologjike e linguistike, Spahiu bën një dokumentim të pasur me anë të shtojcave gjenealogjike, hartave, tabelave të cilat i plotësojnë mirë që të katër titujt që jemi duke i promovuar,” tha Drançolli.

Referuesi tjetër, historiani Muhamet Mala tha se studiuesi profesor Arsim Spahiu ka pasur guximin e luftëtarit por edhe diturinë e mjaftueshme të shkencëtarit që të ballafaqohet me njërin prej problemeve më kontradiktore të lashtësisë së Ballkanit dhe më gjerë me problemin pellazgjik por edhe atë të ilirëve, maqedonasve dhe epirotëve.

“Autori edhe pse punën e vet hulumtuese dhe shkencore e ka ndarë në disa vepra ato prapëseprapë në vete përbëjnë një tërësi përmbajtjesore dhe tematike të ndërlidhur, duke qëndruar kësisoj si një vëllim i vetëm. Autori i është qasur shtjellimit të problemit në fjalë nga koncepti multidiciplinar, duke u mbështetur në punën e dijetarëve të ndryshëm, duke bërë krahasime dhe duke pruar përfundime që shpesh binë ndesh me tezat tradicionale, të cilat kur bëhet fjalë për pellazgët, sado që këtë qytetërim e njohin si jogrek, prapëseprapë e inkuadrojnë në qytetërimin helenik, duke mos i përmendur nganjëherë farë pellazgët dhe ilirët,” tha Mala.

Në fund foli edhe vet autori i librit, i cili duke i përshëndetur të pranishmit me grusht, sikurse në kohën e Enverit, tha se emëruesi i përbashkët i këtyre librave dhe shkrimeve që ka botuar nëpër gazeta është bashkimi kombëtar.

Express Online      20/11/2010

e shtunë, 12 shkurt 2011

Braudel-i na mëson historinë

          Maurice Aymard             12.02.2011

Ky libër është një manual, - ose më shumë pjesa qendrore e një manuali, - i botuar për herë të parë në vitin 1963. Një manual i përftuar dhe i shkruar për maturat e gjimnazeve tona e që sot na duhet ta lexojmë si të tillë. Por jo sepse kështu duam ne, dhe jo me rezerva, përkundrazi. Ky nuk është një tekst i shkruar për një situatë të caktuar ku, sigurisht, ndjehet se nga pas ka për autor Braudel-in. Në kuptimin më të plotë, ky është një manual i F. Braudel-it i hartuar në një kontekst pak të pazakontë dhe i përballuar prej tij deri diku si një sfidë. Domethënë një tekst i shkruar jo për njerëzit e rangut të vet, madje as për publikun e gjerë, i cili deri në atë kohë ende nuk e njihte e për të cilin, nga ana e tij, ai nuk shqetësohej fare, por për një auditor të përcaktuar mirë djemsh dhe vajzash nga 16 deri në 18 vjeç – “auditor të rriturish”, do të shkruajë ai më 1983 në një nga shënimet e veta në Corriere della Sera, që ribotohet këtu – të cilëve ai dëshironte t´u drejtohej, ashtu si edhe, është e tepërt ta shtojmë, profesorëve të tyre. Një tekst që synon të tregojë – dhe të provojë – se historia, shkenca më kërkuese, më e re dhe më tërheqësja ndër shkencat e njeriut, mund të mësohet dhe, gjithashtu, se si duhet dhënë mësimi i saj. Një parim themelor: t´i bësh të interesuar ata të cilëve u drejtohet historia dhe t´u japësh mundësi ta përballojnë botën ku jetojnë duke e kuptuar atë. Në të vërtetë, sipas tij, nuk ka histori që nuk u përgjigjet, nëpërmjet pyetjeve dhe kthimit të së kaluarës, kureshtjeve, pasigurive dhe problemeve të së tashmes.
Duke e rilexuar sot këtë tekst, do të kuptohet më mirë përse, i lutur gjatë dhjetë vjetëve nga botuesi i tij “për t´ia përshtatur” atë një publiku tjetër, pa thënë me të vërtetë kurrë jo, ai e kishte shtyrë gjithmonë për më vonë. Çdo libër ka logjikën e tij të të shkruarit, e cila nuk i pranon ripunimet e hollësirave, por kërkon të fillohet gjithmonë nga e para. Këtë ai ua ka përsëritur vazhdimisht të gjithë atyre që i afroheshin: për të shkruar mirë, dhe historia duhet shkruar mirë nga historianë “mjeshtra të gjuhës së tyre”, asnjëherë nuk duhet të ndreqësh por gjithmonë ta nisësh nga e para, pa u lodhur, nga A-ja te ZH-ja, derisa të gjesh atë shprehje të mendimit që të jetë njëherazi më e sakta dhe më e thjeshta, derisa teksti të “rrjedhë nga burimi”.
Pra, është më mirë që ky libër të na jepet sot përsëri në variantin e tij origjinal, gjithë-gjithë pa ilustrime, pa dokumentet dhe shënimet për lexuesin. Zaten, paradoksi do të qe nëse F. Braudel-i nuk do të përgjigjej pjesërisht për këtë libër, edhe pse me kaq vonesë, në një largësi pothuajse prej një çerek shekulli. Lexuesit e tij të parë i kanë kapërcyer të dyzetat dhe mësuesit e parë më të rinj, që e kanë përdorur, kanë arritur të pesëdhjetat. Megjithatë, ashtu si për librin Mesdheu, Spanja dhe Italia e dhanë shembullin që në vitin 1966. E para duke e përkthyer të plotë për studentët e universitetit (Madrid, Tecnos), e dyta duke e paraqitur si libër xhepi, i cili qysh nga ajo kohë është ribotuar rregullisht (Torino, Einaudi, PBE). Çka flet për ndryshime kuptimplote në qarkullimin e librit, e këto ndryshime mund të sjellin befasime në Evropën tonë që është duke u bashkuar: në të vërtetë, nuk ka asgjë që të jetë më e ndarë se sa përmbajtja e arsimit tonë të mesëm, megjithë paralelizmin e mësimeve dhe të periodizimeve. Shtojmë këtu, duke rrezikuar t´i ashpërsojmë fjalët se, padyshim, si manual, ai as në Francë nuk ka pasur përhapjen që mund dhe duhej të kishte pasur: sa këshilla profesoralë do të vendosnin (siç munda të vija re pak i habitur edhe vetë në vitin 1964, në atë gjimnaz province, në veri të Parisit, ku sapo isha emëruar) se ai ishte tepër i vështirë për nxënësit dhe për ta duhej zgjedhur një tjetër, më i lehtë për t´u kapur, duke e ruajtur këtë të fundit si “libër për mësuesin”? Dhe kështu, në një kohë kur shtëpitë botuese shkollore shpërndanin bujarisht manualët e tyre, kjo do të thoshte të siguroje një dështim të plotë të botimit! Por unë dua të besoj se, nëse ky libër, edhe kështu, do të kishte gjetur gjysmën e publikut të kërkuar prej tij dhe do të kishte shërbyer si “libër për mësuesin”, duke i ndihmuar profesorët, në atë frymë që dëshironte F. Braudel-i, në dhënien e këtij programi të ri dhe të vështirë, program të cilin qe përpjekur shumë ta bënte të pranueshëm, ai do të kishte mbetur nga kjo më shumë se gjysmë i kënaqur. A do t´i gjejë ai sot, më në fund, njëherazi edhe lexuesit edhe atë status, që shumë njerëz dëshironin t´ia jepnin me shtrëngesë? Të paktën tri arsye të shtyjnë ta besosh diçka të tillë: unë do të përpiqem t´i paraqes me radhë.
Ky libër, ashtu si shumë të tjerë, ka historinë e vet dhe për t´ia vlerësuar rëndësinë duhet ta vendosim në kontekstin e tij: në fundin e viteve pesëdhjetë. Në atë kohë, përpjekja e madhe e pasluftës për ndërtim dhe modernizim, çon në vënien në pikëpyetje të një numri strukturash kryesore të shoqërisë franceze, papërshtatshmëria e të cilave dukej qartë, të paktën në sytë e një “elite” të kulturuar dhe të hapur ndaj botës së jashtme. E vërtetë është kjo në politikë, e vërtetë gjithashtu për sistemin edukativ, të cilat i nënshtrohen një trysnie të paparë, nga shkolla fillore e deri në universitet. Këtij sistemi i duhet të pranojë fëmijët e baby-boom-it për një shkollim më të gjatë dhe të marrë në shërbim mësues në një numër më të madh nga klasat e varfëruara të paraluftës. Të parët duhet të mësojnë dhe të dytët t‘i japin ndryshe disiplinat e përtërira thellësisht. Dhe e njëjta kërkesë për një përparim të dyfishtë në cilësi dhe sasi - në të vërtetë një shkëputje me gjithë kuptimin e fjalës – vlen për formimin e kuadrove të tjerë të kombit, me në krye inxhinierët dhe mjekët. Reformat janë në rendin e ditës, sipas motos “të qeverisësh do të thotë të parashikosh”. Por ato ndajnë opinionin, përdoruesit dhe specialistët. Disa reforma do t´ia dalin në krye: mësimdhënia e matematikave, studimet mjekësore. Të tjera do të pësojnë dështim të plotë ose të pjesshëm. Midis këtyre të fundit, edhe reforma e mësimdhënies së historisë.
Parimi i një reforme në programet e historisë qe vendosur përpara fundit të Republikës IV: reforma nisi në vitin 1957 me klasën e gjashtë dhe në fillim të vitit shkollor 1962 mbërrin te matura. Parimi i saj është i thjeshtë. Periodizimi i vjetër i historisë në pjesë të njëpasnjëshme duke nisur nga Mesopotamia dhe Egjipti, që është në fuqi nga viti 1945, linte për në dy klasat e fundit epokën e quajtur “bashkëkohore”: 1789-1851 në klasën e njëmbëdhjetë, 1851-1939 në maturë. Periodizimi i ri, i vendosur që nga 19 korriku 1957, e sjell mësimin e saj një vit më përpara dhe e zhvendos ndarjen e brendshme më poshtë: 1789-1871 tek e dhjeta, 1871-1945 tek e njëmbëdhjeta ndërsa për maturat lihet studimi i “qytetërimeve bashkëkohore kryesore”. Duke nisur nga kjo, më pas, Buletini zyrtar i 25 korrikut, i ndan këto në gjashtë botë (perëndimore, sovjetike, myslimane, e Lindjes së Largët, e Azisë Juglindore, e Afrikës së Zezë), të paraprira nga një hyrje, e cila ka për qëllim të saktësojë konceptin dhe kuptimin e tyre: ajo “para së gjithash duhet të përkufizojë nocionin e qytetërimit, por do të theksojë duke e shpjeguar, formën që i duhet dhënë studimit të parashikuar, i cili do të sjellë për çdo njërën nga bashkësitë e përmendura… tre elemente kryesorë: themelet; faktorët thelbësorë të zhvillimit; anët e veçanta aktuale të qytetërimit të saj”.
Në atë kohë diçka e tillë për F. Braudel-in është më shumë një kompensim se sa një fitore e vërtetë. I detyruar të braktiste drejtimin e një jurie konkursi kombëtar për pedagogë, ku pati rastin të provonte të gjitha vështirësitë me të cilat mund të ndeshej “reforma e konkurseve”, aq e nevojshme, ai u thirr në të vërtetë nga Henri Longchambon-i për të hartuar pjesën që lidhej me shkencat sociale në një raport për hulumtimin shkencor në Francë, të caktuar për planin pesëvjeçar që po hartohej. Por projekti i një fakulteti të vogël eksperimental për shkencat ekonomike, sociale dhe politike i paraqitur prej tij, “ndeshi në kundërshtimin e fakulteteve ekzistuese – Letërsi dhe Drejtësi – të kërcënuar nga konkurrenca. Në qershor të vitit 1957 raporti përfundimtar i paraqitur në qeveri (“pa i besuar shumë” për shkak të plogështisë apo të kundërshtimit të vazhdueshëm nga frika dhe “logjika” e të gjitha institucioneve ekzistuese”), e cilësonte atë si një “reformë afatgjatë”, të mundshme në suazën e një “përshtatjeje të strukturave”. Teksti i këtij raporti, me siguri i hartuar nga vetë F. Braudel-i, mund të lexohet në dorëzimin e parë të Analeve ESC të vitit 1958, nën titullin “Shkencat sociale në Francë. Një bilanc, një program”.
Megjithatë ky dështim i parë do të ketë dy pasoja, si njëra edhe tjetra të lidhura me nismën e Gaston Berger-it, në atë kohë drejtor i arsimit të lartë. E para, projektin për të krijuar në Paris një Shtëpi të Shkencave të Njeriut (ose të Shkencave Sociale, meqë artikulli i vitit 1958 i përdor me radhë të dyja shprehjet) si vend i “përqendrimit të hulumtimeve” rreth një biblioteke dhe shërbimeve të përbashkëta (“sidomos një qendër e mekanografisë dhe një laborator hartografie”). E dyta,reformën e programeve të maturës (e në fakt të ciklit të dytë të shkollës së mesme) që duhej të përgatiste nxënësit për në universitetet e për botën bashkëkohore dhe, nëpërmjet nocionit të qytetërimit, të ilustronte për ta gjithçka që mund të nxirrte historia nga një lexim i vëmendshëm i “shkencave sociale fqinje: gjeografi, demografi, ekonomi, sociologji, antropologji, psikologji”. Një mësim i vërtetë për çka na rrethon në shkallë botërore.
Por reforma për të larguar ngjarjen nga mësimi i historisë ose, të paktën, për ta nxjerrë atë në plan të dytë, qoftë dhe për një vit të vetëm, ishte tepër e ashpër, nuk mund të pranohej si e tillë dhe kundërshtimet u shfaqën menjëherë. Pas dy vjetësh doli nevoja e një ujdie. Në tekstin e ri të qershorit 1959, titulli i pjesës së dytë “qytetërimet e botës bashkëkohore”, përmbledh Lindjen e Largët dhe Azinë Juglindore në një botë të vetme të quajtur “të Oqeanit Indian dhe Paqësor” dhe shton një përfundim rreth “problemeve të mëdha të kohës”. Dhe, mbi të gjitha, periudha 1914-1945 rifutet në programin e maturës për gjithë trimestrin e parë, duke ndryshuar kështu ekuilibrin e vitit shkollor. Beteja nuk ishte humbur ende. Por as ishte fituar, siç do ta tregonin të gjitha kundërshtimet që u hasën në zbatimin e saj, mënyrat dhe porositë për dhënien e mësimit, zgjedhjet e temave etj. Një shembull midis shumë të tjerësh: në kulmin e shkolonizimit, pikërisht në kohën kur shtetet e reja të pavarura kërkonin jo pa guxim të shkruanin historinë e tyre, me një vendim të 10 gushtit 1965, shmangej krejtësisht “bota afrikane”.
Me afrimin e hyrjes në fuqi të programit të ri, rezervat ndaj tij shfaqen haptazi. Si ta zhvillojmë mësimin e historisë pa ndihmën e rrëfimit të ngjarjeve, të njohurive konkrete dhe të vërtetueshme në çastin e shqyrtimit, pyesin mësuesit e shkollës së mesme, duke qenë, padyshim me të drejtë, të ndërgjegjshëm për shkëputjen e plotë që do të sjellë ky program për mësuesit e formuar në një shkollë tjetër, në një universitet ku shumë nga shkencat sociale për të cilat bëhet fjalë ende nuk kishin gjetur vend? A nuk po bëhej kështu një zgjedhje midis “fakteve” nga njëra anë dhe “llomotitjes” ose “abstragimit” nga ana tjetër? Autorët e manualëve të rinj ose të teksteve mësimore të vjetra të ripërtërira, e shfaqin pa nguruar mëdyshjen e tyre, për të mos thënë mosbesimin. Le të lexojmë parathënien e njërit ndër më të njohurit (Hatier, 1962), që ka qenë bibla e disa brezave paranormalistësh: “Edhe pse interesi i këtij programi nuk mund të vihet në dyshim, edhe pse ky studim i botës bashkëkohore është tërheqës dhe me përparësi për nxënësit në fund të studimeve të shkollës së mesme, nuk mund të fshihen vështirësitë që sjell zbatimi i tyre. Shumë fjalë teknike do të duhet të përdoren detyrimisht. Gjërat duhej të bëheshin më thjeshtë…” Dhe, pasi ka paraqitur “specialistët”, domethënë universitarët ose ata që përgatisin doktoratë, të cilëve u qenë besuar të famshmit kapitujt të rinj, parathënia vazhdon: “Ky ekip specialistësh është përpjekur të paraqesë atë libër të thjeshtë dhe të qartë, që e dëshirojmë të gjithë. Ai ka dashur të tregojë vetëm vijat e përgjithshme, të kuptojë dhe t´i bëjë të tjerët të kuptojnë… Duke nisur nga faqja 288, kur shqyrtohet historia e qytetërimeve, që është më e vështirë se rrëfimi i thjeshtë i fakteve, tekstin e saktëson dhe e plotëson një “argumentar” me shkronja të trasha. Ai mund të zërë vendin e një përmbledhjeje, pa dyshim shumë të shkurtër, por të mjaftueshme, për nxënësin që është i paduruar dhe kërkon të njihet aty për aty me thelbin e mësimit” … Në mbyllje të vëllimit “një pjesë e fundit më pedagogjike synon t´u përgjigjet shqetësimeve të ligjshme të kandidateve”.
Kërkoj të falur për këtë citat pak të gjatë, ku nënvizova shprehjet domethënëse: ai nuk ka për qëllim të fajësojë kërrkënd as të rindezë një betejë manikeiste çfarëdo midis të Vjetërve dhe Modernëve. Por asgjë tjetër nuk e tregon më mirë se çfarë luhet në këtë rast dhe druajtjet që shkakton “ky program vërtet pasionant por ambicioz”. Duke shkruar këtë manual, F. Braudel-i mban qëndrimin e tij, pa iluzione të tepruara ndaj kundërshtimeve me të cilat do të ndeshet. Dhe zgjedh të vështirën. Ai ruan për vete pjesën qendrore, atë të “qytetërimeve të mëdha”, pjesa më e kundërshtuar e më e kritikuar. Dhe, duke vendosur në krye të vëllimit një hyrje prej disa faqesh, “Historia dhe koha e tanishme”, leximin e së cilës “logjika pedagogjike”do të duhej ta çonte “sipas dëshirës pas pjesës së parë të programit… (historia nga viti 1914 deri në ditët tona) … “ kur të fillojë studimi i vështirë i qytetërimeve të mëdha”, ai ripohon pa mëdyshje unitetin e thellë të këtij leximi tërësor të botës aktuale. Pra, në kohën kur del, ky manual nuk është një manual midis shumë të tjerësh: ai është një libër lufte. Dhe i luftës më të koklavitur e më të vështirë që duhet bërë: luftës kundër zakoneve të korporatës së tij, sepse nuk mund të imponosh, duhet të bindësh dhe, për të bindur, duhet të fillosh vazhdimisht nga e para e të përsëritësh se gabimet, madje mosdijet më skandaloze janë të pranishme gjithmonë, se ato nuk mund t´u vishen as nxënësve, as programeve, as manualëve, të sotëm apo të djeshëm. Vështirësitë – fjala “i vështirë” del dy herë në dhjetë rreshtat e parë, por nuk ka qartë të njëjtin kuptim në tekstin e cituar më lart - as nuk janë mohuar, as nuk janë zvogëluar. Ato trajtohen ballazi.
Sigurisht, mund të mendohet se F. Braudel-i rrezikoi, pa qenë nevoja, në një terren të cilin nuk e kontrollonte, pra ku atë e priste vetëm dështimi para ngurtësisë së një sistemi shkollor, gjithnjë e më pak të aftë në atë kohë për të ndryshuar, sistem të cilin fryrja e shpejtë e organikave për shkak të zgjatjes së kohës së studimeve dhe futjes masive të nxënësve në ciklin e parë, të paktën, të shkollës së mesme, kishte filluar tashmë ta vinte në krizë qysh para vitit 1968. Mund të mendohet gjithashtu se lufta e vërtetë, së cilës i duhen kushtuar të gjitha përpjekjet, ndodhej gjetkë, në frontin e punës kërkimore, të asaj “historie pararojë” që, pas L. Febvre-it, ai përpiqej ta dinamizonte dhe ta përmblidhte, pa e monopolizuar, duke luajtur me atë instrument të mrekullueshëm për veprim, i cili në atë kohë ishte krejt i ri dhe në përhapje të plotë, me Seksionin VI të Shkollës Praktike të Studimeve të Larta. Ose më tej, në frontin e Universitetit dhe atij arsimi të lartë që vazhdonte të mos e pranonte të ulej në sofrën e titujve shkencore. T´u futesh hulumtimeve, t´i japësh fasadës së historisë aleate të shkencave sociale një imazh të ripërtërirë, të imponosh në universitet më të mirët dhe të sigurosh kështu njëkohësisht rinovimin e përmbajtjes së mësimdhënies dhe zgjerimin e fushës së disiplinave që jepen për t´u mësuar, t´i formosh mësuesit e ardhshëm në një frymë tjetër: kjo do të ishte rruga e arsyes. Një sfidë e ndryshme për kohën dhe shndërrimin e ngadaltë. Por F. Braudel-i nuk donte të ishte i arsyeshëm. Për t´u bindur për këtë, mjafton të rilexojmë fjalët e tij të fundit të thëna publikisht në Chateauvallon më 20 tetor 1985: “Disa njerëz që unë i dua, më kanë thënë “Mos u bëj i paarsyeshëm, si zakonisht”. Kujtoni se e ndoqa këshillën e tyre?” (Një mësim historie nga Fernand Braudel-i, Chateauvallon, tetor, 1985, Paris, Arthaud-Flamarion, fq. 224). Si gjithmonë, shakaja e vet e hollë tregon në mënyrë ironike atë që, sipas tij, është thelbësore. Dhe në rastin e mësimdhënies (si të historisë, ashtu dhe të disiplinave të tjera), thelbi ishte bindja e brendshme, e pohuar vazhdimisht, se një reformë nuk copëtohet. Që të ketë ndonjë mundësi për sukses, ajo nuk mund të kufizohet në njërin prej kateve- shkolla fillore, cikli i parë ose i dytë i së mesmes, Universiteti. Duhet që ajo të kryhet e plotë.
Sidoqoftë ai pati ndjesinë mjaft të përligjur se në frontin e shkollës kishte dështuar. Madje shumë më përpara se tekste të reja zyrtare t´i çlironin nxënësit e maturave nga ky program, i cili trondiste mjaft reflekse të ngulitura, dhe të vinin përsëri historinë e vjetër babaxhane, që merret vetëm me ngjarjet e kohës së tanishme – nga viti 1914, pastaj nga viti 1939 deri në ditët tona – në vendin që ajo nuk duhej ta kishte humbur kurrë, manuali “Braudel”, në të vërtetë i nxjerr jashtë loje në vitin 1970, u tërhoq me kujdes nga shitja: shenjë kjo që nuk të gabon. Por problemi, sipas tij, nuk shtrohej thjeshtë për një libër: ai ishte shumë më i thellë, kishte të bënte me mësimdhënien e historisë. Një problem që do ta shqetësonte deri në ditën e fundit të jetës e që i ngjallte gjithmonë një pasion luftarak.
Njihen ndërhyrjet e tij të përsëritura për të treguar në çdo rast, madje deri në prag të vdekjes, se sa të gabuara ishin për të programet e reja, pastaj “programet e reja fare”. Artikulli i tij i vitit 1983 në Corriere della Sera, që botohet këtu më poshtë, u kthehet edhe një herë argumenteve të tij të katër ose pesë vjetëve më parë, në një debat ku qenë përfshirë sidomos J. P. Chevénement, M. Debré, A. Decaux dhe paralajmëron ato që do të thotë përsëri dy vjet më vonë, në Chateauvallon. Edhe atje, duke folur për rrethimin e Toulon-it, atë të vitit 1707, tek i cili ishte ndalur gjatë te Identiteti i Francës, dhe jo për rrethimin tepër të njohur të vitit 1793 – para nxënësve të një klase të tretë të një CES* në Toulon, ai e dha shembullin në prani të kamerave dhe e pagoi me veten e tij: filmi gjendet dhe mund ta dëshmojë këtë. Por edhe atje, gjithashtu, ai nuk u kënaq vetëm duke iu drejtuar nxënësve. Më 17 tetor ai vendosi t´u përgjigjej së paku disa prej pyetjeve që kishin përgatitur për të nja dyzet profesorë lidhur me mësimdhënien e historisë, me historinë e artit, me vendin e shkencave dhe teknikave, atë të gjeografisë dhe, sërish e si gjithmonë, lidhur me programet shkollore.
Shënimet e mbajtura me rastin e këtij takimi nga kolegu im Gilbert Buti, do të vërtetonin, nëse do të dilte nevoja, vazhdimësinë e qëndrimeve të tij. Ai deshi të shfaqte edhe një herë besimin e tij te një histori e hapur ndaj ndihmesave të shkencave të tjera të njeriut – pa u shkrirë asnjëherë me to, sepse historia ruan përparësinë e pazëvendësueshme të zotërimit të së kaluarës, si e kaluar që i lejon asaj të rrokë më mirë të tanishmen. Dhe ai shprehu rishtas mospëlqimin e tij të thellë për një ndarje të programeve, që dukej se rrekej t´i kapte problemet e t´i përballonte vështirësitë sipas një rregulli të kundërt me rregullin që do të bënte të mundur zgjidhjen e tyre. Në klasat e ulëta, historia e re. Në ciklin e dytë e deri në maturë, historia tradicionale, në trajtë tregimi, ngjarjet, kronologjia, luftërat. Në një kohë kur, sipas tij, ecuria duhej të ishte rreptësisht në të kundërt. Të shohim edhe një herë se çfarë thotë ai në Chateauvallon: “Po të ishte në dorën time, unë do të jepja deri në klasën e njëmbëdhjetë historinë tradicionale, historinë-tregim: rrëfen, ndalon, shpjegon diçka që është ca më e rëndësishme dhe herë-herë sjell vërejtje nga sociologjia, ekonomia sociale etj.; unë do ta përqendroja “historinë e re fare” dhe “historinë fare, fare të re” në klasat e maturës. Sepse mua më duket e llahtarshme, e neveritshme që në maturë t‘i pyesësh fëmijët për periudhën 1945 -1985, siç bëhet sot. Jam i sigurt se, po të isha unë pedagogu që merr në provim, do të rrëzoja në maturë cilindo historian! Dhe, nëse do të merrja në pyetje veten time, do të rrëzohesha dhe vetë!”
Edhe këtë nuk duhet ta marrim si një shaka të thjeshtë, të thënë në euforinë e këtij takimi. Artikulli i vitit 1983 u thotë të njëjtën gjë lexuesve të tij italianë, me fjalë më të qarta: “Nga se vjen ky skandal? Nga një vendim absurd i Ministrisë së Arsimit. Unë personalisht, ashtu siç kam propozuar gjithmonë, do ta kisha vendosur një hyrje në historinë e re vetëm në programin e maturës. Historia e re është një aneksim i qëllimshëm i shkencave të njeriut. Këto shkenca të ndryshme e shohin, e shpjegojnë botën e sotme, e bëjnë pështjellimin e saj të kuptueshëm. Dhe më duket e domosdoshme që në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, në prag të përgatitjes për një zanat çfarëdo, të rinjtë tanë të kenë njohuri për problemet aktuale të ekonomisë dhe shoqërisë, për konfliktet e mëdha kulturore në botë, për larminë e qytetërimeve…”
Pra, në mënyrën e tij ngacmuese, F. Braudel-i ka dashur të shprehë vazhdimisht deri në fund besimin e tij të brendshëm ndaj një projekti të vërtetë pedagogjik, që do t´i linte historisë (“Kush mund ta mohojë rolin e dhunshëm të historisë?”) një vend qendror dhe do ta përdorte atë si një instrument të privilegjuar për ta bërë botën të lexueshme dhe të kuptueshme, në të vërtetë për të lexuar dhe kuptuar të kaluarën dhe të tanishmen së bashku. Por ai nuk ka reshtur së përsërituri “me të gjitha tonet” se vetëm historia tradicionale – të rrëfyerit mbështetur në një kronologji të përpiktë – ishte në të njëjtën kohë e aftë të tërhiqte vëmendjen e nxënësve më të rinj – “fëmijëve”, në kundërshtim me “të rriturit” e maturave – dhe t’iu jepte atyre “nxënien e domosdoshme të kohës”. Mirëpo do të ishte gabim po të shihnim në këtë pohim të përsëritur pareshtur një argumentim rrethanor që kërkon të rivendosë në emër të s´di se çfarë ekumenizmi, vazhdimësinë midis “historisë tradicionale” dhe asaj “historie të re”, në një kohë kur ai ia kishte kushtuar energjitë e tij prej hulumtuesi dhe kompetencat e tij prej administratori shkencor krijimit të shkëputjes së njërës nga tjetra. A thua se i duhej ta shfajësonte me çdo kusht historinë që parapëlqente ta quante “pararojë”, siç ka një matematikë pararojë, nga të gjitha mëkatet që i visheshin vend e pa vend: a nuk e kishin bërë për këtë arsye, pothuajse në nivelin më të lartë, njërin nga fajtorët e ngjarjeve të majit 1968 në Francë?
Me pjekurinë, vështirësitë e ndeshura dhe dështimet, F. Braudel-i, padyshim do ta saktësojë dhe forcojë pozitën e tij. Por është mirë që kyçin e vërtetë ta kërkojmë shumë më herët, në përvojën e grumbulluar gjatë dhjetë-dymbëdhjetë vjetëve punë në arsimin e mesëm në Algjeri dhe në Paris midis viteve 1923 dhe 1935. Megjithëse ai mund të merret me hulumtime për ta nxitur, gjallëruar e rinovuar historinë. Kjo, sipas tij, është bërë në radhë të parë për t´u mësuar. Dhe një nga konferencat e tij të para në Brazil në shtator të vitit 1936 në Instituto de Educaçao de Sao Paulo mban pikërisht titullin “Pedagogji dhe histori”: teksti i botuar në atë kohë në portugalisht në broshurën Archivos të këtij instituti, u ribotua atje më 1955 në Revista de historia të Sao Paulo-s (nr.23, fq.2-21). Duke u marrë me përgatitjen e librit Mesdhe, F. Braudel-i (do donim të thonim “Braudel-i përpara Braudel-it”) shpjegon aty thelbin e asaj që ai do ta përsërisë vazhdimisht gjatë pesëdhjetë vjetëve.
Për ta shndërruar “romanin shkollor” në roman “aventurash” (po bëj një përkthim të lirë nga portugalishtja), nuk ka asnjë të fshehtë tjetër veç asaj thjeshtësie që merret me thelbin, jo “thjeshtësia që e gjymton të vërtetën, që formulon boshin dhe që kthehet në një tramplin të mediokritetit, por thjeshtësia që është qartësi, dritë e mençurisë…” Të merresh me atë që përbën zemrën e një qytetërimi: Greqia, një qytetërim në detin Egje, nga Thraka deri në Kretë – dhe jo të gadishullit ballkanik. Egjipti, një qytetërim rreth Nilit të zbutur”. Modeli i Braudel-it: Henri Pirenne-i, “historiani i parë i sotëm në gjuhën frënge” dhe, nëpërmjet tij, një mësimdhënie e cila u kthen shpinën librave duke i besuar fjalës. Që të jesh i kuptueshëm, dëbo fjalët abstrakte. Që të të dëgjojnë “mos ia hiq historisë interesin e saj dramatik” dhe përpiqu që historia “të jetë gjithmonë tërheqëse”. Të japësh mësimin e historisë do të thotë të dish ta tregosh atë. Dhe, duke përfunduar: “të kalosh nga veprimtaria historike në veprimtarinë didaktike, është njësoj si të kalosh nga një rrjedhë uji në një rrjedhë tjetër. … Vini re: detyra juaj pedagogjike nuk duhet të drejtohet nga parapëlqimet tuaja shkencore. Unë këmbëngul. Kolegu ynë nuk do të kryente asnjërën nga detyrat e veta nëqoftëse do t´u fliste nxënësve vetëm për shoqëri, çeqe, për çmime të grurit. Historiografia ka kapërcyer ngadalë faza të ndryshme. Ajo ka qenë kronika e princëve, historia e betejave ose pasqyra e ngjarjeve politike; sot, falë përpjekjeve të pionierëve të guximshëm, ajo futet thellë në realitete ekonomike dhe sociale të së kaluarës. Këto etapa janë si shkelcet e një shkalle që ju çon tek e vërteta. Kur jeni midis studentëve, mos kapërceni asnjë nga këto shkelce, … “ E rëndësishme për të shpjeguar baticat dhe zbaticat, shton ai më tej duke e huazuar shembullin nga një gjeografi që në Francë është e lidhur ngushtë me mësimin e historisë, nuk është të nisesh nga teoria shkencore më e përpiktë, e rëndësishme është t´ia dalësh t´i shpjegosh ato. Dhe “Batica dhe zbatica e maturës”, e demaskuar nga Henri Poincare-ja, mund të jetë një pikënisje e shkëlqyer pedagogjike. Këto radhë nxjerrin në pah vazhdimësinë thuajse befasuese të një qëndrimi të përcaktuar prej shumë kohësh dhe të mbajtur deri në ditën e fundit: ato nxjerrin në pah F. Braudel-in, ose një lloj pasioni për mësimin e historisë, d.m.th. të historisë që mësohet. Kush do të guxonte të thoshte se ky propozim pedagogjik, sot, në kohën e reformës së re, e ka humbur aktualitetin e tij? Gjithsesi, le të shënojmë kalimthi se ky propozim, i mbrojtur me pasion për historinë, vlen gjithashtu për shkencat e tjera po aq themelore për F. Braudel-in, si matematika ose gramatika.
Do të mjaftohem këtu të skicoj atë pistë të tretë, e cila do të prirej ta rivendoste këtë libër gjoja “të dorës së dytë” (dhe bashkë me të një tërësi tekstesh të tjerë) në vazhdimësinë e një vepre. Duke qenë rob i suksesit të tij, F. Braudel-in shpesh e kanë mbyllur brenda të njëjtit libër dhe shumë njerëzve u ka pëlqyer të gjejnë kundërshti midis veprave Mesdhe, Qytetërimi material dhe Historia e Francës, të parapëlqejnë njërën apo tjetrën. Unë besoj të kundërtën, besoj se vepra e tij, me kalimin e kohës, arrin sot të bëhet njëherazi e lexueshme në tërësinë dhe në vazhdimësinë e saj. Fjala e thënë dhe ajo e shkruar, duke qenë përsëritëse si njëra edhe tjetra (“të japësh mësim do të thotë të përsëritësh” ishte një nga motot që i pëlqenin) luajnë në të, të lidhura ngushtë së bashku, një rol qendror në përpunimin e një mendimi, e një formulimi, e një stili. Ato i japin mundësi të luajë me idetë dhe me konceptet, t´i zotërojë ato, pastaj t´i braktisë përpara se t´u gjejë shprehjen dhe vendin përfundimtar. Rifillimet nga një tekst në tjetrin, ashtu si tjegullat e një çatie që mbulojnë njëra-tjetrën, të krijojnë përshtypjen e një sipërfaqeje homogjene. Por kjo e fundit, në shpështjelljen e saj, sjell vazhdimisht motive të reja të cilat në fillim vetëm sa skicohen pastaj, pak nga pak, zhvillohen e integrohen gjithmonë duke përparuar.
Në këtë vështrim, Gramatikë e qytetërimeve zë një vend ndërmjetës midis, nga njëra anë botimit të parë të Mesdheu-t (1949) dhe, nga ana tjetër, botimit të tij të dytë (1966) dhe vëllimit të parë të Qytetërimit material (1967). Ajo mbështetet hapur te Kapitulli V i Enciklopedisë franceze, vëll. XV (1959), “Historia e qytetërimeve: e kaluara shpjegon të tanishmen” (e ribotuar te Shkrime për Historinë, 1969, fq. 255-314), si dhe tek shumë tekste të tjerë “të mëdhenj” të po atyre viteve, ndër të cilët renditet i pari libri “Histori dhe shkenca sociale; vështrim afatgjatë (La langue durée)” (Annales ESC, 1958). Në të vërtetë Gramatikë e qytetërimeve i dha rastin F. Braudel-it të zhvillonte dhe t´i jepte fund (doemos, përkohësisht), duke përfituar nga këshillat dhe njohuritë e hulumtuesve të shumtë, të thirrur me nismën e tij në departamentin e “Lëmeve Kulturorë” të Seksionit VI të Shkollës Praktike të Studimeve të Larta, - sot Shkolla e Studimeve të Larta Sociale -, një reflektimi pikërisht rreth nocionit të qytetërimit që te Mesdheu haset si “i pari dhe më i ndërlikuari ndër kategoritë e qëndrueshme”, me të gjitha kontradiktat që ai sjell. Sepse qytetërimet janë “vëllazërorë dhe liberalë, por në të njëjtën kohë të mbyllur, përjashtues, të vrazhdë …; paqësorë” dhe “jo më pak luftarakë; me një ngurtësim të habitshëm” dhe “në të njëjtën kohë të lëvizshëm, bredharakë”. Pak nga pak krijohet një fjalor, që siç ndodh gjithmonë me F. Braudel-in, mbështetet në një rrjet imazhesh të lidhura mirë: mbivendosja e niveleve, gërshetimi i zgjatjeve në kohë etj. Dorë pas dore ai saktëson kuptimin që do t´i japë çdo fjale në një sistem që i përket vetëm atij dhe që përligjet para së gjithash me aftësinë për t´u përshtatur sa të jetë e mundur më mirë brenda kontureve të një bote reale të ndërlikuar, duke sugjeruar për këtë gjithçka që, për shkak të mungesës së kthjelltësisë, i shpëton analizës. Mjafton të sjellim ndërmend fjalën kulturë për të cilën, pasi ishte menduar për një kohë të gjatë (dhe më tej në faqet që vijojnë), duke marrë si referim gjuhën gjermane për marrëdhëniet midis qytetërimit dhe kulturës, ai më në fund të shkruajë se një kulturë “është një qytetërim që nuk e ka mbërritur ende pjekurinë, kulmin, që nuk e ka siguruar zhvillimin e tij” (Qytetërimi material, I, fq. 79). Përkundrazi, i përkufizuar këtu radhazi, duke iu referuar hapësirës, shoqërisë dhe mendësive kolektive, në vitin 1963 qytetërimi identifikohet pikërisht me kohëzgjatjen e konsiderueshme: “Me atë çka këmbëngul të mbijetojë nëpërmjet një vargu ekonomish, një vargu shoqërish e që ndryshon me shumë vështirësi dhe pak nga pak”. Por jo me tërësinë e historisë, për të cilën ai vazhdon të jetë në kërkim të një fjale të tretë, që nuk është as qytetërim as kulturë (1959) e për të cilën, më në fund, veç më vonë, ai do të zgjedhë fjalën shoqëri të përkufizuar këtë herë në njëjës si “tërësi e tërësive”.
F. Braudel- i e ka bërë shpesh të vetën, dhe një herë të fundit në hyrjen e librit Identiteti i Francës, pohimin e Marc Bloch-ut: “Nuk ka histori të Francës. Ka vetëm një histori të Evropës”, por duke shtuar aty për aty: “Nuk ka histori të Evropës, ka një histori të botës”. Nuk pati kohë ta përfundonte këtë histori të Francës e cila ishte, ai e dinte, sfida e tij i fundit. Ai vetëm sa e skicoi me anë të filmit dhe tekstit (L´Europe, Paris, Arts et Metiers Graphiques, 1982) atë histori të Evropës që e paralajmëron Mesdheu. Me veprën Qytetërimi material, ekonomi dhe kapitalizëm, ai na ka dhënë një histori të botës e cila, ndryshe nga Mesdheu, dilte tek një pyetje për të tanishmen dhe të ardhmen e afërt. Për më shumë se një arsye, kjo “gramatikë e qytetërimeve” të botës aktuale, e përgatiti, e plotëson atë histori.


Historia e Braudel, si manual
Është konsideruar si një ndër figurat më të shquara të shekullit të njëzetë, duke pasur parasysh librin “Gramatikë e qytetërimeve”, që ribotohet nga Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, përkthyer nga shkrimtari Fatos Kongoli. “Kjo vepër ku Fernand Braudel-i na mëson historinë është një manual që udhëheq përmes labirinteve të qytetërimeve të botës. Ai u drejtohet sa specialistëve të historisë po aq edhe publikut të gjerë, e sidomos shkollarëve”. Kjo “gramatikë e qytetërimeve” që vazhdon prej vitesh të botohet e të ribotohet me sukses në mbarë botën, e përkufizon Qytetërimin në marrëdhënie me hapësirën, shoqërinë, ekonominë dhe mentalitetet kolektive. “Një tekst që synon të tregojë dhe të provojë se historia, shkenca më e re dhe më tërheqësja ndër dijet njerëzore, mund të mësohet dhe, gjithashtu, se si duhet dhënë mësimi i saj. Një parim themelor: t`i bësh të interesuar ata të cilëve u drejtohet historia dhe t`u japësh mundësi ta përballojnë botën ku jetojnë duke e kuptuar atë. Në të vërtetë, sipas Braudel-it, nuk ka histori që nuk u përgjigjet, nëpërmjet pyetjeve dhe kthimit të së kaluarës, kureshtjeve, pasigurive dhe problemeve të së tashmes.”, shkruan Maurice Aymard, drejtor i Shkollës së Studimeve të Larta Sociale, administrator i Shtëpisë së Shkencave Njerëzore.  
“Braudel-i ka meritën e madhe se kuptoi që evolucioni historik është i papërmbajtshëm dhe se duhej dalë nga koncepti europeo-centrist që dominoi historiografinë e shekullit XIX dhe të gjysmës së parë të shek. XX, për të ndërtuar më në fund një vizion global mbi botën. Mund të thuhet pa hezitim se Fernand Braudel ka futur jo vetëm konceptin e historisë sociale por sidomos rolin e shoqërive në historinë ekonomike”, - shkruan Pierre Daix, historian, specialist i veprës së Braudel-it, shkrimtar, kritik arti, publicist i njohur. Fernand Braudel (1902-1985) është përfaqësuesi më i shquar i Shkollës së Analeve (themeluar më 1929 nga Marc Bloch dhe Lucien Febvre) që përbën një nga rrymat më të njohura të historiografisë moderne.
Profesor i historisë dhe i filozofisë që para Luftës II Botërore, drejtor i studimeve shkencore në Shkollën e Studimeve të Larta Sociale që në vitin 1937, profesor i Historisë së Filozofisë Moderne në Kolegjin e Francës, themelues i Shoqatës Ndërkombëtare të historisë ekonomike dhe administrator i Shtëpisë së Shkencave Njerëzore më 1962, anëtar korrespondent i shumë Akademive të huaja si ajo e Budapestit, e Mynihut, e Madridit, etj., ai u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze më 1984.
Braudel-i me veprën e tij revolucionarizoi mënyrën e të konceptuarit por edhe të të shkruarit të historisë. Braudel-i tregoi se historia nuk mund të ekzistojë e pavarur prej vështrimit të historianit i cili ndërhyn në çdo etapë të rindërtimit të historisë. Ai sjell një histori ndërdisiplinare e cila nuk tregon vetëm duke u mbështetur te dëshmitë e te psikologjia por edhe te gjeografia, ekonomia politike, sociologjia, duke futur kështu shkencat sociale në histori e duke ofruar një vizion global të Historisë me të cilën Braudel-i kapërceu kufijtë e Francës për t’u bërë një nga referencat e letërsisë historike botërore, mes të cilave mund të përmendim: “Mesdheu dhe bota mesdhetare në epokën e Filipit II”; “Qytetërimi, ekonomia dhe kapitalizmi, shekulli XV - XVIII”; “MESDHEU, njerëzit, trashëgimia, hapësira dhe historia”; “Dinamika e Kapitalizmit”; “Identiteti i Francës”; “Historia dita me ditë”; “Kujtimet e Mesdheut”.
Re. Ku.

Gazeta Standard

e premte, 11 shkurt 2011

Mbërritën në atdhe eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit 

U rikthye në atdhe pas 94 vjetësh. Eshtrat e Imzot Dom Nikollë Kaçorrit, një prej figurave më të rëndësishme të lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, mbërritën në Rinas, dje në orën 15:00, ndërsa janë pritur me nderime nga dhjetëra qytetarë e të afërm të tij. Pas ceremonisë së thjeshtë, të organizuar nga vetë kisha katolike, në Rinas eshtrat janë nisur drejt Durrësit, ku do të rivarrosen me datë 13 shkurt, në ambientet e Kishës katolike të qytetit bregdetar, pas një ceremonie përkujtimore, e cila do të mbahet në sheshin “Liria”. Kërkesa për riatdhesimin e eshtrave në Shqipëri është bërë nga Kisha Katolike e Durrësit, e cila u ka drejtuar një kërkesë autoriteteve austriake. Eshtrat e Imzot Kaçorrit preheshin në Vjenë të Austrisë, por pas një kohe të gjatë përpjekjesh dhe me ndihmën e familjes Kaçorri, që jeton në Shqipëri dhe Kanada, me përkrahjen e ambasadës shqiptare në Vjenë, me ndihmën e veçantë e autoriteteve austriake, të cilat mbuluan edhe shpenzimet e këtij procesi, më në fund u bë i mundur kthimi në atdhe. Një kontribut të veçantë për riatdhesimin e eshtrave kanë dhënë dhe anëtarë të Misionit Katolik Shqiptar nën drejtimin e meshtarit dom Pren Kola. Imzot Dom Nikollë Kaçorri, ishte figurë kryesore në lëvizjen kombëtare për pavarësi. Nënkryetar i qeverisë së Vlorës l9l2, një personalitet i spikatur i kishës katolike, sekretar i Argjipeshkvisë së Durrësit, me qendër asokohe në Delbnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke pasur në administrim dhe kishat e famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, ku u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe, përkrah Fishtës dhe personaliteteve të tjera të kohës. Në vitin l909, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit, ku u diskutuan probleme të shkollës shqipe. U nda nga jeta në Vjenë, në vitin l9l7, pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 55-vjeçare. 

Gazeta Panorama

10 Shkurt 2011             

Kullat e jugut

 Ermir Hoxha         07/02/2011

 Qendra Rajonale e Trashëgimisë Sarandë, ka përfshirë në 116 monumente të kategorisë së parë që ka nën administrim disa banesa karakteristike të Delvinës 


Prej një farë fame që gëzojnë kullat e veriut, me ato arakteristikat që kulmojnë në të qenit heroike, një konotacion që në fakt përmblidhen dhe tipare të tjera si besa, mikpritja, burrëria, trimëria, etj., të vjen të pyesësh nëse dhe jugu i ka të tilla.

Në shikim të parë, duket se kështu është, por në zhargonin e profesionistëve të fushës, të cilat ngrehinat e gurta të jugut, karakteristike sidomos për zonën e Delvinë-Sarandës, i klasifikojnë thjesht si shtëpi karakteristike, gjigande për nga madhështia dhe funksionaliteti.
Në këtë aspekt për shembull, veçohen ambientet apo dhomat e shërbëtorëve e hyzmeqarëve, të cilat nuk mund hasen në kullat e veriut, siç nuk hasen frëngjitë në ato të jugut. Kjo diferencë, sikur i bënë më të paqme këto të dytat, ndërsa grandioziteti i përgjigjet më tepër salltanetit, parasë së madhe, agallëkut, bejlerllëkut, ndryshe nga ç'mund u përgjigjen ato të veriut treguesit të forcës, vitales, heroikes.

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Sarandë, në 116 monumente të kategorisë së parë që ka nën menaxhim, një pjesë prej tyre janë dhe banesat karakteristike të zonës, ku veçohet Konispoli me banesën e Hame Takos, të Beqo Zenunit, të Alush Takos, të Maze Gaxhait, të Dino Omerit, ish-spitalin dhe banesën e vëllezërve Koqini.

Po ashtu, janë zgjedhur për të qenë monumente të Kategorisë së Parë dhe nga një banesë në Vagalat, Sopik e Janjar. Këto banesa, disa janë të braktisura e disa ta banuara, gjithnjë nën vëzhgimin e autoriteteve lokale të trashëgimisë, ndërkohë që dëmin më ta madh duke pësuar një rrënim të dhimbshëm e kanë pësuar banesat karakteristike të Dizdarajve në fshatin Rusan të Delvinës.

Por një resurs i madh i kësaj pasurie të trashëgimisë, është dhe lagja Llakë në Delvinë, që autoritetet bashkiake lokale në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë, kanë vendosur t`ia bëjnë hyzmetin për t`i klasifikuar dhjetëra banesa karakteristike të kësaj lagjeje, si Monumente të Kategorisë së Parë.

Ato aktualisht janë me status "mbrojtje paraprake", një fazë e parë kjo para kategorizimit së synuar, nëse do jetë i tillë pas mbledhjes së të dhënave për plotësimin e kritereve, ku ndër to është dhe vjetërsia e tyre që duhet të jetë mbi 100-vjeçare, si dhe veçoritë e konstruktit, arkitektura dhe teknika e ndërtimit. Disa prej këtyre banesave ndodhen tërësisht të braktisura prej ikjes së të zotëve të tyre në emigrim, të cilat shkojnë drejt një rrënimi të pashmangshëm.

Ndërsa disa të tjera që banohen ende, u janë adoptuar elementë të modës në përpjekje për meremetime të pjesshme, siç janë kasat prej duralumini në dyer e dritare apo dhe ndonjë shtojcë a arnim prej betoni, që ua ka cenuar rëndë origjinalitetin.
Sakaq, Delvina zotëron dhe një resurs të madh trashëgimie, ndonëse nuk mundet ta ketë në mbrojtje zyrtarisht si vlerë monumentale, që është ajo e godinave karakteristike dykatëshe në qendër të qytetit.

Nuk mundet ta ketë, sepse sipas Qendrës Rajonale të Trashëgimisë, ato godina nuk plotësojnë disa kritere, siç një prej tyre, vjetërsinë. Megjithatë, ato ruajnë një efekt aparencial të magjishëm me karakteristikat e tyre dhe për qytetin shërben si një element i fortë identitar. Për këtë arsye, shumë banorë të Delvinës, nga 30-ta e sipër, "qajnë me lot", prishjen e të tilla godinave në vitin 1987, për t`u ndërtuar në vend të tyre një rresht pallatesh të përzishme "enveri", që ata e konsiderojnë si një "`97 urbanistike" për qytetin.

Po kështu "qajnë" dhe prishjen e godinave të pazarit karakteristik, me nam për gjithë zonën e Labërisë e një pjesë të mirë të jugut të Shqipërisë, duke mbetur të muzeuara përveçse në foto të ndryshme, edhe në imazhet e filmit "Historiani dhe kameleonët". Ato që kanë mbetur, po ashtu janë arnuar me duralumin. E megjithatë, mbeten një kujtesë e vyer për qytetin; një fotografi reale e një të shkuare të nurshme, të sojshme.

Gazeta Shekulli