e enjte, 02 gusht 2007

Zbulohen varret e betejës së Sfetigradit!

Pas 558 vjetësh sqarohet vendndodhja e një prej përplasjeve më të mëdha të Skënderbeut me turqit

Pas 558 vjetësh realizohet një zbulim i jashtëzakonshëm për historinë shqiptare. Në fshatin Koxhaxhik të Dibrës së Madhe zbulohen varret e viktimave të betejës së famshme të Sfetigradit, ku heroi Kombëtar Skënderbeu pësoi humbjen e parë nën drejtimin e Lidhjes. Kanë qenë një grup specialistësh vendas, që ditët e fundit kanë ndërmarrë një ekspeditë të thjeshtë, por që për nga rëndësia e zbulimit mund të quhet një punë e jashtëzakonshme. Burime nga pjesëtarë të kësaj ekspedite thanë dje për gazetën "Tirana Observer" se bëhet fjalë për dy masive varresh të vendosura në dy anë të pllajës, ku ishin të vendosura varret e viktimave të luftës së Skënderbeut me Sulltan Muratin II. Është folur shumë për këtë betejë të Heroit tonë dhe është vlerësuar shumë, por asnjëherë nuk është përcaktuar vendi i saktë se ku u zhvillua ajo. Ndërkohë pas më se pesë shekuj e gjysmë vjen edhe zbulimi. Pikërisht në afërsi të fshatit Koxhaxhik, një fshat që ende banohet me një etnitet turqish, janë zbuluar varret e atyre që ranë në betejë. Kjo pritet të shoqërohet më tej me studime të specialistëve të historisë për të sjellë akoma më shumë fakte.

Ekspedita

Është nisur pa shumë pretendime në fillim, por zbulimi ka një vlerë të jashtëzakonshme historike. Një grup specialistësh janë nisur në vendin ku pesë shekuj e gjysmë më parë është zhvilluar beteja e Skënderbeut dhe kanë zbuluar dy masivet e varreve. Burimet thanë se bëhet fjalë për rreth 1200 varre, që mendohet se janë të ushtarëve të Skënderbeut dhe më shumë nga pala turke. Ato janë të vendosura në dy anët e një pllaje dhe janë të ndarë në myslimanë dhe katolikë. Sipas specialistëve, kjo nën kupton se të parët janë turq dhe të dytët janë ushtarët e Skënderbeut. Deri më sot asnjë historian nuk kishte folur prerë dhe saktë për vendndodhjen e kësaj beteje, por edhe për shumë të dhëna të tjera. Madje shkohet deri aty sa fjala Sfetigrad, që në serbisht përkthehej qytet i shenjtë, mund të ndodhej në Mirditë. Por ekspedita e fundit ka sqaruar një herë e mirë të gjithë këtë dilemë.

Varret dhe viktimat

Gjithçka është e vendosur në pllajën e malit që kap lartësinë 1200 metra mbi nivelin e detit. Sipas historianëve, beteja është zhvilluar në luginën e Drinit të Zi, por duhet thënë se herë pas herë të plagosur, por edhe të vrarë, tërhiqeshin në majën e malit nga shokët e tyre. Në fund të betejës aty është bërë edhe varrimi i viktimave. Numri i ushtarëve të vrarë mendohet të jetë afro 1200 persona. Skënderbeu duke luftuar nga jashtë kështjellës arriti të korrte suksese të mëdha. Nga varret e zbuluara mendohet se janë rreth 900 myslimanë(turq) dhe rreth 300 katolikë (shqiptarë).

Historia e betejës së Sfetigradit, më 1448

Në qershor të vitit 1448, një ushtri e madhe osmane e komanduar nga Sulltan Murati II së bashku me të birin e tij 21-vjeçar, Mehmetin II, i cili më pas do të bëhej edhe ai sulltan. Ajo u përqendrua mbi kështjellën e Sfetigradit, si baza kryesore në sistemin mbrojtës të brezit lindor. Garnizoni i përbërë kryesisht nga dibranë dhe i drejtuar nga matjani Pjetër Perlati, jo vetëm hodhi poshtëë kërkesën për dorëzim pa luftë, por e mbajti me heroizëm kështjellën, duke thyer të gjitha sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane. Skënderbeu godiste pa ndërprerje ushtrinë me sulme të befasishme dhe arriti të hynte deri në kampin e ushtrisë osmane. Kjo e lehtësoi detyrën mbrojtëse të kështjellës. Garnizoni rezistoi deri sa osmanët arritën të zbulonin e të prishnin kanalin e furnizimit të kështjellës me ujë të pijshëm. Pas bisedimeve me sulltanin, Pjetër Perlati dorëzoi kështjellën, me kusht që të largohej i lirë bashkë me armët. Në korrik të vitit 1448, Sfetigradi kaloi në duart e osmanëve. Për lidhjen e Lezhës kjo ishte një humbje. Kështjella e Sfetigradit ishte baza ushtarake kryesore e pjesës jugore të brezit kufitar lindor të trojeve shqiptare.

Kane thënë për betejen e sfetigradit

Marin Barleti, historian
Historiani, i cili ka bërë një nga veprat më të plota për figurën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeun Marin Barleti ka thënë për Sfetigradin është një vend i lartë me shikim në luginën përreth dhe pa burim uji. Dibra e është si portë e shtetit të Skënderbeut. Për këtë arsye ai nuk donte kurrësesi ta linte në duart e osmanëve.

Kasëm Biçoku, historian
Sfetigradi nuk ka qenë në Koxhaxhik, por në krahinën e sotme të Demir Hisarit të Maqedonisë. Në këtë përfundim është arritur nëpërmjet shqyrtimit të kujdesshëm të të dhënave të regjistrave kadastralë osmanë të shekullit XV, të botuara prej autorëve sllavë.

Historiografia sllave
Disa historianë sllavë janë shprehur se Sfetigradi nuk ka qenë në Koxhaxhik. Për vendndodhjen e tij ata kanë dy qëndrime. Njëri qëndrim e lokalizon Sfetigradin në fshatin Rahovnik (qyteti i sotëm i Dibrës) dhe tjetri në Malin e Shenjtë të Mirditës. Këto nuk mbështeten nga burimet historike dhe as nga vëzhgimi i terrenit (dëshmitë materiale). Në Rahovnik dhe në Malin e Shenjtë të Mirditës nuk ka pasur kështjella në kohën e Skënderbeut.

Të dhënat e para për Sfetigradin

Emri i Sfetigradit përmendet në dokumentet e kohës së Skënderbeut në kronikat e autorëve bizantinë, në veprat e historianëve të vjetër osmanë, mbi të gjitha në historinë e Marin Barletit, që është vepra themelore dhe më e rëndësishmja për të njohur jetën dhe veprimtarinë e Heroit tonë Kombëtar. Kronisti bizantin, Laonik Halkokondili është burimi tregimtar më i hershëm që flet për këtë kështjellë. Ai e përmend atë me emrin Sfeti.

Të dhëna për betejen
1. Beteja e Sfetigradit u zhvillua në qershor të vitit 1448
2. Kjo shënonte humbjen e parë të Lidhjes së Lezhës nga turqit
3. Sipas kronikanëve të kohës janë vrarë 1200 ushtarë
4. Mori emrin e Sfetigradit (qyteti i shenjtë), sepse aty ndodhen shumë vende kulti
5. Ajo zgjati një muaj, nga qershori deri në korrik
6. Skënderbeu nuk ishte në kështjellë, por sulmonte nga malet
7. Pa betejës aty u shpërngulën shumë turq, ku nisën jetën e tyre. Dhe sot fshati Koxhaxhik është i banuar nga popullsi turke
8. Vetë fshati Koxhaxhik e ka marrë këtë emër nga turqishtja, që do të thotë "betejë e madhe"
9. Varrezat ishin ndarë në dy pjesë, në myslimane, rreth 900, dhe katolike, rreth 300
10. Pasi iu ndërpre uji nga osmanët, kështjella u dorëzua


Erion HABILAJ Gazetatiranaobserver

Zbulohen vulat mbretërore të Ahmet Zogut

Pas shumë dekadash, të harruara në fondet etnografike, dalin në dritë vulat e administratës së Zogut dhe pushtimit fashist. Nuk dihet se sa urdhra kanë ligjëruar. Nuk dihet se sa vendime, shkresa, dokumente mbajnë shenjat e tyre. Ka pasur edhe vendime ogurzeza ndër to. Vetëm pak ditë më parë, në arkivat etnografike të Institutit të Kulturës Popullore u gjetën disa vula. Numërohen në disa dhjetëra të tilla. Disa janë të gdhendura, me bisht të lëmuar druri, të tjera kanë përbërje gome. Të lëna në harresë mes objekteve etnografike, këto vula i nënshtrohen studimit e më tej restaurimit për herë të parë. Shefi i Laboratorit të Arkeometrisë së Konservimit, Frederik Stamati, i cili ka marrë përsipër restaurimin e tyre, thotë se rëndësia e këtyre vulave është shumë e madhe, pasi mbartin një histori të tërë. Janë vula të përdorura në administratën e Mbretit Zog dhe shumica gjatë viteve të pushtimit fashist. Këtë e dëshmojnë edhe datat e gdhendura me kujdes në bishtat e rrumbullakuar, apo nën vulë. Disa mbajnë vitin 1927, 1928, 1929, të tjerat i përkasin viteve 1939-1943. Në disa prej tyre, kryesisht tek ato që i përkasin periudhës së Zogut është gdhendur edhe emri i mjeshtrit që i ka realizuar. Bashkë me vulat ringjallet edhe emri I Mehmet Dajës, i cili krahas vitit, nuk ka harruar të gdhendë edhe emrin e tij të plotë, apo dy inicialet e para. Përveç rëndësisë si objekte të përdorura prej mbretit Zog, apo administratës pushtuese, që i përkasin një periudhe të caktuar historike, 70 apo 80 vjet më parë, këto vula na dëshmojnë edhe për institucionet që funksiononin aso kohe. Janë dëshmi të ekzistencës së ministrive, inspektorateve, zyrave të shtypit, por edhe librarive e klubeve sportive. Kështu në disa prej vulave shkruhet "Oborri Mbretënuer - Inspektorija e Përgjithshme", "Ministria e Punëve të Jashtme", "Kryesia e Këshillit të Naltë", "Kryeministrija- Zyra e Shtypit", "Drejtoria e Përgjithshme e Turizmit", "Libraria Lumo Skëndo", "Sport Klub Herbert Kir",etj. Sipas shefit të laboratorit, Frederik Stamati, këto vula janë unike në llojin e vet. "Jam interesuar edhe pranë Bibliotekës Kombëtare e Arkivit të Shtetit dhe nuk disponojnë vula të tilla në arkivat e tyre dhe mendoj se këto janë të vetmet vula të trashëguara prej periudhës së Mbretit Zog dhe të pushtimit fashist", - thotë Stamati. Sipas tij, këto vula janë të rëndësishme jo thjesht si objekte muzeale dhe dëshmi historike, por do të shërbejnë edhe për identifikimin e shumë dokumenteve që mbajnë këto vula. Për të përcaktuar më saktë datat dhe periudhat që i takojnë. "Mendoj se Arkivave të shtetit do t'iu hyjnë shumë në punë. Përmes tyre mund të provohet edhe vërtetësia e një dokumenti", - thotë Stamati, teksa shton se gjendja e vulave është ende e mirë. Ato mund të deshifrohen, megjithatë për shkak të viteve kanë pësuar dëmtime. Më problematike paraqiten vulat e gomës, të cilat kanë pësuar deformime. Po këto objekte paraqesin edhe vështirësinë më të madhe në restaurim. "Laboratori ynë nuk ka eksperiencë në restaurimin e gomës. Kemi njohuri të pakta në këtë drejtim dhe do na duhet të shfletojmë literaturë dhe të kërkojmë ndihmën e institucioneve homologe, që të mund t'i ruajmë këto objekte", - thotë Stamati, sipas së cilit në këtë rast do të ishte shumë e vlefshme edhe ndihma e Arkivit Qendror të Shtetit, i cili mund të hartonte një projekt për restaurimin e këtyre objekteve. Vulat mbretërore kishin disa dekada që qëndronin në arkivat etnografike, ku mbaheshin vetëm në ruajtje, pa qenë pjesë e koleksionit etnografik. Mendohet që këto vula të jenë dorëzuar në Institutin e Shkencave në vitin 1946 nga Seksioni i Sigurimit të qytetit të Tiranës dhe 10 vjet më vonë kaluan në fondin etnografik të Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë. Për vite me radhë ato u lanë në harresë dhe shohin dritën e studimit dhe restaurimit për herë të parë. Zbulohen vulat mbretërore ‘The Simpsons’ larg para tjerëve ‘The Simpsons’lanë shumë pas ‘popcorn’komedinë ‘I Know Pronunce You Chuck and Larry', e cila fitoi 19.44 milionë dollarë, por edhe filmin e katërt për magjistarin e vogël ‘Harry Potter And The Order of Phoenix’, me 17.1 milionë dollarë. “Odiseja e Homer’it u shpagua”, vlerësoi Paul Dergarabedian, kryetar i kompanisë Media By Numbers, që përcjellë suksesin e filmave në kinematë amerikane. Filmi, në të cilin kreu i familjes, Homer Simpson, fillimisht shkakton një katastrofë ekologjike në Springfield, ikë me familje në Alaska, e pastaj kthehet për ta shpëtuar qytetin të cilin qeveria fillimisht e izolon, e më vonë planifikon ta shkatërrojë, fitoi mesatarisht 18,320 dollarë në 3,922 kinema të Amerikës, megjithëse një hapje shumë të mirë pati edhe në 70 shtete tjera. ‘Simpsons The Movie’fillon me komentin e Homer’it “cili budalla do të paguante kinemanë për diçka që mund të shoh falas në televizor”dhe vazhdon me një tempo të furishëm shakash verbale dhe vizuale, që radhiten njëra pas tjetrës deri në fund të filmit. Filmi i animuar, në skenarin e të cilit - nga debutimi në vitin
1989 - punuan 20 të diplomuar në Harvard, dhe për të cilin në ShBA u shkruan shumë punime shkencore dhe doktoratura, shumë suksesshëm kaloi nga ekrani i vogël në të madhin.


(Shkrimi eshte marrë nga e perditshmja Express, me datë 02.08.2007)

Oliver Shmit: Skenderbeu dhe rëndësia e infrastrukturës logjistike për të udhëhequr luftën

Shkenca është marrë deri më tash në mënyrë intensive me betejat e veçanta të Skënderbeut. Por studime moderne për historinë e luftës evropiane tregojnë se beteja gjendet në fund të një zinxhiri të gjatë procesesh, të cilët janë shumë më të rëndësishëm se konfrontimi ushtarak. Edhe prijësi më i shquar nuk e fiton betejën pa suitë, e cila nuk është e ushqyer, e pajisur dhe e paguar mirë. Dhe këto detyra ia dha vetes edhe Skënderbeu. Se si i kapërceu ai ato vështirësi, do të paraqitet në vijim mbi bazë materialesh kryesisht të reja arkivore nga Venediku, Dubrovniku dhe Milano.
Skënderbeu e filloi luftën si komandant i një lige fisnikësh. Por shpejt doli në shesh, se Arianitët, Muzakët dhe, pos të tjerash, Dukagjinasit nuk ishin gati t’i nënshtroheshin Skënderbeut. Nga kujtimet e Gjon Muzakës kuptohet mirë arsyeja: familjet e vjetra nuk i shikonin Kastriotët si të barasvlershëm dhe secili bënte një politikë të jashtme më vete. Për atë prezantohej Skënderbeu fillimisht si Balsha i ri: ai desh të përfitonte nga nami i princit të famshëm të Shqipërisë së Veriut, Balsha III, për t’u profiluar kundër familjeve të vjetra. Por prapë u bë shpejt e qartë se Skënderbeu nuk mund të mbështetej te fisnikëria shqiptare, përkundrazi Balshajt në Shqipërinë e Mesme ai i detyroi në ekzil; Muzakajt humbën pas betejës së Beratit më 1455 çdo rëndësi; Arianitët nuk mundën të mbanin zonën e tyre të eksponuar në jug; dhe Lekë Dukagjini u bë rival i rrezikshëm, i cili edhe në Itali gëzonte nam të madh.
Sikur Skënderbeu t'i besonte vetëm fisnikërisë, atëherë ai shumë shpejtë do t’u nënshtrohej osmanëve. Në burime, të kapshëm bëhen ata burra, të cilët zëvendësonin Skënderbeun jashtë Shqipërisë. Aty vërehen dy grupe. Së pari, duhen përmendur zëvendësit e Kishës katolike të Shqipërisë. Rëndësia e tyre nuk mund të mbivlerësohet aspak. Qysh mes viteve 1446 dhe 1450 ndërmerr abat Llazari legata të rëndësishme në Romë, Napoli dhe Burgund. Më l447 udhëton abat Pjetri, një i afërm i Skënderbeut, për në Napoli Ipeshkvi Andreas Summa nga Albanum është më 1448 në Dubrovruk, ipeshkvi Stefeni nga Kruja gjendet tre yjet më vonë në Napoli. Nuk duhen harruar rregullarët: domenikani Nicolaus Begruzzi ose një françeskan, i cili udhëtoi më 1466 për në Napoli. Së shpejti ngrihet abati nga Roteza, Georg Pellinus, si figurë e rëndësishme në diplomacinë e Skënderbeut; deri më 1463 udhëton ai pa mundim nëpër oborret italiane. Prej vitit 1460 e merr në dorë iniciativën figura më e rëndësishme e Kishes katolike e mesjetës së vonshme në Shqipëri, Pal Engjëlli, nga Qrivasto, argjipeshkëv i Durrësit. Ai nuk përcjell vetëm legata për në Napoli, Milano, Romë dhe Venedik; por ai është edhe një figurë e rëndësishme në parapërgatitjet e kryqëzatës së Pius II. Përkrenaren e famshme të Skënderbeut duhet ta ketë porositur ai përkrenarja është një kopje e përpiktë e përkrenares së Aleksandrit të Madh. Pal Engjëlli kishte marrë premtimin nga Papa Pitis II si kompensim për pjesëmarrjen e Skënderbeut në kryqëzatë, se do të kurorëzonte Skënderbeun. Arqipeshkvi i Durrësit desh ta prezantonte monarkun e ri në gjuhën politike të Evropës së Renesancës, dhe kjo gjuhë politike ishte e ndikuar krejtësisht prej Antikës. Kështu planifikonte Kisha katolike e Shqipërisë t’i prezantojë opinionit evropian Skënderbeun si Aleksandër të Madh, i cili do të dëbonte Osmanët nga Evropa. Pal Engjëlli udhëhiqte pra jo vetëm politikën e jashtme të Skënderbeut, por e bënte edhe Atteta Christ-in në traditën e kryqëzatave të mesjetës një princ renesance.
Pranë rolit të shkëlqyeshëm të klerikëve, duken laikët pak të zbehur. Por edhe ata kanë luajtur rol të rëndësishëm. Kështu p.sh. Ninac-i, udhëheqës i sekretarisë së Skënderbeut; Petrus Smachi, protonoter i Krujës;
Celnik Rajani; Francesco Maramonte, i cili zëvendësoi Skënderbeun më 1456 në Milano; Esopus Sgurus, legat në Napoli më 1453; kabrësi Martin Musachi, i cili udhëtoi prej në Napoli nëpër Romë deri në Burgund. Një rol kyç luan femilja Gazulli, përmes të cilit kalonin kontakte të rëndësishme të Skënderbeut për në Dubrovnik. Kalorësi Pal Gaznlli merrej me zhvendosje parash, ashtu dhe me legata për në Napoli, Romë dhe Burgund; astronomi i njohur Johannes Gazulli kujdesej për çështje financash dhe krijonte kontakte me Hungarinë; ai mundohej t'i sqarojë Republikës së Dubrovnikut më 1455, pse e zgjeroi Skënderbeu Kepin e Rodonit në kështjellë; ai administronte para të rëndësishme të kryqëzatave, të cilat Dubrovniku, duhej t'ia kalonte Skënderbeut; ai siguronte armë (1454) dhe një zift-punues për ndërtimin e një anijeje (1455). Familja Gazulli i siguronte pra Skënderbeut para dhe teknologji lufte.
Rrethit të ngushtë i takonte edhe familja patrice Gongola Gundulic nga Dubrovniku, veçanërisht Paul, Michael dhe Paladino de Gongola, të cilët merrnin përsipër legata për Skënderbeun, rekrutonin specialistë për konstruksion anijesh dhe kështjellash në Rodon dhe vepronin si të autorizuar të Skënderbeut në Dubrovnik. Gondolasit u shfaqën si prominentë, kur Skënderbeu vizitoi Dubrovnikun; dhe nuk do të habiste fakti, se ata kultivonin kontakte tregtare me Shqipërinë: 1464 blejnë Junius, Paladino dhe Paul de Gongola me shumën e madhe prej 1450 dukatesh drithë në zonën e sundimit të Skënderbeut. Kontakte të ngushta me Skënderbeun mbanin edhe familjet Bona dhe Poza/Pucic. Klerikët, shqiptarët në Dubrovnik dhe patricët dubrovnikas bënin pjesë në rrethin më të ngushtë të Skënderbeut; përkundër fisnikërisë shqiptare, lojaliteti i tyre për Skënderbeun ishte i qartë. Ishte ky rrjeti personel, kjo suitë, e cila në mënyrë jospektakulare, por shumë efektive dhe vendimtare u kujdes për logjistikën e luftërave së Skënderbeut. Afër suitës së tij të ngushtë Skënderbeu kultivonte kontakte të jashtme intensive dhe të hulumtuara mirë. Në një fazë të parë ai u përqendrua te fqinjët e tij joshqiptarë në Evropën Juglindore: me mbretin boshnjak, Duka Stefan Vukçiq në Hercegovinë, me Stefen Crnojeviq në Mal të Zi dhe për një farë kohe edhe me despotin serb George Brankoviq. Ëdhe më me rëndësi ishin kontaktet e tij në Hungari, me Johann Hunyadin, më vonë edhe me Mattias Corvinus.
Shumë herët vendosi Skënderbeu të ndërkombëtarizojë luftën kundër osmanëve, me anë të aleancave me fqinjët e tij ballkanas, por pastaj edhe me anë të lidhjeve të ngushta me shtetet italiane. Këto kontakte të jashtëm shërbenin parimisht për dy qëllime: sigurimi i parave dhe i teknologjisë luftarake. Këto të dyja mungonin në territorin e tij. Burim të ardhurash kryesore ai kishte eksportin e drithit dhe të drurit. Ky ndodhej kryesisht në duar të tregtarëve nga Dubrovniku, por edhe të venedikasve. Një burim tjetër të ardhurash ofronte dhënia me qira e doganave po ashtu të investuesve të huaj: këto qira garantonin të ardhura afatgjate.
Duke marrë parasysh jostabilitetin politik, investimi për tregtarët nuk ishte aspak i sigurt; por me sa duket fitimi ishte shumë premtues. Më 1464 gjendet madje edhe një tregtar nga Milano si qiraxhi dogane. Po ashtu Skënderbeu u garantonte investuesve një sigurim të lartë ligjor, këtë e dëshmojnë burimet e pabotuara nga Dubrovniku: kështu, më 1465, një tregtar nga Dubrovniku iu nënshtrua me dëshirën e vetë gjyqësorisë së Skënderbeut e jo asaj të qytetit të tij.
Tregtia kalonte zakonisht nëpër portin e vogël të Shufadës. Skënder-beu, në të vërtetë një bir malesh, kuptoi rëndësinë e detit sa vinte e më shumë: ai e zhvendosi pikëqëndrimin e pushtetit të tij në bregdet. Jo Kruja, por Rodoni ishte kështjella e tij kryesore; sepse prej këtu ai bënte kontakte në Itali, në bregdet ai merrte armë dhe para. Afër Rodonit luante edhe Lezha, me një rol të njëjtë kryesor; Lezha lidhte bregdetin me botën malore, Lezha ishte për dukagjinasit dhe për Skënderbeun portë e vërtet për në Itali. Qyteti administrohej prej Venedikut, por nuk mund dhe aq të kontrollohej, si Durrësi i shtrirë mu afër detit Qyteti mund, pra, të quhet si zonë kontakti mes botës së fisnikërisë shqiptare dhe Adriatikut. Skënderbeu këtë e mori parasysh, duke u munduar t’i largohej varësisë me Venedikun, nëpërmjet të komunikimit me Italinë; por për këtë atij i duheshin anije, ku punësoi mjeshtër ndërtimi anijesh nga Dubrovniku dhe luti edhe Venedikun, t'i verë anije në dispozicion dhe këtë edhe pse ai vetë, siç informon një burim venedikas, detin nuk e pëlqente. Mungesa e një flote luftarake, por edhe e anijeve tregtare u tregua për kohë të gjatë si mangësi Skënderbeu merrte anije me qira nga Dubrovniku, dhe për një kohë të caktuar vente edhe Venediku anije në dispozicion; por kjo qe një zgjidhje e përkohshme.
Për këtë ishin lidhjet e tij me Dubrovnikun edhe më të rëndësishme, i cili si shtet neutral ofronte përkrahje.
Është më lehtë të marrësh para, se sa t’i administrosh ato: këtu u tregua Skënderbeu si organizator i aftë, i cili përdorte metodat e atëhershme moderne të biznesit bankar. Dubrovniku ishte për këtë disk rrotullues vendimtar, sepse aty kishin filialet e tyre edhe banka nga Firence, kështu p.sh. (për shembull) godina e bankës Albizzi dhe Strozzi, zëvendësi i të cilëve, Berto Belfradelli, në Shqipëri blente dru dhe e eksportonte për në Apuli; një florencez tjetër, Frco Pauli de Beuzi bënte tregti me drithë shqiptar. Më 1458 gjejmë Celik Rajan-in në Dubrovik, i cili thyen një çek të bakës Pazzi Si princat e tjerë ballkanas, ashtu edhe Skënderbeu mbante një depozitim te banka e Republikës së Dubrovnikut; Pal Gazulli dhe Rajani i përmendur tërhiqnin prej aty para. Rëndësia e metodave financiare moderne nuk mund të çmohet kurrë sa duhet. Se cilën sasi kishin të ardhurat e Skënderbeut nga eksporti dhe qiratë doganore, as nuk mund të hamendësohet. E qartë është, se ajo nuk mjaftonte për financinin e luftës. Përkrahjet sidomos të shteteve italiane merrnin për këtë një rëndësi të madhe. Këtu u tregua shteti kishtar shumë herët si shtyllë e rëndësishme; Venediku premtoi para të rregullta vjetore, por të cilat për shkak të konflikteve mes guvernatorëve venedikas dhe Skënderbeut nuk u paguan rregullisht. Sidomos në fazën e fundit të jetës së tij Skënderbeu ishte urgjentisht i varur prej pagave ndihmëse nga Italia. Një pyetje tjetër janë ndihmat në formë furnizimi me drithë. Menjëherë pas filimit të kryengritjes mundohej Skënderbeu të kontrollojë burimet bujqësore të Shqipërisë së Veriut. Kjo ishte arsyeja për luftën e tij kundër Venedikut. Jo vetëm Venediku, por edhe Dukagjinasit e bllokonin ekspansionin e Skënderbeut për në veri. Puna ishte te drithi, te kripa dhe te vërrini për bagëtinë, burim i rëndësishëm ekzistencial Por edhe dalja në det te Lezha dhe kontrolli mbi rrugët tregtare për në Prizxen ishin të rëndësishme: Skënderbeu e humbi këtë konflikt Baza e tij ekonomike mbeti e kufizuar me Shqipërinë e Mesme. Në vite të qeta ai mundi prej këtu të eksportonte drithë. Por gjatë sulmeve osmane, veçanërisht në vitet 1446 dhe 1467, korrjet u dëmtuan. Sidomos kah fundi i jetës së tij, Skënderbeu ishte i varur nga importi i drithit nga Apulia: më 1466 ai luti Papën urgjentisht të mos dërgojë trupa, sepse Shqipëria e grabitur prej osmanëve nuk mund t’i ushqente as banorët e saj: strategjia e tokës së djegur e Mehmetit II kishte qenë pra e suksesshme.
I qartë është fakti se Shqipëria e Mesme për kohë të gjatë kishte bazë shumë të dobët demografike dhe ekonomike për luftën kundër osman-ëve.
Skënderbeu mundi t’u bënte rezistencë një çerekshekull osmanëve, sepse ai ishte një prijës ushtrie i talentuar, por më së shumti, sepse ai e kuptoi rëndësinë e infrastrukturës logjistike për udhëheqje të luftës. Për të minimizuar ndikimin e fisnikërisë shqiptare, ai mbështetej mbi një suitë jofisnike, por lojale, e cila, pos të tjerash, përbëhej prej klerikëve të Kishës katolike dhe një grupi të vogël laikësh në nethin e sekretarisë së tij. Këta burra krijuan kontakte të rëndësishme për të mbijetuar me fqinjët e krishterë në Evropën Juglindore dhe Perëndimore. Së dyti, Skënderbeu përdorte teknikat financiare bashkëkohore për të financuar blerjen e armëve dhe teknologjinë e luftës.
Vendi financiar - Dubrovniku - luante aty një rol vendimtar. Struktura fleksibile e pushtetit të tij, mobiliteti i suitës drejtpeshoi superioritetin sasior të osmanëve për shumë vite. Nuk ishin betejat spektakulare, por organizimi i strukturave sunduese, të cilat na japin sqarime thelbësore për mbijetesën e Skënderbeut.
-----------------------------
Kumtesë e lexuar në simpoziumin “Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe epoka e tij”, mbajtur në Prishtinë më 21 nëntor 2005.
( Ky material është marrë nga QIK-u)

Dy shpata enigmatike në Shqipëri vijnë nga beteja e Sfetigradit?

Frederik Stamati

Bëhet fjalë për dy shpata luftarake që u zbuluan më 23 korrik 2005 në një muzeum të Shqipërisë. Isha në kërkimet e mia për identifikimin e shtapave të shekujve të kaluar me mbishkrime në gjuhët orientale kur rashë, si të thuash, në to. Ishin të errëta, si thellësia e shekujve prej nga vinin. Dikur lëviznin, përplaseshin, tingëllonin, kanosnin, shuanin shpirtra, ndërsa sot... Tashmë kanë shekuj që rrinë të heshtura në botën e historisë, robina të së cilës edhe janë. Shpatat i kishte mbuluar ndryshku. Asgjë nuk shihej në to. Dukeshin si të zakonshme, e pa asgjë të veçantë. Duke ditur vendin në teh ku herë-herë gjenden data, apo mbishkrime, fillova punën paraprake restauruese. Dhe ja, doli në shifër, pastaj një tjetër, një datë, motivet. Rastësisht u ndodha përpara njërit prej zbulimeve më emocionuese për muzeologjinë shqiptare.

Atëhere nuk e dhashë lajmin. U desh të lexoja shumë, të udhëtoja mijëra kilometra e të vizitoja muzeume, të vëzhgoja motive të asaj kohe, se si konceptoheshin figurat, të krahasoja të dhënat, të zhvilloja konsulta etj, derisa vendosa ta bëj të njohur këtë fakt: ne tashmë kemi armë nga ato të përdorura në betejat e Skënderbeut. Ndoshta mund të thuhet: epokës së Skënderbeut.

Drejtori i muzeut m’u lut që të mos e tregoj muzeun se ku ndodhen ato, sepse nuk janë kushtet e sigurisë së ruajtjes dhe as ndonjë fakt që mund të çojë në identifikimin e muzeut. Unë ia dhashë fjalën dhe do ta mbaj. Sa për kuriozitet po them se ato janë dorëzuar në muze më dt 13 qershor 1970 nga një arsimtar, i cili nuk e mësoi kurrë se çfarë kishte dorëzuar. E dhashë këtë fakt për të hequr çdo dyshim për ndonjë falsifikim të mundshëm. Njëra prej shtatave është e tipit hanxhar, evropiane në origjinë, afërsisht 46 cm e gjatë, pra shpatë e shkurtër nga ato që përdoreshin në luftime trup më trup, ose në muret e kalave. Për herë të parë shpatën e shkurtër në duar të një shqiptari e përmend Barleti, e pikërisht në dorën e Skënderbeut, kur ai, akoma nën Sulltanin, u ndesh në duel me një armik, një skith mendjemadh.

Po ta godasësh këtë shpatë jep një tingull të mirë, gjë që tregon se është përgatitur me një çelik cilësor. Doreza është mbathur me dru nga të dyja anët. Për të mbrojtur dorë nga rrëshqitja e shpatës së kundërshtarit është pajisur me një hark çeliku, për të cilin në shqip nuk kemi ndonjë fjalë të veçantë.

Në teh, nga ana e mbrapme është një vit: 1449. Eshtë shpata më e vjetër e datuar që dimë deri sot të ruhet në Shqipëri. Gjithmonë vitet shkruheshin në anën e prapme të shpatës, që kur të nxirreshin pak nga milli të ngjallnin kureshtjen e të tjerëve, ose të identifikonin luftëtarin e një beteje me emër, ose të një ngjarje tjetër.
Përgjatë gjatësisë së shpatës, e në të dyja faqet, vihen re motive, që janë harqe me dy linja, të cilat mund të mos jenë thjesht zbukurime, por simbol. Ata janë gjashtëmbëdhjetë nga njëra anë dhe shtatëmbëdhjetë nga ana tjetër, gjithsej tridhjetë e tre, një numër biblik. Mos është rastësi? Harqet të kujtojnë një kurorë, ose elementë të një kurore që vihej në kokë. Mbi harqe (linjat e shifrave dhe të motiveve janë realizuar me pika; është një teknikë shumë e vjetër që përdorej mijëra vjet më parë në punimet në metal; thuajse e barazkohëshme ndeshet në ikona), është pikëzuar një zgjatim, që ndoshta simbolizon një kryq. Në fund të vargut zhvillohet një figurë, si shpend me qafë të gjatë, e të përkulur paksa anash. Kjo të kujton, se të jep një ide të stemës së Habsburgve, të vendosur mbi Portën e Zvicrës në Hofburg të Vienës.

Duke u nisur që këtu lindin hamendësime nga më të ndryshmet.
Viti 1449 është viti kur u zhvillua beteja e Skënderbeut për ta rimarrë Sfetigradin, zotërim i Aranitëve, i cili ishte pushtuar nga turqit një vit më parë, me atë ngjarjen e hedhjes së qenit të ngordhur në pus, ngjarje të cilën historiografia e sotme nuk para e beson. Kështu thonë për vitin 1449 historianët Kristo Frashëri dhe Kasem Biçoku, të dy profesorë, të mbështetur në të dhëna të reja dokumentare të padiskutueshme.
Në botimin e dytë të “Historisë së Skënderbeut, Kryezotit të Arbërisë” Noli shkruan se:”Më 25 Shtator 1449, me një ushtri 18 000, ku shërbenin disa kryqëzorë frëngj, gjermanë, dalmatinë dhe italianë, Skënderbeu e rrethoi Sfetigradin...”

Duke u nisur nga këto të dhëna mund të mendojmë se kjo është shpata e një kryqësori që luftoi nën komandën e Skënderbeut për të rimarrë Sfetigradin. Mirëpo sipas studimeve të Prof. Kasem Biçokut mercenarët kanë marrë pjesë në ushtrinë e Skënderbeut vetëm në vitin 1450. Kështu, mund të mendohet se ky luftëtar, posedues i kësaj shpate mund të ketë qenë një vullnetar i paorganizuar, apo i inkuadruar, siç përmend disa raste të tilla historia e asaj kohe.

Por ky është vetëm një variant. Poseduesi i saj mund të ketë qenë fare mirë edhe një arbër, se po të nisemi nga shpendi i modeluar, e që ndoshta është shqiponjë, mund të përmendim rastin e Lekë Dukagjinit, në stemën e të cilit shqiponja është me një kokë.
Historianët “nuk të falin” në interpretimin e dokumenteve, ata janë strikt dhe kërkime të tjera do të duhet të bëhen për të zbërthyer simbolikën e zbukurimeve në këtë shpatë, e për ta përcaktuar qartësisht përkatësinë e saj.

Shpata e dytë është si tip jatagani, 59 cm, pra edhe kjo e shkurtër. Në anën e pasme ka të stampuar një vulë të punishtes së prodhimit, që përfaqëson ndoshta diellin me tetëmbëdhjetë rreze. Pastaj, më vonë, është dekoruar me të njëjtën teknikë si edhe shpata tjetër, madje disa motive janë njëlloj, pra kjo shpatë është e të njëjtës periudhë kohore. Dekoracioni i saj i përgjithshëm tenton të japë një përbindësh, ndoshta një dragua. Sot dekoracioni vjen i dëmtuar në sajë të mprehjeve që i janë bërë shpatës në kohëra të mëvonshme. Me sa duket simboli i dragoit ka qenë tepër i përhapur në atë kohë. E gjejmë edhe në një shpatë të vjetër, por pa datë, të fondit etnografik të Institutit të Kulturës Popullore. Edhe Barleti thotë se Vojsava pa në ëndërr sikur po lindtë një dragua. Tehu i kësaj shpate është i mbathur me metal gjatë të gjithë gjatësisë së tij. Të prodhoje një shpatë nuk ishte gjë e lehtë. Kur shpatat konsumoheshin betejave ato mpriheshin, derisa vinte një kohë që ato holloheshin e pastaj mbatheshin nga kovaçi me saldim të nxehtë me rrahje. Kjo vërtetonj se shpata në shqyrtim ka qenë luftarake dhe është përdorur në shumë beteja. Këtë e vërteton edhe gjuhëza e dorezës e salduar në të njëjtën mënyrë.

Dy janë problemet që lindin për këto shpata:
1- Ato sapo u pastruan paksa për të bërë të dukshme datën dhe motivet. Por ato janë të parestauruara, e të pakonservuara. Duhet bërë një ndërhyrje e domosdoshme për të rivendosur gjendjen dhe që të ruaj “status quonë”. I vetmi laborator në Shqipëri që mund të përballojë shkencërisht dhe teknikisht një ndërhyrje të tillë të përgjegjshme është Laboratori i Konservimit dhe Arkeometrisë pranë Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë. I mirëpresim.
2- Mbas trajtimit laboratorik të dyja shpatat duhet të studiohen nga specialistë të heraldikës për të dhënë një mendim sa më shkencor dhe të plotë për to.

Historia
Beteja e Sfetigradit
Në qershor të vitit 1448, një ushtri e madhe osmane e komanduar nga Sulltan Murati II së bashku me të birin e tij 21-vjeçar, Mehmetin II u nisën drejt kështjellës së Sfetigradit, baza kryesore në sistemin mbrojtës të brezit lindor. Historia e mbrojtjes dhe dorëzimit të saj kalon nëpër dy hipoteza. Sipas Barletit, në mbrojtje të saj ishte një garnizon i përbërë kryesisht nga dibranë dhe i drejtuar nga Pjetër Perlati. Pas rezistencës ndaj sulmeve të njëpanjëshme të trupave osmane, Sulltan Murati II kërkon ta marrë kështjellën e Sfetigradit me kompromise. Por, Perlati nuk e pranon këtë kompromis. Mbrojtja e jashtme e kështjellës sigurohej nga një ushtri e drejtuar nga Skënderbue, e cila sulmonte herë pas here. Më pas Marlin Barleti na jep dëshmi që historia e shekullit të XX i kundërshton. Sipas tij, garnizoni arriti të bënte qëndresë deri sa në mes të tyre mbiu një tradhëtar. Sulltan Murati u mundua që me premtime të mëdha e dhurata të korrruptonte njerëz në mesin e mbrojtësve. Një prej ushtarëve shfrytëzoi një bestytni të vjetër të banorëve ndaj ujit të pishëm.

Më parë vdisnin se sa të pinin ujë ku ishte hedhur diccka e pisët. Në qytet kishte vetëm një pus, i cili i furnizonte të gjithë me ujë. Gjatë natës, ai hodhi një qen të ngordhur në të, të cilin e gjetën në mëngjes. Midis ushtarëve të ngujuar në kështjellë filloi pështjellimi. E vetmja mënyrë për të shpëtuar qytetarët ishte dorëzimi. Kështu Sulltan Murati II arriti të merrte Sfetigradin dhe tradhëtari u shpërblye. Dëshmitë e mëtejshme tregojnë që ai u zhduk shumë shpejt dhe mendohet se Murati vetë e eleminoi. Historia e shekullit të XX rindërton një variant tjetër. Historia e qenit të ngordhur për historianët e sotëm është variant legjende që është përcjellë ndër vite. Sipas tyre, kështjella e Sfetigradit u dorëzua pasi ushtria turke gjeti të vetmin furnizues me ujë të pishëm dhe e shkatërroi atë. Gjithashtu në “Historinë e Skënderbeut” të Marlin Barletit njihet vetëm viti 1448 si kohë kur u zhvillua beteja për marrjen e kështjellës. Historianët e sotëm kanë gjetur fakte të pakundërshtueshme që në vitin 1449 Skënderbeu kthehet në një betejë të dytë për të rimarrrë Sfetigradin. Sipas të dhënave mendohet se numri i vrarë në këtë betejë ka qenë 1200 veta.