e mërkurë, 17 janar 2018

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, mbrojtës i fuqishëm i Perëndimit në Ballkan

MA. Agon Rrezja

 Image result for scanderbeg

Në 547 vjetorin e vdekjes    

Diskursi perëndimor i kastriotasve
Kastriotasit, kjo familje princërore arbërore, doli në skenën politike aty në gjysmën e dytë të shek. XIV pas vdekjes së Dushanit (1355). Origjina e tyre sillet në trekëndëshin Prizren-Mat-Dibër.
Sipas traditës mesjetare feudale, Kastriotasit medoemos duhet të ishin në shërbim ushtarak si komandant apo feudal lokal në Arbëri. Në vitin 1368 për herë të parë përmendet një Kastriotas kështjellar në qytetin arbëror të Kaninës, si dëshmitarë në një kontratë, ndërkaq, në Betejën e I të Kosovës (1389) Gjergj Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut u rreshtua në koalicionin perëndimor kundër osmanëve.
Sipas kronikave osmane ai në këshillin e luftës dha ide se si ishte më së miri ta fillonin betejën. Gjon Kastrioti në vigjiljen e shek. XV do të del si aleat i Balshajve në luftë kundër sundimtarëve rashian të cilët ishin vasal të devotshëm të Perandorisë Osmane.
Invadimi dhe presioni i osmanëve për ti gjunjëzuar Kastriotasit, tërësisht, bëri që këta të lidheshin ngushtë me Republikën e Raguzës si dhe me superfuqinë detare e tregtare të Adriatikut, me Venedikun. Rrjedhat politike të cilat e shoqëruan truallin arbëror gjatë viteve të 80-ta bënë që një pjesë e mirë e princërve t’iu bie fuqia politike me ç’rast pranuan vasalitetin osman ndaj sulltanit të ri, Bajazidit I.
Megjithatë, Gjon Kastrioti nuk duroi gjatë dhe në bashkëpunim me republikën e Venedikut ndezi kryengritjen në vitin 1429 por që u shua nga sulltan Murati II si shkas i rënies së Selanikut 1430. Sulltani në fjalë ia shkatërroi kështjellat, duke e lënë domenin e Gjonit vetëm në Krujë ndërkaq zgjidhje e vështirë ishte dërgimi peng i dy djemve të tij, Gjergjit dhe Stanishës.

Kryengritja e përgjithshme arbërore (1443)

Në vitet e 40-ta të shek. XV Sulltan Murati II u interesua  për pushtimin e Hungarisë. Me këtë rast, trupat osmane të udhëhequra nga bejlerbeu i Rumelis, Shehabedin Pasha, u munduan më kot të pushtonin territoret hungareze në vitet 1441-1442 sulme  të cilat përfunduan me disfatë. Pasi që u thye miti mbi ushtrinë osmane, hungarezët u përgatitën për “fushatën e gjatë” kundër osmanëve për të çliruar viset e pushtuara në Ballkan. Kësaj ekspedite i ndihmoi edhe sulmi i Ibrahim beut të Karamanis mbi qytetet e Anadollit.
Hungarezët të udhëhequr nga Janosh Huniadi princi i Transilvanis u lëshuan përgjatë Danubit në territorin e despotatit të Rashës ku iu bashkëngjit edhe Gjergj Brankoviçi. Kështu, në një letër që e dërgon Huniadi në Hungari thotë se ushtria e tij po rritej vazhdimisht me bullgar, “arbër”, vlleh, serbë etj, të cilët dëshironin që të çliroheshin nga zgjedha osmane.
Te dy ushtritë u takuan në afërsi të Nishit më 3 nëntor 1443. Sipas Jozef von Hamerit, ushtria osmane përbëhej prej tri kolonave të gjata të cilat komandoheshin prej bejlerbeut të Rumelisë, Kasem Pashës. Njëra kolonë ishte nën Is-hak beun, nga familja e Evrenozëve, e dyta komandohej prej “një beu të panjohur” që ndoshta duhet të ketë qenë Skënderbeu. Dhe e treta nën Turhan beun, kolona të cilat u shpartalluan nga hungarezët. Pasi ushtria osmane pësoi disfatë të rëndë Skënderbeu shfrytëzoi rastin që te kthehet në vendlindjen e tij duke kaluar pikërisht nëpër Kosovë.
Albanologu i njohur, Haxhi Krasniqi, në “Tregime popullore për Skënderbeun” të mbledhura në viset e rrethinës së Prizrenit, thuhet se “Skënderbeu kishte shëtitur dhe mbledhur gurë në lumin e Drinit dhe kishte meremetuar kalanë e Prizrenit”. Kjo kryengritje njëherit konsiston edhe me çlirimin e viseve të tjera shqiptare të Kosovës duke depërtuar në lindje deri në kështjellën e Zveçanit dhe Novobërdës. Zotërues të këtyre dy kështjellave sipas Konstantin Jireçekut, janë Pjetër Spani me birin e tij Aleks Spanin si sundimtarë të kësaj ane. Kurse qytetin e Prizrenit dhe të Pejës e kishin në duar Dukagjinasit. Pas Prizrenit, Skënderbeu u drejtua për në Tetovë e Dibër përmes rrugës lokale e njohur në popull si “Udha e Gorës”. Atje, organizoi planin për marrjen e kështjellës së Krujës me anë të një dredhie e cila është folur tash e sa herë nga studiues të ndryshëm.

Në bedenat e Arbërisë veri-lindore 

Pas humbjeve të njëpasnjëshme të osmanëve në Ballkanin qendror, sulltan Murati II vendosi që me anën e dredhive ta shtinte Skënderbeun në mes të dy zjarreve duke e rrethuar Sfetigradin dhe duke e shty në luftë me Venedikun më 1447.
Për t’ia hequr Skënderbeut barrën e ushtrisë osmane, Janosh Huniadi, princi i Transilvanisë, i shpalli luftë osmanëve. Ai organizoi një ushtri të madhe me afro 50.000 veta dhe u drejtua në pjesën e Kosovës lindore, respektivisht në Fushën e Kosovës. Ai donte të merrte hakun e betejës së parë më 1389.
Bën një marrëveshje të msheft me Skënderbeun, ku do të duhej të bashkoheshin në Fushë të Kosovës dhe ta dërrmonin ushtrinë osmane.
Për këtë Princat Dukagjinas në kuvendin që mbajti Gjergj Kastrioti në Lezhë, ishin të parët që u ngritën në këmbë në përkrahje të planit të dy strategëve evropian.
Kështu Barleti na sqaron se Pali u ngritë në këmbë duke e përkrahur Skenderbeun. Ai mori një nismë për t’i bindur të tjerët për këtë si detyrë jetike për ta shporrur tiraninë e sulltanit nga trojet arbërore. Për këtë ai shprehet  se “…po ia fal veten e po ta doj puna, ia bëj edhe fli, bashkë me pesë mijë ushtarë, luftës hungareze…”.
Gjeo-strategjikisht dihet se kufijtë e tyre kufizoheshin me ato të Gjergj Brankoviçit diku në Drenicë (me Llapushën, A.Rr) dhe ishte në interes që t’i largonin Osmanët nga domeni i tyre.
Është në interes të dihet se cilën rrugë gjeostrategjike e përshkoi Skënderbeu bashkë me Pal e Nikollë Dukagjinin për tu bashkuar me Janosh Huniadin në Fushë Kosovë.
Derisa Lufta e Dytë e Kosovës kishte filluar ku forcat osmane në përleshje të parakohshme ishin thyer keqas më 18-19 tetor 1448, forcat arbërore të prira nga Gjergj Kastrioti dhe Pal e Nikoll Dukagjini ishin ende rrugës për në Fushë Kosovë. 
Nëse i referohemi Krisobulës së Deçanit të vitit 1330, atëherë rruga që të çonte nga Prizreni për në Drenicë e Trepçë ishte kjo: Prizren – Krushë – Hoqë e Vogël dhe e Madhe – Rahovec dhe nga aty hynte në fshatrat e Llapushës në Jashanicë – Shtitaricë– Ujmir – Qabiq nga ku  rruga shkonte në territorin e Drenicës së Epërme e prej këtu për në Trepçë. 
Kosova Perëndimore alias Arbëria veri-lindore hynte brenda kufijve të principatës së Dukagjinasve. Andaj, motivi i tyre për të marr këtë fushat ishte edhe më i madh pasi që ishte në interes të tyre të ruanin apo zgjeronin domenin e vet. Për Luftën e II të Kosovës na jep të dhëna kronika e Xhovani Restit, kronistit raguzan (1669-1735) në të cilën thuhet se ardhja e Skënderbeut për t’i ndihmuar Janosh Huniadit u pengua nga Gjergj Brankoviqi, dhëndri i sulltan Muratit II. Ai i  kishte zënë grykat midis Shqipërisë (Albaniae) dhe vendit të vet (Sclavoniae). 
Në mbështetje të kësaj kronike mund të llogaritet edhe e dhëna e Barletit ku thotë tekstualisht “…Ushtria po hynte me një hare të pazakontë dhe me flamuj në dorë po hynte në tokat e Misisë…kur fati i pamëshirshëm apo mizoria e disa krishterëve të ndyrë si ndëshkim sigurisht nga perënditë i dhanë shkas vetëm një njeriu…ky ishte Gjergj Vukoviqi…Prandaj me të marr vesh gatitjen e luftës hungareze dhe mbërritjen e Skënderbeut, ai ia mbylli këtij të gjitha rrugët e shtigjet nga mund të kalonte…Me gjithë këtë, që të mos mbetej fare pa u shpaguar për dhëmbjen që e helmoi zemrën dhe pa e marrë hakun me ndonjë farë veprimi për pabesinë e Gjergjit, u lëshua menjëherë kundër viseve armike të Dhespotit bashkë me ushtrinë e vet të mënishme dhe pasi i plaçkiti gjerësisht, u vuri zjarrin e i shkatërroi me shpatë an’e mban…”.
Në konsolidim të shtetit centralist
Pas betejës së II të Kosovës 1448, Dukagjinasit u shkëputën nga Lidhja e Lezhës duke anuar nga venedikasit për tu lidhur përfundimisht me osmanët. Venedikasit bënin çmos që t’i shkëputnin Pal dhe Lekë Dukagjinin nga Skënderbeu, pasi që e dinin se pa këta princa, ai do të ishte i pafuqishëm duke pas parasysh formacionin e tyre ushtarak prej 5000 vetash.
Dukagjinasit dolën nga Lidhja e Lezhës si duket me pretekstin se ata nuk përfaqësoheshin denjësisht në Lidhje dhe se të ardhurat e tyre nuk ishin të mjaftueshme për nevojat e tyre, duke e pasur parasysh që familja princërore ishte e madhe e me shumë pinjoj.
Sipas Millan Shuflljat, papa dërgoi Pal Dushmanin (Engjëllin) në vitin 1452, peshkopin e Drishtit, i cili ishte në farefisni me Dukagjinët. Ndërmjetësimi i tij pati sukses, sepse Dukagjinasit u shkëputën nga miqësia me osmanët dhe lidhën paqe me  Skënderbeun.
Kjo, edhe ishte arsyeja që Sulltan Mehmeti i II pas pushtimit të Konstantinopojës 1453 u vërsul për ti pushtuar viset e Kosovës. Ai urdhëroi Isa beun që ta rrethoj kështjellën e Novobërdës. Pas një rrethimi njëvjeçar dhe pas bombardimit 40 ditësh, qyteti pushtohet më 1 qershor 1455. Së bashku me të pushtohen edhe dy kështjella në afërsi: Prilepci dhe Prizrenci. Në veri u pushtuan kështjella e Zveçanit, dhe Trepça me përjashtim të Prizrenit dhe të Pejës. 
Se kur u pushtua qyteti i Prizrenit, në historiografinë e huaj dhe atë shqiptare ka mendime të ndryshme. Problemi i pushtimit të Prizrenit dhe të rrethinës është objekt studimi dhe do të jetë edhe në të ardhmen për shkak se zotërimet e Prizrenit shkonin në kufi të despotatit të Rashës, apo të despotit të Gjergj Brankoviqit, të cilat nëse bazohemi tek defteri i Vilajetit të Vukut (1455), përputhet me pohimin se shtrirja e këtij vilajeti nuk e kalonte territorin e Gjergj Brankoviqit.
Jireçeku, mendon se Prizreni është pushtuar më 21 qershor 1455.  Këtë e ndjek edhe Franc Babingeri në biografin e Mehmetit II, por asnjëri e as tjetri nuk na jep proveniencën e kronikës apo burimit arkivor.
Një fragment i publikimit të Defterit të Ejaletit të Rumelisë të “nahisë së Bistricës” (1451-1452), nga orientalisti shqiptar, Dr. Ilaz Rexha, kishte tre distrikte (nahije): Nahinë e Rudinës, Domeshtiqit, dhe të Gorës të cilat hynin në nën njësinë tjetër të quajtur “Nahija e Shqiptarëve” – “Arnavud Nahiyesi”. Shkaku pse është quajtur kështu, mendon Ilaz Rexha, është se administrimi i këtij defteri shkonte deri tek fshati Klina i cili në mesjetë qeverisej nga princërit arbëror.
Administrata osmane këto vende, zakonisht i quante si vende të shqiptarëve, psh. Karl-ili (Vendi i Karlit), Juvan-ili (vendi i Gjonit) pastaj Sanxhaku i Dukagjinit i cili u formua në Kosovën Perëndimore gjatë shek. XV-XVI etj.
Edhe pse pushtimet apo sulmet bëheshin nga ana Osmane, administrata e tyre nuk vendosej nëpër qytete, po as edhe në fshatra. Nëse përmendej ndonjë spahi, apo timar, në njërin prej fshatrave të rrethit të Prizrenit, si është ai i Drenekurtit, në afërsi të Reçanit, mendoj se duhet të jetë fshati Kastërc-Nishor i Llapushës. Apo fshatrat e Gorës, sipas regjistrimit të sanxhakut të Tetovës 1455. Dhe si rast konkret figurimi i nahisë së Dollcit me 5 fshatra: Gllarevë, Dobërdol, Jashanicë e Poshtme, Jashanicë e Epërme dhe Jellavica, në defterin e “Vilajetit të Vukut” (1455). Në nahinë e Vuçitërrnës: fshati Drenovc i komunës së Malishevës. Në nahijen e Moravës: Tërpeza e Poshtme dhe Epërme, si dhe Karaçica. 
Megjithatë, mund të themi se ky fenomen ishte normal për kohën pasi që këto regjistrime bëheshin formalisht. Në to nuk kishte spahi që qëndronin aty. Nuk kishte vjelje të taksave, për shkak se këta spahi qëndronin jashtë timarit të tij, për sa ishin gjallë Dukagjinasit dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke vepruar për konsolidimin e pushtetit në pjesën verilindore të Arbërisë.
Prizreni (ndoshta) u pushtua përkohësisht në vitin 1459 dhe Peja më 1463. Prof. Dr. Skënder Rizaj, kundërshton Jireçekun dhe Franc Babingerin duke u bazuar në historianin turk Ismail Uzunçarlshli.shton se “në vitin 1459 veziri Mahmut pasha, pas pushtimit të Smederevës e nënshtroi edhe Prizrenin kryengritës.
Ndërkaq, osmanologu i njohur Jozef von Hameri thotë se: Mehmeti pasi e pushtoi Prizrenin më 1459 iu vërsul Smederevës.
Kjo mund të forcohet edhe nga e dhëna e kronikës së kronistit osman Oruçit ku tregon:  “Në vitin 863 hixhri (1459), Sulltani, mblodhi ushtarë dhe sulmoi Semendren (Smedereven) të cilën e pushtoi dhe aty caktoi Mehmet beun si administrues, ndërsa Evrenos beun (Isa beun, A.RR) e urdhëron që të sulmoj Vilajetin e Shqiptarëve”. 
Mirëpo, ky pushtim ishte i përkohshëm, sepse nuk ishte konsoliduar pushteti osman në këtë qytet. Prezenca e Skënderbeut në këtë trevë dhe ideja e tij e shtetit centralist që synonte ta krijonte, gjeti vend gjatë viteve 60-ta. 
Në dokumente të viteve 1460-63 ai cilësohej si “Zot i Arbërisë”. Për këtë shkak Lekë Dukagjini shprehet “se nuk don të jetë më nën Skënderbeun”. Ndërmjetësimi i papa Piut II me ndihmën e Pal Engjëllit, peshkopit të Durrësit, në vitin 1463, bënë që Leka të shkëputet përfundimisht nga Osmanët dhe të pajtohet me krye-heroin duke i shërbyer deri në shtratin e vdekjes.       
Për ta siguruar kufirin veri-lindor dhe me kërkesën e mbretit boshnjak, Tomashit, Skënderbeu kreu një fushatë të suksesshme në Sjenicë më 1464. Këtë e pohon edhe kronisti Osman Ashik Pasha Zadeja në “Historinë Osmane”, ku thotë:  “në vitet 1462-63 Mehmet hani, pushtoi Bosnjën dhe në atë kohë, kishte si synim Hercegovinën dhe Shkodrën e shqiptarëve, ai nguli këmbë edhe për të tjera (kështjella, A.Rr)”. 
Sipas medievisti rumun, Dr. Francisk Pall, i cili kishte hulumtuar burimet mesjetare të Arkivit të Napolit, konkludon se Skënderbeu në fillim të muajit shtatorë të vitit 1464 u nis me ushtrinë e tij nëpër Prizren - Pejë në drejtim të Sjenicës, me qëllim që të ndeshet me ushtrinë osmane në Sjenicë.
Mirëpo për shkak të ardhjes së ushtrisë osmane e cila kishte filluar të plaçkiste përreth Ohrit, ai u drejtua të kthehet dhe iu dol përballë ushtrisë osmane, betejë të cilën edhe e fitoi. 
Në qoftë se kjo tezë merret për bazë nga medievistët dhe nga studiuesit e tjerë, atëherë do të linte të kuptojmë se Rrafshi i Dukagjinit duke përfshirë edhe një pjesë të Drenicës ishte ende brenda kufijve të shtetit centralist të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, deri në kohën kur ai u sëmur në shtratin e vdekjes më 1467.
Pra, krye-heroi ynë arbëror, të gjithë ellanin e tij ushtarak, intelektual e kulturor ia kushtoi vendit atëror, Arbërit, ku për 25 vite iu bëri ballë të gjitha sulmeve të jashtme e të brendshme qoftë nga osmanët apo venedikasve. Jo rastësisht, dy dekada më para, do të deklaronte në kuvendin e Lezhës se ishte i interesuar të rikrijonte shtetin e Balshajve për të qenë digë kundër depërtimeve osmane në Ballkan.
(Autori është në studime doktorale të Mediavistikës pranë Institutit të Historisë Nacionale në Shkup. Poashtu, bashkpuntor i jashtëm i Institutit Albanologjik në Prishtinë)

e shtunë, 4 maj 2013

MA. Agon Rrezja, "Llapusha gjatë historisë - dokumente dhe burime gojore"


MA. Agon Rrezja, "Llapusha gjatë historisë - dokumente dhe burime gojore"


 

e diel, 12 gusht 2012

Tre muze në Kalanë e Shkupit

Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë (SHHSHM) mirëpret vendimin për fillimin e ndërtimit të tre muzeve në Kalanë e Shkupit, pa simbole fetare, ku fare qartë dihet se së paku dy nga këto tre muze i takojnë drejtpërdrejtë trashëgimisë kulturore, historike dhe shpirtërore të shqiptarëve. “Vlerësojmë se me këtë ka ngadhënjyer arsyeja e shëndoshë dhe drejtësia, dhe më në fund edhe pseudoshkencëtarët maqedonas janë bindur para fakteve të pamohueshme që në vazhdimësi i ka prezantuar Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, lidhur me të kaluarën historike të Shkupit iliro-shqiptar. Me këtë akt, edhe Pasko Kuzman pranoi realitetin se në Kalanë e Shkupit ekzistojnë themelet e shtëpive dardane-pajone, dhe me këtë u vërtetua lufta e drejtë e me fakte e historianëve shqiptar dhe shoqërisë civile shqiptare në Maqedoni. Fakti që këto muze do të jenë pa simbole fetare, dëshmon gjunjëzimin e Kuzmanit dhe të bashkëmendimtarëve të tij, për të ngritur kryqin e kishës ortodokse sllave në Kalanë e Shkupit”, thekson SHHSHM.
Kjo shoqatë thekson se në veçanti përshëndet përpjekjet e kryetarit të Çairit, Izet Mexhiti, që siç thuhet në vazhdimësi ka këmbëngulur që trashëgimia kulturore iliro-shqiptare e Kalasë së Shkupit, të ruhet nga tendencat dashakeqe të qarqeve të caktuara maqedonase, për falsifikimin e saj.
Në bazë të marrëveshjes së arritur, në Kalanë e Shkupit do të ndërtohet Muzeu i periudhës parahistorike (në bazën e mbetjeve të shtëpisë dardano-pajone), Muzeu i periudhës mesjetare (në bazën e themeleve të kishës bizantine), dhe Muzeu i periudhës osmane (në bazën e themeleve të kullës osmane).

Bota sot, 07.08.2012

Maqedonia e Re: Si u vra Hasan Prishtina?!

 

U mbushën 79 vjet që nga data e 13 gushtit të vitit 1933, ku në qytetin e Selanikut u vra në pabesi dhe mizori ish-Kryeministri i Shqipërisë Hasan Prishtina.
Gjatë viteve të qëndrimit tim në Selanik dhe duke kërkuar nëpër arkivat greke gjeta gazetën greke “Μακεδονικα Νεα” (Maqedonia e Re) të asaj kohe që mbetet i vetmi dokument historik që sjell një foto të Hasan Prishtinës i vdekur si dhe ngjarjen me imtësi.
Në gazetën “Μακεδονικα Νεα” (Maqedonia e Re) e datës 14.8.1998, është botuar dhe fotografia e vrasësit Ibrahin Çelos.
Gazeta shkruan për jetën, veprimtarinë dhe pasurinë në Selanik të Hasan Prishtinës dhe na sjell një fakt të vërtetë për datën e vrasjes së tij që deri më sot shumë historian shqiptar që janë marrë me figurën e tij e kanë gabuar duke shkruar si datë të vrasjes 14 gushtin e 1933, por sipas gazetës së kohës është data 13 gushti i 1933.
Afër vendit ku është qëlluar Hasan Prishtina ndodhej vendi i punës ku unë punoja për disa vitesh në Selanik, ndërsa shtëpia e tij ishte afërsisht 1 km larg, dhe mund të kaloja disa herë në ditë në atë rrugë, por asnjëherë nuk do më shkonte ndërmend se ai vend do të kishte lidhej me një ngjarje tragjike për historinë e kombit tonë. Për fat të keq nga shumë studiues dhe historian që janë marrë me figurën e Hasan Prishtinës anashkalohet data e vrasjes së tij dhe shtëpia që ndodhet në qytetin e Selanikut.
Disa herë bëra përpjekje se mbase gjendej ndonjë dashamirës për të financuar një film dokumentare rreth viteve të jetës së këtij burri të shquar, por ndesha në vesh të shurdhër.
Përshkrimi i atentatit nga gazeta greke e kohës “Μακεδονικα Νεα”
Gazeta greke “Μακεδονικα Νεα” (Maqedonia e Re) e datës 14 gusht 1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, shkruan për ngjarjen që tronditi Selanikut më 13 gusht të vitit 1933. Gazeta e asaj kohe shënonte se Hasan Prishtina është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve”. Gazeta e kohës përshkruan vdekjen tragjike të atdhetarit, politikanit të madh Hasan Prishtinës.
Në faqet e gazetës shkruhej: “Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 28 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtinën.
Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Ēimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane ’’IVI’’ dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo.
Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes.
Fill pas krimit të tij vrasësi, që ti ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku. Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregtores “Beharnae” të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës “Paleon Patron” ku u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në banesën e mjekut z.Dukidhis, ku dhe ju dorëzua rojës së policisë. Por nuk mundi t’i ik egërsimit të turmës.
Kalimtarët që e ndoqën dhe banuesit fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur identitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar ndaj egërsisë që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vije skuadra e policisë, u turrën dhe ata duke thirrur: - Shqyeni, shqyeni, vrasësin. Ndërsa polici më kot përpiqej të shpëtonte atentatorin, turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysmë vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën ’’Paleon Patron’’, ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi tu mbyllte derën e jashtme turmave të zemëruara.
Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri z.Zografo, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë. Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia.
Në orën 2.50 minuta pas dite oficeri Sotiriu nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke.
Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë atentatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjetë ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogun.
Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit te mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhtar.
Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregëtar frutash, ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ish shpërngulur në Nikea për hir të çlodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kish treguar për rininë, vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtarë kundër xhonturqve. Morri pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare”.

 

e premte, 13 prill 2012


“Lajm” sjell para lexuesve faksimilen e një gazete serbe të botuar në vitin 1844, ku flitet për kryengritjen e Dervish Carës dhe çlirimin e Shkupit.  
“Serbske novine” (Gazeta serbe) e 17 majit të vitit 1844, në tekstin me titull “Arnautlija” (Shqipëria) shkruan se në Shkup kanë qëndruar mbi 20 mijë kryengritës dhe kanë luftuar kundër forcave osmane, të cilët kanë qenë të udhëhequr nga Dervish Cara.
Të njëjtën gjë, pohoi edhe krye-parlamentarja shqiptare Jozefina Topalli në fjalimin e saj të mbajtur në Parlamentin e Maqedonisë, pohim ky që “i çoi peshë” historianët maqedonas. “Ndodhi pikërisht në shkurt të vitit 1844, kur 10 mijë kryengritës në udhëheqjen e Dervish Carës e kishin çliruar Shkupin dhe shtruan kërkesën për autonomi. Nga kjo kohë, Shkupi, Manastiri dhe Dibra ishin disa prej qendrave të lëvizjes shqiptare për çlirim. Lëvizja patriotike shqiptare është zhvilluar paralelisht me kryengritjen maqedonase të Ilindenit në 2 gusht 1903, ku në Manastir ishte përkrahur edhe nga popullata shqiptare, e cila ishte aktive për krijimin e republikës së Krushevës, ku Këshilli i udhëhequr nga shqiptari Vangjel Dino ishte përbërë nga përfaqësues të maqedonasve, shqiptarëve dhe vllehve”, tha Topalli.
Pas fjalimit të Topallit kanë reaguar historianët maqedonas dhe Instituti Maqedonas i Historisë në Shkup, të cilët jo vetëm që nuk i pranojnë vlerat e Dervish Carës, por e quajnë atë shërbëtor të turqve. "Këto janë vetëm keqpërdorime nacional -romantike të historisë për qëllime politike", thanë nga Instituti i Historisë në Shkup. 
Por historianët shqiptarë janë të mendimit se para fakteve edhe zotërat heshtin.
Historiani Skënder Hasani thotë se reagimi i historianëve maqedonas nuk është me vend dhe nuk bazohet në fakte, por bazohet vetëm në paragjykime. “Për Dervish Carën dhe kryengritjen e udhëhequr prej tij më shumë ka shkruar histografia maqedonase, histografia serbe, franceze,  britanike, etj, e shumë më pak histografia shqiptare. Aleksandar Markovski në vitin 1985 shkruan një libër me titull ‘Kryengritja e Dervish Carës’, ku e shpjegon qartë se kryengritësit shqiptarë e kanë çliruar Shkupin dhe ka dalë kërkesa e parë gjatë rilindjes shqiptare për autonominë e Shqipërisë. Më pas kanë shkruar edhe autorë të tjerë”, thotë Hasani duke shtuar se në arkivin e Maqedonisë ka mjaft dokumente që flasin qartë për këtë çështje. 

“Lajm” sjell para lexuesve faksimilen e një gazete serbe të botuar në vitin 1844, ku flitet për kryengritjen e Dervish Carës dhe çlirimin e Shkupit.  
“Serbske novine” (Gazeta serbe) e 17 majit të vitit 1844, në tekstin me titull “Arnautlija” (Shqipëria) shkruan se në Shkup kanë qëndruar mbi 20 mijë kryengritës dhe kanë luftuar kundër forcave osmane, të cilët kanë qenë të udhëhequr nga Dervish Cara.
Të njëjtën gjë, pohoi edhe krye-parlamentarja shqiptare Jozefina Topalli në fjalimin e saj të mbajtur në Parlamentin e Maqedonisë, pohim ky që “i çoi peshë” historianët maqedonas. “Ndodhi pikërisht në shkurt të vitit 1844, kur 10 mijë kryengritës në udhëheqjen e Dervish Carës e kishin çliruar Shkupin dhe shtruan kërkesën për autonomi. Nga kjo kohë, Shkupi, Manastiri dhe Dibra ishin disa prej qendrave të lëvizjes shqiptare për çlirim. Lëvizja patriotike shqiptare është zhvilluar paralelisht me kryengritjen maqedonase të Ilindenit në 2 gusht 1903, ku në Manastir ishte përkrahur edhe nga popullata shqiptare, e cila ishte aktive për krijimin e republikës së Krushevës, ku Këshilli i udhëhequr nga shqiptari Vangjel Dino ishte përbërë nga përfaqësues të maqedonasve, shqiptarëve dhe vllehve”, tha Topalli.
Pas fjalimit të Topallit kanë reaguar historianët maqedonas dhe Instituti Maqedonas i Historisë në Shkup, të cilët jo vetëm që nuk i pranojnë vlerat e Dervish Carës, por e quajnë atë shërbëtor të turqve. "Këto janë vetëm keqpërdorime nacional -romantike të historisë për qëllime politike", thanë nga Instituti i Historisë në Shkup. 
Por historianët shqiptarë janë të mendimit se para fakteve edhe zotërat heshtin.
Historiani Skënder Hasani thotë se reagimi i historianëve maqedonas nuk është me vend dhe nuk bazohet në fakte, por bazohet vetëm në paragjykime. “Për Dervish Carën dhe kryengritjen e udhëhequr prej tij më shumë ka shkruar histografia maqedonase, histografia serbe, franceze,  britanike, etj, e shumë më pak histografia shqiptare. Aleksandar Markovski në vitin 1985 shkruan një libër me titull ‘Kryengritja e Dervish Carës’, ku e shpjegon qartë se kryengritësit shqiptarë e kanë çliruar Shkupin dhe ka dalë kërkesa e parë gjatë rilindjes shqiptare për autonominë e Shqipërisë. Më pas kanë shkruar edhe autorë të tjerë”, thotë Hasani duke shtuar se në arkivin e Maqedonisë ka mjaft dokumente që flasin qartë për këtë çështje.  

Gazeta "LAJM" Maqedoni      06.04.2012

e mërkurë, 29 shkurt 2012

Tryezë në Zagreb kushtuar albanologut Shuflai 

 

Zagreb, 29 shkurt - Në kuadër të kremtimit të përvjetorit të katërt të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 100 vjetorit të ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në këtë vend dhe Këshillin e pakicës kombëtare shqiptare të qytetit të Zagrebit, në “Matica Hrvatska” organizoi dje një tryezë shkencore për personalitetin e albanologut të shquar kroat, Dr.Millan Shuflai, njofton qik-u. Pikëpamjet e tij, paanshmërinë, korrektësinë dhe simpatinë e madhe që kishte ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimin dhe argumentimin në mënyrë shkencore të tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptareve nga ilirët si dhe autoktoninë e tyre në trojet shqiptare, dr. Millan Shuflai i mbrojti deri në fund të jetës së tij kur më 19 shkurt 1931 në Zagreb, regjimi i atëhershëm i Mbretërisë SKS bëri atentat ndaj tij.

Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës pjesëmarrësit e kësaj tryeze shkencore i përshëndeti ambasadori Valdet Sadiku, i cili në fjalën e tij veçoi se populli shqiptar kudo që jeton respekton figurën dhe krijimtarinë e albanologut me famë dr. Milan Shuflai, i cili gjatë jetës së tij bëri shumë për kombin tonë dhe i cili, duke u përpjekur të plasojë të vërtetën për shqiptaret tek popujt e Evropës, e pësoi me jetë. Në këtë rrugë Shuflai ka lënë gjurmë të pashlyeshme të cilat historiografia shqiptare i çmon gjithnjë, tha ambasadori Sadiku.

Tryezën e përshëndeti edhe dr. Gëzim Rexhepi, kryetar i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare për qytetin e Zagrebit ku ishin të pranishëm punëtorë të shkencës e të kulturës, politikanë dhe simpatizues të tjerë të krijimtarisë dhe personalitetit të dr.Shuflait nga radhët e kroatëve por edhe të shqiptarëve që jetojnë në Kroaci.

Para një numri të madh pjesëmarrësish, punimet e tyre shkencore në këtë tryezë për personalitetin dhe rëndësinë që ka krijimtaria në shkencën shqiptare që la pas dr. Milan Shuflai i paraqitën nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Republikës së Kosovës, akademik Pajazit Nushi, i cili edhe përshëndeti punimet e kësaj tryeze në emër të institucionit më të lart të dijes në Kosovë, ASHAK.

Me punimet e tyre shkencore në tryezë u paraqiten edhe prof. emeritus Zvonimir Sheparoviq, viktimologu me nam dhe ish ministër i punëve te jashtme të Republikës së Kroacisë, akademik Zef Mirdita, ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi, prof. dr. Aleksander Stipqeviq, prof.dr. Josip Jurqeviq, mr.sc. Darko Sagrak dhe të tjerë. U vendos që punimet e prezantuara shkencore të botohen si broshurë e veçantë nga Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit dhe Shoqata “Dr. Milan Shuflai”.

Punimet e kësaj tryeze i përshëndetën edhe ndihmësministri i Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kroacisë, Sreqko Shestan si dhe nënkryetari i Matica Hrvatske, Stjepan Suqiq.

Gazeta "Koha Ditore", 29.12.2012