e enjte, 2 gusht 2007

Zbulohen varret e betejës së Sfetigradit!

Pas 558 vjetësh sqarohet vendndodhja e një prej përplasjeve më të mëdha të Skënderbeut me turqit

Pas 558 vjetësh realizohet një zbulim i jashtëzakonshëm për historinë shqiptare. Në fshatin Koxhaxhik të Dibrës së Madhe zbulohen varret e viktimave të betejës së famshme të Sfetigradit, ku heroi Kombëtar Skënderbeu pësoi humbjen e parë nën drejtimin e Lidhjes. Kanë qenë një grup specialistësh vendas, që ditët e fundit kanë ndërmarrë një ekspeditë të thjeshtë, por që për nga rëndësia e zbulimit mund të quhet një punë e jashtëzakonshme. Burime nga pjesëtarë të kësaj ekspedite thanë dje për gazetën "Tirana Observer" se bëhet fjalë për dy masive varresh të vendosura në dy anë të pllajës, ku ishin të vendosura varret e viktimave të luftës së Skënderbeut me Sulltan Muratin II. Është folur shumë për këtë betejë të Heroit tonë dhe është vlerësuar shumë, por asnjëherë nuk është përcaktuar vendi i saktë se ku u zhvillua ajo. Ndërkohë pas më se pesë shekuj e gjysmë vjen edhe zbulimi. Pikërisht në afërsi të fshatit Koxhaxhik, një fshat që ende banohet me një etnitet turqish, janë zbuluar varret e atyre që ranë në betejë. Kjo pritet të shoqërohet më tej me studime të specialistëve të historisë për të sjellë akoma më shumë fakte.

Ekspedita

Është nisur pa shumë pretendime në fillim, por zbulimi ka një vlerë të jashtëzakonshme historike. Një grup specialistësh janë nisur në vendin ku pesë shekuj e gjysmë më parë është zhvilluar beteja e Skënderbeut dhe kanë zbuluar dy masivet e varreve. Burimet thanë se bëhet fjalë për rreth 1200 varre, që mendohet se janë të ushtarëve të Skënderbeut dhe më shumë nga pala turke. Ato janë të vendosura në dy anët e një pllaje dhe janë të ndarë në myslimanë dhe katolikë. Sipas specialistëve, kjo nën kupton se të parët janë turq dhe të dytët janë ushtarët e Skënderbeut. Deri më sot asnjë historian nuk kishte folur prerë dhe saktë për vendndodhjen e kësaj beteje, por edhe për shumë të dhëna të tjera. Madje shkohet deri aty sa fjala Sfetigrad, që në serbisht përkthehej qytet i shenjtë, mund të ndodhej në Mirditë. Por ekspedita e fundit ka sqaruar një herë e mirë të gjithë këtë dilemë.

Varret dhe viktimat

Gjithçka është e vendosur në pllajën e malit që kap lartësinë 1200 metra mbi nivelin e detit. Sipas historianëve, beteja është zhvilluar në luginën e Drinit të Zi, por duhet thënë se herë pas herë të plagosur, por edhe të vrarë, tërhiqeshin në majën e malit nga shokët e tyre. Në fund të betejës aty është bërë edhe varrimi i viktimave. Numri i ushtarëve të vrarë mendohet të jetë afro 1200 persona. Skënderbeu duke luftuar nga jashtë kështjellës arriti të korrte suksese të mëdha. Nga varret e zbuluara mendohet se janë rreth 900 myslimanë(turq) dhe rreth 300 katolikë (shqiptarë).

Historia e betejës së Sfetigradit, më 1448

Në qershor të vitit 1448, një ushtri e madhe osmane e komanduar nga Sulltan Murati II së bashku me të birin e tij 21-vjeçar, Mehmetin II, i cili më pas do të bëhej edhe ai sulltan. Ajo u përqendrua mbi kështjellën e Sfetigradit, si baza kryesore në sistemin mbrojtës të brezit lindor. Garnizoni i përbërë kryesisht nga dibranë dhe i drejtuar nga matjani Pjetër Perlati, jo vetëm hodhi poshtëë kërkesën për dorëzim pa luftë, por e mbajti me heroizëm kështjellën, duke thyer të gjitha sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane. Skënderbeu godiste pa ndërprerje ushtrinë me sulme të befasishme dhe arriti të hynte deri në kampin e ushtrisë osmane. Kjo e lehtësoi detyrën mbrojtëse të kështjellës. Garnizoni rezistoi deri sa osmanët arritën të zbulonin e të prishnin kanalin e furnizimit të kështjellës me ujë të pijshëm. Pas bisedimeve me sulltanin, Pjetër Perlati dorëzoi kështjellën, me kusht që të largohej i lirë bashkë me armët. Në korrik të vitit 1448, Sfetigradi kaloi në duart e osmanëve. Për lidhjen e Lezhës kjo ishte një humbje. Kështjella e Sfetigradit ishte baza ushtarake kryesore e pjesës jugore të brezit kufitar lindor të trojeve shqiptare.

Kane thënë për betejen e sfetigradit

Marin Barleti, historian
Historiani, i cili ka bërë një nga veprat më të plota për figurën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeun Marin Barleti ka thënë për Sfetigradin është një vend i lartë me shikim në luginën përreth dhe pa burim uji. Dibra e është si portë e shtetit të Skënderbeut. Për këtë arsye ai nuk donte kurrësesi ta linte në duart e osmanëve.

Kasëm Biçoku, historian
Sfetigradi nuk ka qenë në Koxhaxhik, por në krahinën e sotme të Demir Hisarit të Maqedonisë. Në këtë përfundim është arritur nëpërmjet shqyrtimit të kujdesshëm të të dhënave të regjistrave kadastralë osmanë të shekullit XV, të botuara prej autorëve sllavë.

Historiografia sllave
Disa historianë sllavë janë shprehur se Sfetigradi nuk ka qenë në Koxhaxhik. Për vendndodhjen e tij ata kanë dy qëndrime. Njëri qëndrim e lokalizon Sfetigradin në fshatin Rahovnik (qyteti i sotëm i Dibrës) dhe tjetri në Malin e Shenjtë të Mirditës. Këto nuk mbështeten nga burimet historike dhe as nga vëzhgimi i terrenit (dëshmitë materiale). Në Rahovnik dhe në Malin e Shenjtë të Mirditës nuk ka pasur kështjella në kohën e Skënderbeut.

Të dhënat e para për Sfetigradin

Emri i Sfetigradit përmendet në dokumentet e kohës së Skënderbeut në kronikat e autorëve bizantinë, në veprat e historianëve të vjetër osmanë, mbi të gjitha në historinë e Marin Barletit, që është vepra themelore dhe më e rëndësishmja për të njohur jetën dhe veprimtarinë e Heroit tonë Kombëtar. Kronisti bizantin, Laonik Halkokondili është burimi tregimtar më i hershëm që flet për këtë kështjellë. Ai e përmend atë me emrin Sfeti.

Të dhëna për betejen
1. Beteja e Sfetigradit u zhvillua në qershor të vitit 1448
2. Kjo shënonte humbjen e parë të Lidhjes së Lezhës nga turqit
3. Sipas kronikanëve të kohës janë vrarë 1200 ushtarë
4. Mori emrin e Sfetigradit (qyteti i shenjtë), sepse aty ndodhen shumë vende kulti
5. Ajo zgjati një muaj, nga qershori deri në korrik
6. Skënderbeu nuk ishte në kështjellë, por sulmonte nga malet
7. Pa betejës aty u shpërngulën shumë turq, ku nisën jetën e tyre. Dhe sot fshati Koxhaxhik është i banuar nga popullsi turke
8. Vetë fshati Koxhaxhik e ka marrë këtë emër nga turqishtja, që do të thotë "betejë e madhe"
9. Varrezat ishin ndarë në dy pjesë, në myslimane, rreth 900, dhe katolike, rreth 300
10. Pasi iu ndërpre uji nga osmanët, kështjella u dorëzua


Erion HABILAJ Gazetatiranaobserver

Dy shpata enigmatike në Shqipëri vijnë nga beteja e Sfetigradit?

Frederik Stamati

Bëhet fjalë për dy shpata luftarake që u zbuluan më 23 korrik 2005 në një muzeum të Shqipërisë. Isha në kërkimet e mia për identifikimin e shtapave të shekujve të kaluar me mbishkrime në gjuhët orientale kur rashë, si të thuash, në to. Ishin të errëta, si thellësia e shekujve prej nga vinin. Dikur lëviznin, përplaseshin, tingëllonin, kanosnin, shuanin shpirtra, ndërsa sot... Tashmë kanë shekuj që rrinë të heshtura në botën e historisë, robina të së cilës edhe janë. Shpatat i kishte mbuluar ndryshku. Asgjë nuk shihej në to. Dukeshin si të zakonshme, e pa asgjë të veçantë. Duke ditur vendin në teh ku herë-herë gjenden data, apo mbishkrime, fillova punën paraprake restauruese. Dhe ja, doli në shifër, pastaj një tjetër, një datë, motivet. Rastësisht u ndodha përpara njërit prej zbulimeve më emocionuese për muzeologjinë shqiptare.

Atëhere nuk e dhashë lajmin. U desh të lexoja shumë, të udhëtoja mijëra kilometra e të vizitoja muzeume, të vëzhgoja motive të asaj kohe, se si konceptoheshin figurat, të krahasoja të dhënat, të zhvilloja konsulta etj, derisa vendosa ta bëj të njohur këtë fakt: ne tashmë kemi armë nga ato të përdorura në betejat e Skënderbeut. Ndoshta mund të thuhet: epokës së Skënderbeut.

Drejtori i muzeut m’u lut që të mos e tregoj muzeun se ku ndodhen ato, sepse nuk janë kushtet e sigurisë së ruajtjes dhe as ndonjë fakt që mund të çojë në identifikimin e muzeut. Unë ia dhashë fjalën dhe do ta mbaj. Sa për kuriozitet po them se ato janë dorëzuar në muze më dt 13 qershor 1970 nga një arsimtar, i cili nuk e mësoi kurrë se çfarë kishte dorëzuar. E dhashë këtë fakt për të hequr çdo dyshim për ndonjë falsifikim të mundshëm. Njëra prej shtatave është e tipit hanxhar, evropiane në origjinë, afërsisht 46 cm e gjatë, pra shpatë e shkurtër nga ato që përdoreshin në luftime trup më trup, ose në muret e kalave. Për herë të parë shpatën e shkurtër në duar të një shqiptari e përmend Barleti, e pikërisht në dorën e Skënderbeut, kur ai, akoma nën Sulltanin, u ndesh në duel me një armik, një skith mendjemadh.

Po ta godasësh këtë shpatë jep një tingull të mirë, gjë që tregon se është përgatitur me një çelik cilësor. Doreza është mbathur me dru nga të dyja anët. Për të mbrojtur dorë nga rrëshqitja e shpatës së kundërshtarit është pajisur me një hark çeliku, për të cilin në shqip nuk kemi ndonjë fjalë të veçantë.

Në teh, nga ana e mbrapme është një vit: 1449. Eshtë shpata më e vjetër e datuar që dimë deri sot të ruhet në Shqipëri. Gjithmonë vitet shkruheshin në anën e prapme të shpatës, që kur të nxirreshin pak nga milli të ngjallnin kureshtjen e të tjerëve, ose të identifikonin luftëtarin e një beteje me emër, ose të një ngjarje tjetër.
Përgjatë gjatësisë së shpatës, e në të dyja faqet, vihen re motive, që janë harqe me dy linja, të cilat mund të mos jenë thjesht zbukurime, por simbol. Ata janë gjashtëmbëdhjetë nga njëra anë dhe shtatëmbëdhjetë nga ana tjetër, gjithsej tridhjetë e tre, një numër biblik. Mos është rastësi? Harqet të kujtojnë një kurorë, ose elementë të një kurore që vihej në kokë. Mbi harqe (linjat e shifrave dhe të motiveve janë realizuar me pika; është një teknikë shumë e vjetër që përdorej mijëra vjet më parë në punimet në metal; thuajse e barazkohëshme ndeshet në ikona), është pikëzuar një zgjatim, që ndoshta simbolizon një kryq. Në fund të vargut zhvillohet një figurë, si shpend me qafë të gjatë, e të përkulur paksa anash. Kjo të kujton, se të jep një ide të stemës së Habsburgve, të vendosur mbi Portën e Zvicrës në Hofburg të Vienës.

Duke u nisur që këtu lindin hamendësime nga më të ndryshmet.
Viti 1449 është viti kur u zhvillua beteja e Skënderbeut për ta rimarrë Sfetigradin, zotërim i Aranitëve, i cili ishte pushtuar nga turqit një vit më parë, me atë ngjarjen e hedhjes së qenit të ngordhur në pus, ngjarje të cilën historiografia e sotme nuk para e beson. Kështu thonë për vitin 1449 historianët Kristo Frashëri dhe Kasem Biçoku, të dy profesorë, të mbështetur në të dhëna të reja dokumentare të padiskutueshme.
Në botimin e dytë të “Historisë së Skënderbeut, Kryezotit të Arbërisë” Noli shkruan se:”Më 25 Shtator 1449, me një ushtri 18 000, ku shërbenin disa kryqëzorë frëngj, gjermanë, dalmatinë dhe italianë, Skënderbeu e rrethoi Sfetigradin...”

Duke u nisur nga këto të dhëna mund të mendojmë se kjo është shpata e një kryqësori që luftoi nën komandën e Skënderbeut për të rimarrë Sfetigradin. Mirëpo sipas studimeve të Prof. Kasem Biçokut mercenarët kanë marrë pjesë në ushtrinë e Skënderbeut vetëm në vitin 1450. Kështu, mund të mendohet se ky luftëtar, posedues i kësaj shpate mund të ketë qenë një vullnetar i paorganizuar, apo i inkuadruar, siç përmend disa raste të tilla historia e asaj kohe.

Por ky është vetëm një variant. Poseduesi i saj mund të ketë qenë fare mirë edhe një arbër, se po të nisemi nga shpendi i modeluar, e që ndoshta është shqiponjë, mund të përmendim rastin e Lekë Dukagjinit, në stemën e të cilit shqiponja është me një kokë.
Historianët “nuk të falin” në interpretimin e dokumenteve, ata janë strikt dhe kërkime të tjera do të duhet të bëhen për të zbërthyer simbolikën e zbukurimeve në këtë shpatë, e për ta përcaktuar qartësisht përkatësinë e saj.

Shpata e dytë është si tip jatagani, 59 cm, pra edhe kjo e shkurtër. Në anën e pasme ka të stampuar një vulë të punishtes së prodhimit, që përfaqëson ndoshta diellin me tetëmbëdhjetë rreze. Pastaj, më vonë, është dekoruar me të njëjtën teknikë si edhe shpata tjetër, madje disa motive janë njëlloj, pra kjo shpatë është e të njëjtës periudhë kohore. Dekoracioni i saj i përgjithshëm tenton të japë një përbindësh, ndoshta një dragua. Sot dekoracioni vjen i dëmtuar në sajë të mprehjeve që i janë bërë shpatës në kohëra të mëvonshme. Me sa duket simboli i dragoit ka qenë tepër i përhapur në atë kohë. E gjejmë edhe në një shpatë të vjetër, por pa datë, të fondit etnografik të Institutit të Kulturës Popullore. Edhe Barleti thotë se Vojsava pa në ëndërr sikur po lindtë një dragua. Tehu i kësaj shpate është i mbathur me metal gjatë të gjithë gjatësisë së tij. Të prodhoje një shpatë nuk ishte gjë e lehtë. Kur shpatat konsumoheshin betejave ato mpriheshin, derisa vinte një kohë që ato holloheshin e pastaj mbatheshin nga kovaçi me saldim të nxehtë me rrahje. Kjo vërtetonj se shpata në shqyrtim ka qenë luftarake dhe është përdorur në shumë beteja. Këtë e vërteton edhe gjuhëza e dorezës e salduar në të njëjtën mënyrë.

Dy janë problemet që lindin për këto shpata:
1- Ato sapo u pastruan paksa për të bërë të dukshme datën dhe motivet. Por ato janë të parestauruara, e të pakonservuara. Duhet bërë një ndërhyrje e domosdoshme për të rivendosur gjendjen dhe që të ruaj “status quonë”. I vetmi laborator në Shqipëri që mund të përballojë shkencërisht dhe teknikisht një ndërhyrje të tillë të përgjegjshme është Laboratori i Konservimit dhe Arkeometrisë pranë Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë. I mirëpresim.
2- Mbas trajtimit laboratorik të dyja shpatat duhet të studiohen nga specialistë të heraldikës për të dhënë një mendim sa më shkencor dhe të plotë për to.

Historia
Beteja e Sfetigradit
Në qershor të vitit 1448, një ushtri e madhe osmane e komanduar nga Sulltan Murati II së bashku me të birin e tij 21-vjeçar, Mehmetin II u nisën drejt kështjellës së Sfetigradit, baza kryesore në sistemin mbrojtës të brezit lindor. Historia e mbrojtjes dhe dorëzimit të saj kalon nëpër dy hipoteza. Sipas Barletit, në mbrojtje të saj ishte një garnizon i përbërë kryesisht nga dibranë dhe i drejtuar nga Pjetër Perlati. Pas rezistencës ndaj sulmeve të njëpanjëshme të trupave osmane, Sulltan Murati II kërkon ta marrë kështjellën e Sfetigradit me kompromise. Por, Perlati nuk e pranon këtë kompromis. Mbrojtja e jashtme e kështjellës sigurohej nga një ushtri e drejtuar nga Skënderbue, e cila sulmonte herë pas here. Më pas Marlin Barleti na jep dëshmi që historia e shekullit të XX i kundërshton. Sipas tij, garnizoni arriti të bënte qëndresë deri sa në mes të tyre mbiu një tradhëtar. Sulltan Murati u mundua që me premtime të mëdha e dhurata të korrruptonte njerëz në mesin e mbrojtësve. Një prej ushtarëve shfrytëzoi një bestytni të vjetër të banorëve ndaj ujit të pishëm.

Më parë vdisnin se sa të pinin ujë ku ishte hedhur diccka e pisët. Në qytet kishte vetëm një pus, i cili i furnizonte të gjithë me ujë. Gjatë natës, ai hodhi një qen të ngordhur në të, të cilin e gjetën në mëngjes. Midis ushtarëve të ngujuar në kështjellë filloi pështjellimi. E vetmja mënyrë për të shpëtuar qytetarët ishte dorëzimi. Kështu Sulltan Murati II arriti të merrte Sfetigradin dhe tradhëtari u shpërblye. Dëshmitë e mëtejshme tregojnë që ai u zhduk shumë shpejt dhe mendohet se Murati vetë e eleminoi. Historia e shekullit të XX rindërton një variant tjetër. Historia e qenit të ngordhur për historianët e sotëm është variant legjende që është përcjellë ndër vite. Sipas tyre, kështjella e Sfetigradit u dorëzua pasi ushtria turke gjeti të vetmin furnizues me ujë të pishëm dhe e shkatërroi atë. Gjithashtu në “Historinë e Skënderbeut” të Marlin Barletit njihet vetëm viti 1448 si kohë kur u zhvillua beteja për marrjen e kështjellës. Historianët e sotëm kanë gjetur fakte të pakundërshtueshme që në vitin 1449 Skënderbeu kthehet në një betejë të dytë për të rimarrrë Sfetigradin. Sipas të dhënave mendohet se numri i vrarë në këtë betejë ka qenë 1200 veta.