e martë, 17 janar 2012

Lulzim Basha inauguron sheshin “Skënderbej” ne Shkup

Shkup-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mori pjesë si i ftuar nderi në ceremoninë e vendosjes së gurit të themelit, në nisjen e punimeve për sheshin “Skënderbej” në Shkup.
Në ceremoninë e organizuar në 544 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, ishte i pranishëm Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zv/kryeministri Musa Xhaferri, njëkohësisht Kryetar i Këshillit Organizativ për kremtimet e 100-vjetorit, anëtarë të kabinetit qeveritar e qytetarë të shumtë.
Pas vendosjes se gur themelit, të pranishmit vendosën kurora me lule pranë monumentit të Skënderbeut.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u shpreh se emri i Skënderbeut, statuja e Skënderbeut, i bën nder çdo qyteti europian. Sipas Bashës, Gjergj Kastriot Skënderbeu i ka bashkuar shqiptarët kurdoherë, si një nga gjeneralët më të mëdhenj të Europës, strateg i luftës mbrojtëse. Skënderbeu, sipas Bashës, mbajti gjallë shpresat e shqiptarëve dhe u kthye në një simbol të Rilindjes Kombëtare dhe sot është simbol i bashkimit të shqiptarëve, kudo ku jetojnë.
Skënderbeu, tha Basha, “simbol i bashkimit, i lirisë, i vllazërisë, i atdhedashurisë, por është po kështu një simbol i fuqishëm i europianizimit të kombit shqiptar, i europianizimit për të cilin, ky prijës u shpall “atlet i Europës”, shumë më herët se sa ajo të konceptualizohej si një entitet politik, drejt të cilit jemi të orientuar të gjithë ne shqiptarët, pavarësisht se ku jetojmë”.
Sipas Bashës, projekti europian është edhe përgjigjja përfundimtare e aspiratave tona kombëtare.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmetit, tha se “Flamuri dhe Skënderbeu janë dy emblema që na kanë mbajtur shpirtin gjallë për 544 vjet. Prezenca e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës është një nderim,  jo vetëm njerëzit prezent këtu, por të gjithë shqiptarët e Maqedonisë”.
     Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në Shkup u takua me zv/ kryeministrin Musa Xhaferri, përgjegjës per implementimin e marrëveshjes së Ohrit, njëkohësisht Kryetar i Këshillit Organizativ, për kremtimet e 100-vjetorit. Me nisjen e punimeve për sheshin “Skënderbej” nisën kremtimet edhe për 100 – vjetorin e Pavarësisë.
     Basha dhe Xhaferri ishin në një mendje për forcimin e rolit të pushtetit vendor në këtë 100-vjetor të Pavarësisë.
     Kryebashkiaku Basha u prit në një takim të veçante edhe nga Kryetari i qytetit të Shkupit, Koçe Trajanoski. Të dy homologët ranë dakort për të vendosur një bashkëpunim mes Shkupit e Tiranës si dhe intensifikuar bashkëpunimin mes dy administratave.

Nuk ka komente: