Zbulohet një kishë mesjetare pranë Bovillës |
NGA: FATMIRA NIKOLLI |
TIRANE- Një kishë mesjetare me një gjatësi 50 metra e gjerësi 40 metra, është zbuluar vetëm pak ditë më parë në fshatin Kumardhë, në afërsi të Bovillës në Tiranë. Lajmi bëhet i ditur nga arkeologu i Institutit të Arkeologjisë, Skënder Muçaj, i cili na rrëfen edhe detaje të tjera të këtij zbulimi. Me një datim që shkon para shekullit të 13-të, kisha që mendohet të ketë qenë mjaft e rëndësishme për zonën, pranë saj ka një hapësirë prej tre dynymësh me varre të tipit të Komanit. E njohur aktualisht me emrin kisha e "Shërmisë", në burime ajo del me emrin kisha e "Shën Mërisë". Por siç na zbulon Muçaj, para arkeologëve kisha është vizituar nga gërmuesit klandestinë, të cilët duke përdorur detektorë (metalkërkues), me sa duket kanë kërkuar në të objekte arkeologjike për të furnizuar tregun e trafikimit të objekteve të tilla me vlerë. Kisha Në vijim të kërkimeve arkeologjike në rrethin e Tiranës, Kavajës, Elbasanit dhe Krujës, në territorin që quhet territori i Arbrit mesjetar, gjatë kohëve të fundit, kërkimet janë përqendruar në zonën e Bendës dhe Kërrabës. Skënder Muçajt, arkeolog pranë Institutit të Arkeologjisë, dhe pjesë e ekipit që zbuloi kishën, tha për "Gazetën Shqiptare" se rezultatet e këtyre kërkimeve kanë qenë befasuese edhe për specialistët. "Në fshatin Kumardhë pranë rezervuarit të Bovillës, në krahun e rrethit të Krujës, arritën të zbulojmë një nga kishat më të mëdha të territorit të Tiranës. Ajo së bashku me kishën e 'Shërmisë' në Kinostudio, atë të Priskës së madhe, dhe kisha e Brarit, përbëjnë monumentet kryesore të një pjese territori të Krujës, Tiranës dhe Elbasanit së paku deri tani", - thotë Muçaj. Sipas arkeologëve, kisha e zbuluar së fundi ka mundësi që më parë të ketë qenë kryeqendër, ose peshkopatë e krahinës së Bendës. Nga pozicioni që ka, e vendosur në rrëzën e malit, kjo kishë kontrollon të gjithë hapësirën e Bendës. Arkeologët janë në dijeni të faktit që më vonë, peshkopata e Bendës ka qenë e vendosur në Moisi. Nga rrënojat që mund të shihen aktualisht, duket që kemi të bëjmë me një kishë shumë të madhe, e cila është përafërsisht 40 metra e gjerë dhe 50 metra e gjatë. Afër saj ka edhe pjesë të tjera të këtij kompleksi të krishterë. Sipas Arkeologut Skënder Muçaj, pranë kishës gjendet edhe një varrezë e madhe mesjetare, e ngjashme me varrezat e Komanit. Ata janë të ndërtuara me pllaka guri dhe hapësira që zinte ajo ishte rreth 3 dynymë. Kjo kishë e cila gjendet shumë afër Tiranës, ka rëndësi jo vetëm për historinë e Tiranës e të Krujës, por edhe për atë të territorit të Shqipërisë. Gjendja Rrënojat e kishës janë të ruajtura në gjendje të mirë, por syri vëzhgues i thesarkërkuesve, me sa duket ka qenë më largpamës se ai i arkeologëve. Në fakt, kisha është vizituar nga kërkuesit e paligjshëm të thesareve, që prej kohësh dëmtojnë e dhunojnë pasuritë e monumenteve, varreve dhe sajteve arkeologjike në mbarë. Si shqetësim është ngritur prej kohësh, por deri tani asgjë konkrete nuk duket të jetë bërë për të ndaluar trafikimin e objekteve arkeologjike dhe dhunimin e dëmtimin e tyre. Në këtë kuadër, Skënder Muçaj tregon se ku kanë ndërhyrë kësaj here thesarkërkuesit dhe trafikantët e pasurive arkeologjike. "Për fat të keq, siç e kemi thënë edhe herë tjetër, gërmuesit klandestinë nuk kanë lënë vend pa gërmuar. Në këtë kishë ata kanë gërmuar një gropë me një thellësi prej 2.80 metrash. Një gërmim me një thellësi të atillë, ne arkeologëve do të na duheshin ditë të tëra për ta bërë, duke treguar kujdes për mbrojtjen e objekteve që mund të ketë aty. Gërmimi është bërë në një pjesë skajore të kishës, në një ambient që ose ka qenë kullë e kishës, ose kambanarja. Pra ajo mund të ketë qenë kullë e murit rrethues nëse ka pasur të tillë, ose kambanarja e kishës. Akoma nuk jemi të qartë për këtë, sepse ekspedita jonë nuk zgjati shumë", - thotë Muçaj. Specialisti thotë se më parë kjo kishe nuk njihej, sepse në shumë fshatra që janë banuar që prej mesjetës mund të ketë rrënoja kishash, sepse çdo fshat kishte kishë, por disa janë ruajtur e të tjera jo. Kjo kishë nuk është vizituar më parë nga arkeologët, pra qe hera e parë që vizitohet ky fshat, kjo varrezë e kjo kishë. "Ne i shikojmë që të gjitha dhe shohim se çfarë mund të gjejmë. Këtu kemi të bëjmë me një kishë të madhe. Banorët na thanë që aty afër ka edhe një qytezë të vogël, por ishte e pamundur të vazhdonim ekspeditën", - shpjegon arkeologu. Datimi Specialisti shton se akoma nuk është përcaktuar datimi i saktë i kishës, sepse nuk është gjetur material i mjaftueshëm arkeologjik. Materiali i gjetur është pak a shumë i njëjtë me atë të Brarit. Dihet që kisha e Brarit dhe varri pranë saj i takojnë vitit 1201, shekullit të 12-të, por mund të shtyhen edhe më tej. Në kishën e gjetur në afërsi të Bovillës, në fshatin Kumardhë nuk përjashtohet mundësia, duke u nisur edhe nga varreza, që të ketë materiale të shekujve 7, 8, 9, 10, 11 dhe 12, e nëse kjo rezulton e vërtetë, do të ishte tepër interesante për mesjetën shqiptare. Muçaj thotë se do të shtoheshin pika të reja për të studiuar më mirë historinë e popullit shqiptar gjatë mesjetës së hershme dhe asaj të mesme. Kjo kishë, në burime të ndryshme quhet kisha e "Shën Mërisë", ndërsa emri i saj vjen sot në formën Kisha e Shërmisë, emër me të cilin e njohin banorët e tanishëm të asaj zone. Në vitet 1641, në relacionet e bëra nga peshkopi i Durrësit Mark Zgura, ajo nuk përmendet, e kjo do të thotë që në atë kohë nuk ka qenë e përdorur. Sipas Muçaj, ajo mund të jetë braktisur në shekullin e 14-të, sepse edhe gjurmë popullsie e qeramike nuk kanë dalë në dritë. Materiali i gjetur ishte i shekullit të 13-të. Mendohet se kjo ka qenë një kishë e rëndësishme, e kjo kuptohet si nga arkitektura, edhe nga madhësia e saj. (GSH/BalkanWEb) 10.12.2009 |
e enjte, 17 dhjetor 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment