e shtunë, 13 nëntor 2010

"Masakra e Tivarit", Mesila Doda: Ja si do të hetohet

TIRANË- Nismëtarja e komisionit hetimor për Masakrën e Tivarit, Mesila Doda, ka shpjeguar dje se si do të funksionojë ky komision dhe mënyrën se si do të veprohet nëse zbulohen përgjegjës konkretë. Në një intervistë për "Shekullin" ajo ka pohuar se për secilin person që rezultoi i implikuar, do të bëhet kallëzim penal në prokurori. Sipas deputetes demokrate, faktet nga zbardhja e drejtë dhe e paanshme e kësaj ngjarjeje të ndodhur 65 vjet më parë në të cilën janë vrarë mijëra shqiptarë të Kosovës do i kalojë historisë. Lidhur me kundërshtitë e opozitës për të qenë pjesëmarrëse në këtë komision hetimor, deputetja Doda i bën thirrje kolegëve të saj socialistë që të shkëputen nga e kaluara. Ajo theksoi se shteti shqiptar, ka gjithë të drejtën dhe detyrimin moral dhe ligjor të hetojë këtë ngjarje.


Zonja Doda. Ju jeni një nga nismëtaret e komisionit hetimor për Masakrën e Tivarit. Përse është i nevojshëm një hetim i tillë në një kohë kur kanë kaluar 45 vjet nga kjo ngjarje?
Besoj se Shqiptarët kanë nevojë të dinë mirë të vërtetat e tyre. Kjo është një ngjarje, e cila për nga madhësia është në përngjasim të llahtarëve të mëdha njerëzore si Sebrenica, Katyn-i, apo Aushvici. Për nga njohja bën pjesë ne misteret me mëdha të historisë së Shqipërisë. Asnjë fjalë e thënë, asnjë përmendje as rastësore në librat tanë, asgjë prej gjëje. Duket se regjimi komunist e kish dënuar me heshtje masakrën më të madhe e të pamëshirshme që ishte bërë mbi burrat shqiptar fill pas mbarimit të Luftës se II Botërore. Në këtë optikë e gjej jo vetëm me vend, por detyrë njerëzore të sillet në dritën e diellit ajo pabesi e madhe, ajo shfarosje e paramenduar nga ana e komunistëve serb, të cilët arritën të zhduknin një armatë të tërë burrash numri i të cilëve nga të dhënat e para shkon nga 3700-4200 vetë, të cilët edhe sot nuk kanë as varr e as dinjitet në historinë e këtij kombi. Komunizmi shqiptar, përpos gjithë poshtërsive të tjera, ish i shënjuar me një vulë të fortë antishqiptarizmi. Heshti dhe ndihmoi kur pa mijëra burra shqiptar të shuheshin, heshti dhe ndihmoi në harresën e plotë të këtij fakti çnjerëzor. Këtë realitet do duhet ta ndryshojë puna e komisionit hetimor të Tivarit; të sjellë të vërtetat në dritën e diellit, të zbulojë përpara shqiptarëve përgjegjësitë historike e penale të drejtuesve komunistë të shtetit shqiptar.


Komisioni që do të zhvillojë këtë hetim parlamentar do e shtrijë verifikimin edhe jashtë Shqipërisë me anë të mbledhjes së dëshmive edhe nga personat me qëndrim jashtë Shqipërisë. Si do të realizohet kjo?
Tashmë ju keni në duar planin hetimor të miratuar nga ana e komisionit të Tivarit. Në të përcaktohen gjithë hapat procedural që do të ndiqen. Do të thërriten për të dhënë dëshminë e tyre gjithë personat që kanë dijeni mbi ngjarjen, që kanë marrë pjesë apo që janë të përfshirë në këtë hetim. Komisioni dhe ekspertët e tij do të përdorin çdo dëshmi, dokument apo arkiv, për të zbardhur çështjen. Besoj se do kemi një punë të vështirë por do dalin në dritë dokumente dhe dëshmi unikale për nga rëndësia në zbardhjen e çështjes.


Socialistët kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij hetimi. Gjatë seancës ku u miratua ngritja e komisionit, deputeti Ruçi në emër të grupit socialist kundërshtoi ngritjen e një komisioni hetimor nga parlamenti shqiptar dhe u kërkoi deputetëve të mazhorancës që të mos bëjnë politikë me jetën e personave të masakruar. Sipas tij ngjarja e 65 viteve më parë ka ndodhur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe i takon autoriteteve të shtetit të ri të Kosovës që nisin një proces hetimi. Cili është komenti juaj?
E kuptoj deputetin Ruçi i cili ende nuk ka bërë ndarje shpirtërore nga Partia mëmë që e lindi dhe e rriti. Nuk kuptoj ata dhjetëra deputet të tjerë që janë rritur në një kohë tjetër dhe më së paku do duhej të bashkëpunonin për hir të madhësisë dhe gravitetit të ngjarjes. Kuptoj mirë që njerëzit, prindërit e të cilëve kanë qenë të përzier në mënyrë direkte dhe eksponenciale në regjimin e atëhershëm nuk munden të pranojnë një fajësi të tillë kriminale, por ky mund të ish rasti që të fillonin një "Mea Culpa", që do lehtësonte shpirtrat e vrasësve e të vrarëve. Por me sa duket kolegëve tanë i mungon kurajë të vejnë gishtin mbi plagë. Është gjithsesi zgjedhja e tyre! Shteti shqiptar, ka gjithë të drejtën dhe detyrimin moral dhe ligjor të hetojë këtë masakër, ku humbën jetën mijëra shqiptar të tjerë të pafajshëm. Argumenti për mos hetim nga ana e shtetit shqiptar pasi nuk është as vend i masakrës dhe as shteti i Kosovës, nuk kanë bazë logjike, as njerëzore apo historike. Duhet të rikujtojmë se Kosova nuk ishte shtet në vitin 1945, dhe i vetmi shtet shqiptar i implikuar drejtpërdrejt në këtë masakër, përgjegjësia dhe bashkëfajësia e të cilit duhet të ndriçohet, ishte shteti shqiptar që drejtohej nga klika komuniste e Enver Hoxhës. Nga ana tjetër, më duhet t'i kujtoj zotit Ruçi se përveç faktit që armata e tërë e viktimave kaluan në territorin shqiptar, një numër që shkon deri në 1300 burra janë ekzekutuar e hedhur në hone e gremina pikërisht në veri të Shqipërisë. I helmuan si kafshë, e nuk i linin ti afroheshin as krojeve për ujë, i thernin se nuk ecnin aq shpejt sa çetnikët mbi kuaj, i mbysnin se dilnin nga rreshtat e vdekjes....e kjo ndodhi në territorin tonë, në shtetin amë, përpara syve tanë. Kjo punë që kemi nisur është për të nderuar viktimat dhe historinë e kombit tonë, është të tregojmë fajin e fajtorët e jo për të bërë politikë me masakrën. Zoti Ruçi e di mirë çdo të thotë të bësh politikë më vdekjen dhe e ka parë dhe rezultatin e thellë humbës e dëshpërues që sjell politika dhe loja me të vdekurit.


Ju, mazhoranca, keni akuzuar për këtë ngjarje ish-presidentin Ramiz Alia. Ku i bazoni këto akuza?
Ramiz Alia ka qenë komisar i divizionit të pestë, divizion i cili u caktua për të ndjekur armikun në terrorin e Kosovës, dhe që qëndronte në atë kohë në terrorin e Kosovës. Me këtë detyre ai ishte përgjegjësi kryesor politik i forcave të armatosura shqiptare dhe plotësisht në dijeni për përmasat e gjenocidit që vëllezërit komunist serb, po kryenin mbi shqiptarët që i kishin çarmatosur. Nëse lexoni veprën e Azem Hajdinit, i cili ka shkruar mijëra faqe dëshmi, aty do të keni mundësi të shihni gjithë informacionin që kishin krerët e shtetit shqiptar. Nga ana tjetër arkivat e shtetit shqiptar flasin për heshtjen që aplikuan si standard për ngjarjen, dhe për veprime akoma më të rënda, viktimat që u dorëzuan në shtetin amë, komunistët i rikthenin në duart e serbëve.


Nëse ndonjë dëshmitar refuzon të vijë në komision, si do të veprohet?
Komisioni punon mbi bazën e një rregulloreje. Mund t'i drejtoheni dhe të shihni se mbi çfarë bazash ligjore thirren dëshmitarët dhe aty mund të kuptoni se si veprohet në raste refuzimi.


Nëse gjenden, evidentohen persona përgjegjës për këtë ngjarje, çfarë pasojash do të kenë?
Ligji për komisionet hetimore e përcakton qartë. Provat e fajësisë penale i kalojnë organeve të drejtësisë, zbardhja e drejtë dhe e paanshme e ngjarjes i kalon historisë.



Komisioni Hetimor i Kuvendit për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të Masakrës së Tivarit të vitit 1945, në mbledhjen e tij të dytë ka miratuar planin paraprak të hetimit. Sipas njoftimit për shtyp të Kuvendit në qendër të hetimit do të jetë zbardhja e plotë e ngjarjes, gjetja e ideatorëve, ekzekutorëve dhe bashkëpunëtorëve të masakrës.
"Puna e komisionit do të fokusohet në hetimin e ngjarjeve që paraprinë masakrën e Tivarit dhe roli i individëve të përfshirë në secilën prej tyre, ku në fokus do të jetë nxjerrja e përgjegjësive shtetërore dhe individuale e personave që me veprimet apo mosveprimet e tyre lejuan dhe ndihmuan në kryerjen e kësaj masakre"- u shpreh Beja

__________________


Javen e pare te qershorit, kryeministri Sali Berisha kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për zbardhjen e masakrës së Tivarit. Gjatë fjalës në mbledhjen e grupit të PD-së, Berisha ka akuzuar sërish ish presidentin Ramiz Alia si përgjegjës për këtë masakër.


Ramiz Alia akuzon Berishën:Dëshmia e '45
UPDATE- Ish-presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia, hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Sali Berisha për implikimin e tij me masakrën e Tivarit, të ndodhur në mars të vitit 1945, kur UDB-ja jugosllave, sipas udhëzimeve të qeverisë së saj në Beograd, ekzekutoi rreth 4000 kosovarë të pafajshëm.

"Berishën çdo gjë e shqetëson, sepse ashtu është formuar ai. Tani ka problemet e mëdha me Partinë Socialiste, ka probleme të mëdha me Komunitetin Ndërkombëtar,-u shpreh

ish-presidenti, gjatë promovimit të librit të tij të fundit në Tiranë"- "Sali Berisha, kur ka halle, kur ka probleme, do të krijojë gjullurdi, të kapet diku të krijojë një problem"-vijoi më pas ai, duke shtuar se: "Unë kam një të keqe të madhe, që nuk e dëgjoj Berishën. Koha kur ka ndodhur masakra i përket fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur ushtria partizane shqiptare kishte shkuar në ndihmë të popujve të ish-Jugosllavisë për tu çliruar nga ushtria gjermane. I lindur në tetor të vitit 1925, Alia nuk kishte mbushur të 20-at kur si pjesëmarrës në formacionet partizane të ushtrisë shqiptare do të luftonte edhe në çlirimin e popujve të ish-Jugosllavisë. "Tivari është në Mal të Zi dhe kur ka ndodhur ngjarja ne kemi qenë në Bosnjë. Është një ngjarje e rëndë për kosovarët dhe le të përgjigjen vetë ata ose më mirë serbët që e organizuan ", u shpreh ish- presidenti.

Deklarata e tij erdhi pas interesimit të gazetarëve gjatë ceremonisë së promovimit të librit të tij "Jeta ime".

27.09.2010      Gazeta Shekulli

Nuk ka komente: