MA. Agon Rrezja
Diskursi perëndimor i kastriotasve
Kryengritja e përgjithshme arbërore (1443)
Në vitet e 40-ta të shek. XV Sulltan Murati II u interesua për pushtimin e Hungarisë. Me këtë rast, trupat osmane të udhëhequra nga bejlerbeu i Rumelis, Shehabedin Pasha, u munduan më kot të pushtonin territoret hungareze në vitet 1441-1442 sulme të cilat përfunduan me disfatë. Pasi që u thye miti mbi ushtrinë osmane, hungarezët u përgatitën për “fushatën e gjatë” kundër osmanëve për të çliruar viset e pushtuara në Ballkan. Kësaj ekspedite i ndihmoi edhe sulmi i Ibrahim beut të Karamanis mbi qytetet e Anadollit.
Në bedenat e Arbërisë veri-lindore
Pas humbjeve të njëpasnjëshme të osmanëve në Ballkanin qendror, sulltan Murati II vendosi që me anën e dredhive ta shtinte Skënderbeun në mes të dy zjarreve duke e rrethuar Sfetigradin dhe duke e shty në luftë me Venedikun më 1447.
Në
547 vjetorin e vdekjes
Diskursi perëndimor i kastriotasve
Kastriotasit,
kjo familje princërore arbërore, doli në skenën politike aty në gjysmën e dytë
të shek. XIV pas vdekjes së Dushanit (1355). Origjina e tyre sillet në
trekëndëshin Prizren-Mat-Dibër.
Sipas
traditës mesjetare feudale, Kastriotasit medoemos duhet të ishin në shërbim
ushtarak si komandant apo feudal lokal në Arbëri. Në vitin 1368 për herë të parë
përmendet një Kastriotas kështjellar në qytetin arbëror të Kaninës, si
dëshmitarë në një kontratë, ndërkaq, në Betejën e I të Kosovës (1389) Gjergj
Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut u rreshtua në koalicionin perëndimor kundër
osmanëve.
Sipas
kronikave osmane ai në këshillin e luftës dha ide se si ishte më së miri ta
fillonin betejën. Gjon Kastrioti në vigjiljen e shek. XV do të del si aleat i
Balshajve në luftë kundër sundimtarëve rashian të cilët ishin vasal të
devotshëm të Perandorisë Osmane.
Invadimi
dhe presioni i osmanëve për ti gjunjëzuar Kastriotasit, tërësisht, bëri që këta
të lidheshin ngushtë me Republikën e Raguzës si dhe me superfuqinë detare e
tregtare të Adriatikut, me Venedikun. Rrjedhat politike të cilat e shoqëruan
truallin arbëror gjatë viteve të 80-ta bënë që një pjesë e mirë e princërve
t’iu bie fuqia politike me ç’rast pranuan vasalitetin osman ndaj sulltanit të
ri, Bajazidit I.
Megjithatë,
Gjon Kastrioti nuk duroi gjatë dhe në bashkëpunim me republikën e Venedikut
ndezi kryengritjen në vitin 1429 por që u shua nga sulltan Murati II si shkas i
rënies së Selanikut 1430. Sulltani në fjalë ia shkatërroi kështjellat, duke e
lënë domenin e Gjonit vetëm në Krujë ndërkaq zgjidhje e vështirë ishte dërgimi
peng i dy djemve të tij, Gjergjit dhe Stanishës.
Kryengritja e përgjithshme arbërore (1443)
Në vitet e 40-ta të shek. XV Sulltan Murati II u interesua për pushtimin e Hungarisë. Me këtë rast, trupat osmane të udhëhequra nga bejlerbeu i Rumelis, Shehabedin Pasha, u munduan më kot të pushtonin territoret hungareze në vitet 1441-1442 sulme të cilat përfunduan me disfatë. Pasi që u thye miti mbi ushtrinë osmane, hungarezët u përgatitën për “fushatën e gjatë” kundër osmanëve për të çliruar viset e pushtuara në Ballkan. Kësaj ekspedite i ndihmoi edhe sulmi i Ibrahim beut të Karamanis mbi qytetet e Anadollit.
Hungarezët
të udhëhequr nga Janosh Huniadi princi i Transilvanis u lëshuan përgjatë
Danubit në territorin e despotatit të Rashës ku iu bashkëngjit edhe Gjergj
Brankoviçi. Kështu, në një letër që e dërgon Huniadi në Hungari thotë se
ushtria e tij po rritej vazhdimisht me bullgar, “arbër”, vlleh, serbë etj, të
cilët dëshironin që të çliroheshin nga zgjedha osmane.
Te
dy ushtritë u takuan në afërsi të Nishit më 3 nëntor 1443. Sipas Jozef von
Hamerit, ushtria osmane përbëhej prej tri kolonave të gjata të cilat
komandoheshin prej bejlerbeut të Rumelisë, Kasem Pashës. Njëra kolonë ishte nën
Is-hak beun, nga familja e Evrenozëve, e dyta komandohej prej “një beu të
panjohur” që ndoshta duhet të ketë qenë Skënderbeu. Dhe e treta nën Turhan
beun, kolona të cilat u shpartalluan nga hungarezët. Pasi ushtria osmane pësoi
disfatë të rëndë Skënderbeu shfrytëzoi rastin që te kthehet në vendlindjen e
tij duke kaluar pikërisht nëpër Kosovë.
Albanologu
i njohur, Haxhi Krasniqi, në “Tregime popullore për Skënderbeun” të mbledhura
në viset e rrethinës së Prizrenit, thuhet se “Skënderbeu kishte shëtitur dhe
mbledhur gurë në lumin e Drinit dhe kishte meremetuar kalanë e Prizrenit”. Kjo
kryengritje njëherit konsiston edhe me çlirimin e viseve të tjera shqiptare të
Kosovës duke depërtuar në lindje deri në kështjellën e Zveçanit dhe Novobërdës.
Zotërues të këtyre dy kështjellave sipas Konstantin Jireçekut, janë Pjetër
Spani me birin e tij Aleks Spanin si sundimtarë të kësaj ane. Kurse qytetin e
Prizrenit dhe të Pejës e kishin në duar Dukagjinasit. Pas Prizrenit, Skënderbeu
u drejtua për në Tetovë e Dibër përmes rrugës lokale e njohur në popull si
“Udha e Gorës”. Atje, organizoi planin për marrjen e kështjellës së Krujës me
anë të një dredhie e cila është folur tash e sa herë nga studiues të ndryshëm.
Në bedenat e Arbërisë veri-lindore
Pas humbjeve të njëpasnjëshme të osmanëve në Ballkanin qendror, sulltan Murati II vendosi që me anën e dredhive ta shtinte Skënderbeun në mes të dy zjarreve duke e rrethuar Sfetigradin dhe duke e shty në luftë me Venedikun më 1447.
Për
t’ia hequr Skënderbeut barrën e ushtrisë osmane, Janosh Huniadi, princi i
Transilvanisë, i shpalli luftë osmanëve. Ai organizoi një ushtri të madhe me
afro 50.000 veta dhe u drejtua në pjesën e Kosovës lindore, respektivisht në
Fushën e Kosovës. Ai donte të merrte hakun e betejës së parë më 1389.
Bën
një marrëveshje të msheft me Skënderbeun, ku do të duhej të bashkoheshin në
Fushë të Kosovës dhe ta dërrmonin ushtrinë osmane.
Për
këtë Princat Dukagjinas në kuvendin që mbajti Gjergj Kastrioti në Lezhë, ishin
të parët që u ngritën në këmbë në përkrahje të planit të dy strategëve
evropian.
Kështu
Barleti na sqaron se Pali u ngritë në këmbë duke e përkrahur Skenderbeun. Ai
mori një nismë për t’i bindur të tjerët për këtë si detyrë jetike për ta
shporrur tiraninë e sulltanit nga trojet arbërore. Për këtë ai shprehet
se “…po ia fal veten e po ta doj puna, ia bëj edhe fli, bashkë me pesë mijë
ushtarë, luftës hungareze…”.
Gjeo-strategjikisht
dihet se kufijtë e tyre kufizoheshin me ato të Gjergj Brankoviçit diku në
Drenicë (me Llapushën, A.Rr) dhe ishte në interes që t’i largonin Osmanët nga
domeni i tyre.
Është
në interes të dihet se cilën rrugë gjeostrategjike e përshkoi Skënderbeu bashkë
me Pal e Nikollë Dukagjinin për tu bashkuar me Janosh Huniadin në Fushë Kosovë.
Derisa
Lufta e Dytë e Kosovës kishte filluar ku forcat osmane në përleshje të
parakohshme ishin thyer keqas më 18-19 tetor 1448, forcat arbërore të prira nga
Gjergj Kastrioti dhe Pal e Nikoll Dukagjini ishin ende rrugës për në Fushë
Kosovë.
Nëse
i referohemi Krisobulës së Deçanit të vitit 1330, atëherë rruga që të çonte nga
Prizreni për në Drenicë e Trepçë ishte kjo: Prizren – Krushë – Hoqë e Vogël dhe
e Madhe – Rahovec dhe nga aty hynte në fshatrat e Llapushës në Jashanicë –
Shtitaricë– Ujmir – Qabiq nga ku rruga shkonte në territorin e Drenicës
së Epërme e prej këtu për në Trepçë.
Kosova
Perëndimore alias Arbëria veri-lindore hynte brenda kufijve të principatës së
Dukagjinasve. Andaj, motivi i tyre për të marr këtë fushat ishte edhe më i madh
pasi që ishte në interes të tyre të ruanin apo zgjeronin domenin e vet. Për
Luftën e II të Kosovës na jep të dhëna kronika e Xhovani Restit, kronistit
raguzan (1669-1735) në të cilën thuhet se ardhja e Skënderbeut për t’i ndihmuar
Janosh Huniadit u pengua nga Gjergj Brankoviqi, dhëndri i sulltan Muratit II.
Ai i kishte zënë grykat midis Shqipërisë (Albaniae) dhe vendit të vet
(Sclavoniae).
Në
mbështetje të kësaj kronike mund të llogaritet edhe e dhëna e Barletit ku thotë
tekstualisht “…Ushtria po hynte me një hare të pazakontë dhe me flamuj në dorë
po hynte në tokat e Misisë…kur fati i pamëshirshëm apo mizoria e disa
krishterëve të ndyrë si ndëshkim sigurisht nga perënditë i dhanë shkas vetëm
një njeriu…ky ishte Gjergj Vukoviqi…Prandaj me të marr vesh gatitjen e luftës
hungareze dhe mbërritjen e Skënderbeut, ai ia mbylli këtij të gjitha rrugët e
shtigjet nga mund të kalonte…Me gjithë këtë, që të mos mbetej fare pa u shpaguar
për dhëmbjen që e helmoi zemrën dhe pa e marrë hakun me ndonjë farë veprimi për
pabesinë e Gjergjit, u lëshua menjëherë kundër viseve armike të Dhespotit
bashkë me ushtrinë e vet të mënishme dhe pasi i plaçkiti gjerësisht, u vuri
zjarrin e i shkatërroi me shpatë an’e mban…”.
Në
konsolidim të shtetit centralist
Pas
betejës së II të Kosovës 1448, Dukagjinasit u shkëputën nga Lidhja e Lezhës
duke anuar nga venedikasit për tu lidhur përfundimisht me osmanët. Venedikasit
bënin çmos që t’i shkëputnin Pal dhe Lekë Dukagjinin nga Skënderbeu, pasi që e
dinin se pa këta princa, ai do të ishte i pafuqishëm duke pas parasysh
formacionin e tyre ushtarak prej 5000 vetash.
Dukagjinasit
dolën nga Lidhja e Lezhës si duket me pretekstin se ata nuk përfaqësoheshin denjësisht
në Lidhje dhe se të ardhurat e tyre nuk ishin të mjaftueshme për nevojat e
tyre, duke e pasur parasysh që familja princërore ishte e madhe e me shumë
pinjoj.
Sipas
Millan Shuflljat, papa dërgoi Pal Dushmanin (Engjëllin) në vitin 1452,
peshkopin e Drishtit, i cili ishte në farefisni me Dukagjinët. Ndërmjetësimi i
tij pati sukses, sepse Dukagjinasit u shkëputën nga miqësia me osmanët dhe
lidhën paqe me Skënderbeun.
Kjo,
edhe ishte arsyeja që Sulltan Mehmeti i II pas pushtimit të Konstantinopojës
1453 u vërsul për ti pushtuar viset e Kosovës. Ai urdhëroi Isa beun që ta
rrethoj kështjellën e Novobërdës. Pas një rrethimi njëvjeçar dhe pas
bombardimit 40 ditësh, qyteti pushtohet më 1 qershor 1455. Së bashku me të
pushtohen edhe dy kështjella në afërsi: Prilepci dhe Prizrenci. Në veri u
pushtuan kështjella e Zveçanit, dhe Trepça me përjashtim të Prizrenit dhe të
Pejës.
Se
kur u pushtua qyteti i Prizrenit, në historiografinë e huaj dhe atë shqiptare
ka mendime të ndryshme. Problemi i pushtimit të Prizrenit dhe të rrethinës
është objekt studimi dhe do të jetë edhe në të ardhmen për shkak se zotërimet e
Prizrenit shkonin në kufi të despotatit të Rashës, apo të despotit të Gjergj
Brankoviqit, të cilat nëse bazohemi tek defteri i Vilajetit të Vukut (1455),
përputhet me pohimin se shtrirja e këtij vilajeti nuk e kalonte territorin e
Gjergj Brankoviqit.
Jireçeku,
mendon se Prizreni është pushtuar më 21 qershor 1455. Këtë e ndjek edhe
Franc Babingeri në biografin e Mehmetit II, por asnjëri e as tjetri nuk na jep
proveniencën e kronikës apo burimit arkivor.
Një
fragment i publikimit të Defterit të Ejaletit të Rumelisë të “nahisë së
Bistricës” (1451-1452), nga orientalisti shqiptar, Dr. Ilaz Rexha, kishte tre
distrikte (nahije): Nahinë e Rudinës, Domeshtiqit, dhe të Gorës të cilat hynin
në nën njësinë tjetër të quajtur “Nahija e Shqiptarëve” – “Arnavud Nahiyesi”.
Shkaku pse është quajtur kështu, mendon Ilaz Rexha, është se administrimi i
këtij defteri shkonte deri tek fshati Klina i cili në mesjetë qeverisej nga
princërit arbëror.
Administrata
osmane këto vende, zakonisht i quante si vende të shqiptarëve, psh. Karl-ili
(Vendi i Karlit), Juvan-ili (vendi i Gjonit) pastaj Sanxhaku i Dukagjinit i
cili u formua në Kosovën Perëndimore gjatë shek. XV-XVI etj.
Edhe
pse pushtimet apo sulmet bëheshin nga ana Osmane, administrata e tyre nuk
vendosej nëpër qytete, po as edhe në fshatra. Nëse përmendej ndonjë spahi, apo
timar, në njërin prej fshatrave të rrethit të Prizrenit, si është ai i
Drenekurtit, në afërsi të Reçanit, mendoj se duhet të jetë fshati
Kastërc-Nishor i Llapushës. Apo fshatrat e Gorës, sipas regjistrimit të
sanxhakut të Tetovës 1455. Dhe si rast konkret figurimi i nahisë së Dollcit me
5 fshatra: Gllarevë, Dobërdol, Jashanicë e Poshtme, Jashanicë e Epërme dhe
Jellavica, në defterin e “Vilajetit të Vukut” (1455). Në nahinë e Vuçitërrnës:
fshati Drenovc i komunës së Malishevës. Në nahijen e Moravës: Tërpeza e Poshtme
dhe Epërme, si dhe Karaçica.
Megjithatë,
mund të themi se ky fenomen ishte normal për kohën pasi që këto regjistrime
bëheshin formalisht. Në to nuk kishte spahi që qëndronin aty. Nuk kishte vjelje
të taksave, për shkak se këta spahi qëndronin jashtë timarit të tij, për sa
ishin gjallë Dukagjinasit dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke vepruar për
konsolidimin e pushtetit në pjesën verilindore të Arbërisë.
Prizreni
(ndoshta) u pushtua përkohësisht në vitin 1459 dhe Peja më 1463. Prof. Dr.
Skënder Rizaj, kundërshton Jireçekun dhe Franc Babingerin duke u bazuar në
historianin turk Ismail Uzunçarlshli.shton se “në vitin 1459 veziri Mahmut
pasha, pas pushtimit të Smederevës e nënshtroi edhe Prizrenin kryengritës.
Ndërkaq,
osmanologu i njohur Jozef von Hameri thotë se: Mehmeti pasi e pushtoi Prizrenin
më 1459 iu vërsul Smederevës.
Kjo
mund të forcohet edhe nga e dhëna e kronikës së kronistit osman Oruçit ku
tregon: “Në vitin 863 hixhri (1459), Sulltani, mblodhi ushtarë dhe sulmoi
Semendren (Smedereven) të cilën e pushtoi dhe aty caktoi Mehmet beun si
administrues, ndërsa Evrenos beun (Isa beun, A.RR) e urdhëron që të sulmoj
Vilajetin e Shqiptarëve”.
Mirëpo,
ky pushtim ishte i përkohshëm, sepse nuk ishte konsoliduar pushteti osman në
këtë qytet. Prezenca e Skënderbeut në këtë trevë dhe ideja e tij e shtetit
centralist që synonte ta krijonte, gjeti vend gjatë viteve 60-ta.
Në
dokumente të viteve 1460-63 ai cilësohej si “Zot i Arbërisë”. Për këtë shkak
Lekë Dukagjini shprehet “se nuk don të jetë më nën Skënderbeun”. Ndërmjetësimi
i papa Piut II me ndihmën e Pal Engjëllit, peshkopit të Durrësit, në vitin
1463, bënë që Leka të shkëputet përfundimisht nga Osmanët dhe të pajtohet me
krye-heroin duke i shërbyer deri në shtratin e
vdekjes.
Për
ta siguruar kufirin veri-lindor dhe me kërkesën e mbretit boshnjak, Tomashit,
Skënderbeu kreu një fushatë të suksesshme në Sjenicë më 1464. Këtë e pohon edhe
kronisti Osman Ashik Pasha Zadeja në “Historinë Osmane”, ku thotë: “në
vitet 1462-63 Mehmet hani, pushtoi Bosnjën dhe në atë kohë, kishte si synim
Hercegovinën dhe Shkodrën e shqiptarëve, ai nguli këmbë edhe për të tjera (kështjella,
A.Rr)”.
Sipas
medievisti rumun, Dr. Francisk Pall, i cili kishte hulumtuar burimet mesjetare
të Arkivit të Napolit, konkludon se Skënderbeu në fillim të muajit shtatorë të
vitit 1464 u nis me ushtrinë e tij nëpër Prizren - Pejë në drejtim të Sjenicës,
me qëllim që të ndeshet me ushtrinë osmane në Sjenicë.
Mirëpo
për shkak të ardhjes së ushtrisë osmane e cila kishte filluar të plaçkiste
përreth Ohrit, ai u drejtua të kthehet dhe iu dol përballë ushtrisë osmane,
betejë të cilën edhe e fitoi.
Në
qoftë se kjo tezë merret për bazë nga medievistët dhe nga studiuesit e tjerë,
atëherë do të linte të kuptojmë se Rrafshi i Dukagjinit duke përfshirë edhe një
pjesë të Drenicës ishte ende brenda kufijve të shtetit centralist të Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut, deri në kohën kur ai u sëmur në shtratin e vdekjes më
1467.
Pra,
krye-heroi ynë arbëror, të gjithë ellanin e tij ushtarak, intelektual e
kulturor ia kushtoi vendit atëror, Arbërit, ku për 25 vite iu bëri ballë të
gjitha sulmeve të jashtme e të brendshme qoftë nga osmanët apo venedikasve. Jo
rastësisht, dy dekada më para, do të deklaronte në kuvendin e Lezhës se ishte i
interesuar të rikrijonte shtetin e Balshajve për të qenë digë kundër
depërtimeve osmane në Ballkan.
(Autori
është në
studime doktorale të Mediavistikës pranë Institutit të Historisë Nacionale në
Shkup. Poashtu, bashkpuntor i jashtëm i Institutit Albanologjik në Prishtinë)
Nuk ka komente:
Posto një koment