e premte, 28 dhjetor 2007

"Formula e Pagezimit" me e vone se "Meshari"?


E Marte, 25 Dhjetor 2007

Anisa Ymeri

Plot 545 vjet shkuar, me 8 nentor 1462, dokumentet na tregojne se daton i pari shkrim i shqipes. Pal Engjelli shkroi "Un, te pagezonj per emen, te Atit, et birit, et shperit-shenjt"! Ndonese situata gjuhesisht ka qene e qarte me kohe, qe ka qene ne treven e Matit, sipas fjales t'shpertit, sipas Cabejt. E megjithate, asnje gjurme nuk ka qene ne rrethinat apo rrenojat e kishave ne Mat, nuk te kujtonte kete formule. Asnje shenje te saj nuk ndeshje, asnje pllake! Nentori shenoi ne Tirane mbajtjen e te pares konference shkencore kushtuar te parit shkrim te shqipes, "Formules se pagezimit". Ndersa Macukulli tanime ka memorialin e formules, ne ato rrenoja kishash ne thepat e maleve. E krahas ketyre, vjen edhe nje tronditje per shkrimin e saj. Kolec Topalli, nje me i miri studiues i fonetikes shqiptare, ka hedhur nje teze te re, qe askush me pare nuk ka guxuar. Studiuesi Behar Gjoka, iniciator i kesaj tryeze shkencore, shprehet dite me vone se, "i papritur trajtimi qe i beri Kolec Topalli, kohes shkrimore te saj. Nje krahasim mes modelit grafik shkrimore te Buzukut dhe atij te Pal Engjellit, dhe rezultoi qe menyra e shkrimit, sidomos te peremrit vetor Un', eshte me e vone sesa ajo e shkrimit te Buzukut". Mjaft te marrim pak ne shqyrtim menyren e te shkruarit te ketyre dy peremrave ne keto testamente te shkruara te shqipes, per te kuptuar logjiken e Topallit. Buzuku ne "Mesharin" e tij shkruan: U' i biri...Ndersa Pal Engjelli thote "Un' te pagzonj...".

Rezultati i kesaj analize a hipoteze te Kolec Topallit, perkthehet ndryshe me fjalet se teksti i Pal Engjellit, rezulton te jete me e vone si ngurosje gjuhesore, ne nje kohe kur kemi nje distance prej nje shekulli mes "Formules..." dhe "Mesharit" te Gjon Buzukut.

Por, sipas Gjokes, "me mjaft vlere ishte edhe interpretimi i rrethanave historike nga Kasem Bicoku, kohes dhe nevojes qe kishte qendresa shqiptare per dimensionin moral. Pasi me se shumti kjo formule ka dimensionin moral e shpirteror, qe eshte me pertej bemave historike te Skenderbeut e na zbret ne nivelin e kultures, gjuhes e keshtu me radhe". Ndersa studiuesi Seit Mancaku ka komentuar traditen shkrimore para formules. Duke shkuar ne definicionin se kjo formule eshte kufi ndares mes nje tradite te dokumentuar plotesisht dhe kesaj periudhe qe tani dokumentohet".

Po vet Gjoka, jo vetem iniciator, por edhe nje nder ata qe mbajten kumtesat ne kete sesion shkencor, analizon pak kumtin e kesaj fjalie, e cila gjithe ka vetem 11 fjale. Ajo kapercen kufijte e rendesise se padiskutueshme gjuhesore, duke rrokur kufijte moral. "Nese mbetemi te leximi i vetem 11 fjaleve nuk do mund ta lexojme sic duhet, shprehet Gjoka. Pasi, se pari, ka vleren fetare, vlere gjuhesore, pasi koheshkrimi i shqipes eshte gati 1 shekull me pare, ndonese ky shekull cuditerisht si tradite shkrimi eshte me e vone krahasuar me Buzukun. Te con te hipotezat, perderisa si murosje ajo eshte me e vone se Buzuku, ne krahasimin grafik. Kjo do te thote se ne mund te shkojme edhe me pare ne kerkimet e shkrimit te shqipes".

Memoriali ne rrenojat e Kishes se Trinise

U desh te rrokej 545-vjetori i shkrimit "Formules se Pagezimit" qe ne rrethinat e Matit te mund te ngrihej nje memorial. Sipas Gjokes, rrenoja e trevave te Matit ka rreth 72 kisha, ne rrenojat e zones Macukull-Shjefen ka 13 rrenoja kishash. Pra, jemi ne nje kohe kur feja katolike ishte pjese e shqiptareve dhe c'ka ndodhur me vone, eshte krejt tjeter gje". Por, ai vijoj, duke thene se "Aktin e Pal Engjellit e shoh si nje perpjekje te pare per t'ju kundervene konvertimit fetar. E jo rastesisht ne treven e Matit pati jo pak rrenime te objekteve te kultit". Memoriali eshte ngritur ne rrenojat e nje kishe qe ka emrin Shen Trinise dhe ajo mbart kete shenje, pasi eshte ne nje zone strategjike te mbrojtur, dikur ka qene katolike". Por, se paku, edhe ne saje te studimeve te gjuhetarit me te madh qe ka pasur Shqiperia, Cabejt, duke u nisur nga fjala "shpertit", vendi eshte i qarte, dhe memoriali eshte pikerisht ne rrethinat e rrenojave te kesaj kishe te Trinise. Prane rrenojave te kesaj kishe gjenden edhe varre, qe jane te paprekura te malesoreve katolike.

Formula, u zbulua ne vitin 1915

Formula eshte shkruar ne dialektin e Veriut me shkronja latine. Gjuha e tekstit dhe vlerat e perdorimit ne shqip te disa shkronjave latine kane nje afri shume te madhe me vepren e Buzukut, cka te ben te mendosh se shkrimi i shqipes duhet te kete pasur nje tradite me te vjeter, ku jane mbeshtetur te dy; edhe shkruesi i kesaj formule, Pal Engjelli edhe Buzuku. Dokumenti u zbuluar me 1915 nga historiani rumun, Nikola Jorga, ne nje nga bibliotekat e Milanos, ne Itali.

Gazeta Koha Jone

Arkeologet shqiptare kontestojnë gërmimet në kalanë e Shkupit

Arkeologet shqiptare kontestojne germimet


E Premte, 28 Dhjetor 2007

SHKUP - Pas nje vizite dyditore ne Shkup, arkeologet nga Shqiperia dhe Kosova, te cilet pane nga afer punen e bere ne Kalane e Shkupit nga arkeologet e Maqedonise, verejten se ishte punuar “pa kujdes dhe me ngut”. “Nje pune e bere shpejt e shpejt dhe shkel e shko”, ky ishte vleresimi i arkeologeve shqiptare, pasi pane nga afer ekspoziten me gjetjet e Kalase se Shkupit. Ata verejten konkretisht se “qeramika ishte ngjitur ne menyre te parregullt dhe se monedhat e ngjyrosura ngjasin shume pak me origjinalet”. “Punen qe kane bere ne Kalane e Shkupit per gjashte muaj, ne ne Shqiperi e bejme per 10 vjet, ngadale, por sakte dhe ne bashkepunim me shkollat e tjera arkeologjike”, tha drejtori i Institutit te Arkeologjise ne Shqiperi, prof. dr. Muzafer Korkuti, pasi pa nga afer ekspoziten e gjetjeve ne Kalane e Shkupit dhe zonen ku u zhvilluan germimet arkeologjike. Sipas Korkutit, eksponateve te paraqitura ne Muzeun e Shkupit, ne ekspoziten e hapur rreth tri jave me pare, u mungon origjinaliteti. Ekipi i arkeologeve nga Shqiperia dhe Kosova, te cilet ishin ftuar nga Ministri i Kultures, Arifikmet Xhemaili, per te pare gjetjet e Kalase se Shkupit, nuk i priti asnje arkeolog maqedonas dhe as ndonje perfaqesues i institucioneve te Maqedonise qe merren me arkeologjine. Ekspozita me materiale te zbuluara gjate germimeve ne Kalane e qytetit, u hap ne Muzeun e Shkupit, me 10 dhjetor. Ne ekspozite jane paraqitur materiale te periudhave te ndryshme, nga ajo parahistorike, deri ne shekullin XX. Germimet ne Kalane e Shkupit nisen ne pranveren e kaluar dhe do te zgjasin deri ne vitin 2010. Objektet e ekspozuara i takojne kesaj faze te pare te germimeve rreth bedenave te kalase se Shkupit. Ne germime punuan rreth 200 arkeologe, mes tyre edhe disa shqiptare, te cilet u bene pjese e ekipit te arkeologeve pas reagimeve te shumta te qarqeve intelektuale dhe specialisteve shqiptare, qe kishin shprehur pakenaqesi per mungesen e eksperteve te njohur shqiptare ne projekt dhe dyshime per "menyren e interpretimit te objekteve te gjetura". Ne Kalane e Shkupit ka pasur germime arkeologjike edhe ne vitin 1953 dhe ne vitin 1967, por sipas disa historianeve shqiptare, gjate ketyre ekspeditave "u fshehen gjurmet ilire dhe dardane".

Shkrimi u botua ne gazeten " Koha Jone"-Tiran me daten 28 dhjetor 2007

e diel, 9 shtator 2007

Prizreni, qendër e rëndësishme në kohën e Skënderbeut


Agon Rrezja
Duke filluar nga fundi i shekullit XIV, me daljen në skenë të familjeve feudale arbërore, qyteti i Prizrenit u shndërrua në qendër administrative, politike, tregtare dhe fetare. Në kohën e dinastisë Nemanjidase, nga burimet dhe dokumentet e kohës Prizreni del si qytet me tipare pothuajse perëndimore, në arealin e këtyre trevave. Ai përbëhej prej qytetit kala-castellum dhe nga Civitas-Varoshi, i cili gjendej përbri kështjellës. Gjatë gjysmës së parë të shek. XIV në Prizren lëshoheshin kartat apo diplomat nga sundimtarët Nemanjidas, të cilat i’u jepeshin raguzanëve për qështje tregtare, dhënje të benifecioneve, por nuk përjashtoheshin as marrëveshjet me personalitetet vendase. Pas rënies së dinastisë Nemanjidase, Prizreni ra në duart e Balshajve, të cilët e pushtuan qytetin në vitin 1371 dhe Pejën (1372), duke depërtuar deri në Kriva Rekë, ku raguzanët paguanin doganën e tyre. Gjithashtu, si sundimtarët Nemanjidas, edhe Balshajt i akomodonin raguzanët në këtë qytet. Në kohën kur Prizreni ishte i rrethuar nga Nikolla Alltomanoviçi, raguzanët ishin strehuar në manastirin e Kryeengjujve. Gjergj Balsha e çliroi qytetin dhe si shpërblim merr nga raguzanët katër pancirë, kurse Gjergji i’u jep atyre doganën e Prizrenit. Sipas Millan Shufllajt, Balshajt kishin në Prizren ipeshkvin katolik (frater Johannis episcopus Prizrenensis), i cili kishte lënë në Ston katër libra si testament, më 16 qershor 1375. Si dëshmi mbi administrimin e qytetit të Prizrenit nga Balshajt është varri i Strazimir Balshës, i gjetur afër varrit të Dushanit në manastirin e Kryeengjujve, nga arkeologu serb Radosllav Gruiç në vitin 1927. Pas humbjes së betejës së Savrës më 1385 dhe pas sulmeve të pandërprera osmane, Balshajt e humbin kontrollin në këtë anë, duke ia lëshuar vendin dy principatave mjaft të fuqishme, që lidhen ngushtësisht me Prizrenin.
Kastriotët dhe Dukagjinët në Prizren
Ngjarjet që ndodhën pas invadimit osman, në trojet shqiptare në fillimet e viteve 80-ta të shek. XIV bënë që një pjesë e bujarisë arbërore të përkulen para osmanëve. Në skenën politike tani dolën në krye Dukagjinët, të cilët kishin hyrë në vasalitet të osmanëve. Vasaliteti i tyre daton qysh nga viti 1387, atëhere kur qeveria raguzane merret vesh me dukagjinasit që të tregtojnë lirisht nëpër tokat e tyre, të cilat shtriheshin që nga Lezha dhe Zadrima e deri në Prizren. Por, sa ishin Balshajt ende në pushtet në veri të Shqipërisë me qendër në Shkodër, ata nuk mundën të konsolidoheshin për aq sa kishin mundësi gjeostrategjike. Këtë rast do ta shfrytëzojnë pas pushtimit osman të principatës së Gjon Kastriotit, nga Sulltan Murati II në vitin 1430. Në fundin e shek. XIV dhe fillimin e shek. XV, Kastriotët u fuqizuan në pjesën verilindore të Shqipërisë, duke zotëruar rrugën më të rëndësishme Via de Zenta, e cila lidhte Prizrenin me viset bregdetare të Shkodrës e të Lezhës. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XIV, zotërimet e Kastriotasve zgjerohen sidomos në rajonin e Prizrenit, të Gostivarit e të Tetovës. Sipas burimeve osmane gjyshi i Skënderbeut, Gjergj Kastrioti kishte marrë pjesë në betejën e Kosovës më 1389.
Në një dokument të vitit 1420, Gjon Kastrioti, si vasal i osmanëve, i’u lejon tregtarëve raguzanë që të tregtojnë në tokat e tij. Mallrat raguzane hynin në grykën e Shufadas, pastaj kalonin nëpër Vaun e Dejës dhe mbërrinin në Prizren, për të marr rrugën për në Novobërdë e gjetiu. Pas pushtimit të Selanikut, i cili ishte koloni e rëndësishme e venedikasve në detin Egje, osmanët nën udhëheqjen e Sulltan Muratit II, dhe të komandantit Ishak beut, pushtuan tokat e Gjonit, duke ia shkretuar një sërë kështjellash. Dobësimi i tyre solli në krye familjen e njohur të Dukagjinëve. Sipas Skënder Rizës, osmanët i’u dhanë privilegje dukagjinasve në vitin 1438, qe t’i lejonin raguzanët të qarkullonin nëpër tokat e tyre dhe të paguanin doganën në afërsi të Prishtinës, njësoj si në kohën e Gjonit. Sipas studiuesit, Tonin Çobanit, Lekë Dukagjini, i biri i Palit, ka lindur në Ulpianë në vitin 1410, gjë që dëshmon se ata u forcuan dhe u konsoliduan në këtë trevë, kurse Prizreni ishte kryeqendra e principatës së tyre. Lidhur me këtë humanisti shkodran Marin Barleti, në “ Historinë e jetës dhe vepravet të Skënderbeut “, thotë se Pali dhe djali i tij Nikollë Dukagjini ishin zotërues të Zadrimës së Sipërme si dhe të Misisë së Sipërme ( Kosovës ).
Skënderbeu meremetoi kalanë e Prizrenit
Në vitet e 40-ta të shek. XV, Sulltan Murati II synoi pushtimin e Hungarisë. Hungarezët, të udhëhequr nga Janosh Huniadi, u lëshuan përgjatë Danubit në territoritn e Rashës, ku i’u bashkëngjit edhe Gjergj Brankoviçi. Të dy ushtritë u takuan në afërsi të Nishit, më 3 nëntor 1443. Sipas Jozef von Hamerit në “ Historin e Perandorisë Osmane “, ushtria osmane përbëhej prej tri kolonave, njëra prej të cilave komandohej prej “ një beu të panjohur “, që ndoshta duhet të ketë qenë Skënderbeu. Pasi ushtria osmane pësoi disfatë të rëndë, Skënderbeu shfrytëzoi rastin që të kthehej në vendlindjen e tij, duke kaluar pikërisht nëpër Kosovë.
Sipas Kasem Biçokut, Gjergj Kastrioti u takua në Prizren me Stanishën, për ta konsoliduar pushtetin administrativo-politik. Në “Tregimet popullore për Skënderbeun“ të mbledhura nga folkloristi i njohur Qamil Haxhihasani në viset e Kosovës, përkatësisht në luginën e Drinit të Bardhë në Has, thuhet se “ Skënderbeu kishte shëtitur dhe mbledhur gurë në lumin e Drinit të Bardhë dhe kishte meremetuar kalanë e Prizrenit “.
Kjo kryengritje njëherit konsiston edhe me çlirimin e viseve të tjera shqiptare të Kosovës, duke depërtuar në lindje deri në kështjellën e Zveçanit dhe Novobërdës. Zotërues të këtyre dy kështjellave shohim Pjetër Spanin me birin e tij Aleks Spanin, si sundimtarë të kësaj ane. Kurse qytetin e Prizrenit dhe të Pejës i kishin në duar Dukagjinasit. Për këtë arsye Skënderbeu do të shprehet në Kuvendin e Lezhës se donte të rikrijonte shtetin e Balshajve.
Pas Prizrenit ai u drejtua nga Tetova e Dibra, ku bëri edhe planin për marrjen e kështjellës së Krujës. Më 2 mars 1444 u organizua Kuvendi i Lezhës, në të cilën Skënderbeu u zgjodh komandant suprem i ushtrisë arbërore. Dukagjinët qysh gjatë ekspeditave të para ishin bashkuar në mbrojtjen e kufijve arbëror.
Megjithëse, Marin Barleti, e ngatërron Betejën e II të Kosovës 1448, me Betejën e Varnës 1444, ai thekson gatishmërinë dhe mbështetjen e Palit për Skënderbeun në mbledhjen e Kuvendit në Lezhë për çështjen e Huniadit. Përkundër princave që e kundërshtonin Skënderbeun, Pal Dukagjini do të përkrah Gjergjin, me ç’rast shprehet se “do ti jep 5000 ushtarë e në krye me ta edhe vehten e vet”. Gjeostrategjikisht dihet se kufijtë e tyre kufizoheshin me ato të Gjergj Brankoviçit, diku në Drenicë dhe ishte në interes që ti largonin osmanët nga domeni i tyre. Sipas Jahja Drançollit, burimet raguzane raportojnë se Gjergj Brankoviçi i pengoi forcat arbërore ti bashkangjiteshin forcave të Hunadit, pasi që ai kishte lidhur marrëveshje me turqit. Huniadi e humbi betejën, ndërsa mbeturinat e ushtërisë Skënderbeu i takoi në Drenicë. Këtë e dëshmon edhe Barleti, ku thot se ai takoi hungarezët dhe polonezët, të cilët i ndihmoi për tu kthyer me anije në Raguzë e prej aty në Hungari.
A u pushtua Prizreni më 1455 ?
Pas betejës së II të Kosovës, Dukagjinët u shkëputën nga Lidhja e Lezhës, duke anuar nga venedikasit, për t’u lidhur përfundimisht me osmanët. Venedikasit bënin ç’mos që ti shkëputnin Pal dhe Lekë Dukagjinin nga Skënderbeu, pasi që e dinin se pa këta princa ai do të ishte i pafuqishëm duke e pasur parasysh formacionin e tyre ushtarak prej 5000 vetash. Kështu, sipas Kristo Frashërit, Skënderbeu u mundua me të gjitha mjetet t’i shkëpuste ata nga osmanët, duke ndërmjetësuar deri tek papa Nikolla V. Sipas Millan Shufllajt, për këtë qëllim papa kishte autorizuar Pal Dushmanin (Engjëllin), peshkopin e Drshtit, i cili ishte në farefisni me Dukagjinët. Ndërmjetësimi i tij pati sukses, sepse Dukagjinasit u shkëputën nga miqësia me osmanët dhe lidhën paqe me Skënderbeun. Kjo ishte arsyeja që Sulltan Mehmeti i II, pas pushtimit të Konstantinopojës 1453, u vërsul për ti pushtuar viset e Kosovës. Ai urdhëroi Isa beun që ta rrethoj kështjellën e Novobërdës të cilën e pushtoi më 1qershor 1455. Së bashku me të, pushtohen edhe dy kështjella në afërsi : Prilepci dhe Prizrenci. Në veri u pushtua kështjella e Zveçanit dhe Trepça, me përjashtim të Prizrenit dhe të Pejës.
Në historiografinë e huaj dhe atë shqiptare ka mendime të ndryshme për pushtimin e qytetit të Prizrenit nga osmanët. Në publikimin e defterit të Ejaletit të Rumelisë të viteve 1452-55 nga orientalisti Dr. Iljas Rexha, ku përfshihej vilajeti i Bistricës, figurojnë një sërë fshatrash që ishin pushtuar përkohësisht nga osmanët e që gjendeshin në nahinë e Gurit-Gorës, Rudinës dhe Domeshtiçit, por jo edhe qyteti i Prizrenit. Jireçeku mendon se Prizreni është pushtuar më 21 qeshor 1455. Këtë mendim e ka përkrahur edhe Franc Babingeri në biografin e Mehmetit II, por asnjëri e as tjetri nuk japin burimin.
Sipas Kasem Biçokut, sultan Mehmeti i II ishte angazhuar vet në këtë rrethim, ku vendos kampin në fshatin Reçan të Prizrenit, në mesin e muajit qershor 1455. Por, Prizreni nuk kishte rënë në duar të osmanëve, pasiqë, sipas Barletit, atë e mbrojti Nikoll Dukagjini me ushtrinë e tij dhe me “ banorët fort trima të Mysisë së sipërme “.
Prizreni ndoshta u pushtua përkohësisht në vitin 1459 dhe Peja 1463.
Skënder Rizaj kundërshton Jireçekun dhe Franc Babingerin, duke u bazuar në historianin turk Ismail Uzunçarshli, i cili thotë se në vitin 1459 veziri Mahmut pasha, pas pushtimit të Smederevës e nënshtroi edhe Prizrenin kryengritës. Kurse, osmanologu i njohur Jozef von Hameri thot se Mehmeti, pasi e pushtoi Prizrenin më 1459, iu vërsul Smederevës. Kjo mund të forcohet edhe nga e dhëna e kronistit osman Oruçit, i cili thotë se “ në vitin 863 hixhri (1459), sulltani sulmoi Semendrën ( Smederevën ) të cilën e pushtoi dhe aty caktoi Mehmet beun si administrues, ndërsa Evrenos beun e urdhëron që të sulmoj “ Vilajetin e Shqiptarëve “. Mirëpo, sipas prof. Biçokut, ky pushtim ishte i përkohshëm, sepse nuk ishte konsoliduar pushteti osman në këtë qytet.

Prania e Skënderbeut në Kosovë
Prezenca e Skënderbeut në këtë trevë dhe idea e tij e shtetit centralist që synonte ta krijonte, gjeti vend gjatë viteve

  
Prezenca e Skënderbeut në këtë trevë dhe idea e tij e shtetit centralist që synonte ta krijonte, gjeti vend gjatë viteve 1460-ta të shek . XV. Në dokumente të viteve 1460-63 ai cilësohej si “ Zot i Arbërisë ”.
Për këtë shkak, Lekë Dukagjini shprehet se “ nuk do të jet më nën Skënderbeun ”. Ndërmjetësimi i papa Piut II, me ndihmën e Pal Engjëllit, peshkopit të Durrësit në vitin 1463, bëri që Leka të shkëputet përfundimisht nga osmanët dhe të pajtohet me Skënderbeun, duke i shërbyer deri në shtratin e vdekjes. Sikur Lekë Dukagjini, po ashtu edhe princërit tjerë e dinin se pa Skënderbeun në krye s’mund ti ndalnin hovin ushtrisë osmane e cila udhëhiqej nga sultan Mehmeti i II. Kështu, për ta siguruar kufirin veri-lindorë dhe me kërkesën e mbretit boshnjak Tomashit, Skënderbeu kreu një fushatë të suksesshme në Sjenicë më 1464. Këtë e vërteton edhe kronisti osman Ashik pasha Zadeja në “ Historinë Osmane ”, ku thot se në vitet 1462-63 “ Mehmeti, i cili pushtoi Bosnjën, në atë kohë vuri si qëllim Hercegovinën dhe Shkodrën e shqiptarëve, ai nguli këmbë edhe për të tjera ”.
Kasem Biçoku, i cili bazohet tek medievisti Francisk Pall nga burimet mesjetare të Arkivit të Napolit, konkludon se Skënderbeu në fillim të muajit shtator të vitit 1464 u nis me ushtrinë e tij nëpër Prizren-Pejë në drejtim të Sjenicës, me ç’rast ndeshet me ushtrinë osmane në Sjenicë, të cilën e shpartallon.
Në qoftë se kjo tezë mirret për bazë nga medievistët dhe nga studiuesit e tjerë, atëhere do të linte të kuptojmë se Rrafshi i Dukagjinit, duke përfshirë edhe një pjesë të Drenicës, ishte ende brenda kufijve të shtetit centralist të Skënderbeut, deri në kohën kur ai u sëmur më 1467, me ç’rast një ushtri osmane kalon nëpër Prizren e pastaj nëpër Mirditë, për ta pushtuar Shkodrën। Por ajo u shpartallua nga Lekë Dukagjini në lumin Kir, diku në afërsi të Shkodrës…

(Ky shkrim është botuar në gazetën e përditshme” Koha Ditore”, shtojca për kulturë, me datë 19.05.2007)

e enjte, 2 gusht 2007

Zbulohen varret e betejës së Sfetigradit!

Pas 558 vjetësh sqarohet vendndodhja e një prej përplasjeve më të mëdha të Skënderbeut me turqit

Pas 558 vjetësh realizohet një zbulim i jashtëzakonshëm për historinë shqiptare. Në fshatin Koxhaxhik të Dibrës së Madhe zbulohen varret e viktimave të betejës së famshme të Sfetigradit, ku heroi Kombëtar Skënderbeu pësoi humbjen e parë nën drejtimin e Lidhjes. Kanë qenë një grup specialistësh vendas, që ditët e fundit kanë ndërmarrë një ekspeditë të thjeshtë, por që për nga rëndësia e zbulimit mund të quhet një punë e jashtëzakonshme. Burime nga pjesëtarë të kësaj ekspedite thanë dje për gazetën "Tirana Observer" se bëhet fjalë për dy masive varresh të vendosura në dy anë të pllajës, ku ishin të vendosura varret e viktimave të luftës së Skënderbeut me Sulltan Muratin II. Është folur shumë për këtë betejë të Heroit tonë dhe është vlerësuar shumë, por asnjëherë nuk është përcaktuar vendi i saktë se ku u zhvillua ajo. Ndërkohë pas më se pesë shekuj e gjysmë vjen edhe zbulimi. Pikërisht në afërsi të fshatit Koxhaxhik, një fshat që ende banohet me një etnitet turqish, janë zbuluar varret e atyre që ranë në betejë. Kjo pritet të shoqërohet më tej me studime të specialistëve të historisë për të sjellë akoma më shumë fakte.

Ekspedita

Është nisur pa shumë pretendime në fillim, por zbulimi ka një vlerë të jashtëzakonshme historike. Një grup specialistësh janë nisur në vendin ku pesë shekuj e gjysmë më parë është zhvilluar beteja e Skënderbeut dhe kanë zbuluar dy masivet e varreve. Burimet thanë se bëhet fjalë për rreth 1200 varre, që mendohet se janë të ushtarëve të Skënderbeut dhe më shumë nga pala turke. Ato janë të vendosura në dy anët e një pllaje dhe janë të ndarë në myslimanë dhe katolikë. Sipas specialistëve, kjo nën kupton se të parët janë turq dhe të dytët janë ushtarët e Skënderbeut. Deri më sot asnjë historian nuk kishte folur prerë dhe saktë për vendndodhjen e kësaj beteje, por edhe për shumë të dhëna të tjera. Madje shkohet deri aty sa fjala Sfetigrad, që në serbisht përkthehej qytet i shenjtë, mund të ndodhej në Mirditë. Por ekspedita e fundit ka sqaruar një herë e mirë të gjithë këtë dilemë.

Varret dhe viktimat

Gjithçka është e vendosur në pllajën e malit që kap lartësinë 1200 metra mbi nivelin e detit. Sipas historianëve, beteja është zhvilluar në luginën e Drinit të Zi, por duhet thënë se herë pas herë të plagosur, por edhe të vrarë, tërhiqeshin në majën e malit nga shokët e tyre. Në fund të betejës aty është bërë edhe varrimi i viktimave. Numri i ushtarëve të vrarë mendohet të jetë afro 1200 persona. Skënderbeu duke luftuar nga jashtë kështjellës arriti të korrte suksese të mëdha. Nga varret e zbuluara mendohet se janë rreth 900 myslimanë(turq) dhe rreth 300 katolikë (shqiptarë).

Historia e betejës së Sfetigradit, më 1448

Në qershor të vitit 1448, një ushtri e madhe osmane e komanduar nga Sulltan Murati II së bashku me të birin e tij 21-vjeçar, Mehmetin II, i cili më pas do të bëhej edhe ai sulltan. Ajo u përqendrua mbi kështjellën e Sfetigradit, si baza kryesore në sistemin mbrojtës të brezit lindor. Garnizoni i përbërë kryesisht nga dibranë dhe i drejtuar nga matjani Pjetër Perlati, jo vetëm hodhi poshtëë kërkesën për dorëzim pa luftë, por e mbajti me heroizëm kështjellën, duke thyer të gjitha sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane. Skënderbeu godiste pa ndërprerje ushtrinë me sulme të befasishme dhe arriti të hynte deri në kampin e ushtrisë osmane. Kjo e lehtësoi detyrën mbrojtëse të kështjellës. Garnizoni rezistoi deri sa osmanët arritën të zbulonin e të prishnin kanalin e furnizimit të kështjellës me ujë të pijshëm. Pas bisedimeve me sulltanin, Pjetër Perlati dorëzoi kështjellën, me kusht që të largohej i lirë bashkë me armët. Në korrik të vitit 1448, Sfetigradi kaloi në duart e osmanëve. Për lidhjen e Lezhës kjo ishte një humbje. Kështjella e Sfetigradit ishte baza ushtarake kryesore e pjesës jugore të brezit kufitar lindor të trojeve shqiptare.

Kane thënë për betejen e sfetigradit

Marin Barleti, historian
Historiani, i cili ka bërë një nga veprat më të plota për figurën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeun Marin Barleti ka thënë për Sfetigradin është një vend i lartë me shikim në luginën përreth dhe pa burim uji. Dibra e është si portë e shtetit të Skënderbeut. Për këtë arsye ai nuk donte kurrësesi ta linte në duart e osmanëve.

Kasëm Biçoku, historian
Sfetigradi nuk ka qenë në Koxhaxhik, por në krahinën e sotme të Demir Hisarit të Maqedonisë. Në këtë përfundim është arritur nëpërmjet shqyrtimit të kujdesshëm të të dhënave të regjistrave kadastralë osmanë të shekullit XV, të botuara prej autorëve sllavë.

Historiografia sllave
Disa historianë sllavë janë shprehur se Sfetigradi nuk ka qenë në Koxhaxhik. Për vendndodhjen e tij ata kanë dy qëndrime. Njëri qëndrim e lokalizon Sfetigradin në fshatin Rahovnik (qyteti i sotëm i Dibrës) dhe tjetri në Malin e Shenjtë të Mirditës. Këto nuk mbështeten nga burimet historike dhe as nga vëzhgimi i terrenit (dëshmitë materiale). Në Rahovnik dhe në Malin e Shenjtë të Mirditës nuk ka pasur kështjella në kohën e Skënderbeut.

Të dhënat e para për Sfetigradin

Emri i Sfetigradit përmendet në dokumentet e kohës së Skënderbeut në kronikat e autorëve bizantinë, në veprat e historianëve të vjetër osmanë, mbi të gjitha në historinë e Marin Barletit, që është vepra themelore dhe më e rëndësishmja për të njohur jetën dhe veprimtarinë e Heroit tonë Kombëtar. Kronisti bizantin, Laonik Halkokondili është burimi tregimtar më i hershëm që flet për këtë kështjellë. Ai e përmend atë me emrin Sfeti.

Të dhëna për betejen
1. Beteja e Sfetigradit u zhvillua në qershor të vitit 1448
2. Kjo shënonte humbjen e parë të Lidhjes së Lezhës nga turqit
3. Sipas kronikanëve të kohës janë vrarë 1200 ushtarë
4. Mori emrin e Sfetigradit (qyteti i shenjtë), sepse aty ndodhen shumë vende kulti
5. Ajo zgjati një muaj, nga qershori deri në korrik
6. Skënderbeu nuk ishte në kështjellë, por sulmonte nga malet
7. Pa betejës aty u shpërngulën shumë turq, ku nisën jetën e tyre. Dhe sot fshati Koxhaxhik është i banuar nga popullsi turke
8. Vetë fshati Koxhaxhik e ka marrë këtë emër nga turqishtja, që do të thotë "betejë e madhe"
9. Varrezat ishin ndarë në dy pjesë, në myslimane, rreth 900, dhe katolike, rreth 300
10. Pasi iu ndërpre uji nga osmanët, kështjella u dorëzua


Erion HABILAJ Gazetatiranaobserver

Dy shpata enigmatike në Shqipëri vijnë nga beteja e Sfetigradit?

Frederik Stamati

Bëhet fjalë për dy shpata luftarake që u zbuluan më 23 korrik 2005 në një muzeum të Shqipërisë. Isha në kërkimet e mia për identifikimin e shtapave të shekujve të kaluar me mbishkrime në gjuhët orientale kur rashë, si të thuash, në to. Ishin të errëta, si thellësia e shekujve prej nga vinin. Dikur lëviznin, përplaseshin, tingëllonin, kanosnin, shuanin shpirtra, ndërsa sot... Tashmë kanë shekuj që rrinë të heshtura në botën e historisë, robina të së cilës edhe janë. Shpatat i kishte mbuluar ndryshku. Asgjë nuk shihej në to. Dukeshin si të zakonshme, e pa asgjë të veçantë. Duke ditur vendin në teh ku herë-herë gjenden data, apo mbishkrime, fillova punën paraprake restauruese. Dhe ja, doli në shifër, pastaj një tjetër, një datë, motivet. Rastësisht u ndodha përpara njërit prej zbulimeve më emocionuese për muzeologjinë shqiptare.

Atëhere nuk e dhashë lajmin. U desh të lexoja shumë, të udhëtoja mijëra kilometra e të vizitoja muzeume, të vëzhgoja motive të asaj kohe, se si konceptoheshin figurat, të krahasoja të dhënat, të zhvilloja konsulta etj, derisa vendosa ta bëj të njohur këtë fakt: ne tashmë kemi armë nga ato të përdorura në betejat e Skënderbeut. Ndoshta mund të thuhet: epokës së Skënderbeut.

Drejtori i muzeut m’u lut që të mos e tregoj muzeun se ku ndodhen ato, sepse nuk janë kushtet e sigurisë së ruajtjes dhe as ndonjë fakt që mund të çojë në identifikimin e muzeut. Unë ia dhashë fjalën dhe do ta mbaj. Sa për kuriozitet po them se ato janë dorëzuar në muze më dt 13 qershor 1970 nga një arsimtar, i cili nuk e mësoi kurrë se çfarë kishte dorëzuar. E dhashë këtë fakt për të hequr çdo dyshim për ndonjë falsifikim të mundshëm. Njëra prej shtatave është e tipit hanxhar, evropiane në origjinë, afërsisht 46 cm e gjatë, pra shpatë e shkurtër nga ato që përdoreshin në luftime trup më trup, ose në muret e kalave. Për herë të parë shpatën e shkurtër në duar të një shqiptari e përmend Barleti, e pikërisht në dorën e Skënderbeut, kur ai, akoma nën Sulltanin, u ndesh në duel me një armik, një skith mendjemadh.

Po ta godasësh këtë shpatë jep një tingull të mirë, gjë që tregon se është përgatitur me një çelik cilësor. Doreza është mbathur me dru nga të dyja anët. Për të mbrojtur dorë nga rrëshqitja e shpatës së kundërshtarit është pajisur me një hark çeliku, për të cilin në shqip nuk kemi ndonjë fjalë të veçantë.

Në teh, nga ana e mbrapme është një vit: 1449. Eshtë shpata më e vjetër e datuar që dimë deri sot të ruhet në Shqipëri. Gjithmonë vitet shkruheshin në anën e prapme të shpatës, që kur të nxirreshin pak nga milli të ngjallnin kureshtjen e të tjerëve, ose të identifikonin luftëtarin e një beteje me emër, ose të një ngjarje tjetër.
Përgjatë gjatësisë së shpatës, e në të dyja faqet, vihen re motive, që janë harqe me dy linja, të cilat mund të mos jenë thjesht zbukurime, por simbol. Ata janë gjashtëmbëdhjetë nga njëra anë dhe shtatëmbëdhjetë nga ana tjetër, gjithsej tridhjetë e tre, një numër biblik. Mos është rastësi? Harqet të kujtojnë një kurorë, ose elementë të një kurore që vihej në kokë. Mbi harqe (linjat e shifrave dhe të motiveve janë realizuar me pika; është një teknikë shumë e vjetër që përdorej mijëra vjet më parë në punimet në metal; thuajse e barazkohëshme ndeshet në ikona), është pikëzuar një zgjatim, që ndoshta simbolizon një kryq. Në fund të vargut zhvillohet një figurë, si shpend me qafë të gjatë, e të përkulur paksa anash. Kjo të kujton, se të jep një ide të stemës së Habsburgve, të vendosur mbi Portën e Zvicrës në Hofburg të Vienës.

Duke u nisur që këtu lindin hamendësime nga më të ndryshmet.
Viti 1449 është viti kur u zhvillua beteja e Skënderbeut për ta rimarrë Sfetigradin, zotërim i Aranitëve, i cili ishte pushtuar nga turqit një vit më parë, me atë ngjarjen e hedhjes së qenit të ngordhur në pus, ngjarje të cilën historiografia e sotme nuk para e beson. Kështu thonë për vitin 1449 historianët Kristo Frashëri dhe Kasem Biçoku, të dy profesorë, të mbështetur në të dhëna të reja dokumentare të padiskutueshme.
Në botimin e dytë të “Historisë së Skënderbeut, Kryezotit të Arbërisë” Noli shkruan se:”Më 25 Shtator 1449, me një ushtri 18 000, ku shërbenin disa kryqëzorë frëngj, gjermanë, dalmatinë dhe italianë, Skënderbeu e rrethoi Sfetigradin...”

Duke u nisur nga këto të dhëna mund të mendojmë se kjo është shpata e një kryqësori që luftoi nën komandën e Skënderbeut për të rimarrë Sfetigradin. Mirëpo sipas studimeve të Prof. Kasem Biçokut mercenarët kanë marrë pjesë në ushtrinë e Skënderbeut vetëm në vitin 1450. Kështu, mund të mendohet se ky luftëtar, posedues i kësaj shpate mund të ketë qenë një vullnetar i paorganizuar, apo i inkuadruar, siç përmend disa raste të tilla historia e asaj kohe.

Por ky është vetëm një variant. Poseduesi i saj mund të ketë qenë fare mirë edhe një arbër, se po të nisemi nga shpendi i modeluar, e që ndoshta është shqiponjë, mund të përmendim rastin e Lekë Dukagjinit, në stemën e të cilit shqiponja është me një kokë.
Historianët “nuk të falin” në interpretimin e dokumenteve, ata janë strikt dhe kërkime të tjera do të duhet të bëhen për të zbërthyer simbolikën e zbukurimeve në këtë shpatë, e për ta përcaktuar qartësisht përkatësinë e saj.

Shpata e dytë është si tip jatagani, 59 cm, pra edhe kjo e shkurtër. Në anën e pasme ka të stampuar një vulë të punishtes së prodhimit, që përfaqëson ndoshta diellin me tetëmbëdhjetë rreze. Pastaj, më vonë, është dekoruar me të njëjtën teknikë si edhe shpata tjetër, madje disa motive janë njëlloj, pra kjo shpatë është e të njëjtës periudhë kohore. Dekoracioni i saj i përgjithshëm tenton të japë një përbindësh, ndoshta një dragua. Sot dekoracioni vjen i dëmtuar në sajë të mprehjeve që i janë bërë shpatës në kohëra të mëvonshme. Me sa duket simboli i dragoit ka qenë tepër i përhapur në atë kohë. E gjejmë edhe në një shpatë të vjetër, por pa datë, të fondit etnografik të Institutit të Kulturës Popullore. Edhe Barleti thotë se Vojsava pa në ëndërr sikur po lindtë një dragua. Tehu i kësaj shpate është i mbathur me metal gjatë të gjithë gjatësisë së tij. Të prodhoje një shpatë nuk ishte gjë e lehtë. Kur shpatat konsumoheshin betejave ato mpriheshin, derisa vinte një kohë që ato holloheshin e pastaj mbatheshin nga kovaçi me saldim të nxehtë me rrahje. Kjo vërtetonj se shpata në shqyrtim ka qenë luftarake dhe është përdorur në shumë beteja. Këtë e vërteton edhe gjuhëza e dorezës e salduar në të njëjtën mënyrë.

Dy janë problemet që lindin për këto shpata:
1- Ato sapo u pastruan paksa për të bërë të dukshme datën dhe motivet. Por ato janë të parestauruara, e të pakonservuara. Duhet bërë një ndërhyrje e domosdoshme për të rivendosur gjendjen dhe që të ruaj “status quonë”. I vetmi laborator në Shqipëri që mund të përballojë shkencërisht dhe teknikisht një ndërhyrje të tillë të përgjegjshme është Laboratori i Konservimit dhe Arkeometrisë pranë Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë. I mirëpresim.
2- Mbas trajtimit laboratorik të dyja shpatat duhet të studiohen nga specialistë të heraldikës për të dhënë një mendim sa më shkencor dhe të plotë për to.

Historia
Beteja e Sfetigradit
Në qershor të vitit 1448, një ushtri e madhe osmane e komanduar nga Sulltan Murati II së bashku me të birin e tij 21-vjeçar, Mehmetin II u nisën drejt kështjellës së Sfetigradit, baza kryesore në sistemin mbrojtës të brezit lindor. Historia e mbrojtjes dhe dorëzimit të saj kalon nëpër dy hipoteza. Sipas Barletit, në mbrojtje të saj ishte një garnizon i përbërë kryesisht nga dibranë dhe i drejtuar nga Pjetër Perlati. Pas rezistencës ndaj sulmeve të njëpanjëshme të trupave osmane, Sulltan Murati II kërkon ta marrë kështjellën e Sfetigradit me kompromise. Por, Perlati nuk e pranon këtë kompromis. Mbrojtja e jashtme e kështjellës sigurohej nga një ushtri e drejtuar nga Skënderbue, e cila sulmonte herë pas here. Më pas Marlin Barleti na jep dëshmi që historia e shekullit të XX i kundërshton. Sipas tij, garnizoni arriti të bënte qëndresë deri sa në mes të tyre mbiu një tradhëtar. Sulltan Murati u mundua që me premtime të mëdha e dhurata të korrruptonte njerëz në mesin e mbrojtësve. Një prej ushtarëve shfrytëzoi një bestytni të vjetër të banorëve ndaj ujit të pishëm.

Më parë vdisnin se sa të pinin ujë ku ishte hedhur diccka e pisët. Në qytet kishte vetëm një pus, i cili i furnizonte të gjithë me ujë. Gjatë natës, ai hodhi një qen të ngordhur në të, të cilin e gjetën në mëngjes. Midis ushtarëve të ngujuar në kështjellë filloi pështjellimi. E vetmja mënyrë për të shpëtuar qytetarët ishte dorëzimi. Kështu Sulltan Murati II arriti të merrte Sfetigradin dhe tradhëtari u shpërblye. Dëshmitë e mëtejshme tregojnë që ai u zhduk shumë shpejt dhe mendohet se Murati vetë e eleminoi. Historia e shekullit të XX rindërton një variant tjetër. Historia e qenit të ngordhur për historianët e sotëm është variant legjende që është përcjellë ndër vite. Sipas tyre, kështjella e Sfetigradit u dorëzua pasi ushtria turke gjeti të vetmin furnizues me ujë të pishëm dhe e shkatërroi atë. Gjithashtu në “Historinë e Skënderbeut” të Marlin Barletit njihet vetëm viti 1448 si kohë kur u zhvillua beteja për marrjen e kështjellës. Historianët e sotëm kanë gjetur fakte të pakundërshtueshme që në vitin 1449 Skënderbeu kthehet në një betejë të dytë për të rimarrrë Sfetigradin. Sipas të dhënave mendohet se numri i vrarë në këtë betejë ka qenë 1200 veta.

e premte, 27 korrik 2007

E ardhmja e Civilizimeve ?


Vështrim mbi librin:

“PËRPLASJA E QYTETËRIMEVE DHE RIBËRJA E RENDIT TË RI BOTËROR”- SAMUEL T. HUNTINGTON

Libri i Hungtintonit “Përplasja e qytetërimeve dhe Ribërja e rendit të ri botëror”, është një vepër origjinale ku paraqitet një prezantim mjeshtëror dhe thellësi e përkryer, me aranzhimin e drejtë të datave të rëndësishme dhe me citate të përzgjedhura në mënyrë të duhur.

shkruan; Fazli Rrezja

Stili i autorit në këtë vepër është mjaftë i pasur më fjalor, analitik dhe precizë. Po ashtu në një masë të madhe vepra është provokuese, duke na ofruar një prizëm tjetër, nëpërmes të cilës shpalosen sfidat se cilat janë qytetërimet që po hyjnë në konflikt në skenën globale? Çfarë peshe ka fuqia ushtarake dhe ekonomike në këtë rrugëtim të rendit të ri botërorë për të fituar superioritetin botërore?. Cili do të jetë roli i Evropës?,cili do të jetë roli i Azisë dhe shteteve që kanë rritje masive në ekonomi? Pastaj, me analizat që paraqet ne këtë libër rigjallëron në skenë një dramaticitet aktual, përballja me realitetin e krijuar pas sulmit të 11 shtatorit në kullat binjake.

Vizionet i Hungtintonit prekin dukshëm shumë nga aspektet të realitetit që po zhvillohet sot në botëTema kryesore e këtij libri është se kulturat dhe identitetet kulturore që në aspektin e gjerë janë identitetet e qytetërimit, janë duke formuar modelet e strukturës, shpërbërjes dhe konfliktit në periudhën pas luftës së ftohtë botërore. Duke e tërhequr një paralele të hartës gjeografike në mes të kulturave, Huntingtoni identifikon tetë qytetërime që garojnë në mes vete, qytetërimi Perëndimor, Sinik, Japonez, Hindu, Islami, Ortodoks, Amerika latine dhe me gjasë edhe qytetërimi Afrikan.

Në aspektin gjeopolitik dy të fundit (Amerika latine dhe qytetërimi Afrikan), janë më pak të rëndësishëm, ndërsa të tjerat ka të ngjarë të luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e ardhshme të ribërjes së rendit të ri botërorë. Islami, Përendimi dhe Kina përbëjnë pjesën më të ndjeshme të kësaj “përplasje” që do të paraqesin më së shumti rrezikshmëri në betejat e qytetërimeve në të ardhmen që sipas Hungtington do të ngjajnë për shkak të interaksionit të arrogancës së perëndimit, intolerancës islamike dhe fuqisë Sinike

Në përgjigje të optimistëve global që lavdërohen nga triumfi i perëndimit dhe krekosja nga përfitimet nga përhapja e tregjeve ekonomike, tregtisë së lirë dhe të drejtave njerëzore, Hunington na ofron një pamje krejtësisht tjetër: fillimin e një epoke ku konflikti do të jetë i thellë dhe epidemik dhe ku Perëndimi do të gjejë vetën duke garuar me një disatvantazh të ashpër. Armiqtë në këtë betejë të madhe do të jenë blloqet e shteteve apo të qytetërimeve, sipas konstruksionit të Huningtonit, kjo do të definojë identitetin e tyre dhe do të përcaktojë interesat e tyre dhe lojalitetin primar në kushtet kulturore.

Hunington shkruan se “Njerëzit dhe shtetet me kultura të ngjashme po bashkohen”, ndërsa “Njerëzit dhe shtetet me kultura të ndryshme po ndahen”. Në esence kulturat po e fshehin nacionalizmin dhe ideologjinë nëpërmes politikës. Gjatë luftës së ftohtë, pyetja themelore ka qenë “Në cilën anë je ti”?, tash kjo pyetje ka kaluar në “Kush je ti?”

Sipas përshkrimit në librin e Huningtonit kjo pyetje para së gjithash ka të bëjë me
religjionin në botën moderne. Ai për këtë fenomen shkruan se “ Religjioni është forca kryesore që i motivon dhe i mobilizon njerëzit”
Fundi i Luftës se Ftohte solli një ndryshim rrënjësor ne mënyrën e ushtrimit dhe nivelin e diplomacisë ne gjithë boten. Dalja fitimtare prej kësaj lufte e shteteve perëndimore me ne krye SHBA-të krijoi një realitet te ri dhe nxori sfida te reja.
Përfundimi i periudhës të bipolaritetit ndërkombëtarë erdhi si pasojë e fundit të luftës së ftohtë dhe qysh prej atëherë politikëbërësit, akademikët etj, janë përpjekur të kuptojnë se çfarë lloj strukture do ta zëvendësoj atë.

Bota pas luftës së ftohtë është shumëpolëshe, nuk e ka më atë ndarje mbisunduese, që ekzistonte gjatë luftës së ftohtë, mirëpo për sa kohë të vazhdon hovi demografik mysliman dhe hopi ekonomik aziatik, konfliktet ndërmjet Perëndimit dhe qytetërimeve sfiduese do të zënë më tepër vendin qendrorë ne politikën globale se sa vijat tjera të ndarjes, thotë Huntingtoni.

Sulmet terroriste të 11 shtatorit sollën në pah sfida të reja. Këto ngjarje shënuan fundin e e periudhës në marrëdhëniet ndërkombëtare, periudhë e njohur si momenti unipolar, kur ShBA-të ishte superfuqia e vetme që debutonte në lidhje me rendin e ri botërorë dhe që pastaj kaloi nga ky moment. Këto sulme janë rezultat në epokën ku politika e jashtme e ShBA-së u bë më shumë multilaterale se që ishte më parë.

Po ashtu çështjet kyçe të identitetit amerikan dhe pyetjet retorike edhe pas sulmeve nuk u zbehën, por vazhduan të mbetën edhe pas kësaj epoke si sfidë përcjellëse pyetjet si “ne amerikanët” ballafaqohemi me një problem substancial të identitetit nacional i cili karakterizohet me ketë fjali a jemi ne “ne”, njerëz të vetëm apo disa ? Nëse ne jemi “ne” atëherë çka na dallon ne prej “atyre” të cilët nuk janë si ne? Raca, religjioni,etnia, vlerat, kultura, pasuria, politika apo çka ? A është SHBA-ja , siç kanë argumentuar disa, një “komb universal”, i bazuar ne vlerat e përbashkëta të të gjithë njerëzimit dhe qe në princip përkrahim të gjithë njerëzit?

Kapitulli i parë i librit vë theks të veçante në çështjet se për here të parë në histori politikat globale janë shumëpolëshe dhe multi qytetëruese , modernizimi është i ndryshëm nga Perëndizimi dhe nuk prodhon as qytetërim universal e as perëndizimi të shoqërive jo perëndimore.

Duke e bërë këtë vështrim më problematik Hungtitnton mendon se ende është një mospërputhje në rritje në mes të aspiratave perëndimore dhe kapaciteteve të saja për ti fuqizuar ato. Në librin e tij ai thekson se perëndimi ka mbizotëruar botën jo nga superioriteti i vlerave apo religjionit por nga superioriteti i aplikimit të dhunës së organizuar. Dhe vazhdon në kapitullin pestë duke thënë se mbijetesa i perëndimit varet në amerikanët që riafirmojnë identitetin e tyre perëndimor dhe perëndimorët që pranojnë qytetërimin e tyre si unik e jo universal, duke ruajtur këtë kundër sfidave nga shoqëritë jo perëndimore.

Në fakt sipas tij është afiniteti i Perëndimit për ndërhyrje në qytetërimet tjera dhe kjo e bënë të rrezikshme epokën e qytetërimeve. Insistimi i perëndimit se vlerat e tij e bëjnë modelin që qytetërimet tjera duhet ta pranojnë, krijon një çrregullim për të cilën Hunington thotë se “çka është universalizëm për perëndimin është imperializëm për të tjerët”.

Kapitulli i dytë më shumë fokusohet në ndryshimin e bilancit të fuqisë në mes të qytetërimeve, perëndimi në kërkim të një ndikimi relativ, qytetërimi aziatik që është duke zgjeruar zhvillimin ekonomik, ushtarak dhe politik, pastaj qytetërimi Islamik duke shpërthyer në aspektin demografik e duke destabiziluar vendet myslimane dhe vendet fqinje dhe se ai përshkruan se qytetërimet jo perëndimore në përgjithësi afirmojnë vlerat e kulturës së tyre

Po ashtu në kapitullin e katër përshkruan qëndrimin universalit perëndimor që sjell konflikt me qytetërimet të tjera, më shumë me qytetërimin Islam dhe kinez dhe në nivelin më të ngushtë të luftërave ne vijën e shkëputjes në mes myslimanëve dhe jo myslimanëve gjë që do të thotë kërcënim për eskalim më të gjerë.

Konfliktet etnike dhe luftërat ne vijën e shkëputjes nuk janë përhapur barabar neper qytetërimet e botës. Ai cek është Bosnjën si një prototip të zymtë në vijën e shkëputjes. Ndërsa luftërat si ishin ajo e ndarjes së Jugosllavisë, në Çeçeni dhe ne mes të Indisë dhe Pakistanit janë dëshmi të konflikteve të ndër qytetërimeve
Luftimet më të mëdha ne vijën e shkëputjes kanë ndodhur ndërmjet serbeve e kroateve ne ish Jugosllavinë dhe ndërmjet budistëve dhe hindusve ne Sri Lank. Shumica e dërmuese e konflikteve ne vijën e shkëputjes ka ndodhur përgjatë kufirit që përshkon Euro-Azinë e Afrikën, i cili ndan myslimanet nga jo myslimanet.

Fuqia e Perëndimit relativisht me qytetërimet të tjera ka filluar të zbehet , më shumë kjo theksohet me krahasim me Islamin dhe Kinën. Në botën Islame rritja e popullatës në mënyrë masive rezulton me një zemërim dhe trazira, ndërsa në Kinë rritja e hovshme ekonomike rezulton me një mundësi potenciale që kërcënon dominimin e fuqisë perëndimore.

Sipas Huntigtonit, kërcënimi me i drejtpërdrejte kundrejt Perëndimit është ai i një “aleance mes qytetërimit islamik dhe konfucian”. Dhe këtu ai paralajmëron se pothuajse vendet perëndimore ulin shpenzimet e tyre ushtarake, që nën udhëheqjen e Jelcinit edhe Rusia ka bërë të njëjtën gjë. Ne të kundërtën, Kina, Koreja e Veriut dhe mjaft vende te tjerë te Lindjes se Mesme rrisin forcat e tyre ushtarake. Kjo aleance islamiko-konfuciane ka si qellim arritjen e prodhimit te një numri te mjaftueshëm armesh bërthamore, kimike, biologjike, etj. pa te cilat nuk do te mundin te vene ne dyshim fuqinë e Perëndimit dhe këtu merr si shembull përgjigjen e kryeministrit Indian, i cili gjate Luftës se Gjirit pati deklaruar se nuk duhen luftuar SHBA-të nëse kundërshtaret nuk janë te pajisur me arme bërthamore.

Roli i religjionit zë një vend eminent në paralelen që ka tërhequr Huntingtoni në mes të qytetërimeve. Më shumë se të gjithë faktorët të tjerë religjioni thekson “ kush jemi ne” dhe “Kush nuk jemi ne”.

Hungtinton problemet e Perëndimit me Islamin nuk i atribuon si ndikim i fanatizmit. Problemi për perëndimit siç thotë ai nuk është fundamentalizmi islamik. Është islami, një qytetërim tjetër, ku njerëzit e këtij qytetërimi janë të bindur për nga superioriteti i kulturës së tyre, duke e bërë po ashtu një krahasim tjetër se Islami e ka të vështirë të jetojë në harmoni me shtetet tjetra fqinje. Ndërsa për botën Ortodokse dhe Amerikën latine duke thënë se këto religjione kanë pasur kohëra të vështira gjatë tranzicionit nga komunizmi dhe kolonializmi, respektivisht në modelin perëndimor , përderisa shtetet si Kili dhe Republika Ceke të cilat kanë përqafuar Perëndizimin kanë arritur progres të mjaftueshëm.

Në kapitullin e tretë qytetërimi dhe rendi botërorë paraqet në pah, shoqëritë që ndajnë afinitetet kulturore, mos suksesi i përkushtimeve për kalimin e shoqërive nga një qytetërim në tjetrin dhe bashkimi i vendeve për rreth shtetit bërthamë të qytetërimit të tyre. Hungtiton, paraqet në pah një epokë të re të garës, armiqësisë në mes të qytetërimeve që e kundërshtojnë njëra tjetrën. Në këtë epokë të përplasjeve armiqësia do të kalojë në një konflikt të armatosur ku dhuna do të përfshijë dhe do të tejkalojë kufijtë e qytetërimeve.

Vizioni i Emanuel Kantit për “Paqen e Përjetshme” pretendonte se kombet të integruara nëpërmjet tregtisë ndërkombëtare do të mund ti bashkëngjiteshin federatës së shteteve jashtë interesave të tyre. “Paqja e përjetshme” e shkruar më shumë se 200 vite më pare pretendonte se demokracia, ndërvarësia ekonomike dhe ligji ndërkombëtarë do të mund të vendosnin një bazë për paqen e përjetshme në botë. Mirëpo edhe pse deri tani ky vizion i Emanuel Kantit kurrë nuk ka pasur sukses,
Hungtintoni më pamjen e tij mbi përplasjet e qytetërimeve, teorinë e Kantit e zhytë në një nivel utopik, duke vë pah rrezikun që i kanoset të drejtës së shteteve (Ius Gentium) apo krijimit e një komuniteti të vetëm universal “Ius Cosmopoliticum” nga ribërja e rendit të ri botëror.

Paqja nuk mund të inaugurohet e as të sigurohet pa ndonjë marrëveshje të përgjithshme ne mes shteteve

Përderisa vështrimi i Steve Smith për ardhmërinë e rendit botërorë në një mënyrë po ashtu hedhë poshtë teorinë e Kantit duke thënë se shtetet nuk janë aktorë por janë njerëzit, interesat qartë ndikojnë në qëndrimin e tyre, por, ata duhet t’i referohen indentitetit dhe kornizave të interesit. Kjo është arsyeja pse ardhmëria e rendit botërorë varët nga zgjedhjet që bëjnë liderët tanë dhe vlerat për të cilat ne mendojmë se ata duhet t’i promovojnë. Rendet e reja botërorë reflektojnë vlerat dominuese, gjithmonë janë parciale dhe mund të pengojnë kërkimin për drejtësi dhe paqe globale.

Rendi i ri botërore nuk rezulton në mënyrë spontane të natyrshme, por, reflekton në zgjedhjen tonë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme dhe kështu pastaj ndërlidhen debatet ndërkombëtare dhe vendore. Për shoqëritë e ndryshme civile është esenciale të debatohet për këto çështje tash, më shumë se kurrë. Në botën e cila është bërë shumë e ndërvarur, kufijtë e shteteve kombe janë bërë të përshkueshme, duke shkaktuar shume vendime fundamentale përtej kontrollit të qeverive nacionale dhe përtej kufijve të udhëheqjes.

Huntington qartë na tregon se politika botërore po hynë në një fazë të re dhe liderët dhe intelektualët e shumtë nuk hezitojnë të përhapin vizionet e tyre në çështjet se cili do të jetë fundi i historisë dhe refuzimi i shteteve nga zvarritja e konflikteve fisnore dhe globale.
----------------------------------------------------------
Referencat:

Steve Smith,The End of the Unipolar Moment: September 11 and the Future of World Order, http://www.ssrc.org/sept11/essays/smith.htm


Samuel P. Huntington, “Who Are We?, America’s greatest debate, KIJAC Reader for Jour 624.

Allen W Wood,” Kan’s Project for Perpetual Peace”, KIJAC Reader “ Media and the normative conept of Europe”

Tim Dunne. “Liberalism.” Chapter 8, “Immanuel Kant’s Perpetual Peace ; A philosophical Sketch

Steve Smith,The End of the Unipolar Moment: September 11 and the Future of World Order, http://www.ssrc.org/sept11/essays/smith.htm