e enjte, 2 gusht 2007

Zbulohen varret e betejës së Sfetigradit!

Pas 558 vjetësh sqarohet vendndodhja e një prej përplasjeve më të mëdha të Skënderbeut me turqit

Pas 558 vjetësh realizohet një zbulim i jashtëzakonshëm për historinë shqiptare. Në fshatin Koxhaxhik të Dibrës së Madhe zbulohen varret e viktimave të betejës së famshme të Sfetigradit, ku heroi Kombëtar Skënderbeu pësoi humbjen e parë nën drejtimin e Lidhjes. Kanë qenë një grup specialistësh vendas, që ditët e fundit kanë ndërmarrë një ekspeditë të thjeshtë, por që për nga rëndësia e zbulimit mund të quhet një punë e jashtëzakonshme. Burime nga pjesëtarë të kësaj ekspedite thanë dje për gazetën "Tirana Observer" se bëhet fjalë për dy masive varresh të vendosura në dy anë të pllajës, ku ishin të vendosura varret e viktimave të luftës së Skënderbeut me Sulltan Muratin II. Është folur shumë për këtë betejë të Heroit tonë dhe është vlerësuar shumë, por asnjëherë nuk është përcaktuar vendi i saktë se ku u zhvillua ajo. Ndërkohë pas më se pesë shekuj e gjysmë vjen edhe zbulimi. Pikërisht në afërsi të fshatit Koxhaxhik, një fshat që ende banohet me një etnitet turqish, janë zbuluar varret e atyre që ranë në betejë. Kjo pritet të shoqërohet më tej me studime të specialistëve të historisë për të sjellë akoma më shumë fakte.

Ekspedita

Është nisur pa shumë pretendime në fillim, por zbulimi ka një vlerë të jashtëzakonshme historike. Një grup specialistësh janë nisur në vendin ku pesë shekuj e gjysmë më parë është zhvilluar beteja e Skënderbeut dhe kanë zbuluar dy masivet e varreve. Burimet thanë se bëhet fjalë për rreth 1200 varre, që mendohet se janë të ushtarëve të Skënderbeut dhe më shumë nga pala turke. Ato janë të vendosura në dy anët e një pllaje dhe janë të ndarë në myslimanë dhe katolikë. Sipas specialistëve, kjo nën kupton se të parët janë turq dhe të dytët janë ushtarët e Skënderbeut. Deri më sot asnjë historian nuk kishte folur prerë dhe saktë për vendndodhjen e kësaj beteje, por edhe për shumë të dhëna të tjera. Madje shkohet deri aty sa fjala Sfetigrad, që në serbisht përkthehej qytet i shenjtë, mund të ndodhej në Mirditë. Por ekspedita e fundit ka sqaruar një herë e mirë të gjithë këtë dilemë.

Varret dhe viktimat

Gjithçka është e vendosur në pllajën e malit që kap lartësinë 1200 metra mbi nivelin e detit. Sipas historianëve, beteja është zhvilluar në luginën e Drinit të Zi, por duhet thënë se herë pas herë të plagosur, por edhe të vrarë, tërhiqeshin në majën e malit nga shokët e tyre. Në fund të betejës aty është bërë edhe varrimi i viktimave. Numri i ushtarëve të vrarë mendohet të jetë afro 1200 persona. Skënderbeu duke luftuar nga jashtë kështjellës arriti të korrte suksese të mëdha. Nga varret e zbuluara mendohet se janë rreth 900 myslimanë(turq) dhe rreth 300 katolikë (shqiptarë).

Historia e betejës së Sfetigradit, më 1448

Në qershor të vitit 1448, një ushtri e madhe osmane e komanduar nga Sulltan Murati II së bashku me të birin e tij 21-vjeçar, Mehmetin II, i cili më pas do të bëhej edhe ai sulltan. Ajo u përqendrua mbi kështjellën e Sfetigradit, si baza kryesore në sistemin mbrojtës të brezit lindor. Garnizoni i përbërë kryesisht nga dibranë dhe i drejtuar nga matjani Pjetër Perlati, jo vetëm hodhi poshtëë kërkesën për dorëzim pa luftë, por e mbajti me heroizëm kështjellën, duke thyer të gjitha sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane. Skënderbeu godiste pa ndërprerje ushtrinë me sulme të befasishme dhe arriti të hynte deri në kampin e ushtrisë osmane. Kjo e lehtësoi detyrën mbrojtëse të kështjellës. Garnizoni rezistoi deri sa osmanët arritën të zbulonin e të prishnin kanalin e furnizimit të kështjellës me ujë të pijshëm. Pas bisedimeve me sulltanin, Pjetër Perlati dorëzoi kështjellën, me kusht që të largohej i lirë bashkë me armët. Në korrik të vitit 1448, Sfetigradi kaloi në duart e osmanëve. Për lidhjen e Lezhës kjo ishte një humbje. Kështjella e Sfetigradit ishte baza ushtarake kryesore e pjesës jugore të brezit kufitar lindor të trojeve shqiptare.

Kane thënë për betejen e sfetigradit

Marin Barleti, historian
Historiani, i cili ka bërë një nga veprat më të plota për figurën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeun Marin Barleti ka thënë për Sfetigradin është një vend i lartë me shikim në luginën përreth dhe pa burim uji. Dibra e është si portë e shtetit të Skënderbeut. Për këtë arsye ai nuk donte kurrësesi ta linte në duart e osmanëve.

Kasëm Biçoku, historian
Sfetigradi nuk ka qenë në Koxhaxhik, por në krahinën e sotme të Demir Hisarit të Maqedonisë. Në këtë përfundim është arritur nëpërmjet shqyrtimit të kujdesshëm të të dhënave të regjistrave kadastralë osmanë të shekullit XV, të botuara prej autorëve sllavë.

Historiografia sllave
Disa historianë sllavë janë shprehur se Sfetigradi nuk ka qenë në Koxhaxhik. Për vendndodhjen e tij ata kanë dy qëndrime. Njëri qëndrim e lokalizon Sfetigradin në fshatin Rahovnik (qyteti i sotëm i Dibrës) dhe tjetri në Malin e Shenjtë të Mirditës. Këto nuk mbështeten nga burimet historike dhe as nga vëzhgimi i terrenit (dëshmitë materiale). Në Rahovnik dhe në Malin e Shenjtë të Mirditës nuk ka pasur kështjella në kohën e Skënderbeut.

Të dhënat e para për Sfetigradin

Emri i Sfetigradit përmendet në dokumentet e kohës së Skënderbeut në kronikat e autorëve bizantinë, në veprat e historianëve të vjetër osmanë, mbi të gjitha në historinë e Marin Barletit, që është vepra themelore dhe më e rëndësishmja për të njohur jetën dhe veprimtarinë e Heroit tonë Kombëtar. Kronisti bizantin, Laonik Halkokondili është burimi tregimtar më i hershëm që flet për këtë kështjellë. Ai e përmend atë me emrin Sfeti.

Të dhëna për betejen
1. Beteja e Sfetigradit u zhvillua në qershor të vitit 1448
2. Kjo shënonte humbjen e parë të Lidhjes së Lezhës nga turqit
3. Sipas kronikanëve të kohës janë vrarë 1200 ushtarë
4. Mori emrin e Sfetigradit (qyteti i shenjtë), sepse aty ndodhen shumë vende kulti
5. Ajo zgjati një muaj, nga qershori deri në korrik
6. Skënderbeu nuk ishte në kështjellë, por sulmonte nga malet
7. Pa betejës aty u shpërngulën shumë turq, ku nisën jetën e tyre. Dhe sot fshati Koxhaxhik është i banuar nga popullsi turke
8. Vetë fshati Koxhaxhik e ka marrë këtë emër nga turqishtja, që do të thotë "betejë e madhe"
9. Varrezat ishin ndarë në dy pjesë, në myslimane, rreth 900, dhe katolike, rreth 300
10. Pasi iu ndërpre uji nga osmanët, kështjella u dorëzua


Erion HABILAJ Gazetatiranaobserver

Nuk ka komente: