Ekspozita “Shkëlqimi i Bizantit” prezanton në Sofje dorëshkrime të paçmueshme shqiptare
Eksponate të paçmueshme të ofruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Tiranë ndodhen në Sofje në Galerinë e Arteve të Huaja. Në botë ekzistojnë 7 Ungjij të purpurit me tekste nga Dhjata e Re. Dy prej tyre erdhën nga Shqipëria. Ata janë nga një kishë në qytetin Berat. Bëhet fjalë për dorëshkrime mbi pergamenë të purpurit – nga vjen dhe emri i tyre. Natyrisht koha ka ndryshuar shumë ngjyrat e faqeve.
Kodiku i Korçës, nr. 92 dhe nr. 93, katërungjillësh, shek. X
Me siguri kodikët nga Shqipëria janë eksponatet më të vlefshme në këtë ekspozitë. Më i vjetri është nga shekulli i gjashtë dhe është një nga 4 arketipat ekzistuese në botë, sipas të cilëve shkencëtarët restaurojnë tekstet e Dhjatës së Re. Ungjilli i dytë nga Berati është nga shekulli i IX-të.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte fshehur në një pus dhe në vitin 1968 ishte gjetur përsëri. Restaurimi i tij është bërë në Kinë. Përveç teksteve ai përfshin dhe miniature të mahnitshme të ungjillorëve Gjon, Mateu dhe Marku. Të dy kodikët në fjalë janë nën mbrojtjen e UNESKO-së.
Pjesa më e madhe e dorëshkrimeve në këtë ekspozitë janë prona e Qendrës së studimeve sllavo-bizantine “Akademik Ivan Dujçev” pranë Universitetit të Sofjes.
Ekspozita është pjesë e ngjarjeve të organizuara në lidhje me Kongresin e XXII ndërkombëtar të studimeve bizantine, i cili zhvillohet në Sofje nga 22 deri më 27 gusht të vitit 2011. Ai organizohet nga Asociacioni i bizantologëve dhe medievistëve në Bullgari dhe është nën patronazhin e UNESCO-së dhe të presidentit të Republikës së Bullgarisë, Georgi Përvanov.
Mikpritës i forumit është Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. Profesorja Aksinia Xhurova është bashkëkryetare e komitetit të organizimit të kongresit. Ajo shpjegoi se dorëshkrimet sllave, me të cilat disponojmë në Bullgari janë nga shekulli i X-të, nuk kemi më të hershme. Dhe mund të përfytyrojmë çfarë është vlera e dorëshkrimit nga Shqipëria, i shkruar në kohën kur Qirill dhe Metodi dhe nxënësit e tyre kanë qenë në këto troje.
Një nga organizatorët e ekspozitës nga ana shqiptare është shkencëtari Sokol Çunga – arkivist në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në Tiranë. Ai është në Sofje bashkë me kolegun e tij Andi Rembeci – profesor në fushën e historisë bizantine dhe paleografisë greke në Universitetin e Tiranës. Ata të dytë kanë përgatitur një kumtesë lidhur me koleksionin e dorëshkrimeve bizantine dhe postbizantine, të cilat ndodhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë.
Andi Rembeci (majtas) dhe Sokol Çunga para Galerisë së Arteve të Huaja në Sofje.
Sokol Çunga ka studiuar filologji greke, studimet e tij mastër në Greqi ishin për metodologjinë e kritikën e botimit të burimeve historike dhe prej tre vitesh punon në Arkivin Qendror të Shtetit në sektorin e dokumenteve “Mesjetë, Rinlindje, Pavarësi” – ky është sektori, në të cilin ruhen kodikët e prezantuara në Sofje. Vizituesit e ekspozitës mund të takohen me të në Galerinë e Arteve të Huaja dhe ai gjithmonë është gati të shpjegojë për kodikët shqiptarë në hollësirat më të vogla. Këtë e bëri edhe para mikrofonit të Radio Bullgarisë.
Nëse doni të dëgjoni intervistat me shkencëtarët Sokol Çunga dhe Andi Rembeci, klikoni AUDIO.
Fotografitë janë ofruar nga organizatorët