Mokra, penelatat në histori të Barletit
Nuk ka asnjë grimë të historisë së kombit tonë ku Mokra, krahina e rëndë në juglindje të Shqipërisë, të mos ketë qenë, në mos protagoniste, aktore me role të ndryshme sipas rastit. Nga burimet e shkruara arkivore, për aq sa jemi në dijeni, Mokra përmendet për herë të parë në shekullin e XI në një letër, ku perandori Justinian i dytë i Bizantit i dërgonte në vitin 1019 kryepeshkopit të Ohrit, Johanit, në të cilën përmend një krahinë të populluar me shumë mullinj (mokra). Aty kërkohet “të mbetet në merak të madh” ky vend i pasur, sidomos për rrugën, rrahur prej karvanesh të shumta që udhëtonin nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas. Po të shtyhemi më tutje historisë, në luftën e dytë iliro-romake, këta të fundit hynë në Iliri dhe depërtuan thellë gjer në Rumani, vend të cilit i dhanë emrin Romani apo Roma e vogël. Historia thotë se mbi 100.000 kolonë romanë u ngulën në vendet më strategjike të kontinentit përgjatë rrugëve të karvaneve. Në këtë kohë, sipas një hipoteze mjaft të besueshme, janë vendosur arumunët në Llëngë e Niçë të Mokrës për t’u shtyrë pastaj më tej në Voskopojë e gjer në zemër të orientit, fushat e begata të Vllahisë. Pas rreth njëqind vjet pushtimi, mbretëreshë Teuta i përzuri romakët matanë Adriatikut, por kolonët mbetën, u intergruan me vendasit atje ku u qëlloi, duke ruajtur për çudi mbi 2000 vjet kulturën, gjuhën dhe zakonet. Në Mokër, përgjatë një degëzimi të rrugës Egnatia, Llënga lulëzoi për shumë kohë. Edhe sot qarkullon gojëdhëna se fshati kishte përmbi njëmijë shtëpi, ndërtuar ngjitur me njëra-tjetrën, aq sa kaprojtë shkonin çati më çati më për katër km rresht.
Në shekullin e XV Barleti e përmend Mokrën, Mokreu siç i thotë ai, si një krahinë të madhe që shtrihej përtej kufijve të sotëm, duke përfshirë fushën e Domosdovës, Përrenjasin e sotëm, deri në vendin që quhet Sofra e Skënderbeut. Kronisti i famshëm thotë se mokrarët ishin burra të besës, shumë trima, të shpejtë si vetëtima dhe nishanxhinj të mëdhenj. Ndoshta nuk është fare e rastit që beteja e parë e Skënderbeut me turqit u bë pikërisht në fushën e Domosdovës dhe të parët që u gjakosën me pushtuesit otomanë ishin mokrarët. Krahina ishte nën zotërimin e Gjergj Arianitit, apo Gjorg Golemit siç e quanin mokrarët. Me një thirrje të zotit të tyre ata mblidheshin tufa-tufa, të armatosur më së miri dhe me këngë në gojë shkonin në luftë ku dalloheshin mbi të tjerët. Barleti thotë se në gjallje të Gjergj Arianitit, turqit nuk hynë asnjëherë në Mokër se ishte vend me shumë male e shkëmbinj, por sidomos se në çdo shteg kishte një burrë që ruante natë e ditë vendin nëpër rrugët kryesore. Gjer vonë në fshatrat e Mokrës këndohej kënga që përjetëson motet e lavdishme:
“Gjorg Golemi na çoi fjalë,
Angjelini të më dalë
Me ata trima mokrarë
Kush më këmbë e kush me kalë
Të marrë rrugën përpjetë
Të dalë te gurët e gjetë.”
Angjelini ishte kapedan besnik i Gjergj Arianitit.
Nuk kemi të dhëna të shkruara për shekujt e parë të pushtimit osman në Mokër, por nga tradita gojore që kalonte nga brezi në brez e rrëfehej sidomos në netët e gjata të dimrit për mburrje dhe krenari, mësojmë se në kohën e Ali Pashë Tepelenës një burrë nga Pleshishti, Naum Shyta, u bë mik i Vezirit. E ndihmonte atë me mjeshtër të shquar muratorë për ndërtimin e kalave ose meremetimin e tyre. Naum Shyta i doli në mbrojtje popullit fukara kundër disa prej bejlerëve dhe agallarëve turkoshakë që bënin në Mokër dovanë e Dovletit. Sa qe gjallë Naumi nuk bënë gëk turkoshakët se i pinte e zeza. Thonë se ai kishte në plan të ndërtonte një treg për tërë zonën, po nuk arriti ta përfundonte.
Rrëfejnë se kur erdhi Ali Pashai në Pleshisht dhe deshi të zbatonte atë zakonin e tij të keq (për çdo fshat të zhvirgjëronte një vashëz), e shoqja e Naumit i tregoi me lezet të madh se në Mokër nuk mund ta bënte, duke i nxjerrë për të ngrënë gjashtë pjata fasule njërën pas tjetrës. Kështu e shpëtoi kapedan Naumin nga halli i madh. Kur u vra Pashai, Naumi u fsheh në një mik vërdovar në Stamboll, por hafiet, që e ndiqnin këmba këmbes, e kallzuan. Pasi e zunë, thonë se Sulltani deshi ta shikonte dhe si e pa, nuk foli asnjë fjalë, por bëri me shenjë t’i pritej koka dhe t’i vendosej në kamarën e atij jezitit tjetër. Kështu kokës së thinjur të Ali Pashë Tepelenës në kamaren e turpit në Stamboll i bënte nder vetëm një kokë shqiptari, ajo e Naum Shytës nga Mokra.
Në fund të shekullit të XVIII ikën nga Podgozhani për shkak të jetës së vështirë, si shumë të tjerë, edhe disa prej fisit të Vakove dhe u vendosën në Korçë. Prej tyre dolën të famshmit Kostandin dhe Athanas Zografi, që e morën këtë mbiemer për shkak të talentit të tyre për të pikturuar. Ata u bënë të njohur me pikturat dhe afresket e tyre në Korçë e Voskopojë, deri në qendër të artit bizantin, në Athos. Lidhjet e tyre me Vakollarët ishin të gjalla deri vonë.
Gjatë periudhës së ndritur të Rilindjes Kombëtare, Mokra u bë nga vatrat më të spikatura të përhapjes se shkrimit dhe këndimit shqip në tërë qarkun e Korçës e më gjerë. Në fillim të shekullit të XIX mërgimtarët e fshatit ndërtuan në Podgozhan një shkollë greke e cila daton që në vitin 1811. Mësuesi i fshatit që ishte edhe prift sipas traditës helene, u mësonte fëmijëve shqip me gërmat greke. Atëherë nuk kishte një alfabet të njësuar të gjuhës sonë. Kështu vetëm në qytetin e Korçës dhe në Mokër mësohej fshehur gjuha e nënës dhe në asnjë vend tjetër të qarkut që ishte nga më të përparuarit në tërë Shqipërinë. Në varrezat e vjetra të fshatit që nga kjo kohë janë të gdhendura në gur emrat, viti i lindjes dhe ai i vdekjes në shqip me gërma greke.
Në vitin 1891, vetëm 4 vjet pas hapjes së të parës shkollë shqipe në Korçë, në shkollën e Podgozhanit At Jovan Vako u mësonte fshehurazi fëmijëve gjuhën shqipe me gërmat e alfabetit të Sami Frashërit. Patriotët mokrarë nuk kishin aq flori sa të blinin fermanin e Sulltanit siç bënë ata korçarë me Nikolla Naçon e paharruar.
Dihet se historia e çeljes dhe mbajtjes së shkollave shqipe është një histori e përgjakshme me shumë heronj. Në altarin e kësaj historie Mokra dha dy dëshmorë të spikatur. Gjokë Pjetri që mori mbiemrin Shqiptari për atdhetarizmin e tij të famshëm dhe Aleks Andrea, që mori mbiemrin e fshatit për të nderuar vendlindjen. Po kujtoj këtu që në vitin 1908 u hap në Potgozhan e para shkollë shqipe kur nuk kishte të tilla asnjë fshat tjetër i rrethit të Pogradecit.
Toleranca fetare, aq e spikatur për të gjithë shqiptarët, në Mokër është gati proverbiale. Po sjell vetëm një nga shembujt e shumtë që qarkullojnë në tërë këtë treve.
Në fillim të shekullit të XVI nga tre vëllezërit e krishterë të familjes Bulku në Pevelan, njëri prej tyre, Tira, u kthye mysliman për të lehtësuar barrën e vështirë të taksave të Dovletit. Shumë shpejt e kuptoi se nuk pati ndonjë të mirë prej kësaj dhe i këshilloi të vëllezërit mos e bënin gabimin e tij. Sot, Tirollarët myslimanë banojnë në lagjen e poshtme të fshatit Dunicë, kurse Bulkut në Pevelan. Të ndërgjegjshëm për identitetin e tyre, ndonëse intuitivisht, për shekuj me radhë kanë ruajtur një miqësi të mrekullueshme paçka se ishin me fe të ndryshme.
Me pak vija penelatash tentuam të skicojmë një histori, si shumë të tjera, një thesar të çmuar që mbart i gjithë vendi ynë nëpër kohën e thinjur.
Gazeta Tema 17.08.09
Nuk ka komente:
Posto një koment