e martë, 30 mars 2010

Një sërë monumentesh në qytetin e Durrësit kanë nevojë urgjente për ndërhyrje restauruese. Mozaiku i vetëm mural i zbuluar në amfiteatrin antik është dëmtuar në pjesën më të madhe të tij nga përmbytjet, ndërsa në kalanë e Peqinit është shembur një pjesë e murit si pasojë e rrëshqitjes së dheut

Valon Qyrfyqi

Në pritje të restaurimit, disa prej monumenteve të kulturës në Durrës rrezikohen dita-ditës. Nën zë flitet për fonde të ngrira nga Ministria e Financave, ndërsa specialistët kërkojnë të tjera fonde nga Ministria e Kulturës për të zbritur në terren. Çdo vonesë në ndërhyrje është kërcënim i vazhdueshëm për monumentet, dëshmi e së kaluarës. Ndërkohë që Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës qëndron në pritje të akordimit të fondeve nga MTKRS-ja, lagështira ka vijuar të dëmtojë një nga pjesët e mozaikut të vetëm mural që është zbuluar në vendin tonë dhe kalaja e Peqinit ka pësuar shembje në pjesën veriore të saj, për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Organikat e reduktuara e kanë lënë pa një kujdestar kalanë e Peqinit, ndërsa mbikëqyrja e saj bëhet nga kontrollet e herëpashershme të personelit të ateliesë së monumenteve rajonale të Durrësit. Për këtë vit, nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës janë kërkuar 13 milionë lekë të reja për t’u investuar në restaurimin dhe konservimin e disa prej monumenteve që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë. Mes tyre janë restaurimi dhe konservimi në amfiteatër, përfshirë mozaikun mural, restaurimi i kalasë së Peqinit, ai i Bazilikës së Arapajt, restaurimi i mozaikut pranë Depos së Ujit, restaurimi i Depos së Kripës, bazilikës paleokristiane të Gjuricajt në Ishëm dhe vazhdimi i punimeve restauruese në kalanë e Durrësit. I pyetur nga “Shqip” për situatën dhe mundësinë e ndërhyrjes reale për mbrojtjen e këtyre vlerave historiko-kulturore, drejtori i emëruar pak kohë më parë i kësaj drejtorie, Ermion Arapi, shprehet se investimet do të bëhen të mundura me fondet që do të akordohen nga Ministria e Kulturës. Një grup inspektimi, në përbërje të të cilit janë emra të njohur të historisë shqiptare, si Edmond Shehi e Pëllumb Xhufi, po bëjnë evidentimin e gjendjes për të përcaktuar më pas edhe nevojat më emergjente për ndërhyrje.

Mozaiku i vetëm  mural në Shqipëri

Reshjet e shumta të shiut kanë dëmtuar ndër vite një pjesë të madhe të mozaikut mural që u zbulua në kapelën e amfiteatrit antik në fund të viteve ’60. Pjesa ballore e mozaikut mural të kapelës është dëmtuar plotësisht. Dy dekada më parë pamja e saj ishte më e qartë dhe në të mund të dalloje pjesë të figurave shenjtore. Tashmë në të ka zënë vend ngjyra e mykut, ndërsa qytetarët besimtarë kanë nisur ta kthejnë kapelën në një vend lutjesh. Ndezin qirinj dhe i luten Shën Sofisë për begati e mirëqenie në jetët e tyre. Kapela e vogël bizantine e një prej monumenteve më të lashta të antikitetit në vend, amfiteatrit, ka nisur të rimarrë funksionet e saj kishtare. Nga kamarja e kapelës depërton dielli i marsit, rrezet e të cilit nuk mund të depërtojnë deri në faqen ballore të kapelës ku ndodhet mozaiku që dergjet nën pushtetin e ujit që rrjedh mbi të dhe të gjelbrës së mykut. Tri faqet e mozaikut mural u zbuluan gjatë ekspeditave për nxjerrjen në dritë të amfiteatrit. Sipas studiuesve, mozaikët janë vendosur mbi një shtresë afreskesh dhe prania e tyre në amfiteatrin, që është një ndërtim pagan, tregon se objekti është përdorur gjatë Mesjetës së hershme për qëllime kristiane. Pavarësisht mendimeve të ndryshme, vjetërsia e këtij mozaiku mural, nga i cili është ruajtur vetëm faqja perëndimore, për një pjesë të studiuesve nuk shkon përtej shekullit VIII. Kapela i kushtohet Shën Stefanit, emri i të cilit është fiksuar në një nga pjesët e mozaikut. Mozaikët e saj janë punuar me gurë kubikë polikrom dhe figurat modeste kanë thuajse përmasa njerëzore. Figurat e Shën Marisë, Shën Sofisë dhe Shën Irenës shfaqen në këto mozaikë që së bashku me afresket e zbuluara poshtë tyre dhe në pjesë të tjera, konsiderohen si dëshmi nga më të hershmet të artit dhe kulturës kristiane në vendin tonë. Nevoja për restaurimin dhe konservimin e këtij mozaiku, i vetëm në llojin e tij, shfaqet si emergjente në kushtet në të cilat ndodhet dhe për atë që përfaqëson.

Kalaja e Peqinit

E lënë për shumë kohë në mëshirë të fatit, kalaja e Peqinit së fundmi është dëmtuar nga erozioni dhe pret ndërhyrjen për restaurim. Një vit më parë u ndërhy në një pjesë të mirë të këtij monumenti, por së fundmi në të ka shembje, për shkak të shirave. Shembja ka ndodhur në pjesën veriore të kalasë dhe për këtë është vënë në dijeni edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës. Bashkia e Peqinit, ndërkohë e ka vendosur kalanë ndër prioritetet e saj, për ta kthyer në një qendër tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët e këtij qyteti. Ndërtimi i një lulishteje dhe ndriçimi synon të gjallërojë vlerat e monumentit te publiku, duke e bërë më të vizitueshëm. Neglizhenca justifikohet me shkurtimet në stafin e punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve disa vite më parë. Barërat e këqija, dera e prishur dhe gjithçka e lënë pas dore. Sipas studiuesve, themelet e kalasë së Peqinit mendohet se i përkasin periudhës romake, në kohën e ndërtimit të rrugës "Egnatia”, ndërsa më pas ajo është rikonstruktuar edhe gjatë pushtimit otoman. Muret e kalasë, që mban edhe emrin e vendbanimit ilir, Klaudianës, kanë pasur një lartësi prej afro 12 metrash. Kalaja është zgjeruar në shekullin XIV nga pushtuesit turq. Sipas historisë, turqit ia dhanë më pas kalanë spahiut të kazasë, i cili ndërtoi aty një saraj dykatësh, madje dhe një harem. Monumenti, që u përdor si objekt sigurie dhe mbrojtjeje në kohë luftërash, sot pret ndërhyrjen për të shmangur shembjet e tjera në të, si pasojë e erozionit.

Gazeta Shqip       29.03.2010
Restaurohet thesari i Artemisës

Përfundoi tërësisht procesi i restaurimi i 675 monedhave të zbuluara në sanktuarin e Artemisës në Durrës. Sanktuari i Artemisës, që ndodhej në kodrat e Dautes, u zbulua rastësisht në vitin 1970 nga arkeologu Ilia Toçi. Ai gjeti fillimisht një terrakotë të dalë mbi sipërfaqe. Po atë vit filloi ekspedita arkeologjike e drejtuar nga Vangjel Toçi, e cila zgjati disa vjet. Ka qenë një nga ekspeditat arkeologjike më të bujshme, që solli në dritë rreth 14000 objekte, kryesisht në terrakotë. Veç terrakotave atje u zbuluan edhe 675 copë monedha, si edhe disa objekte të tjera metalike. Sipas drejtuesit të Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë, pranë QSA, Frederik Stamati, gjatë restaurimit u konstatua se monedhat ishin prej bronzi dhe vetëm tre prej tyre suparate, pra të lara me argjend. Kryesisht janë prerje të Dyrrahut. Në faqe duket koka e Herakliut, simbol i qytetit antik, njëri nga pjesëmarrësit më të rëndësishëm të panteonit të perëndive, që sipas legjendës morën pjesë në themelimin e qytetit. Nga ana tjetër dallohen atributet e Herakliut, që ishin topuzi, harku, shigjeta dhe trajsja e shigjetave. Janë gjetur edhe disa pak monedha me prejardhje tjetër, për shembull të Epirit, etj, që tregojnë për lidhjet tregtare. Por saktësisht kjo do të dalë nga studimi numizmatik.Sipas Stamatit, sanktuari përbëhej nga një ndërtesë si tempull, me sergjena apo mbajtëse të tjera për objekte, ku njerëzit linin ndonjë gjë në blatim të perëndeshës. Shumica ishin terrakota, të pjekura në temperaturë të ulët, pra jo të forta, sepse nuk ishin utilitare. Gjashtë vjet më parë filloi puna për studimin dhe botimin e materialeve të zbuluara në këtë sanktuar, në kuadrin e një projekti të përbashkët midis Institutit të Arkeologjisë dhe Universitetit "Sharl de Gol" në l'Ilë, të Francës. Deri tani është bërë shumë punë dhe studimi po i afrohet fundit. "Laboratori ynë punoi për restaurimin e monedhave për 5 vjet me radhë. Ishte e vështirë. Në përgjithësi puna e restaurimit të objekteve metalike të zbuluara në Durrës është shumë e vështirë, për arsye të afërsisë së detit dhe pranisë së madhe të kripës, e cila nxit korrozionin. Aq më tepër që monedhat kanë qenë disi të konsumuara. Një faktor tjetër negative për fatin e këtyre monedhave ka qenë periudha më se 30- vjeçare, në të cilën ato u lanë pa u restauruar dhe kur korrozioni vazhdonte punën e vet shkatërrimtare", - thotë Stamati. Sipas tij jo të gjitha monedhat u bënë të lexueshme, por përpara restaurimit mund të identifikohej vetëm 18% e tyre. Mbas restaurimit, identifikimi i tyre arriti në masën 70%.

26.02.2010          Gazeta Panorama