Kullat e jugut
Ermir Hoxha 07/02/2011
Qendra Rajonale e Trashëgimisë Sarandë, ka përfshirë në 116 monumente të kategorisë së parë që ka nën administrim disa banesa karakteristike të DelvinësNë shikim të parë, duket se kështu është, por në zhargonin e profesionistëve të fushës, të cilat ngrehinat e gurta të jugut, karakteristike sidomos për zonën e Delvinë-Sarandës, i klasifikojnë thjesht si shtëpi karakteristike, gjigande për nga madhështia dhe funksionaliteti.
Në këtë aspekt për shembull, veçohen ambientet apo dhomat e shërbëtorëve e hyzmeqarëve, të cilat nuk mund hasen në kullat e veriut, siç nuk hasen frëngjitë në ato të jugut. Kjo diferencë, sikur i bënë më të paqme këto të dytat, ndërsa grandioziteti i përgjigjet më tepër salltanetit, parasë së madhe, agallëkut, bejlerllëkut, ndryshe nga ç'mund u përgjigjen ato të veriut treguesit të forcës, vitales, heroikes.
Qendra Rajonale e Trashëgimisë Sarandë, në 116 monumente të kategorisë së parë që ka nën menaxhim, një pjesë prej tyre janë dhe banesat karakteristike të zonës, ku veçohet Konispoli me banesën e Hame Takos, të Beqo Zenunit, të Alush Takos, të Maze Gaxhait, të Dino Omerit, ish-spitalin dhe banesën e vëllezërve Koqini.
Po ashtu, janë zgjedhur për të qenë monumente të Kategorisë së Parë dhe nga një banesë në Vagalat, Sopik e Janjar. Këto banesa, disa janë të braktisura e disa ta banuara, gjithnjë nën vëzhgimin e autoriteteve lokale të trashëgimisë, ndërkohë që dëmin më ta madh duke pësuar një rrënim të dhimbshëm e kanë pësuar banesat karakteristike të Dizdarajve në fshatin Rusan të Delvinës.
Por një resurs i madh i kësaj pasurie të trashëgimisë, është dhe lagja Llakë në Delvinë, që autoritetet bashkiake lokale në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë, kanë vendosur t`ia bëjnë hyzmetin për t`i klasifikuar dhjetëra banesa karakteristike të kësaj lagjeje, si Monumente të Kategorisë së Parë.
Ato aktualisht janë me status "mbrojtje paraprake", një fazë e parë kjo para kategorizimit së synuar, nëse do jetë i tillë pas mbledhjes së të dhënave për plotësimin e kritereve, ku ndër to është dhe vjetërsia e tyre që duhet të jetë mbi 100-vjeçare, si dhe veçoritë e konstruktit, arkitektura dhe teknika e ndërtimit. Disa prej këtyre banesave ndodhen tërësisht të braktisura prej ikjes së të zotëve të tyre në emigrim, të cilat shkojnë drejt një rrënimi të pashmangshëm.
Ndërsa disa të tjera që banohen ende, u janë adoptuar elementë të modës në përpjekje për meremetime të pjesshme, siç janë kasat prej duralumini në dyer e dritare apo dhe ndonjë shtojcë a arnim prej betoni, që ua ka cenuar rëndë origjinalitetin.
Sakaq, Delvina zotëron dhe një resurs të madh trashëgimie, ndonëse nuk mundet ta ketë në mbrojtje zyrtarisht si vlerë monumentale, që është ajo e godinave karakteristike dykatëshe në qendër të qytetit.
Nuk mundet ta ketë, sepse sipas Qendrës Rajonale të Trashëgimisë, ato godina nuk plotësojnë disa kritere, siç një prej tyre, vjetërsinë. Megjithatë, ato ruajnë një efekt aparencial të magjishëm me karakteristikat e tyre dhe për qytetin shërben si një element i fortë identitar. Për këtë arsye, shumë banorë të Delvinës, nga 30-ta e sipër, "qajnë me lot", prishjen e të tilla godinave në vitin 1987, për t`u ndërtuar në vend të tyre një rresht pallatesh të përzishme "enveri", që ata e konsiderojnë si një "`97 urbanistike" për qytetin.
Po kështu "qajnë" dhe prishjen e godinave të pazarit karakteristik, me nam për gjithë zonën e Labërisë e një pjesë të mirë të jugut të Shqipërisë, duke mbetur të muzeuara përveçse në foto të ndryshme, edhe në imazhet e filmit "Historiani dhe kameleonët". Ato që kanë mbetur, po ashtu janë arnuar me duralumin. E megjithatë, mbeten një kujtesë e vyer për qytetin; një fotografi reale e një të shkuare të nurshme, të sojshme.
Gazeta Shekulli
Nuk ka komente:
Posto një koment