e enjte, 17 dhjetor 2009

Zbulohet karriera e Ismail Qemalit si
funksionar i Sulltanit 

28.11.2009    Nga Gazeta Panorama 
 
Ka qenë jo vetëm funksionar i lartë në Perandorinë osmane, por me shumw gjasa edhe “i përkëdheluri” i sulltanit. Për herë të parë, publikohet jetëshkrimi i Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar, që në 28 nëntor 1912 ngriti flamurin e pavarësisë në Vlorë. Historiani osmanit, Dritan Egro, na ofron një dokument, dalë nga një fond i posaçëm i arkivave osmane, “Regjistrat e nëpunësve të perandorisë osmane”, ku janë të regjistruara jetët burokratike të gjithë funksionarëve të perandorisë. Nga ky dokument origjinal, i shqipëruar nga osmanishtja nga Egro, mësojmë se si ka nisur karriera e Ismail Qemalit, qysh në moshën 16-vjeçare, ç’poste ka mbajtur ai në administratën osmane dhe cila ka qenë pagesa në çdo detyrë, që kur se ka shërbyer si çirak në vitin 1860 pranë Zyrës së Përkthimit të Portës së Lartë, deri tek guvernator i Vilajetit të Tripolit, që është edhe funksioni i tij më i lartë. Dokumenti i cili na jep të dhëna qysh prej lindjes së Qemalit, deri në vitin 1908, kur zgjidhet deputet në Parlamentin Osman. Më poshtë vijon jetëshkrimi i plotë i Ismail Qemalit.

Eshtë djali i Mahmut Nedim beut, kryeportier i Sarajit Osman, nga soji i Sinan Pashës.
Ka lindur më 4 shkurt të vitit 1844.
Njohuritë fillestare të shkencave islame i ka marrë në shkollat fillore të Selanikut dhe të Vlorës, kurse me një mësues privat në Janinë ka mësuar arabishten dhe persishten.
Në gjimnazin grek “Zosimea” ka studiuar morfologjinë dhe sintaksën e greqishtes së vjetër, latinishtes dhe frëngjishtes; ka ndjekur lëndën e letërsisë, kurse nga shkencat ekzakte në mënyrë të veçantë aritmetikën, algjebrën fillestare, gjeometrinë e avancuar, trigonometrinë, fizikën, kiminë, astronominë, psikologjinë, anatominë e njeriut, gjeografinë dhe historinë e botës.
Eshtë autor i një libri teorik, i titulluar “Aplikimi i Ideve”, lidhur me çështje të filozofisë dhe të shkencës, dhe ka botuar një material me karakter juridik mbi rastet e burgosjeve për çështje borxhi.
Shkruan turqisht, greqisht dhe frëngjisht, flet shqip dhe lexon latinisht.
Në muajin maj 1860, kur ishte 16 vjeç, për mungesë përvoje pune u caktua në shkallën më të ulët të nëpunësisë (çirak) pranë Zyrës së Përkthimit të Portës së Lartë.
Në muajin mars 1861 u caktua atashe i Ambasadës Osmane në Paris, por për arsye personale nuk u paraqit në detyrë.
Në muajin gusht 1862, u emërua në Sekretariatin e Korrespondencës me Jashtë pranë Vilajetit të Janinës, me një rrogë prej 500 groshësh. 18 muaj më pas, atij iu besua posti i kryetarit të Bashkisë së Janinës, institucion i krijuar rishtazi, me një pagë prej 700 groshësh.
Në muajin shtator 1864, emërohet me ngritje asistent në zyrën e Guvernatorit të Tërhallës, Ismail Rahmi Pashës nga Tepelena.
Në muajin qershor 1865, kthehet në Stamboll dhe për më se një vit punoi pa ndërprerje në Zyrën e Përkthimit të Portës së Lartë.
Në muajin maj 1866 u caktua kryesekretar i Byrosë së Korrespondencës të Vilajetit të Danubit, me një rrogë prej 2500 groshësh. Si detyrë plotësuese për dy muaj me radhë iu dha detyra e kolumnistit në gazetën e këtij vilajeti dhe posti i drejtorit të punëve të jashtme.
Në muajin mars 1868 kaloi në postin e kryesekretarit të Kuvendit Administrativ të këtij Vilajeti, me kushtin që të vazhdonte detyrën e kolumnistit në këtë gazetë, me një rrogë prej 4000 groshësh.
Në muajin qershor 1868 u caktua në postin e kryendihmësit të Zyrës Juridike të Këshillit të Shtetit, me një rrogë prej 4.000 groshësh.
Në muajin tetor 1869 iu dha posti i mytesarifit të Varnës, me një rrogë prej 12.200 groshësh; në muajin shkurt 1870 duke iu bashkangjitur Kryesisë së Komisionit Evropian të Danubit, iu dha posti i mytesarifit të Tulxhës (Rumani), me një rrogë prej 14.000 groshësh; pas tre vjetësh u largua nga kjo detyrë.
Në muajin gusht 1876 u caktua në Sekretarinë e Ministrisë së Jashtme, me një rrogë prej 9.000 groshësh. Duke pasur mbi supe përgjegjësinë e drejtimit të kësaj zyre, pas një muaji me një rrogë shtesë prej 4.500 groshësh, caktohet anëtar i Komisionit të Jashtëzakonshëm të Plovdivit (Bullgari) dhe kryetar i Komisionit të Jashtëzakonshëm të Slivenit (Bullgari).
Ndërsa ishte duke kryer këto detyra shtetërore, në ditën e dytë të shpalljes së Ligjit të Luftës, domethënë në muajin maj 1877, u dërgua me atribute politike në qytetin Kytahja (Anadoll) dhe më 25 korrik të po atij viti rroga prej 2.000 groshësh që e merrte nga Thesari Personal i Sulltanit, më 13 mars 1880, pësoi një rënie në 1.600 groshë dhe u ndërpre përfundimisht më 13 mars 1881.
Pas 10 muajsh doli një falje perandorake; duke iu bindur vullnetit të sulltanit ai pranoi emërimin në një nëpunësi në Irak, por më pas kërkoi ndjesë dhe për gjashtë vjet me radhë qëndroi në qytetet kryesore të Anadollit, Kytahja, Eskishehir dhe Bursa.
Në muajin shkurt 1884 iu dha posti i mytesarifit të Sanxhakut të Mardinit (Anadoll), me një rrogë prej 6.000 groshësh. Për shkak të rëndësisë së veçantë që kishte ky sanxhak dhe për shkak se ai post kërkonte emërimin e një dore të fortë, më 28 prill 1884, u urdhërua të kalonte mytesarif i Bollusë (Anadoll), me një rrogë prej 5.000 groshësh.
Në muajin maj 1866 iu dha grada e klasit të tretë, në gusht 1867 grada e dytë e klasit të dytë; në 7 tetor 1869 grada më e lartë e klasit të dytë dhe në tetor 1884 iu dha grada më e lartë e klasit të parë. Në mars 1883, iu akordua medalja e lartë Mexhidije, klasi i dytë.
Përgjatë kohës që kryente detyrën e mytesarifit të Varnës (Bullgari) dhe gjatë vizitës që Perandori i Austrisë kreu në Stamboll iu dha medalja e Franc Jozefit, klasi i tretë.
Në një opinion të bërë publik guvernatori i Vilajetit të Kastamonusë (Anadoll), shkëlqesia e tij Abdurrahman Pasha, ka konfirmuar se personi në fjalë në postet e mytesarifëve ka treguar një aftësi të pakrahasueshme, është shumë i vyer dhe kapaciteti e dija e tij janë më se të mjaftueshme për t’u ngjitur në shkallët më të larta të hierarkisë shtetërore. Me administrimin e mirë të sanxhakut të lartpërmendur, me vendosjen e rendit, me reformimin që i bëri administratës lokale, me rritjen e të ardhurave, me shërbimet në funksion të përparimit të arsimit dhe sukseset e shënuara, ai u konfirmua si një shtetar që spikat veç të tjerëve.
Ankesat që erdhën për autoritetin shtetëror të lartpërmendur dhe verifikimet e kryera me këtë rast dëshmuan se ai e kishte të pamundur vazhdimin e ushtrimit të kësaj detyre; më 17 shkurt 1890 duke aplikuar ndërrimin e vendeve, atij iu dha posti i mytesarifit të sanxhakut të Kërshehirit (Anadoll), me një rrogë prej 4.860 groshësh. Më 3 maj 1890, atij iu dha Medalja e Lartë Osmane e klasit të tretë; ndërkohë, ai kërkoi largimin nga kjo detyrë me synimin për të marrë postin e mytesarifit në një sanxhak më të përshtatshëm dhe më pranë Stambollit dhe më 17 maj 1890, e dorëzoi zyrtarisht këtë detyrë.
Më 16 qershor 1890.
Me emërimin e këtij autoriteti shtetëror në postin e mytesarifit të Sanxhakut të Galipolit (sot pjesa evropiane e Turqisë) më 8 maj 1891, me një rrogë prej 5.000 groshësh, grada e tij më 1 qershor 1891, u ngrit në nivelin ‘e lartë’.
Më 14 dhjetor 1891, autoriteti i lartpërmendur shtetëror u urdhërua të kalojë në postin e guvernatorit të Vilajetit të Bejrutit (Liban), me një rrogë prej 20.000 groshësh.
Përgjatë kohës që ai administronte Sanxhakun e Galipolit me dokumentin përkatës të datës 28 mars 1892, të lëshuar nga kuvendi rajonal i Vilajetit të Edirnesë, dëshmohet se ai është i pafajshëm në lidhje me administrimin e pronave të paluejtshme të familjes së sulltanit dhe pronave të tjera.
Autoriteti i lartpërmendur shtetëror më 12 korrik 1892, u largua për t’u graduar në një post tjetër të rëndësishëm dhe të përzgjedhur.
Më 16 nëntor 1894, atij iu akordua me një pagë-asistencë prej 6.000 groshësh; por më 3 janar 1895, autoriteti i lartpërmendur shtetëror, me një rrogë prej 20.000 groshësh, u emërua në postin e guvernatorit të Vilajetit të Tripolit (Libi). Në 5 janar të po atij viti, për shkak të meritave dhe aftësive drejtuese që kishte demonstruar iu akordua medalja e lartë Mexhidije, klasi i parë.
Ndonëse autoriteti i lartpërmendur shtetëror ishte nga personalitetet më inteligjentë të administratës osmane, situata dhe mënyra e drejtimit të këtij vilajeti nuk mund të krahasohet me të tjerat e perandorisë. Në se që nga momenti i dërgimit në këtë Vilajet dhe deri në momentin që do të arrijë të mësohet me punët e përditshme dhe çështjet e rëndësishme të administrimit do të përballet me disa vështirësi çka natyrshëm mund ta bëjnë të pasuksesshme arritjen e objektivave dhe të paefektshme jetësimin e interesave të shtetit, me përkujdesjen e sulltanit dhe falë zotësisë dhe njohurive të tija mund të emërohet në një detyrë tjetër shtetërore. Për shkak se qëndrimi në detyrë e këtij valiu karriere u bë pas një kërkese dhe këshillimi me autoritetin e kryeministrit, më 13 korrik 1895, ai u largua nga ky post.
Që nga data që la këtë post, pra më 14 tetor 1895, me urdhër të sulltanit atij iu dha një rrogë-asistencë prej 10.000 groshësh nga fondet e Thesarit Perandorak.
Më 1 mars 1898, me urdhër të sulltanit atij iu akordua posti i posaçëm i anëtarit të Drejtorisë Administrative të Këshillit të Shtetit, me një rrogë prej 15.000 groshësh. Komunikimi për rritjen e rrogës në 20.000 groshë në datë 1 korrik 1898 dëshmohet në përgjigjen e bërë me dije prej Zyrës së Financave, më 20 mars 1899.
Më 12 prill 1900, autoriteti shtetëror i lartpërmendur me një rrogë prej 30.000 groshësh u emërua [sërish] guvernator i Vilajetit të Tripolit. Më 22 prill 1900, rroga iu ngrit në 35.000 groshë. Më 20 qershor 1900, në vend të tij në postin e guvernatorit të Tripolit u emërua dikush tjetër.
Zgjedhja e këtij autoriteti të lartë shtetëror deputet në Parlamentin Osman dëshmohet me dokument-përgjigjen e datës 30 korrik 1910, lëshuar prej Zyrës së Financave të Parlamentit, e cila certifikon fillimin e kësaj detyre më 17 dhjetor 1908.

Nuk ka komente: