e diel, 27 dhjetor 2009

Të kthehen nga Greqia monumentet e grabitura në Apolloni


Dhaniil Moskopoliti

Për hir të së vërtetës, duhet thëne se gjatë periudhës komuniste, deri në vitin 1990, gjendja e muzeumeve arkeologjike pranë qyteteve antike të Shqipërisë ishte shumë e mirë. Ekzistonte një gamë e gjerë monumentesh dhe objektesh të tjera, që jo vetëm ruheshin e mirëmbaheshin, por edhe ekspozoheshin brenda standardeve ndërkombëtare, nëpërmjet shërbimeve shtetërore arkeologjike. Pas vitit 1992, Shërbimi Arkeologjik Shqiptar u ballafaqua me vështirësi të mëdha për financimin e tij. Koha e tranzicionit e la disa vite prapa këtë degë të rëndësishme të historisë së kulturës e artit të Shqipërisë. Por, viti 1997-1998 do të ishte periudha më “e zezë” në historinë e muzeumeve të qyteteve antike të Shqipërisë. Me dhjetëra e qindra objekte monumentale, me vlera të pallogaritshme historike e kulturore, me rëndësi botërore, u grabitën dhe u eksportuan, duke i shitur ilegalisht jashtë vendit; në Europë, ku strofkulla kryesore, padyshim ishte Greqia. Nuk mund të akuzoj qeverinë greke për pjesëmarrje në këtë aventurë, padyshim, nga më të errëtat e Ballkanit gjatë 100 viteve të fundit, por është rasti të kritikoj këtë qeveri për indiferencë ndaj kësaj grabitje, e cila, mbi të gjitha, dëmton vetë Greqinë, dhe më pas edhe Shqipërinë. Shumë prej nesh janë dëshmitarë të përpjekjeve kolosale diplomatike që po bën Greqia, përmes qeverisë së saj, lobit greko-amerikan dhe shoqatave në vende të ndryshme, për kthimin nga Anglia të mermereve monumentale të Akropolit të Athinës. Këto janë përpjekje të admirueshme që e çojnë rajonin tonë në një fazë “stabilizimi kulturor”. Një proverb i njohur popullor thotë: Guri i rëndë në vend të vet. Pra, mermeret monumentale të Akropolit rifitojnë vlerën e vërtetë atje ku i lindi Mitologjia e papërsëritshme greke, në Athinën historike e moderne, në muzeumin e ri, të ndërtuar sipas fjalës më të fundit të shkencës dhe teknikës. Por, qeveria greke nuk mund të jetë indiferente për monumentet shqiptare, të cilat, sot nuk janë në vendin ku lindën, në Ilirinë e lashtë, por diku në labirinthet e fshehta të grabitësve grekë e shqiptarë, në tokën greke. Greqia i sheh e i dëfton me gisht mermeret e saj që ndodhen në një muzeum të Londrës. Kurse mermeret e Shqipërisë së varfër, ne, as i shohim, e as i tregojmë dot me gisht, pasi ato nuk duken gjëkundi. Madje, paradoksal është qëndrimi i një gjykate të Trikalas që, sipas disa “rregullave juridike”, ka mbyllur çështjen e grabitjes së 11 mermereve monumentale nga muzeumi i Apollonisë dhe shitjen e tyre për një vlerë 15 000 Euro dhe 5% aksione të keqbërësit shqiptar në hotelin e bashkëfajtorit grek nga Kallabaka, K. Famisis. Sistemi juridik grek është i pamëshirshëm për kontrabandistët shqiptarë të drogës, por nuk sillet me të njëjtën mënyrë ndaj kontrabandistëve grekë të monumenteve kulturore me origjinë nga Shqipëria! Dëmi që i shkaktohet historisë e kulturës botërore nga zhdukja e një monumenti është shumë më i madh se dëmi që shkakton 10 kilogram Cannabis. Qeveritë e të dy vendeve tona duhet të kenë një bashkëpunim afatgjatë për ndalimin e trafikimit të monumenteve që vazhdon të jetë një fenomen i ditës për të dy vendet tona. Vazhdimisht, dëgjohen lajme për vjedhjen e dhjetëra ikonave e kambanave të besimit kristian, plaçkitjen e dhjetëra kishave dhe qyteteve antike. Ku e gjejnë frymëzimin dhe kurajon këta hajdutë ordinerë në vepra të tilla kundër civilizimit të shoqërisë njerëzore? E gjejnë, mendoj, tek pakujdesia e shtetit për ruajtjen dhe mirë-administrimin e tyre dhe tek sistemi i dobët juridik në gjykimin formal të çështjeve të tilla të rëndësishme. Solla vetëm një fakt nga Kallabaka, por sa të tjerë heshtin të dalin nga sirtarët e policisë dhe të gjykatës greke?


Gazeta Albania          23 Dhjetor 2009

Nuk ka komente: