e mërkurë, 4 janar 2012

Beqir Meta: Arkivat e Athinës e Beogradit na mbyllën dyert

“Të dalin në shesh të vërtetat e mëdha të kombit, historianët të rishkruajnë historinë, jashtë ideologjisë”. Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha në fjalën që mbajti në hapjen e Ditëve të Albanologjisë, dje në Tiranë. Historianë, gjuhëtarë e etnografë u mblodhën dje për të bërë një përmbledhje të të gjitha arritjeve të këtij viti. Ashtu edhe herë të tjera, Kryeministri Berisha u ka bërë thirrje historianëve të rishkruajnë historinë, ndërsa gjuhëtarëve që gjuha shqipe të pastrohet nga “ndikimet staliniste” e të përfshihet më shumë në programet shkollore, qoftë edhe duke shkurtuar orë të tjera. “Doktrina marksiste ndaj gjuhës ishte vepra e Stalinit që e pretendon veten gjeni në gjuhë. Gjuha duhet të çlirohet nga këto ndikime. Kam besim të madh që ju studiues të lirë, dashurues të gjuhës, do i bëni asaj të gjitha shërbimet që meriton, që çdo shqiptar të ndihet krenar”, tha ai. Dita e djeshme iu kushtua më së shumti historisë dhe shumë studiues sollën disa prej hulumtimeve që kanë realizuar së fundi në arkiva shqiptarë e të huaj. Për këto të fundit mbajti një relacion drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta. Në një intervistë, Meta tregon për projektin dyvjeçar për vjeljen e arkivave të huaj, gjendjen e arkivave shqiptare dhe ç’duhet të kuptojmë me “rishkrim të historisë”.

Z. Meta, prej dy vjetësh ka nisur një projekt që synon të vjelë arkivat e huaj, mbi Shqipërinë, cili ka qenë rezultati i deritanishëm?
 
Prej dy vjetësh ka nisur fushata më e madhe që kanë njohur ndonjëherë institutet tona kërkimore albanologjike dhe aq më tepër në fushën e historisë. Sigurisht, ne kemi pasur koleksione dokumentesh të huaja qëmtuar nga profesorë të nderuar, si Arben Puto, Ligor Mile, por koleksionin më të pasur e ka sjellë prof. Aleks Buda në një bashkëpunim me arkivin e Vjenës, që ne thuajse e kemi të plotë. Kështu që në rrugën e prof. Budës nisëm të kryejmë hulumtime të plota në arkivat më të mëdhenj diplomatikë perëndimorë dhe jo vetëm. Kemi shfrytëzuar Arkivat Kombëtare Britanike, që përveç arkivave diplomatike, përfshijnë edhe fondin e Ministrisë së Luftës, Shërbimet Sekrete, Ministrinë e Brendshme etj., të cilat kanë ndjekur të gjitha ngjarjet në Shqipëri gjatë shek. XX. E kemi marrë këtë arkiv në mënyrë tërësore, sistematike. E theksoj këtë, sepse koleksionet që kishim, përbënin vetëm 1 të 10-at e asaj që kemi marrë ne tani.
 
Ç’periudhë përfshijnë këto kërkime?
 
Me këto kërkime kemi plotësuar të gjithë gamën nga janari i vitit 1912 deri në vitet ’70-’80. Dhe në arkivat diplomatike të Romës, Parisit, Berlinit, kemi marrë gjithë koleksionet që kanë qenë të hapura për Shqipërinë, nga 1912-1970. Është kërkuar jo vetëm me zërin Shqipëria, por edhe me emrat e vendeve fqinje dhe vende të tjera, që kanë trajtuar çështjen shqiptare, apo që Shqipëria ka pasur marrëdhënie. Kjo na lejon të shikojmë raportet diplomatike të vendeve ballkanike mbi çështjen shqiptare. Pra janë bërë hulumtime plus. Nga pikëpamja metodologjike kërkimet që kemi bërë janë gjithëpërfshirëse dhe totale, nuk ka seleksion. Pra është marrë gjithçka që ka lidhje me Shqipërinë. Ndërsa në kohën e komunizmit edhe për arsye të kushteve e të mjeteve, por edhe të metodologjisë e botëkuptimit, janë bërë përzgjedhje selektive.
 
Mund të flitet për “manipulim” të fakteve?
 
Nuk mund të them se ka pasur manipulim, pa studiuar dokumente që kanë pasur manipulime. Atëherë janë marrë disa dokumente që u janë dukur të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, por kanë qenë të paplota. Duke qenë të paplota burimet, krijohen qoftë dhe pa dashje interpretime të gabuara. Interpretimet e gabuara vijnë për dy arsye: e para nga mungesa e informacionit ose informacioni i njëanshëm dhe e dyta, nga çështja e botëkuptimit dhe e metodës. Këto të fundit e dimë se si kanë qenë dhe çonin në interpretime të njëanshme politike, tendencioze. Kështu ka qenë gjithë historiografia dhe ajo nuk mund të dilet jashtë regjimit, është logjike. Fakt tjetër ishte informacioni shumë i izoluar, shumë fragmentar dhe dokumentet sporadike. Prandaj kemi insistuar që arkivat e sipërpërmendur t’i marrim në mënyrë të plotë dhe këtë e quajmë sukses. Vlerën e këtij informacioni do ta shohim në vazhdim, por metodologjikisht jemi të qetë, se kemi bërë një punë që s’është bërë asnjëherë.
 
Cili nga arkivat që keni hulumtuar është më i pasur me dokumente për Shqipërinë?
 
Më i pasuri është arkivi diplomatik italian. Është një arkiv gjigant dhe ju e njihni përfshirjen e Italisë në çështjen shqiptare… Por njëkohësisht është edhe arkivi më liberal, më i hapuri, krahasuar me Athinën apo Beogradin, ku e kemi vështirë të futemi, sepse ka barriera të forta. Arkivi italian është shumë i pasur me dokumente, por ne e kemi filluar nga ‘12-ta me qëllim që të mbushim një herë shek. XX, i cili është shumë problematik, për shkak të politizimeve dhe të ndërhyrjeve. Pasi të mbyllim këtë proces, i cili nuk do të jetë i shkurtër, do të nisim me periudhat e tjera, si Mesjeta.
 
I keni pasur kapacitet e duhura të studiuesve për ta realizuar këtë projekt?
 
Për shekullin XX kemi pasur kapacitete, ndërsa për Mesjetën, në raport me shek. XX është më i vogël, më i rrudhur, edhe pse ka specialistë të mirë. Por janë vetëm katër veta.
 
Si na vjen Shqipëria përmes këtyre dokumenteve?
 
Në shek. XX Shqipëria vjen në gjithë kolorin e saj. E vështirë të bëjmë një panoramë të përgjithshme, pasi bëhet fjalë për 450 mijë faqe dokumente në gjuhë të huaja që kërkojnë të studiohen dhe ju e kuptoni se nuk është e lehtë të përpunohet një informacion i tillë. Në muajt dhe vitet e ardhshme, përveç Institutit të Historisë dhe ekipit që po merret me historinë e shqiptarëve në shek. XX, që janë 37 studiues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, do të jenë dhe doktorantët tanë, të cilët do të bëjnë doktorata për çështje specifike.
 
Përmendët pak më parë arkivat e Greqisë dhe të Beogradit, keni trokitur tek ato?
 
Ishte e vështirë. Ka pasur censurë ç’është e vërteta dhe nuk kemi arritur ende të hyjmë atje. Por kemi gjetur një zgjidhje të tërthortë. Po përpiqemi nëpërmjet shteteve të tjera, që kanë qenë në ish-Republikën Jugosllave. Tani jemi në rrugë për të marrë rreth 20 mijë dokumente për Kosovën. Janë dokumente të Jugosllavisë që ruhen në këto shtete.
 
Po në arkivat perëndimorë keni pasur probleme?
 
Arkivat perëndimorë kanë qenë të hapur, jo vetëm për ne, por për të gjithë. Ata e kanë rregull këtë. Kushtet e shfrytëzimit ishin fantastike, me mjete dixhitale dhe i kemi marrë pa kosto fare.
 
Nëse do t’i krahasonim me arkivat tanë…
 
Ne duhet të bëjmë diçka për arkivat tanë. Arkivat shqiptarë fatkeqësisht janë shumë larg në mënyrën e shfrytëzimit të tyre. Ne jemi dekada vjet pas, jemi ende në kohën e komunizmit për mënyrën e shfrytëzimit. Ne marrim qindra-mijëra faqe pa paguar asgjë në arkivat e huaj dhe në arkivat tanë duhet të kemi buxhete dhjetëfish më të mëdhenj për t’i marrë. Arkivat shqiptarë duhet të ridimensionojnë në mënyrë radikale mënyrën e shfrytëzimit të tyre dhe të reduktojnë shpenzimet. Ne nuk kemi para për t’i bërë letër e fotokopje. Për të marrë materiale, ka shumë burokracira. Ndërkohë që janë edhe shumë të vjetruara. Studiuesit punojnë në mikrofilma të palexueshëm. Kjo është shkatërrimtare.
 
Edhe sot Kryeministri tha të rishkruajmë historinë. Mos është kthyer në klishe kjo frazë?
 
Jo, nuk është kthyer në klishe. Shqipëria ka shumë nevojë të ecë përpara. Rishkrimi i historisë tek ne e ka origjinën bashkë me fillimin e proceseve demokratike në Shqipëri. Pra, ne kemi filluar të ndryshojmë regjimin, të ndryshojmë botëkuptimin tonë, metodat e kërkimit. Ky është një proces historik, që nuk ka ardhur ndonjëherë. Është i vështirë. Jo të gjithë historianët kanë qenë në një linjë, por duhen përgëzuar të gjithë. Sigurisht ka përfundime të ndryshme, ka ende mbetje të komunizmit në botimet tona, kjo nuk bëhet me dëshirë, por është çështje e botëkuptimit. Është e pamundur që një brez intelektualësh të shkëputet menjëherë dhe me thikë nga komunizmi. Ne po luftojmë shumë ta bëjmë këtë punë, duke përdorur historiografinë perëndimore që është shumë e avancuar dhe që është baza jonë teorike dhe metodologjike, por dhe duke përdorur këtë fushatë të madhe kërkimore, e cila shmang politizimin. Duke mbledhur gjithë informacionin e huaj në baza sistematike nga pikëpamja faktologjike, e kemi luftuar kompromisin dhe shmangim interpretimet e njëanshme dhe politike.
 
Pra, me rishkrim duhet të kuptojmë ndryshimin e botëkuptimit e metodologjisë, jo detyrimisht të përfundimeve të deritanishme?
 
Me rishkrim duhet të kuptojmë ndryshimin në botëkuptim dhe koncept e plotësimin e fakteve. Ky është një proces. Nuk mbaron sot. E kuptoj që shoqëria shqiptare ka nevojë dhe dëshirë të ketë përgjigje të shpejta. Ne po punojmë. Këto botime do të bëjnë një presion shumë të madh mbi opinionin publik. Do të ketë botime sistematike dhe një vepër të plotë sintetike.

ALMA MILE

Gazeta Panorama     22 dhjetor 2011


 

Nuk ka komente: