Përurohet Muzeu 'Ibrahim Kodra'
Flet politikani dhe biznesmeni Behxhet Pacolli.
Nga Evis Golja
12 Shkurt 2010

Do zgjidhej pikërisht 7 shkurti, dita e përvjetorit të vdekjes së Ibrahim Kodrës, për tu inaguruar Muzeu dedikuar shqiptarit dhe artistit të madh, në Melide, një nga zonat më piktoreske të Lugano-s, me inisiativën e biznesmenit dhe politikanit kosovar Behxhet Pacolli i cili, së bashku me z.Fatos Faslliu, janë autorizuar nga vetë Kodra «të kujdesen për trashëgiminë e tij kulturore».
Në një ambjent majft të këndshëm e mikpritës, nëpërmjet dritareve të mëdha të së cilës admirohet liqeni i bukur i Lugano-s, ku për çdo detaj është treguar një kujdes i veçantë, duke filluar që nga qirinjtë, që të shoqërojnë përgjatë hyrjes, e deri në përshëndetjen e mirëseardhjes që z.Pacolli, në hyrje të sallë, i bën personalisht çdo të ftuari, pasditja e 7 shkurtit kthehet në një moment krejtësisht të veçantë për të gjithë.
Në muret e kësaj ndërtese shumëvjeçare, janë ekspozuar mjaft punime të Kodrës, totem-at karakteristike dhe dalluese të artit të tij, faqe gazetash nga shtypi i kohës, dëshmi që Maestro ka marrë në vite e deri edhe veshjet e tij «të çuditshme», këpucët dy ngjyrëshe e çorapet shumëngjyrëshe, ku asnjë prej tyre nuk lidh me tjetrën.
Sepse kështu e shikonte botën ai, shqiptari Kodra, plot ngjyra që do ishin karakteristike edhe në punimet e tij. Për cilindo nga ne, që e ka njohur Maestron dhe artin e tij, këto elemente dikur nuk përbënin asnjë çudi ndërsa sot, tek i rishokojmë të ekspozuara, ato, padyshim, kthehen në emocion.

Bexhet Pacolli flet gjatë dhe tregon punën që ka bërë në gjithë këto vite pas ndarjes nga jeta të Kodrës dhe atë që mendon të bëj në të ardhmen, duke filluar së pari nga mbledhja e punimeve të Kodrës, kudo që janë, për t'i ekspozuar në ambjentet e këtij muzeu, projekti i të cilit është të zgjerohet akoma më shumë për tu kthyer në një nga muzeumet më të mëdhaja të këtij lloji.
Ndaj edhe inagurimin e tij, nëpërmjet kësaj ekspozite, e nderuan me pjesëmarrjen e tyre autoritete zviceriane, kritikë arti sidhe ata, që në këtë rast nuk mund të mungonin, mjaft shqiptarë të Milanos, një pjesë e të cilëve kishin patur fatin ta njihnin Maestron personalisht. Padyshim është paksa e vështirë të mundesh të flasësh me z.Pacolli, por gjithsesi gjej rastin për t'i drejtuar atij 2-3 pyetje. I qeshur dhe me mjaft përzemërsi z.Pacolli do t'i përgjigjej pyetjeve të mia në lidhje me këtë projekti i cili, momentalisht, realizoi fazën e parë të tij.
«Po, ky është hapi i parë. -do përgjigjej z.Pacolli -Ne kemi krijuar një Fondacion, që quhet «Ibrahim Kodra», i cili është krijuar menjëherë pas vdekjes së Kodrës. Ky Fondacion ka bërë hapin e parë, që është hapja e Muzeut «Ibrahim Kodra», këtu në Zvicer, sigurisht muzeu i parë krahas shtëpisë ku ai ka jetuar, pra jashtë Shqipërisë dhe Kosovës dhe do të pasojë me hapjen e një Muzeu në Prishtinë dhe Tiranë, pasi mendoj se këto dy vende kanë ngelur pak mbrapa në këtë drejtim dhe kështu mund ta njohin Ibrahim Kodrën. Nëse Muhameti nuk shkon tek Kodra, Kodra shkon tek Muhameti dhe, nëse ata nuk kanë mundur të njohin Ibrahim Kodrën, tani ne do ta çojmë Ibrahim Kodrën dhe veprat e tij në Kosovë dhe Shqipëri. Dhe ne mbesim, po e theksoj, me shpresën më të madhe që amanetin e tij ta çojmë në vend, trupin e tij ta zhvendosim në Tiranë dhe varrin e tij ta dekorojmë në një mënyrë shumë të thjeshtë, me dy gurë, njëri nga Kosova e tjetri nga Shqipëria».
Ndërsa, në lidhje me kontributin e shtetit shqiptar në projektet mbi Kodrën, z.Pacolli do shtonte: «Kontributi i shtetit shqiptar do të ishte shumë i madh vetëm nëse nuk do të pengojë dhe do mbështesë inisiativën mirëdashëse për Ibrahim Kodrën. Ibrahim Kodra e ka dashur shumë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe ai e meritonte që amaneti i tij të realizohej por, siç ndodhi, ky amanet nuk u realizua. Më kujtohet, me shumë keqardhje momenti kur u rrëmbye prej pushtetit të atëhershëm kufoma e tij prej aeroportit të Rinasit dhe e çuan për në një fshat ku ai nuk donte të varrosej. Dhe ne duhet të bëjmë çmos, të lusim çdokënd që e don Ibrahim Kodrën që kufoma e tij të kthehet aty ku ai donte».

Pasditja jonë e këndëshme do të shoqërohej nga një mbrëmje akoma më e bukur. Për të gjithë të ftuarit z.Pacolli kishte shtruar një darkë, në Hotel Swiss Diamond, fare pranë Muzeut, ambjentet e bukura të të cilit ishin zbukuruar me mjaft punime të Kodrës. U larguam nga Zvicera, pas mesnatës, ndoshta për t'u mbledhur përsëri, në të njëjtin vend, në datat përkujtimore të Mjeshtrit të madh Ibrahim Kodra, ashtu siç do të shprehej edhe vetë z.Pacolli, duke ju drejtuar të ftuarve, para ndarjes: «Ju falenderoj për praninë tuaj dhe ju ftoj të vini përsëri. Dyert e këtij Muzeu do t'i gjeni gjithmonë të hapura ashtu siç do të gjeni gjithmonë edhe një zemër të hapur».
Nuk ka komente:
Posto një koment