e enjte, 17 shkurt 2011


(Foto: Tringa Ramadani)

Pellazgët dhe ilirët

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare u përuruan gjashtë vepra të studiuesit dhe historianit Arsim Spahiu
Nga Alfred Beka më 20 nëntor 2010 në ora 13:17
‘Varre në zemër’, ‘Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër’, ‘Iliriciteti i maqedonasve’, ‘Orakulli i Dodonës dhe epirotët, I’, ‘Mbi arkeologjinë e Dodonës dhe të Epirit, II’ si dhe ‘Gjuha e epirotëve të vjetër’ janë titujt e veprave të historianit Arsim Spahiu, për të cilët folën Ethëm Çeku, Jahja Drançolli dhe Muhamet Mala.

Në kumtesën e tij, Ethëm Çeku më shumë foli për biografinë e Spahiut, për të cilin tha se është i lindur në vitin 1942 në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, në Prizren.

“Duke qenë një hulumtues i vendosur dhe i palodhur, ai arriti të shtrojë, të shqyrtojë dhe të argumentojë një tezë interesante në shkrimet e tij: gjuha e epirotëve të vjetër, njëkohësisht duke mbrojtur kështu një tezë interesante, delikate dhe komplekse, karakterin etnik ilir dhe epirot”, tha Çeku.
Sipas tij, përpjekjet e profesorit Arsim Spahiu për t’i argumentuar tezat e veta të paraqitura në librat e tij si dhe në shkrimet e tij publicistike janë të mbështetura në të dhënat e pranueshme dhe të qëndrueshme, të cilat të sistemuara me kujdesin e një kërkimtari shkencor janë edhe të dokumentuara.

Ndërkaq, historiani Jahja Drançolli tha se pellazgët dhe problemi pellazgjik është një çështje tepër e vështirë dhe e ngatërruar. Sipas tij, bibliografia për këtë problem është shumë e gjerë, pasi që janë ngritur teza e kundërteza nganjëherë të çuditshme e të pabesueshme.

“Duke shfrytëzuar rezultate të kërkimeve të dijetarëve të ndryshëm, pra duke krahasuar të dhënat burimore, mitologjike, historike, arkeologjike e linguistike, Spahiu bën një dokumentim të pasur me anë të shtojcave gjenealogjike, hartave, tabelave të cilat i plotësojnë mirë që të katër titujt që jemi duke i promovuar,” tha Drançolli.

Referuesi tjetër, historiani Muhamet Mala tha se studiuesi profesor Arsim Spahiu ka pasur guximin e luftëtarit por edhe diturinë e mjaftueshme të shkencëtarit që të ballafaqohet me njërin prej problemeve më kontradiktore të lashtësisë së Ballkanit dhe më gjerë me problemin pellazgjik por edhe atë të ilirëve, maqedonasve dhe epirotëve.

“Autori edhe pse punën e vet hulumtuese dhe shkencore e ka ndarë në disa vepra ato prapëseprapë në vete përbëjnë një tërësi përmbajtjesore dhe tematike të ndërlidhur, duke qëndruar kësisoj si një vëllim i vetëm. Autori i është qasur shtjellimit të problemit në fjalë nga koncepti multidiciplinar, duke u mbështetur në punën e dijetarëve të ndryshëm, duke bërë krahasime dhe duke pruar përfundime që shpesh binë ndesh me tezat tradicionale, të cilat kur bëhet fjalë për pellazgët, sado që këtë qytetërim e njohin si jogrek, prapëseprapë e inkuadrojnë në qytetërimin helenik, duke mos i përmendur nganjëherë farë pellazgët dhe ilirët,” tha Mala.

Në fund foli edhe vet autori i librit, i cili duke i përshëndetur të pranishmit me grusht, sikurse në kohën e Enverit, tha se emëruesi i përbashkët i këtyre librave dhe shkrimeve që ka botuar nëpër gazeta është bashkimi kombëtar.

Express Online      20/11/2010

Nuk ka komente: