Histori e shkurtër e arkeologjisë nënujore
Nga Dr. Moikom Zeqo
Arkeologji
“Kohët e fundit kam botuar katër libra për arkeologjinë, mes të cilëve dhe librin Arkeologjia nënujore. Besoj se jam arkeologu i parë i arkeologjisë nënujore në Shqipëri”.
Në vitin 1979 punoja arkeolog në muzeun arkeologjik të Durrësit. Më lindi ideja për të krijuar zyrtarisht sektorin e parë të arkeologjisë nënujore në Shqipëri. Bëra një projekt që u financua nga shteti, u blenë katër akualangë me bombulat përkatëse të ajrit, kompresori dhe mjete të tjera për zhytje. Në bazë të dokumenteve del qartë se në 1979 sektori i arkeologjisë nënujore i drejtuar nga unë funksiononte i njohur dhe nga Instituti i Arkeologjisë dhe Akademia e Shkencave.
Në të vërtetë, kërkimet arkeologjike nën ujë i kisha filluar shumë më herët. Këto kërkime i kisha fokusuar kryesisht në bregdetin verior të Durrësit, nga Kepi i Rodonit deri në Gjirin e Lalzit. Në pjesën e Currilave që quhet “Cekëtina e Taboltit dhe Batlës” zbulova një numër të madh amforash që fillonin që nga periudha arkaike, shek.VI para Krishtit e deri në Antikitetin e Vonë (shek. VI pas Krishtit). Me këto krijova fondin e amforave të nëndetit në Muzeun e Durrësit.
Nga kjo zonë nxora dhe disa fragmente arkitektonike si ndonjë kapitel, madje edhe dy mbishkrime në latinisht, të cilat qenë përdorur si ballast nga anijet antike dhe hedhur më pas në det.
Sipas një legjende, gjoja shkëmbinjtë konglomeratë në ujërat e Currilave, përfaqësonin muret e qytetit të mbytur të Durrësit. Gjatë zhytjeve të shumta vërtetova se nuk kishin të bënin fare me mure qyteti por thjesht me formacione shkëmbore. Po kështu një tjetër legjendë e krijuar nga peshkatarët thoshte se hapësira detare në veri të Kepit të Pallës mbiquhej “Qyteti i mbytur” sepse me rrjetat e tyre peshkatarët nxirrnin nga kjo pikë shumë objekte arkeologjike. Për herë të parë vërtetova se nuk kemi të bëjmë me një qytet të mbytur por thjesht me një depozitë të ballastit të hedhur nga anijet antike.
Më pas i zgjerova kërkimet e mia edhe jashtë Durrësit. Shkenca verifikon. Vërtetova se disa nga legjendat që lidheshin me Durrësin nuk ishin të vërteta dhe këtë gjë mund ta vërtetonte vetëm arkeologjia nënujore.
Për hir të së vërtetës dua të them se në vitin 1860 një anije franceze “La Biche”, u intrigua për të bërë një eksplorim me polumbarë pikërisht në hapësirën e Taboltit dhe të Currilave. Këtë fakt e përmend Leon Hezei. Pra, dikush përpara meje e kishte bërë verifikimin, kurse unë isha i pari shqiptar që pashë me sytë e mi se nuk kishim fragmente të qytetit të mbytur të Durrësit.
Por, pikërisht 2 km në veri të Bishtit të Pallës, në zonën që quhet “Porto Romano” kam zbuluar që në vitin 1976 muret e një ndërtimi antik, ndoshta të një shtëpie luksoze të shek. IV para Krishtit. Nga kjo pikë kam nxjerrë një numër të madh tjegullash diellore të cilat janë tipike të kësaj periudhe. Gjithashtu, një fragment të murit të kështjellës së Redonit të zhytur në det e kam zbuluar së bashku me kolegun tim Xhemal Mato në vitin 1981. Por, zbulimi më i madh qe në Gjirin e Gramatës, në jug të Karaburunit, ku ishte dhe një gurore e shek. VIII Para Krishtit ku dhe ishin shumë mbishkrime në greqishte të vjetër latinisht dhe gjuhë të tjera të Mesdheut, me informacione historike të mëdha. Zhytja nën ujë zbulon gjëra nga më të çuditshmet
Gazeta Bota Sot 29.12.2009