e enjte, 17 dhjetor 2009

Vepra e Bogdanit


E Diele, 06 Dhjetor 2009



Nga Ibrahim Rugova*



Filozofia e Natyres



1. Rruzullimi (Universi). Planetet



Ne kuader te krijimit te jashtem Bogdani e vendos edhe krijimin e universit apo te rruzullimit, sic i thote ai, pra krijimin e qiellit, te yjeve dhe trupave qiellore (korpenat' e qiellit), pastaj te Tokes ne teresine e universit. Se pari e jep krijimin simbas versionit teologjik te rratheve te qiejve, e pastaj ate te planeteve, si version i filozofise se natyres, qe eshte nje kompromis teologjik-filozofik. Keshtu vepron edhe me rastin kur flet per krijimin e Tokes. Pra universin, token dhe njeriun e krijesat e tjera i ka krijuar Zoti, simbas tij.

Bogdani niset nga teoria se jane dhjete qiej. Tre jane qiejt kryesore: empireo, kristalino dhe firamento. Krijimin e universit e mbeshtet ne teorine e kater elementeve te krijimit te botes, qe mesjeta e kishte marre nga Empedokli: Ajri, Uji, Zjarri, Dheu. Krysisht ne te gjitha shpjegimet e veta mbeshtetet te Ptolemeu.

Ne qiellin empiro gjendet Parajsa (Parrisi) me engjejt dhe atje e ka seline Krijuesi (Zoti). Dallon dhjete valle engjejsh, qe u pergjigjen dhjete rratheve te qiellit. Qielli firamento eshte ai qiell qe ka rene ne ujera dhe ka bere ndarjen e tyre ne ajer, ne fryme (ererat) ne zjarr, ne dete e ne lumenj. Ne kete qiell qendrojne te gjithe yjet dhe shtate planetet: Hena, Merkuri, Venera (qe kur i prin Diellit, i thone Ylli i Drites, e kur shkon mbrapa Diellit, Ylli i Mbremjes), Dielli, Marsi, Jove (Jupiteri) dhe Saturni. I teti qiell eshte firamento me yjet, pa planetet, i nenti eshte kristalino, si kristall o billur. E i dhjeti eshte qielli Primo mobile, qe leviz e sillet. Pastaj e shpjegon levizjen e planeteve qe sillen rreth diellit, po Toka nuk leviz, qe Bogdani e thote ne baze te sistemit gjeocentrik, se eshte qender e Universit, te cilen gje me mire e shohin ne skicen e dhene mbi dymbedhjete rrathe te universit. Njeheresh e jep edhe largesine e planeteve ndermjet veti dhe prej Tokes, si dhe madhesine e tyre ne krahasim me njeri-tjetrin dhe vecan me Token.



2. Zodiaku



Pos ketyre qiejve dhe planeteve flet edhe per Rrethin e Zodiakut nder qiej, qe ndahet ne dymbedhjete pjese te barabarta dhe secila pjese ka emrin e shenjen simbas nje shtaze, qe simbolizon nje "bashkari o nje miqesi nde natyret". Zodiaku duke u sjelle here para e prapa Diellit, tregon here te lindurit e here prishjen e gjerave (cshtjellimin) ne Hene e ne Bote. Po i japim emrat e ketyre shenjave te Zodiakut per kersheri qe mund te kete lexuesi i sotem:



Dashi, Mezati, Binoshi, Gaforrja, Luani, Vajza, Terezia, Skarrivojeja, Shituesi, Sjapi, Vorba, Peshku.



Sunt Aries, Taurus, Gemini, Cancer, Leo, Virgo, Libraque, Scorpius, Arcitenes, Caper, Amphora, Pisces.



3. Pushteti i Yjeve



Duke u nisur nga teoria e vet, Bogdani nuk e pranon se yjet veprojen dhe e udheheqin njeriun ne jete, sepse kete e ben Zoti. Madje nuk e pranon edhe pikepamjen se njeriu

Lind me yll te vet, mirepo e pranon se yjet dhe trupat qiellore, planetet ndikojne te njeriu. Duke u mbeshtetur ne astrologji, pjeserisht ku verehet nje anim i tij kah astronomia, pranon se te shtate planetet me virtytet e tyre ndikojne brenda moshave te njeriut:

1. Per te fole ma per te ctielle per mbi vertytte yjet, e te Pianetevet, thone astrolojte; Mbasi te lenje njeri, Hana ka force e ruen ndjere mbi-kater vjet, e ajo fomi kurraj nuk jet pa m'paq po si Hana luen: e ketyre vjete u thone kerthinjenia.

2. Kater vjec e ndjere mbi 14, e ka ndene pushtet Merkuri, e banjene posi Merkuri: e atyne vjete u thone feminjenia.

3. Kater mbi dhjete vjec e ndjere mbi 22, e ka ndene pushtet Veneri e atehere hin me dijtune shekullin e deshero me xane e me u bam i urte: e atyne vjete u thone djelmenia.

4. Njizet e dy vjec e ndjere 41, e ka ndene pushtet dielli, e u ep gjithe fuqin' e tyne: e ata vjete jane ma te miret e u thone trimenia.

5. Kater dhjete e nji vjet ndjere mbi 56, jane ndene Marcine, e prashitu aso koheje nieri ashte me i idhune se as kurraj, e i thone burrenia.

6. Pese dhjete e gjashte vjec ndjere 68, i ka ndene pushtet Gjovi (Jupiteri), e nieri ka kujdesni shpiritit e ka urti te mire e apene keshille te mira e atyne vjete u thone pleqenia.

7. Gashte dhjete e tetesh ndjere 98, i ka ndene pushtet Saturni, e nieri ashte plot me kelbaze e kujdes, e ashte gjithe i merzicim e i padurueshm: atyne vjete u thone pleqenia e mbetune; e gjithe qish jet tepere gjall, ashte posi thone profeta, mund' e te dhimtune.





4. Te marret' e Diellit e te marret e Hanese



Te zanete, te zenet e Diellit e shpjegon me faktin se Hena qendron nder ne e nder Diellin, e zihet gjithe ajo pjese qe mbulon Hena me trup te saj, se simbas Bogdanit Hean sillet rreth Diellit. Ndersa te zenet e Henes eshte ateherekur nder Henen huyn e qendron dheu, e nuk e le Henen te marre driten e diellit. Me kete rast e hedh bindjen se Henen e perbin dragoi, e keshtu nuk ben drite. Ose kur zihet dielli thone se ka fjetur nde gurre (ne uje). Kete e shpjegon me faktin se Toka, simbas sistemit gjeocentrik eshte larg yjeve te tjere dhe nuk mund te beje zenien e tyre. Eshte me renesi se kjo pikepamje e Bogdanit mbi zenien e diellit e te henes, ne fakt eshte gjeocentrike, po afer konceptit heliocentrik, qe pranon edhe levizjen e tokes dhe sjelljen e henes rreth tokes e te tokes rreth diellit.



5. Toka (Dheu)

Toka sambas Bogdanit eshte planeti me me shume uje, I mbeshtjelle me uje, zjarr dhe ajer, kushtet per jete. Token e dna ne kater rrathe: rrethi i pare este zemra e dheut (tokes) ku gjendet ferri, Limbi eshte i dyti, i treti Burgatori (Purgatori) dhe i kateri Gjiu i Abrahamit, qe ndryshe i thone edhe Fusha e Elizit (Fushat e Eliseut), ku rrinin patriarket dhe profetet e aty. Pas vdekjes, simbas teologjise ka zbritur Krishti. Ne Purgator apo ne limb qendrojne shpirtrat qe ndahen, pra behet spastrimi i tyre simbas mekateve, e caktohen per ne ferr apo per ne Parajse. Ferri qe eshte ne rrethin e pare, ne zemer te tokes eshte vendi me i shemtuar ku shkojne mekataret e ndryshem simbas llojeve te mekateve, prandaj edhe Bogdani e ndan ne "12 rreshta", rrathe si Dante (Harapi na nfoton se Bogdani e kishte bere kete sistem te dnarjes ne rrathe simbas Komedise Hyjnore edhe kur flet per Qiellin (Kozmosin), Cuneus, 1940). Aty qendron Luciferri qe kishte dashur t'i mbivihet Zotit, prandan ai e denoi te qenmdroje atje pergjithmone.



a)Elemente dhe fenomene te natyres.

Duke folur per disa besetytni se token e mban mezati, Bogdani pohon se kjo nuk eshte e vertete dhe se toka qendron vete si nje ‚gogel', si sfere pra, meqe nuk e pranon levizjen e saj. Prandaj per t'i menjanuar keso dhe bindje te ngajshme thote se nuke me dukete keq bam me prekune disa kafshe te Filozofise, me te cilin temr kuptonte filozofine e natyres ashtu si kuptohet ne kohen e tij. Duke folur per ujin ai jep te dhenen se per nga sasia ujerat jane ndare e bashkuar ne lumenj, liqene, detra e oqeane. Apstaj duke folur per ngjyren e ujerave te lumenjve thote se atae marrin ngjyren nga perberja e tokes dhe nga xehet (mineralet) si ne rastin e ujerave te Janjeves e te Novo Berdes. Si lumenj per ilsutrim permend Danubin, Drinin, Vardarin.

Kurse fenomenet e tjera natyrore i shpjegon permes kundershtiove te kater virtyteteve (cilesive) te kater elementeve: te nxetite, te ftofetit, te thatite e te njomete prej te cilave permedn atsmosfera apo mbretria e ajrit simbas tij, ku behen shienate, breshnate.

Ai flet per keto feomene atmosferike: rete niegulla, Voesa, Bora, akulli, bresheni, pastaj per fenomenet: vetetima, era dhe llojet e saj si dredhja. Flet edhe per termetin apo termekun, si thote ai, qe e merr si avull qe del nga toka po nuk mund te shpertheje, prandaj shkakton dridhje. Ne shpjegimin e ketyre fenomeneve natyrore qendron ne baza shkecore ashtu si shpjegohen edhe sot ne meteorologji e ne gjeografi pos ne disa raste ku del me i reduktuar. Duke e shpjeguar vetetimen e bubullimen Bogdani e lufton paraygjikimin se po shtie Shen-Iliu e po behej keshtu. Pra edhe ne keet fushe kishte njohuri te mira, cfare shihet nga argumentimet qe sjell duke bere fale per keto fenomene....



*Marre nga monografia me te njejtin emer te tij

Gazeta Koha Jone

e diel, 6 shtator 2009

Dhurata 40 mijë $ Bibliotekës Kombëtare

Elsa Demi 03/09.2009

Gazeta Shekulli

Amaneti i Safete Sofia Jukës, përmbushet: kursimet e jetës, 40 mijë dollarë i dhurohen Bibliotekës Kombëtare.


Plasari tha se do të përdoren për pasurimin e fondit të albanologjisë dhe balkanologjisë: "Një akt bamirës dhe një model i jetës gjithnjë e më i rrallë në ditët tona."


Lume Juka, murgeshë e urdhrit të Nënë Terezës, i shkruan më 19 qershor 2009 nga Nju Jorku, drejtorit të Bibliotekës Kombëtare:


"I ndershmi Dr. Plasari... Prof. Dr. Safete Sofia Juka - motër e jemja e dashtun e njeri me vlerë - ka depozitue në nji Bankë të New York-ut nji shumë prej $ 40.000 (dyzet mij dollarë) që t'i kalojnë Bibliotekës Kombëtare Shqiptare."


Dje, drejtori Plasari tha se kjo shumë është tashmë dhurata më e madhe dhe më e pazakontë që i është bërë ndonjëherë nga ndonjë individ, madje edhe nga ndonjë subjekt tjetër, Bibliotekës Kombëtare. Ai sqaroi se këshilli shkencor i këtij institucioni që e drejton prej më shumë se një dekade, ka marrë tashmë një vendim për administrimin e kësaj shume.


Ajo do të shfrytëzohet për pasurimin e Bibliotekës me botime të fushave të Albanologjisë dhe Balkanologjisë dhe ky koleksion do mbajë shënimin: "Nga dhurimi i Znj. Safete Juka".
Ata që e njohën disi në vitet e fundit të jetës, e quajtën Safete Sofie Jukën "Dora D'Istria e dytë shqiptare".


E lindur në Shkodër nga Musa dhe Sofie Juka. Musa Juka ka qenë kryetar bashkie në Shkodër, në vitet 1916-1925, dhe ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë në vitet 1925-1939.


Me zhvendosjen e familjes në Tiranë, ajo mori mësimet e para në Shkollën "Nana Mbretëreshë". Ishte 13 vjeçe kur prindërit e nisën në një shkollë austriake në Vjenë. Prej andej në Paris për të studiuar arkeologji, histori arti e letërsi dhe më 1950-ën merr Licence et Lettres, diplomën për filozofi në Sorbonë.


Iu bashkua familjes që ndodhej në ekzil në Aleksandri, Egjipt, ku për disa vjet dha mësime historie në Liceun Francez. Viti 1956 e gjen në SHBA, ku për afro dy dekada jep mësime gjuhe gjermanishteje e frëngjishteje në Fieldstone School në Nju Jork dhe më 1970-ën emërohet profesoreshë në Lehigh University në Pensilvani, ku dha letërsi franceze të shekujve të 19-të dhe të 20-të.


Artikujt dhe esetë e saj janë botuar në disa revista akademike Réalités ("G. Rouault peintre des âmes") Ecrits de Paris ("Le mythe de l'âge d'ore et le mythe de mémorie chez Mircea Eliade"), South Asian Revieë ("The 'self' in Marcel Proust's Remembrance of things Past"), Les Letters Romanes (Christianisme et sentiment de la nature chez André Suarès et chez Georges Rouault").


Ajo ka kontribuar për përkthimin e artikujve nga shqipja në anglisht dhe frëngjisht. Më 1984-ën do të botohej në Nju Jork në anglisht eseja e saj "Kosova, The Albanians in Yugoslavia in Light of Historical Documents".
Në nëntor të vitit 2005, ajo ndërroi jetë. Trupi i prehet në varrezat e Shkodrës pranë prindërve dhe të vëllait Fiqret.


Duke qenë se kjo dhuratë bërë kulturës kombëtare është një shembull që s'ka të dytë, "Shekulli", duke mos dashur t'i copëtojë dy letrat, njëra e Lume Jukës, në një gegërishte të pastër, dhe tjetra e drejtorit Plasari, po i botojmë të plota, sepse janë në vetvete një homazh për S.S.Jukën dhe vetëm sa ia ngrenë velin portretit të panjohur të një gruaje që habit pas vdekjes me këtë dhuratë të saj.


"ÇKA MUNDENI JU ME BA, UNË NUK MUND TA BAJ,
ÇKA MUNDEM UNË ME BA, JU NUK MUND T'A BANI.
POR SË BASHKU, MUND TË BAJMË DIÇKA TË BUKUR PËR ZOTIN."
NANË TERESA

Lume Juka New York, 19 qershor 2009


I ndershmi Dr. Plasari.

Uroj që të jeni mirë me shëndet, gjithashtu edhe njerëzit që ju don zemra.


Do të kishe dashtë me ardhë me ju takue unë vetë. Tash përtash nuk kam mundësi. Shpresoj të vij ma vonë. Por i jam lutë zonjës Shpresa Hudhrit - mikeshë e motrës dhe e jemja - të më përfaqësojë dhe ia dijta shum për nderë që e pranoi.

Prof. Dr. Safete Sofia Juka - motër e jemja e dashtun e njeri me vlerë -ka depozitue në nji Bankë të New York-ut nji shumë prej $ 40.000 (dyzet mij dollarë) që t'i kalojnë Bibliotekës Kombëtare Shqiptare.


Nuk ka kenë e pasun. Ia ka hjekë vetes me ia dhurue bibliotekës. Ka çue nji jetë fare të thjeshtë. Ka banue me qerá në nji apartament të vogël, pa lukse, por të mbushun me piktura të sajat dhe me libra në gjuhë të ndryshme.


Ka pasë nji kulturë të gjanë, por gjithashtu nji modesti të pashoqe. Respekti që kishte për dije dhe për librin ishte i pafund. Lexonte pa u ndalë, qysh se ka kenë fmí dhe i thojshim: "TI KÉ LÉ ME LIBËR NË DORË".


Nuk ka mendue kurrë me u ba "e njoftun". Çdo vepër e saj ka kenë vetëm në kërkim të së bukurës, të së mirës, të së vërtetës, tue u mundue që t'i shprehi ato në mënyrë të përsosun.

Me sá dij unë, asht e vetmja zonjë shqiptare që të ketë shkrue direkt n'anglisht nji libër për Kosovën, jashtzakonisht të dokumentuem, botue në vitin 1984. Ishte tué shkrue nji tjetër edhe ma të dokumentuem kur vdekja mjerisht e rrëmbeu.

Për familjen t'onë, mërgimi ka kenë tepër i vështirë. Me sakrifica shum të mëdhaja motra i ka ba studimet e saja.


Ndofta edhe pse ka vuejtë kaq shum i ka kuptue e ndihmue të rijtë që nuk kanë mundësi me u edukue si duhet dhe ka thanë: (në nji intervistë) "Unë kam shumë besim në popullin t'em e mbajë në vetvete nji shpresë të thellë se të rijtë e sotëm Shqiptarë - djelm e vajza - kanë me pasë mundësira me krijue e prodhue, e kur të rriten kanë me pasë çka me diftue, për jetën e krijimtarinë e tyne, gjana mâ të vlefshme se kam unë sot."

Dashtninë për atdheun e gjuhën t'onë të mrekullueshme na e mbajtën prindët. Tue shkue në shkolla të hueja na vinte ma lehtë me folë me njeni-tjetrin në gjuhë të huej. Por, posa kalojshim prakun e shtëpisë, na thojshin: "Këtu asht tokë shqiptare e flitet vetëm shqip."

Kët dhuratë, motra e ka ba me gjith zemër, e sigurtë se do të përdoret për të mirën e bibliotekës. Nuk ka vue asnji kusht apo konditë...Vetëm në se, ju dhe komisioni, do t'a shifni të arsyeshme me nderue nji gjest të tillë tue mendue se mund të frymëzojë edhe njerëz të tjerë me ba të njajtën gjâ, e kështu do t'u ndihmonte biblioteka (sugjerim i jemi).

Kam përpara nji artikull (Illyria, 18-24 mars 2006) dhe firmosë nga Ridvan Dibra, Bujar Hudhri e Dashnor Kaloci:
BIBLIOTEKAT SHQIPTARE SIMBAS ISMAIL KADARESË
Kadaré tërhoqi vëmendjen e qeverisë shqiptare për mos kujdesin e duhur ndaj bibliotekave shqiptare.


Lexuesit nuk kanë aq para sa të blejnë të gjithë librat, ndaj duhen biblioteka të mira, të kompletuara, dhe me gjitha kushtet, në mënyrë që të tërhiqet sa më shumë lexuesi drejt librit. Është përgjegjësi e qeverisë shqiptare që të ua bëjnë të lehtë leximin e librit lexuesëve.


Ju lutem, më njoftoni sa më parë:
1. Emnin e Bankës në Tiranë, gjithashtu edhe adresën e numrin e telefonit
2. Numrin e llogarisë
3. Emnin në të cilin figuron kjo llogari
4. THE SWIFT CODE
5. Emrin e Bankës correspondente (në se ká)
Më ka marrë malli shum për Shqipni, kët vend kaq të bukur që na e ka falë Perendija. Punojshim të gjithë që të ndriçojë me Dritën e Tij! Në Tiranë kam banue prej 1995- 2005, e sërish do të vij të banoj aty.


Kjo letër u bá si shum e gjatë, por m'u duk sikur po bisedojshim... Deshta gjithashtu të kishit nji idé mbi personalitetin e motrës...A më lejoni, ju lutem të ju kallxoj edhe diçka tjetër?.


Ksanthipi Dilo - pedagoge fiskulture - vajza e avokatit të mirënjoftun Vasil Dilo, vinte përditë në shtëpinë t'onë. Motrën e gjente gjithmonë tue lexue, ndërsa né të tjerët luejshim nëpër kopësht. Nji ditë, i thotë Nanës: "Safeten do t'a quajmë SOFIA, se është shumë e mençur." Në kujtim të sajë, Motra e mbajti kët emën. Ksanthipi ka kenë mikja ma besnike e familjes t'onë.


Paçim bekimin e Perëndisë!... Veprojshim me urtësí, mirësi e vetmohim që kështu edhe shpirti i motrës të qetësohet e të gëzohet, edhe - si thotë Nana Jonë Terese-"SË BASHKU BAJSHIM DIÇKA TË BUKUR PËR ZOTIN!"


Tue ju urue çdo të mirë

Me nderime
Lume Juka
P.S. Më ka marrë malli për Shqipní.
Në Tiranë kam banue prej 1995- 2005
e sërisht do të vij të banoj aty.

L. J.

P.S. Kjo letër u ba si shum e gjatë po m'u duk sikur po bisedojshim.
Në të njajtën kohë, deshta me ju dhanë nji ide mbi personalitetin e motrës.


L. J.


Tiranë, më 24 korrik 2009


Për Znj. Mrs. Lume JUKA
5330 Netherland Ave. 6F
Riverdale, NY 10471-2362
USA

E nderuar Znj. MRS. Lume JUKA,

Me emocion lexova njoftimin që më dërgoni, nëpërmjet letrës Suaj dashamirëse të mbushur me dashuri për librin dhe me vlerësim për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.


Në emër të Institucionit që, në këto momente, e drejtoj Ju falënderoj dhe Ju shpreh mirënjohje Juve për aktin fisnik të motrës Suaj të nderuar, Znj. Safete (Sofija) Juka.


Kam pasur fatin, para disa vitesh, ta takoj zonjën e ndjerë në zyrën time të punës - duke marrë me të unë një kafe, ndërsa ajo një gotë ujë - dhe të konstatoj drejtpërsëdrejti lidhjen e saj intime me librat, dashurinë e saj për kulturën shqiptare, pasionin e spikatur për historinë, posaçërisht Albanologjinë. Përshkrimi që i bëni Ju tani motrës suaj në letrën tuaj - e cila të jeni e bindur që nuk na duket aspak "e gjatë" - e plotëson për ne portretin e saj.


A do të më lejoni t'Ju siguroj që e përkap fort mirë portretin që Ju i bëni, duke qenë edhe vetë njeri që e kam lidhur ngjashëm jetën me librin? Që shpenzimet e mundshme të hequra nga paga e nëpunësit i shpenzoj - pikërisht sikurse tregoni Ju për motrën Tuaj - për libra?


Apartamenti i saj i vogël, që ka pasur për "pasuri" vetëm libra dhe piktura, sikurse Ju tregoni, më kujton apartamentin tim, gjithashtu krejt modest, që për pasuri ka jo më shumë se "libra" dhe "piktura". Ndaj dhe ndihem dyfish i emocionuar për aktin bamirës të motrës Suaj dhe për modelin e jetës së Saj gjithnjë më të rrallë në ditët tona.


Dhurimi që motra Juaj Safete (Sofija) Juka i kushton Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, përpos vlerës reale financiare, - ndihmë e vërtetë për Bibliotekën tonë, - përbën në vetvete edhe një akt mistik devocioni.


Si drejtues i Bibliotekës Kombëtare dëshiroj, gjithashtu, t'Ju siguroj që shuma e lënë prej motrës Suaj të nderuar për Bibliotekën tonë jo vetëm do të miradministrohet në respekt të legjislacionit shqiptar në fuqi, por sipas vendimin të njëzëshëm të Këshillit Shkencor të Institucionit do të përdorët vetëm-e-vetëm për pasurimin e Bibliotekës Kombëtare me botime të fushave të Albanologjisë dhe Balkanologjisë, të cilat ishin edhe fushat që pasiononin motrën Tuaj dhe në të cilat ajo bashkëndihmoi, me sa mundi, me modestinë e saj të spikatur.


I gjithë koleksioni në fjalë do mbajë shënimin e dallueshëm: "Nga dhurimi i Znj. Safete Juka".


Në këtë mënyrë kam bindjen se akti i saj do të ketë edhe shpërblesën e merituar, ndërsa kujtimi i saj do të mbetet i nderuar për përdoruesit e Bibliotekës Kombëtarë: ata të sotmit dhe ata që mbas nesh do të vijnë. Shpresoj që edhe Ju do të bini në një mendje me këtë përdorim të "kursimeve" të së ndjerës motrës Suaj.

Me respekt dhe pa padurim për t'Ju takuar këtu në Tiranë, ku Ju siguroj që do të merrni së rishti falënderimet e institucionit tonë,

Juaji
Dr. Aurel Plasari

e diel, 23 gusht 2009

Historia e hebrenjve të Elbasanit, dëshmitarë të revansheve

Ledia Lleshi

Si u strehuan nga familjet e njohura dhe kujtimet e Marko Manehamit, i cili jetoi dhe komunizmin shqiptar

ELBASAN- Hebrenjtë dhe shqiptarët një lidhje që i mbrojti nga revanshi gjerman dhe internimi në Aushvic bën pjesë tashmë në kujtesën e popujve. Kjo mikpritje ka marrë vlerësim përtej kufijve duke e renditur popullin tonë përkrah mbështetësve dhe mbrojtësve të shumë personave madje edhe familjeve që gjetën strehë duke i shpëtuar vdekjes së sigurt. Populli shqiptar ruajti integritetin e tij dhe çështja e hebrenjve u cilësua si një çështje e brendshme. Shumë vite pas, ende familjet shqiptare ruajnë kujtimet, kanë marrë vlerësimet dhe madje mirënjohjen e atyre që shpëtuan nën mbrojtjen e shqiptarëve. Nuk janë shumë, madje me certifikatën e mirënjohjes “Të drejtë midis popujve”. Një prej këtyre familjeve është familja Nosi në Elbasan. Nipi i kësaj familjes Skënder Kosturi sjell kujtimet e nënës së tij Adelinës, e cila u nda nga jeta pak kohë më parë. Në këtë familje ka jetuar një hebre, Marko Manehami, i cili nëpërmjet një letre ka treguar historinë e tij, por edhe vlerësimin për familjen Nosi që e mbajti dhe e mbrojti në çdo rast. Një tjetër rast i njohur për strehimin e hebrenjve është familja Biçaku nga Qarrishta e Librazhdit. Nga kjo familje nuk kanë mbetur dëshmitarë, pasi shumica prej tyre emigruan në mundësinë e parë drejt Amerikës apo vendeve të tjera. Një prej tyre në kujtimet e tij tregon se si i strehuan 26 hebrenj, të cilët ruajnë edhe kujtime të bukura nga përpjekjet për t’u fshehur. Një prej tyre në shtëpinë e Biçakajve u bë baba.

Hebrenjtë e Luftës së Dytë Botërore

Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Elbasan u strehuan dhjetëra familje hebrenjsh. Mbiemrat e njohur elbasanas kanë qenë edhe pritësit e familjeve hebreje, të cilat kërkonin t’i shpëtonin genocidit nazist. Mes familjeve që strehuan hebrenj përmenden familja e madhe e Biçakçinjve, Shuteriqët, familja e Vasil Nosit, Adelina Nosi, Qemal Karaosmani, Destan Kurmaku, Besim Zyma, Niko Piluri etj. Banorët e lagjes “Kala” i mirëpritën pasi panë tek hebrenjtë besimin dhe respektin që kishin ata për shqiptarët. Edhe pse pushtuesit gjermanë ishin të rrezikshëm dhe mund të masakronin familjet e tyre, ata sërish ruajtën traditën shqiptare të besës. Gjatë periudhës së luftës hebrenjtë kanë qëndruar brenda katër mureve të shtëpive ku strehoheshin. Jo vetëm familjet ku jetonin, por edhe familjet e tjera të kësaj lagjeje ofronin ndihma materiale dhe ushqimore për hebrenjtë. Pas përfundimit të luftës ata u rikthyen në Elbasan duke ju ofruar ndihmë banorëve të kësaj lagjeje. Hebrenjtë i ndihmuan më pas familjet elbasanase me viza, bursa studimi etj.

Miqësia mes familjeve elbasanase dhe hebrenjve ka ekzistuar deri vonë. Hebrenjtë u vlerësuan si njerëz të zgjuar, të suksesshëm dhe të respektuar nga të gjithë.

Dëshmitë

Mark Menahemi do të hynte në historinë e familjes Nosi në Elbasan, pasi u mirëprit dhe u strehua tek kjo familje duke ndjekur nga afër edhe arrestimin dhe pushkatimin e Lef Nosit. Në një letër që ai i dërgon familjes Nosi, (pas vitit 1994) fëmijëve të doktor Nosit, Grigorit, Rudit e Vasos, shkruan disa nga peripecitë që hoqën ai dhe të gjithë bashkë në ato ditët para se ta arrestonin Lef Nosin. Ndër të tjera në këtë letër, një kopje të së cilës e ruan djali i Adelinës, Skënder Kosturi, thuhet se: “Në qershor të vitit 1944 gjermanët më ndiqnin meqë kishin marrë informata se unë isha izraelit. Unë ika nga Cërriku në Elbasan dhe u strehova, sipas rekomandimeve, në shtëpinë e familjes Nosi. Në fillim kam jetuar në shtëpinë e tyre, ku jetonin Vasil Nosi me gruan e tij, vëllai i tij, doktor Steliano Nosi, nëna e tyre Eleonora, që u bë edhe nëna ime, dhe kohë pas kohe vinte motra e tyre Adelina Kosturi e martuar në Tiranë dhe në të njëjtin oborr banonte Lef Nosi, i cili ka qenë njeri nga të tre Regjentët e Shqipërisë në periudhën shtator 1943-nëntor 1944. Më vonë, kur gjendja u bë e vështirë, kalova në fabrikën e alkoolit të familjes Nosi jashtë Elbasanit, ku kisha një dhomë dhe çdo ditë dikush nga familja më sillte ushqime. Në këtë kohë arrestohem nga një oficer i Gestapos dhe Vasil Nosi bëri përpjekje maksimale për të më shpëtuar kur ndodhesha në qelitë e burgut të Elbasanit. Transferimi i oficerit më të egër të Gestapos në Tiranë bëri që ai të mundej të më lironte. Ata më pas më strehuan në spitalin e tyre në Llixhat e Elbasanit, ku kujdeseshin për mua. Pas 29 nëntorit 1944, kur komunistët morën pushtetin, unë qëndrova tek Nosët, të cilët më donin shumë dhe më propozuan të qëndroj në Shqipëri dhe të punoj në fabrikë. (Mark Menahemi ishte një inxhinier specialist i disa fushave).

Mbërritja e komunizmit

Në letër ai tregon edhe ditët kur Lef Nosi nuk ishte arrestuar ende dhe ndihmën që i kanë dhënë atij disa njerëz, por edhe tradhtinë e të tjerëve. “Komunistët kërkonin të tre regjentët që ishin në krye të shtetit gjatë okupacionit gjerman për t’i dënuar me vdekje. Vasili m’ u lut për të fshehur xhaxhanë e tij Lefin. Vasil Nosi, Steliano dhe unë vajtëm në shtëpinë e një mësueseje, Fahrie Averiqi, në rrugën e Kavajës në Tiranë, me ndihmën e mikut të tyre Xhemal Farka. Qëllimi ishte që të ndërmjetësonim tek Nako Spiru, që Lefi të dorëzohej vullnetarisht, sepse duke u dorëzuar vullnetarisht, nuk do ta dënonin me vdekje. Unë nuk isha dakord sepse diçka nuk shkonte dhe fatkeqësisht doli fjala ime. Ato ditë Nakoja kishte ikur me shërbim në Moskë dhe atëherë Lefi kërkoi të dorëzohej nëpërmjet nipit të një mikut të vjetër të tij, figurë e shquar e historisë sonë kombëtare. I thashë Vasilit se nuk kisha besim tek ky person, pasi përpara se të merrte grada në ushtrinë partizane, kishte një të kaluar të errët me forca të tjera ushtarake. Pavarësisht nga këto dyshime, rreth orës 9 të mbrëmjes duhet t’ia dërgonin Lefin këtij kapiteni të ushtrisë partizane në shtëpi. E hipën në makinë dhe, me të kaluar urën që të çon tek rruga e Elbasanit, dy burra të rinj u lëshuan me vrap për të na ndaluar. Duke dredhuar nga Kryeministria, tek rruga e Durrësit, e kthyem Lefin në shtëpinë e mësueses. Vasili shkoi vetë dhe e kontaktoi personin në fjalë, i cili i qetësoi dhe i tha t’ia sillte Lefin në shtëpi. “Unë po të pres në shtëpinë pa drita” i kishte thënë. E nxorëm Lefin për së dyti. E përcolla unë dhe personi në fjalë duke kujtuar që unë mund të isha Vasili, më tha: “Mos u bëj merak tani Vasil”. Por, sikurse na tregoi Lefi në birucë, kur venim dhe e takonim, pas gjysmë ore pasi e lamë në atë shtëpi, i kish thënë: “Lef, të kërkojnë tek porta”, ai sa hapi portën, e arrestuan. Të njëjtën mbrëmje u arrestuan edhe Vasil e Steliano Nosin, Xhemal Farkën, por edhe unë megjithëse isha me pasaportë në xhep, të nesërmen në mëngjes duhej të nisesha me një vapor për në Izrael ".

Titull mirënjohjeje nga Izraeli

Dënimi i Marko Menahemit, pse ndihmoi familjen Nosi

Marko Menahemi u dënua me 4 vjet dhe bëri një vit e gjysmë burg. Më vonë shërbeu si pedagog në politeknikumin “17 Nëntori” dhe dha një kontribut të shquar në shumë projekte madhore të shfrytëzimit të rezervave minerale natyrore të vendit tonë. Pas vitit 1990 iu plotësua ëndrra për të shkuar në Izrael në atdheun e tij. Në vitin 1993 organizata Jatt Vashem në Izrael, në shenjë mirënjohjeje për shpëtimin e jetës së Marko Menahemit, i akordoi dr. Steliano Nosit, Vasil Nosit dhe motrës së tyre Adelina Kosturi, titullin e lartë “Të drejtë midis popujve”. Emrat e tyre janë të gdhendur në një pllakë bronzi në Muzeun e Holokaustit në Jatt Vashem si dhe në Washington. Titullin e ka tërhequr nipi i familjes Nosi, Skënder Kosturi. “Ishte viti 1992 kur na erdhi ftesa, nëna ime për shkak të shëndetit nuk shkonte dot dhe vendosa të udhëtoj unë drejt Izraelit. Ishim 14 përfaqësues nga e gjithë Shqipëria. Atje takova Mark Manehamin dhe hebrenj të tjerë të shpëtuar nga shqiptarët. Këtë aktivitet të madh e ka sponsorizuar një milioner amerikan Harvey Serner. Ai gjithashtu sponsorizoi realizimin e një filmi dokumentar për jetën e hebrenjve në Shqipëri. Shqiptarët protagonistë kanë edhe nga një kopje të këtij filmi me tregimet e të mbijetuarve.

Hebrenjtë në Mesjetë

Sipas të dhënave historike dhe objekteve me karakter arkeologjik, në Elbasan ka jetuar një komunitet i madh hebrenjsh. Gjurmët e para të hebrenjve në Elbasan hasen në shekullin e XIII, ndërsa në fund të shekullit XV dokumentohet me fakte ekzistenca e tyre në këtë qytet.

Në fund të shekullit XV një pjesë e hebrenjve të përndjekur nga inkuizicioni spanjoll e portugez u vendosën në qytetin e Elbasanit. Fillimisht mendohet se janë vendosur në lagjen “Kala” ku gjetën mikpritjen dhe përkrahjen e popullsisë me traditë të këtij qyteti. Disa vite më vonë hebrenjtë e Elbasanit ndërtuan një sinagogë ekzistenca e së cilës vërtetohet nga një fragment rozoni me Yllin e Davidit, i cili ruhet në muze. Sipas studimeve dhe materialeve të grumbulluara nga Visarion Xhuvani një ndër patriarkët më të famshëm të kishës ortodokse shqiptare, në Elbasan ka ekzistuar një vendbanim i madh hebrenjsh gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Në vitin 1930 Visarion Xhuvani shkruan se “ata kishin një sinagogë, e cila më pas u përdor si han nga turqit i quajtur me emrin “Hani i Shehetilës”. Sipas historianëve dhe arkeologëve, hebrenj kanë banuar në të gjithë trevën e Elbasanit. Ata merreshin kryesisht me tregti. Në afërsi të fshatit Xibrakë të qytezës Belsh ndodhet një varr guri, i cili mban emrin “Varri i Çifutit”. Gojëdhëna tregon se varri i takon një tregtari të njohur çifut të kohës. Në vitin 1930, kohë kur u ndërtua tregu kryesor në Elbasan, u gjetën monedha ari me simbole hebraike. Monedhat dhe objektet e tjera arkeologjike tregojnë se hebrenjtë e Elbasanit mbanin emra biblikë si Jakov, Moisi, Abraham etj. Gjatë viteve të fundit të shekullit të kaluar në Elbasan u gjet një pllakë guri në formë trapezoidale në sipërfaqen e së cilës janë skalitur disa rreshta me shkrim hebraik të vendosur në një kornizë. Përreth saj janë 6 yje me 6 cepa simbole të Yllit të Davidit. Gjurmë të kulturës dhe piketimeve hebraike takojmë edhe në ditët e sotme në lagjen “Kala”. Një prej tyre është edhe sinagoga pranë shtëpisë së Dhimitër Shuteriqit. Megjithëse një pjesë e mirë e objekteve janë dëmtuar, kanë mbetur shenja të ekzistencës së objekteve fetare hebraike si dhe të bashkëekzistencës së komunitetit hebre, i cili u mirëprit dhe u pranua nga banorët e Elbasanit.

Familja Biçaku, nderimi nga komuniteti hebre

Shqiptarët që strehuan në shtëpinë e tyre 26 hebrenj

“.....Historia me hebrenjtë në fshatin Qarrishtë fillon në shtator të vitit 1943. "Dimri ishte tepër i ashpër, sidomos në këtë zonë të largët malore dhe binte shumë dëborë", kujton Muhamet Biçaku. Për javë të tëra 26 hebrenjtë u strehuan në dhomat e shtëpisë së Biçakajve, duke fjetur bashkë në ato pak dhoma dhe duke ngrënë ato pak gjëra që kishte familja; kryesisht bukë misri, gjizë dhe pastërma (mish të tharë). “Por miqtë ishin në besë. Zakoni, tradita e mikpritja e ka mikun të shenjtë dhe ata nuk mund të dorëzoheshin në çfarëdo rrethane që të ishin”, rrëfen Muhameti, i cili në atë kohë ishte rreth të 20-ave. “Nuk pranonin të rrinin pa punuar, megjithëse miku sado gjatë të jetë mysafir, në bazë të kodit zakonor nuk duhet kurrsesi të punojë", vazhdon Biçaku. Pas çlirimit dhe pas gati dy vjetësh qëndrimi në fshehtësi, 26 hebrenjtë mund të lëviznin dhe të iknin nga Qarrishta e largët. Ndarja nuk ishte aspak e lehtë, madje e dhimbshme, pasi të gjithë ishin familjarizuar me njëri-tjetrin. Njëri nga hebrenjtë, Majo Aurest, që tani jeton në Argjentinë, ka madje një kujtim tepër të rrallë nga Qarrishta dhe Shqipëria. Gruaja e tij lindi një vajzë aty në shtëpinë e Biçakajve. Megjithatë, hebrenjtë që u strehuan në Qarrishtë u shpërndanë nëpër botë, dikush në Rusi, një tjetër në Argjentinë, disa në Amerikë dhe vetëm Rafael Faragi është sot në Haifa të Izraelit, në atdheun e hebrenjve....".

Gazeta Metropol 14.07.09

Mokra, penelatat në histori të Barletit

Nga Istref Haxhillari

Nuk ka asnjë grimë të historisë së kombit tonë ku Mokra, krahina e rëndë në juglindje të Shqipërisë, të mos ketë qenë, në mos protagoniste, aktore me role të ndryshme sipas rastit. Nga burimet e shkruara arkivore, për aq sa jemi në dijeni, Mokra përmendet për herë të parë në shekullin e XI në një letër, ku perandori Justinian i dytë i Bizantit i dërgonte në vitin 1019 kryepeshkopit të Ohrit, Johanit, në të cilën përmend një krahinë të populluar me shumë mullinj (mokra). Aty kërkohet “të mbetet në merak të madh” ky vend i pasur, sidomos për rrugën, rrahur prej karvanesh të shumta që udhëtonin nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas. Po të shtyhemi më tutje historisë, në luftën e dytë iliro-romake, këta të fundit hynë në Iliri dhe depërtuan thellë gjer në Rumani, vend të cilit i dhanë emrin Romani apo Roma e vogël. Historia thotë se mbi 100.000 kolonë romanë u ngulën në vendet më strategjike të kontinentit përgjatë rrugëve të karvaneve. Në këtë kohë, sipas një hipoteze mjaft të besueshme, janë vendosur arumunët në Llëngë e Niçë të Mokrës për t’u shtyrë pastaj më tej në Voskopojë e gjer në zemër të orientit, fushat e begata të Vllahisë. Pas rreth njëqind vjet pushtimi, mbretëreshë Teuta i përzuri romakët matanë Adriatikut, por kolonët mbetën, u intergruan me vendasit atje ku u qëlloi, duke ruajtur për çudi mbi 2000 vjet kulturën, gjuhën dhe zakonet. Në Mokër, përgjatë një degëzimi të rrugës Egnatia, Llënga lulëzoi për shumë kohë. Edhe sot qarkullon gojëdhëna se fshati kishte përmbi njëmijë shtëpi, ndërtuar ngjitur me njëra-tjetrën, aq sa kaprojtë shkonin çati më çati më për katër km rresht.

Në shekullin e XV Barleti e përmend Mokrën, Mokreu siç i thotë ai, si një krahinë të madhe që shtrihej përtej kufijve të sotëm, duke përfshirë fushën e Domosdovës, Përrenjasin e sotëm, deri në vendin që quhet Sofra e Skënderbeut. Kronisti i famshëm thotë se mokrarët ishin burra të besës, shumë trima, të shpejtë si vetëtima dhe nishanxhinj të mëdhenj. Ndoshta nuk është fare e rastit që beteja e parë e Skënderbeut me turqit u bë pikërisht në fushën e Domosdovës dhe të parët që u gjakosën me pushtuesit otomanë ishin mokrarët. Krahina ishte nën zotërimin e Gjergj Arianitit, apo Gjorg Golemit siç e quanin mokrarët. Me një thirrje të zotit të tyre ata mblidheshin tufa-tufa, të armatosur më së miri dhe me këngë në gojë shkonin në luftë ku dalloheshin mbi të tjerët. Barleti thotë se në gjallje të Gjergj Arianitit, turqit nuk hynë asnjëherë në Mokër se ishte vend me shumë male e shkëmbinj, por sidomos se në çdo shteg kishte një burrë që ruante natë e ditë vendin nëpër rrugët kryesore. Gjer vonë në fshatrat e Mokrës këndohej kënga që përjetëson motet e lavdishme:

“Gjorg Golemi na çoi fjalë,

Angjelini të më dalë

Me ata trima mokrarë

Kush më këmbë e kush me kalë

Të marrë rrugën përpjetë

Të dalë te gurët e gjetë.”

Angjelini ishte kapedan besnik i Gjergj Arianitit.

Nuk kemi të dhëna të shkruara për shekujt e parë të pushtimit osman në Mokër, por nga tradita gojore që kalonte nga brezi në brez e rrëfehej sidomos në netët e gjata të dimrit për mburrje dhe krenari, mësojmë se në kohën e Ali Pashë Tepelenës një burrë nga Pleshishti, Naum Shyta, u bë mik i Vezirit. E ndihmonte atë me mjeshtër të shquar muratorë për ndërtimin e kalave ose meremetimin e tyre. Naum Shyta i doli në mbrojtje popullit fukara kundër disa prej bejlerëve dhe agallarëve turkoshakë që bënin në Mokër dovanë e Dovletit. Sa qe gjallë Naumi nuk bënë gëk turkoshakët se i pinte e zeza. Thonë se ai kishte në plan të ndërtonte një treg për tërë zonën, po nuk arriti ta përfundonte.

Rrëfejnë se kur erdhi Ali Pashai në Pleshisht dhe deshi të zbatonte atë zakonin e tij të keq (për çdo fshat të zhvirgjëronte një vashëz), e shoqja e Naumit i tregoi me lezet të madh se në Mokër nuk mund ta bënte, duke i nxjerrë për të ngrënë gjashtë pjata fasule njërën pas tjetrës. Kështu e shpëtoi kapedan Naumin nga halli i madh. Kur u vra Pashai, Naumi u fsheh në një mik vërdovar në Stamboll, por hafiet, që e ndiqnin këmba këmbes, e kallzuan. Pasi e zunë, thonë se Sulltani deshi ta shikonte dhe si e pa, nuk foli asnjë fjalë, por bëri me shenjë t’i pritej koka dhe t’i vendosej në kamarën e atij jezitit tjetër. Kështu kokës së thinjur të Ali Pashë Tepelenës në kamaren e turpit në Stamboll i bënte nder vetëm një kokë shqiptari, ajo e Naum Shytës nga Mokra.

Në fund të shekullit të XVIII ikën nga Podgozhani për shkak të jetës së vështirë, si shumë të tjerë, edhe disa prej fisit të Vakove dhe u vendosën në Korçë. Prej tyre dolën të famshmit Kostandin dhe Athanas Zografi, që e morën këtë mbiemer për shkak të talentit të tyre për të pikturuar. Ata u bënë të njohur me pikturat dhe afresket e tyre në Korçë e Voskopojë, deri në qendër të artit bizantin, në Athos. Lidhjet e tyre me Vakollarët ishin të gjalla deri vonë.

Gjatë periudhës së ndritur të Rilindjes Kombëtare, Mokra u bë nga vatrat më të spikatura të përhapjes se shkrimit dhe këndimit shqip në tërë qarkun e Korçës e më gjerë. Në fillim të shekullit të XIX mërgimtarët e fshatit ndërtuan në Podgozhan një shkollë greke e cila daton që në vitin 1811. Mësuesi i fshatit që ishte edhe prift sipas traditës helene, u mësonte fëmijëve shqip me gërmat greke. Atëherë nuk kishte një alfabet të njësuar të gjuhës sonë. Kështu vetëm në qytetin e Korçës dhe në Mokër mësohej fshehur gjuha e nënës dhe në asnjë vend tjetër të qarkut që ishte nga më të përparuarit në tërë Shqipërinë. Në varrezat e vjetra të fshatit që nga kjo kohë janë të gdhendura në gur emrat, viti i lindjes dhe ai i vdekjes në shqip me gërma greke.

Në vitin 1891, vetëm 4 vjet pas hapjes së të parës shkollë shqipe në Korçë, në shkollën e Podgozhanit At Jovan Vako u mësonte fshehurazi fëmijëve gjuhën shqipe me gërmat e alfabetit të Sami Frashërit. Patriotët mokrarë nuk kishin aq flori sa të blinin fermanin e Sulltanit siç bënë ata korçarë me Nikolla Naçon e paharruar.

Dihet se historia e çeljes dhe mbajtjes së shkollave shqipe është një histori e përgjakshme me shumë heronj. Në altarin e kësaj historie Mokra dha dy dëshmorë të spikatur. Gjokë Pjetri që mori mbiemrin Shqiptari për atdhetarizmin e tij të famshëm dhe Aleks Andrea, që mori mbiemrin e fshatit për të nderuar vendlindjen. Po kujtoj këtu që në vitin 1908 u hap në Potgozhan e para shkollë shqipe kur nuk kishte të tilla asnjë fshat tjetër i rrethit të Pogradecit.

Toleranca fetare, aq e spikatur për të gjithë shqiptarët, në Mokër është gati proverbiale. Po sjell vetëm një nga shembujt e shumtë që qarkullojnë në tërë këtë treve.

Në fillim të shekullit të XVI nga tre vëllezërit e krishterë të familjes Bulku në Pevelan, njëri prej tyre, Tira, u kthye mysliman për të lehtësuar barrën e vështirë të taksave të Dovletit. Shumë shpejt e kuptoi se nuk pati ndonjë të mirë prej kësaj dhe i këshilloi të vëllezërit mos e bënin gabimin e tij. Sot, Tirollarët myslimanë banojnë në lagjen e poshtme të fshatit Dunicë, kurse Bulkut në Pevelan. Të ndërgjegjshëm për identitetin e tyre, ndonëse intuitivisht, për shekuj me radhë kanë ruajtur një miqësi të mrekullueshme paçka se ishin me fe të ndryshme.

Me pak vija penelatash tentuam të skicojmë një histori, si shumë të tjera, një thesar të çmuar që mbart i gjithë vendi ynë nëpër kohën e thinjur.

Gazeta Tema 17.08.09

I treti i shqipes dhe fjalori i tij latinisht-shqip

Bardhyl Demiraj sjell Dictionarium-i te Frang Bardhit në një botim kritik të veprës ku një gjuhë popullore e papërpunuar si shqipja arrin të ballafaqohet me gjuhën më të ngritur letrare të kohës. Më në fund lexuesi shqipfolës mund të lexojë për herë të parë rrjedhshëm dhe në sistemin e sotëm alfabetik tekstin origjinal të Frang Bardhit


Pas një mungese të gjatë në publik, autorët e vjetër të shqipes vitet e fundit po dalin nga harresa e po shohin rishtas dritën e botimit, nëpërmjet ribotimeve të tipit filologjik tekstual, tashmë nga studiues shqiptarë, të cilët kanë marrë në dorë me kompetencë studimet filologjike në fushë të shqipes. I pari që hapi rrugën në fushën e botimeve filologjike të teksteve të vjetra shqipe ishte Eqrem Çabej me botimin e tij kritik shembullor të "Mesharit" të Gjon Buzukut në vitin 1968, i ndjekur me distancë të madhe kohore nga albanologu danez Gunnar Svane, i cili botoi veprat e Pjetër Budit bashkë me konkordancën elektronike në 12 vëllime në vitet 1985-86. Më pas u desh përsëri një kohë e gjatë derisa filologjia e teksteve të vjetra në hapësirën shqiptare të rizgjohej, me botimin kritik të veprës së Pjetër Bogdanit "Cuneus Prophetarum" prej nesh në vitin 2005.


Botimi më i ri filologjik-tekstual që plotëson mozaikun e katër autorëve më të vjetër të shqipes është "Fjalori latinisht-shqip" i Frang Bardhit, i vitit 1635, autori i tretë në radhë pas Gjon Buzukut (1555) e Pjetër Budit (1618, 1621), i përgatitur nga prof. Bardhyl Demiraj, prej disa vitesh titullar i degës së albanologjisë pranë Universitetit të Mynihut. Pas një periudhe studimesh në fushën e gjuhësisë historike-krahasuese e të etimologjisë së shqipes, prof. Demiraj tashmë i është kushtuar me zell e profesionalizëm filologjisë së teksteve të vjetra shqipe, një fushë që kërkon njohuri të gjera nga degë të ndryshme të shkencave humanitare, përveç kompetencave të plota në fushën e gjuhësisë. Serinë e botimeve të teksteve të vjetra shqipe ai e hapi me botimin kritik të "Doktrinës së Kërshten" të Gjon Nikollë Kazazit të vitit 1743, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2006, i pari ribotim i kësaj vepre, i pajisur me një studim të gjerë për jetën dhe veprën e Kazazit mbi bazën e të dhënave burimore të nxjerra nga kërkimet vetjake në arkivat e Propagandës së Fesë dhe të Vatikanit, me një studim për tekstin e veprës dhe grafinë e tij, me dy riprodhime të tekstit: atë fotografik dhe riprodhimin diplomatik të zgjeruar, me botimin kritik të tekstit të shoqëruar me shënime shpjeguese të hollësishme dhe me konkordancat leksikore ose fjalësin e përbërë nga lemat bazë të ndjekura nga të gjitha fjalëformat sa herë hasen në tekst, me kontekstet përkatëse.


Me botimin kritik të "Dictionarium latino-epiroticum" të Frang Bardhit Bardhyl Demiraj shënon një hap tjetër të rëndësishëm në këtë fushë, për të vazhduar me përgatitjen e botimeve të teksteve të tjera, më të reja në kohë, por me vlerë të madhe për dokumentimin e fazave të ndryshme të zhvillimit të shqipes.


Botimi fillon me një Parathënie para lexuesit ose "Të primitë përpara letërarit" të autorit, shkruar në një shqipe eksperimentale që përpiqet të imitojë gjuhën e autorëve të vjetër, ku paraqiten arsyet e ndërmarrjes së një pune të tillë. Më pas ndjek hyrja e ribotimit të parë anastatik nga Mario Roques, dy shtojca nga vetë autori i botimit kritik dhe pastaj vjen puna kryesore e veprës, që janë dy riprodhimet e tekstit (fotografik dhe diplomatik) si dhe botimi kritik i tekstit shqip, pajisur me aparat kritik, shënime e konkordancat leksikore dhe me indeksin e fjalëve shqipe.
Atë që dimë deri sot për jetën dhe veprimtarinë intelektuale-fetare të Frang Bardhit e kemi nga studimi i thelluar i botuesit të parë të Fjalorit të tij, filologut të shquar francez Mario Roques, njëri ndër hulumtuesit e parë të teksteve të vjetra shqipe. Ai pati mbledhur material jetësor e bibliografik në arkiva dhe biblioteka dhe e paraqiti atë të sistemuar në hyrjen e botimit anastatik që i bëri Fjalorit të Bardhit në vitin 1932. Meqë të dhënat për Frang Bardhin nuk kanë mundur të pasurohen me zbulime dokumentesh të reja, kjo hyrje, të cilën e pati përkthyer në shqip studiuesi Villy Kamsi në Buletinin e Institutit të Shkodrës (1964), është ribotuar në botimin kritik të Fjalorit që kemi tashmë në dorë.


Në këtë hyrje gjejmë të dhëna të rëndësishme për historinë, sidomos kishtare, gjeografinë, përbërjen etnike dhe fetare të popullsisë së krahinës së Sapës ose Zadrimës ku ka vepruar Bardhi, për familjen e Bardhejve dhe klerikët e lartë që ka nxjerrë ajo, për jetën dhe veprën e Frang Bardhit dhe në veçanti më gjerësisht për Fjalorin e tij latinisht-shqip: historikun, përmbajtjen, sistemin grafik.


Studimin e Mario Roques-ut e ndjekin dy shtojca të botuesit-filolog Demiraj, e para mbi disa vërejtje shtesë për grafinë e tekstit, ku vihet në dukje më një anë vijimësia e traditës shkrimore me alfabetin e autorëve të vjetër të Veriut katolik apo të ashtuquajturin alfabet të Propagandës, meqë veprat u botuan nga Kongregacioni i Propagandës së Fesë me qendër në Romë, dhe më anë tjetër ndonjë risi e këtij alfabeti në fjalorin e Bardhit. Si një nga këto risi, në të vërtetë sporadike, mund të përmendim shkronjën ‹æ› të përdorur për të dhënë tingullin [ë] të shqipes. Kjo grafemë haset vetëm në dy raste, por paraqet interes për përkimin e saj me grafemën e njëjtë që përdori arbëreshi Lekë Matranga dyzet vjet më parë (1592), me po atë vlerë funksionale, pra për zanoren [ë]. Kodin alfabetik të Frang Bardhit mund ta shohim të përmbledhur në mënyrë të qartë e të sistematizuar në një tabelë, për lehtësi leximi të krahasuar me alfabetin e sotëm të Manastirit dhe me vlerat tingullore përkatëse sipas alfabetit fonetik ndërkombëtar, ilustruar edhe me shembuj nga teksti. Zbërthimi i këtij kodi dhe përcaktimi i vlerave të sakta fonetike funksionale të tingujve të tij e ka ndihmuar autorin në botimin kritik të tekstit shqip për zëvendësimin e alfabetit të origjinalit me atë të shqipes së sotme letrare.
Shtojca e dytë përmban vërejtje mbi botimin kritik të tekstit shqip. Aty përshkruhet edhe puna e bërë për metodat e ndryshme të riprodhimit të tekstit...


Botimi kritik nuk e prek aspak gjuhën e tekstit, por synon vetëm të riprodhojë tekstin origjinal me sistemin e sotëm grafik e drejtshkrimor për të lehtësuar leximin e tij. Ndërhyrjet normalizuese janë minimale dhe kanë të bëjnë më tepër me variacionet grafike të origjinalit. Ndërsa variantet e lira që i përkasin së folmes së autorit, në kushtet e një gjuhe letrare ende të panjësuar, janë ruajtur pa u ndryshuar në botimin kritik. Të gjitha ndërhyrjet janë argumentuar në "Vërejtjet" e autorit dhe secila prej tyre është dokumentuar në aparatin kritik në fund të faqes. Për zbërthimin dhe shpjegimin e rasteve të veçanta që dalin nga rregulli i zakonshëm shkrimor i autorit, siç janë variantet e lira ligjërimore, ose për shpjegime të natyrave të ndryshme filologjike, fonetiko-morfologjike, dialektore etj. botimi kritik është pajisur me rubrikën "Shënime" në fund të riprodhimeve të tekstit. Atje gjejmë shpjegime interesante për shumë dukuri të gjuhës së autorit, edhe në kontekstin e autorëve të tjerë të vjetër të shqipes, si dhe komente për zbërthimin e leximeve të vështira.


Një ndihmesë të veçantë dhe shumë të çmuar për leksikografinë shqipe përbëjnë "Konkordancat leksikore" të tekstit shqip të Frang Bardhit, domethënë fjalori vetëm shqip i tij i përpunuar elektronikisht dhe i renditur alfabetikisht. Jepet në fillim fjala lemë me përcaktimin e kategorive gramatikore dhe nën të të gjitha fjalëformat e saj sa herë dalin në tekst me vendndodhjen përkatëse dhe me përgjegjësen latinisht në kllapa. Pra kemi të bëjmë me inversin e fjalorit latinisht-shqip të Bardhit. Një punë të ngjashme, por vetëm si tregues alfabetik të fjalëve shqip të Fjalorit të Bardhit, e kishte bërë në vitet '30 botuesi i parë i tij Mario Roques duke përgatitur me të një vëllim të dytë të botimit, punë që për fat të keq nuk arriti të dalë në dritë.


Nga përqasja e fjalëve shqipe me gjegjëset latine të fjalëformave të veçanta na del një pasqyrë e aftësive shprehëse të shqipes së shekullit XVII, një gjuhë që, megjithëse mjaft e vjetër, vetëm prej pak kohe kishte filluar lëvrimin me shkrim të saj dhe paraqitej shumë e varfër për të përballuar konceptet e përpunuara të një gjuhe të shkruar prej shumë shekujsh si latinishtja e të ngritur në nivelet më të larta të përpunimit si gjuhë ndërkombëtare e qytetërimit evropian për sferat e kulturës, të shkencës dhe të fesë. Një leksemë foljore e shqipes si ndritunë është e detyruar të përballojë kuptimin e nëntë leksemave të ndryshme të latinishtes, si illustrare, internitere, nitere, pellucere, perlucere, praelucere, stellare, sublucere. Nuancat kuptimore jepen nëpërmjet perifrazimit në togfjalësh, si ndër ta me ndritunë për "perlucere", me ndritunë ndër të tjerat kafshë për "internitere" ose me ndritunë porsi yll për "stellare".


Megjithatë është i rëndësishëm fakti që një gjuhë popullore e papërpunuar si shqipja arrin të ballafaqohet me gjuhën më të ngritur letrare të kohës. Me gjithë të metat që ka dhe që janë vënë në dukje nga studiuesit, Dictionarium-i i F. Bardhit ka rëndësi të jashtëzakonshme për studimet albanologjike si dëshmi e rrallë e një faze të caktuar të shqipes së vjetër dhe si e para vepër leksikografike në historinë e gjuhësisë shqiptare.


Në një konkordancë elektronike zakonisht nuk jepet kuptimi i fjalës, por ai del nëpërmjet kontekstit të fjalëformave në fjali apo togfjalësh. Megjithatë në një farë mënyrë kuptimet e lemave të fjalorit jepen duke dhënë përgjegjëset e tyre në shqipen e sotme përmes një "Indeksi të fjalëve shqipe" në fund të punimit. Ky indeks niset nga trajta e lemave në shqipen e sotme letrare të cilave u vihet përbri trajta gjegjëse e gjuhës së Bardhit. Aty ku këto trajta nuk ekzistojnë në shqipen e sotme ose nuk pasqyrohen nëpër fjalorë lema shënohet me një rreth për ta dalluar. Nga ky ballafaqim i trajtave të sotme me ato të shqipes së shekullit XVII shohim se si ka evoluar gjuha jonë gjatë shekujve. Lexuesi mund të nxjerrë vetë edhe përfundime etimologjike për rrugën e zhvillimit të fjalëve të veçanta, siç është fjala lemzë që te Bardhi del lefmëzë, duke bërë të dallohet më qartë prejardhja e saj nga folja leh / lef. Një fjalë moderne si biskotë e marrë nga italishtja, në shqipen e vjetër popullore shqiptohej bërskot, ose trajta e sotme ankoj në shqipen e vjetër tingëllonte nëkoj. Nga krahasimi me latinishten nganjëherë gjejmë edhe kuptimin e saktë të fjalës shqipe. Kështu leksemës shqipe fatos i përgjigjet lat. "fortunatus", pra "fatlum", dhe ky duhet të jetë edhe kuptimi fillestar i kësaj fjale, siç duket edhe nga prejardhja e saj fjalëformuese prej fat me prapashtesën -os. Më vonë, p.sh. te Pjetër Bogdani gjejmë kuptime të tjera të kësaj fjale, si "athleta", "celebre", "valente" dmth. "atlet", "i famshëm", "trim", por kuptimi i parë del te Frang Bardhi.


Mund të shohim se si në shekullin XVII ka filluar depërtimi i turqizmave që do të vinë duke u shtuar në shekujt e mëvonshëm. Te Bardhi gjenden mjaft të tilla, si aferim, aksham, allah, bajrak, bajraktar, çaush, çisme, davëxhī "grindavec, lat. litigator", davī "grindje, zënkë", dert, deve, elçī "lajmëtar, i dërguar, lat. legatus", hain, hakshī "kuzhinier, akçi, lat. cocus", hambar, haraç, hesap, hiç, horriat, ibrik, kallauz, kamare, kazan, kurban, lojlek "lejlek", maskara, mireqep "bojë shkrimi, lat. atramentum", nozullë "ushqime udhëtimi, it. vettovaglia", okë, pazar, perçe, qemal "lat. praeco,-nis, lajmëtar, tellall", qendī "iqindi, mbasdite", qervasare "lat. taberna, dyqan i vogël, pijetore" nga turq. kervansaray, qyrshī "qyrkxhi", rajé, sanxhak, tepsi, tesqere, xhambaz, dylber "ylber", ylefé "rrogë", zagar, senxhir etj.


Më në fund lexuesi shqipfolës mund të lexojë për herë të parë rrjedhshëm dhe në sistemin e sotëm alfabetik tekstin origjinal të Frang Bardhit, parathënien e tij ku u drejtohet shqiptarëve bashkëkohës për qëllimin përse e ka shkruar këtë libër, dëshirën për t'i ardhur në ndihmë gjuhës shqipe që po prishet e po përzjehet sa më shumë kalon koha, por sidomos dëshirën për të ndihmuar klerikët që nuk njohin latinishten e nuk kuptojnë atë që lexojnë kur thonë meshë. Këtë plagë të përhershme paditurie të popullit, që ndjehej sidomos te priftërinjtë, janë përpjekur ta luftojnë klerikët tanë më të vetëdijshëm që patën fatin të shkollohen në kolegjet e perëndimit, siç ishte Frang Bardhi dhe shkrimtarët pas tij Budi, Bogdani, Gjon Kazazi e të tjerë. Padijen e priftërinjve ata e shihnin edhe si shkak të rrudhjes së besimit të të parëve nën trysninë e fesë së re që solli pushtuesi osman. Prandaj me librat e tyre synonin përhapjen e dijes, që do të thoshte edhe forcim i fesë së krishterë, si pengesë për konvertimet në islam që kishin filluar në masë.
Një burim i çmuar për antropologët kulturorë janë proverbat e fjalët e urta të shqiptarëve që ka mbledhur Frang Bardhi dhe ia ka shtuar fjalorit të tij, bashkë me shprehje të ndryshme urimi, dëshire ose nxitjeje.


Botimi i fundit kritik i "Dictionarium latino-epiroticum" të Frang Bardhit do t'u vlejë jo vetëm studiuesve të gjuhës shqipe e të albanologjisë për studime nga këndvështrime të ndryshme ndërdisiplinore, por edhe lexuesve të thjeshtë, që mund të shijojnë nga afër dhe me lehtësi gjuhën e vjetër shqipe të fillimit të shekullit XVII.

Anila Omari

Gazeta Shekulli 19/08/2009





Hadrianopol- Justinianopol, ja të rejat


Gjirokastër - Rezultatet e ekspeditës së katërt arkeologjike në qytetin antik, tashmë me dy emra Hadrianopol- Justinianopol kanë tejkaluar pritshmëritë. Të paktën këtë deklarojnë jo vetëm arkeologët, por edhe drejtuesit e institucioneve të arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore në vend. Në përfundim të misionit njëmujor të kësaj vere, qytetërimi antik romak mban dy emra, ka nxjerrë në dritë elementë të rinj, ndërsa është zgjeruar edhe sipërfaqja e gërmimeve.
Ekspedita e katërt arkeologjike italo-shqiptare, një bashkëpunim i Institutit të Arkeologjisë dhe Rajonit të Markeve (Itali) nisi më 27 korrik të këtij viti, i drejtuar prej Roberto Perna nga Universiteti i Maceratës dhe arkeologu shqiptar, Dhimitër Çondi. Për arkeologun Çondi, gërmimet e sapopërfunduara kanë nxjerrë një anë të panjohur të këtij qytetërimi.


"Kjo ekspeditë është shumë e frytshme, sepse dolën në dritë një kompleks termal banjash të periudhës romake, me elementë të kësaj periudhe, por ku nuk mungojnë as elementët helenistikë. Një veçanti e këtij viti është gjithashtu edhe rifillimi i gërmimeve në Nekropol, i cili nga madhësia vjen pas atij të Apolonisë dhe Finiqit. Varret janë të tipit çist, me pllaka, të mbuluar me sarkofagë shumë të bukur; gjashtë varret e parë të zbuluar i përkasin periudhës romake, por ekziston edhe një tjetër nekropol që i përket periudhës helenistike; gërmimet e mëtejshme do të japin një panoramë të re të historisë antike të kësaj zone. Fillimisht aluvionet na krijuan një apati të momentit, por rezultatet janë më të lartat e çdo gërmimi për këtë qendër të lashtë me dy emra perandorësh, e rrallë në antikitet", - ka theksuar Çondi.


Edhe për drejtoren e Institutit të Arkeologjisë, Shpresa Gjongecaj, rezultatet janë shumë të mira. "Instituti i Arkeologjisë ka ndërmarrë për këtë vit 22 gërmime arkeologjike në vend. Rezultatet në këtë qytet janë vërtet të mrekullueshme, pasi kanë kapur edhe nekropolin e qytetit, që do të jetë objekt gërmimesh edhe në të ardhmen", - ka theksuar Gjongecaj.
Në tri pika kryesore kanë qenë të përqendruara gërmimet: në zonën publike, ku u nxorën në ditë struktura monumentale të lidhura me ambiente që kanë pasur funksione termale, brenda në Teatër, ku janë individualizuar disa struktura të vona që lidhen me transformimet që pësoi objekti i shfaqjeve në periudhën bizantine, si dhe në nekropol, i cili shtrihet në një zonë shumë të gjerë. "I kemi tejkaluar objektiva tanë.


Gërmimet në nekropol kanë qenë më të rëndësishmet dhe nga pikëpamja shkencore, që prej këtij viti në Hadrianopol ekziston edhe nekropoli. Tashmë i kemi paraqitur Ministrisë së Kulturës shqiptare një projekt restaurimi", - është shprehur bashkë drejtori italian i ekspeditës, Roberto Perna.



Misioni i katërt arkeologjik në Hadrianopol quhet zyrtarisht i mbyllur për këtë vit, ndërsa erdhi si pjesë e projektit Archadrin, që pritet të finalizohet me krijimin e hartës arkeologjike të Luginës së Drinos, më e pasura në vend për sa u përket siteve arkeologjike.

Gazeta Shekulli 21/08/2009





Gjurmë dhe simbole shqiptare në Greqi

22/08/2009

Personalitete, libra, dokumente, heroizma. Në shumë pjesë të Greqisë shenjat shqiptare fshihen nën sipërfaqen e hollë të historisë


Gjinia e helenëve


Në Greqi edhe sot është vështirë të debatosh pa emocione me banorët vendas për Jakob Philipp Fallmerayer-in. Orientalisti dhe publicisti austriak (1790-1861) u bë i njohur në shekullin e XIX përmes studimeve të tij etnografike dhe gjeografike. Ai është autor i tezës se grekët antikë janë zhdukur nga faqja e dheut në Mesjetë dhe vendin e tyre e kanë populluar sllavët dhe shqiptarët e helenizuar. Për shkak të këtij mendimi, ai ishte ndër figurat më të urryera nga filohelenët në Evropë dhe nga patriotët grekë. Në Gjermaninë e asaj kohe, Fallmerayer akuzohej se bënte propagandë pansllaviste, edhe pse ai ishte kundërshtar i carit rus, të cilin e akuzonte se synonte sundimin e botës.

Në veprën e tij "Historia e siujdhesës së Moresë gjatë Mesjetës" ("Geschichte der Halbinsel Morea während des Mittelalters") Fallmerayer arrin në përfundimin se etnia unike helene ka ekzistuar në Greqinë antike, por me kalimin e shekujve është shuar. Këtë pikëpamje ai e mbështet në bazë të toponimeve sllave dhe shqiptare. Fallmerayer shkruan se "gjinia e helenëve në Evropë është shfarosur...

Asnjë pikë e vetme e gjakut fisnik dhe të papërzier helen nuk rrjedh në damarët e popullsisë krishtere të Greqisë së sotme". Përkthimi dhe botimi i veprës së tij në greqisht u bë i mundur në vitet 1980-të. Pas akuzave të shumta, Fallmerayer shkroi librin "Fragmente nga Orienti" ("Fragmente aus dem Orient"), në të cilin thekson se grekët e Azisë së Vogël ndoshta mund t'i referohen një kontinuiteti historik me Greqinë para Mesjetës. Njëkohësisht, ai shprehte zhgënjimin se nuk kishte takuar asnjë grek në Azinë e Vogël, i cili i përgjigjej përfytyrimit të tij ideal të një greku të arsimuar. Teza e Fallmerayer-it është mbuluar nga pluhuri dhe nuk përfaqësohet më në universitetet e Evropës.


Korfuzi
Sot, ky ishull grek është sinonim i turizmit dhe jetës mondane. Dikur, në shekullin e XIX, në këtë vend u botua "Dhiata e Re" në gjuhën shqipe. Në vitin 1824 u publikua vetëm një pjesë e "Dhiatës" (në dialektin lab), ndërsa si e tërë ajo pa dritën më 1827-ën. Përkthyes i saj ishte Vangjel Meksi. Ai u lind rreth vitit 1770 dhe shërbeu në ushtrinë e Ali Pashës si oficer artilerie. Meksi kishte kryer gjimnazin "Zosimea" në Janinë dhe Ali Pasha e dërgoi atë për të studiuar mjekësi në Napoli. Në një letër rekomanduese veziri i Janinës i shkruante Mbretit Ferdinand I Burbon: "Po ju dërgoj Vangjel Meksin, shqiptarin, për të mësuar atje. I lutem Madhërisë Suaj të keni mirësinë, që t'i jepni mbrojtjen tuaj mbretërore, në mënyrë që të gëzojë ato kushte dhe lehtësi, të cilat të çojnë në mësimin e këtyre shkencave".

Disa muaj më vonë, Aliu sërish interesohet për fatin e studentit shqiptar dhe i shkruan si vijon Mbretit të Napolit: "Ju dërgoj falënderimet më të shquara për gjithçka i është dhënë Vangjel Meksit, i cili shpresoj se do të përfitojë nga kushtet, që i janë krijuar me bujari nga sovrani dhe, kur të kthehet në atdhe me vlerësimin për sjelljen e mirë dhe përvetësimin e dijeve, të ngrejë lart emrin e Mbretit të lavdishëm". Pas studimeve Vangjel Meksi u kthye në oborrin e Ali Pashës, ku shërbeu si mjek. Në vitin 1819, pas takimeve me përfaqësues të Shoqatës Ungjillore angleze në Stamboll dhe Selanik, ai nënshkroi kontratën për përkthimin e "Dhiatës së Re" në gjuhën shqipe. Mbikëqyrës i përkthimit ishte Grigor Gjirokastriti, i cili në vitin 1821 ishte peshkop i ishullit të Eubesë, ndërsa gjashtë vjet më vonë kryepeshkop i Athinës.



Janina
Ky qytet, në historinë shqiptare është i njohur jo vetëm për shkak të Ali Pashë Tepelenës. Këtu, në vitin 1809, kapedani i njohur nga fshatrat suljote Marko Boçari përgatiti fjalorin greqishte e re-shqip. Këtë vepër ai e shkroi edhe me kërkesë të konsullit francez në Janinë, François Pouqueville (Fransua Pukëvil). Fjalori përbëhet nga 111 faqe, 1 494 fjalë shqipe dhe 1 701 fjalë greke. Origjinali i këtij fjalori gjendet sot në Bibliotekën Kombëtare të Parisit dhe u dhurua në maj të vitit 1819 nga konsulli Pouqueville. Duke studiuar fjalorin e Marko Boçarit, Pouqueville hartoi një fjalor të vogël frëngjisht-shqip, me rreth 440 fjalë dhe origjinali i këtij fjalori gjendet në Paris.



Papa Kristo Negovani

Në autostradën Janinë-Selanik, lart në veri të Greqisë, një tabelë tregon rrugën për Florina. Shqiptarët e quajnë Follorina, në maqedonisht njihet si Lerin. Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, Follorina mbante lidhje të ngushta me Manastirin. Në vitin 1875, afër Follorinës, në fshatin Negovan, u lind Papa Kristo Negovani, i cili u bë i njohur edhe me emrin Kristo Harallambi. Pasi ndoqi shkollimin në Athinë, punoi mësues në një shkollë greke në Leskovik. Një kohë jetoi në Rumani, ku mësoi të shkruajë shqip (me alfabetin e Stambollit).


Pasi u kthye në fshatin e lindjes, u shugurua prift dhe vazhdoi punën si mësues i gjuhës shqipe. Kur filloi të mbante edhe meshën në gjuhën shqipe, ai u ballafaqua me urrejtjen e hierarkisë fetare ortodokse dhe të qarqeve nacionaliste greke. Peshkopi i Kosturit, pas një shërbese kishtare në shqip, i kishte thënë: "Mos të gjettë viti tjetër ndër të gjallët". Dy ditë më vonë, më 12 shkurt 1905, Papa Kristo Negovani u masakrua me sëpatë. Për të marrë hak pas një viti e gjysmë, luftëtari shqiptar, Bajo Topulli, e vrau peshkopin e Korçës, Fotis Kallpidhis.


Suli
Me këtë toponim përfshihen fshatrat shqiptare në jugperëndim të Janinës. Banorët e kësaj treve janë të famshëm si luftëtarë të paepur. Ndër më të njohurat gjatë periudhës së Perandorisë Osmane kanë qenë familjet Boçari dhe Xhavella. Fshatrat e Sulit kundërshtonin sundimin e Ali Pashës dhe kur ky i fundit me ushtarët e tij, në dimrin e vitit 1803, depërtoi thellë në territorin e suljotëve, shumë gra suljote u hodhën në greminë bashkë me fëmijët e tyre, vetëm e vetëm që të mos binin në duar të Aliut.


Ky akt është përjetësuar edhe në pikturë. Në historiografinë greke, suljotët konsiderohen si grekë, ndonëse literatura serioze ata i sheh si shqiptarë etnikë. Emrat e luftëtarëve të njohur si Marko Boçari dhe Kiço Xhavella, janë greqizuar (Markos Botsaris dhe Kitsos Tzavellas). Që të dy kanë marrë pjesë në çlirimin e Greqisë nga osmanët. Lidhur me suljotët, udhëtari anglez Thomas Smart Hughes, në veprën "Voyage á Janina en Albanie" shkruante (sipas përkthimit nga Eqrem Çabej): "Ky popull kishte veti të shquara luftarake dhe edukata e tij përmblidhej kurdoherë në stërvitje për luftë. Dëfrimet më të para të suljotëve ishin vallja e këngët.


E para u shtonte fuqinë e trupit, të dytat u ndiznin zemrën dhe ua ushqenin entuziazmin. Ata ishin fort të ngjitur te vendi i tyre... Shumë prej tyre kanë dhënë shembëlla të mëdha qëndrimi heroik dhe fjalët që mbanin në luftë kishin frymën e zjarrin e atyre të vjetrave. Gratë nuk binin pas nga burrat për trimëri dhe ishin gati të ndanin me ta të gjithë rreziqet e luftës. Mënga grash trimëresha shkonin rregullisht pas ushtarëve për t'u sjellë këtyre ushqimin dhe municionin, për të shikuar të plagosurit dhe, në rasë nevoje, për të luftuar krahas me prindërit, me burrat e me bijtë e tyre. Nga këto amazone, më e ndjera ka qenë Moskoja, e shoqja e kapedan Xhavellës dhe e ëma e trimit Foto, Hektorit të kësaj troje të dytë.


Emri i saj lavdohet edhe sot nëpër këngë greke dhe shqiptare... Për t'i nderuar burrat në trimëri, gratë rrinin me radhë në pus a në krua sipas trimërisë së burrave të tyre; ajo që kish pasur fatin e lig të martohet me ndonjë burrë frikacak, ishte e detyruar të presë me turp që t'i mbushin të tjerat shtambat e tyre. Gratë ishin shumë të nderuara në këtë republikë të vogël dhe pak burra mund të duronin qortimet që u bënin gratë e zemëruara, kur tregoheshin frikacakë".


Gazeta Shekulli 22/08/2009

e shtunë, 10 maj 2008

Arkeologët zbulojnë një varr 400 vjeçar pranë varrit të Skënderbeut

Varri me emrin Donika pranë vendit ku prehet Skënderbeu

Aleksandër NDOJA

Trupi i Skënderbeut mund të jetë prehur për shekuj me radhë pranë atij të gruas së tij, Donikës. E ky mund të jetë një prej zbulimeve më të rralla historike. Kjo për arsye se figura e Donikës, edhe pse një prej femrave më të rëndësishme shqiptare, ka mbetur më së shumti e mjegulluar dhe për shkak të mungesës së fakteve. Zbulimi është bërë ditën e djeshme kur disa arkeologë gjermanë kanë zbuluar një varr 400–vjeçar pranë vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë. Varri mban emrin e Donikës dhe eshtrat, sipas arkeologëve gjermanë i përkasin një femre. Ishte pikërisht pllaka e varrit, e cila nuk gjendej më shumë se një metër nën tokë, ku shkruhej se aty dergjeshin eshtrat e një femre, ndërkohë që zbulimi i ri mund të hapë diskutime të mëdha mes historianëve.

Gërmimet
Grupi i arkeologëve gjermanë janë surprizuar dukshëm ditën e djeshme kur gjatë gërmimeve rreth varrit të Skënderbeut në Lezhë, kanë mundur që të gjejnë një varr. Me kujdes të madh, i nevojshëm në këto raste, ata kanë gërmuar në të gjithë hapësirën e tij dhe kanë nxjerrë prej andej eshtrat që më vonë kanë rezultuar se i përkasin një femre. Ngjarja e rrallë ka ndodhur pikërisht dje rreth orës 10 paradite. Menjëherë arkeologët gjermanë kanë filluar hulumtimin e të gjitha mbetjeve të varrit, i cili, pas ekzaminimeve, ka rezultuar se kishte një moshë rreth 400- vjeçare. Në pllakën e varrit, e cila gjendej rreth 1 metër nën tokë shkruhej se trupi i varrosur aty i përkiste një femre me emrin Donika. Gjithnjë sipas arkeologëve, varri ishte hapur në vitin 1606, çka vërteton se varri është hapur pikërisht përpara 400 vitesh.

Diskutimet
Gjetja e eshtrave të një femre me emrin Donika, sipas arkeologëve mendohet se do të hapë shumë diskutime mes historianëve. Kjo për arsye se përveç aludimeve të ndryshme, bashkëshortes së Skënderbeut nuk i dihej se ku ishte varri. Zbulimi, nëse pas ekspertizës rezulton të jetë ashtu siç dyshohet, bën të ditur se për gjithë këta shekuj kur varri i saj nuk dihej, ajo është prehur shumë pranë varrit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Arkeologët gjermanë, përmes kureshtjes së madhe të shumë qytetarëve, kanë mbledhur në qese plastike të gjitha pjesët e skeletit të gjetur dhe me shumë kujdes i kanë nisur ato drejt Tiranës, për të bërë analiza të specializuara. Në vendin e njohur tashmë si vendi ku është varrosur Skënderbeu, në qytetin e Lezhës, çdo verë ekipe të huaja arkeologësh kanë zbarkuar aty për të kryer gërmime, të cilat kanë rezultuar shpesh herë në zbulime mjaft të rëndësishme, siç ishte dhe ai i djeshmi. Një vit më parë në këtë vend janë kryer punime për të nxjerrë në dritë ambiente të ndryshme të ndërtuar nga njerëzit që i përkasin kohës së Skënderbeut.

Dokumentari

Një dokumentar prej 96 minutash pritet të dalë së shpejti nga studioja e “Illyria Entertainment” në Miçigan, SHBA. Dokumentari është në fazën finale dhe pritet që së shpejti të jetë gati për publikun. Gjithashtu producentët synojnë që dokumentari të prezantohet në festivale të ndryshme filmash. Ai do t’u shpërndahet kanaleve televizive, ndërkohë që “History Channel” ka treguar interes për ta transmetuar. Producentët e dokumentarit shpresojnë gjithashtu që ai të shpërndahet në mënyrë masive në SHBA dhe Evropë.

www.forumishqiptar.com