e mërkurë, 29 shkurt 2012

Tryezë në Zagreb kushtuar albanologut Shuflai 

 

Zagreb, 29 shkurt - Në kuadër të kremtimit të përvjetorit të katërt të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 100 vjetorit të ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në këtë vend dhe Këshillin e pakicës kombëtare shqiptare të qytetit të Zagrebit, në “Matica Hrvatska” organizoi dje një tryezë shkencore për personalitetin e albanologut të shquar kroat, Dr.Millan Shuflai, njofton qik-u. Pikëpamjet e tij, paanshmërinë, korrektësinë dhe simpatinë e madhe që kishte ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimin dhe argumentimin në mënyrë shkencore të tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptareve nga ilirët si dhe autoktoninë e tyre në trojet shqiptare, dr. Millan Shuflai i mbrojti deri në fund të jetës së tij kur më 19 shkurt 1931 në Zagreb, regjimi i atëhershëm i Mbretërisë SKS bëri atentat ndaj tij.

Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës pjesëmarrësit e kësaj tryeze shkencore i përshëndeti ambasadori Valdet Sadiku, i cili në fjalën e tij veçoi se populli shqiptar kudo që jeton respekton figurën dhe krijimtarinë e albanologut me famë dr. Milan Shuflai, i cili gjatë jetës së tij bëri shumë për kombin tonë dhe i cili, duke u përpjekur të plasojë të vërtetën për shqiptaret tek popujt e Evropës, e pësoi me jetë. Në këtë rrugë Shuflai ka lënë gjurmë të pashlyeshme të cilat historiografia shqiptare i çmon gjithnjë, tha ambasadori Sadiku.

Tryezën e përshëndeti edhe dr. Gëzim Rexhepi, kryetar i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare për qytetin e Zagrebit ku ishin të pranishëm punëtorë të shkencës e të kulturës, politikanë dhe simpatizues të tjerë të krijimtarisë dhe personalitetit të dr.Shuflait nga radhët e kroatëve por edhe të shqiptarëve që jetojnë në Kroaci.

Para një numri të madh pjesëmarrësish, punimet e tyre shkencore në këtë tryezë për personalitetin dhe rëndësinë që ka krijimtaria në shkencën shqiptare që la pas dr. Milan Shuflai i paraqitën nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Republikës së Kosovës, akademik Pajazit Nushi, i cili edhe përshëndeti punimet e kësaj tryeze në emër të institucionit më të lart të dijes në Kosovë, ASHAK.

Me punimet e tyre shkencore në tryezë u paraqiten edhe prof. emeritus Zvonimir Sheparoviq, viktimologu me nam dhe ish ministër i punëve te jashtme të Republikës së Kroacisë, akademik Zef Mirdita, ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi, prof. dr. Aleksander Stipqeviq, prof.dr. Josip Jurqeviq, mr.sc. Darko Sagrak dhe të tjerë. U vendos që punimet e prezantuara shkencore të botohen si broshurë e veçantë nga Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit dhe Shoqata “Dr. Milan Shuflai”.

Punimet e kësaj tryeze i përshëndetën edhe ndihmësministri i Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kroacisë, Sreqko Shestan si dhe nënkryetari i Matica Hrvatske, Stjepan Suqiq.

Gazeta "Koha Ditore", 29.12.2012