e mërkurë, 14 dhjetor 2011

Leka Zogu, ose vazhdimësia e shtetit shqiptar

MENTOR NAZARKO
Pak ditë më parë, një penë e shquar shqipe si Ardian Vehbiu, kishte shkruar një artikull me një titull të thjeshtë “Leka”. Që në titullin e shkrimit të vet, Vehbiu donte të distancohej nga qëndrimi, le ta quajmë zyrtar, që e quajti mbret apo trashëgimtar të fronit Leka Zogun I, të ndjerë tashmë. Shkrimi mbështetej mbi një episod që e kishte jetuar vetë në vitin ‘91 në kampet e refugjatëve shqiptarë të Italisë, e që tregonte mosnjohjen e realitetit nga ana e atij që ne, republikanë apo monarkistë qofshim, duam s’duam, ishte biri i Mbretit të Shqiptarëve, Ahmet Zogu, apo Zogu I. Edhe episodi tjetër që e mbështeste historinë e jetuar nga Vehbiu, në lidhje me tentativën e Leka Zogut I për të rrëzuar regjimin enverist në fund të viteve ‘60, tregonte, sipas autorit të shquar, mosnjohjen e realitetit shqiptar nga ana e trashëgimtarit të fronit mbretëror. Po, Vehbiu ka të drejtë edhe sipas gjykimit tim. Leka Zogu I nuk e ka njohur realitetin shqiptar të periudhës së komunizmit dhe deri diku atë postkomunizëm. I rrethuar nga njerëz që gjithashtu nuk e njihnin apo s’kishin mundësi ta njihnin, ai ka ndërtuar mbase shpesh apo gjithmonë veprimin e vet politik mbi bazën e ideve të pasakta mbi realitetin shqiptar të periudhës së komunizmit apo më tej. Në një farë kuptimi, edhe protesta e tij para KQZ-së me një kobure në brez në 1997-n, në një vend ku të gjithë ishin të armatosur, megjithëse e përkufizuar me sforcim si grusht shteti, është pasojë e informacioneve të gabuara apo mosnjohjes së realitetit. Po, a është mëkat që duhet të na bëjë ta skualifikojmë tërësisht Leka Zogun kjo mosnjohje e realitetit të vendit më të izoluar të Europës? A mjafton që ta injorojmë faktin se ai ishte, de facto dhe de jure, trashëgimtar i fronit mbretëror shqiptar? A duhet të na bëjë kjo që ta gjykojmë negativisht këtë njeri, me metrin e propagandës komuniste, ndërsa pretendojmë se jemi produkte të një kulture tjetër, të distancuar tërësisht nga komunizmi?
 

Inercia e së majtës ndaj historisë së afërt
Mjerisht, një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare, ku duhet përfshirë dhe e majta zyrtare, vazhdon të arsyetojë sipas kulturës komuniste. Edhe ndaj Leka Zogut. Kundrejt kësaj figure, familjes mbretërore në tërësi, madje mund të thuhet se e majta zyrtare shqiptare bëri kthim mbrapa në krahasim me qëndrimin e PS drejtuar nga Nano dhe Meta, e cila shpalli nevojën e rishikimit të historisë dhe figurave të saj diku nga viti 2003. Pavarësisht motiveve që mund ta kenë shtyrë zotin Nano në këtë kthesë të madhe që e çonte partinë e tij drejt qendrës, kjo kthesë shënonte një shkëputje nga dogmat enveriste. Sepse ka një paradoks të madh në sjelljen e sotme jo thjesht të së majtës, por dhe të elektoratit të saj, të mendimtarëve të saj. Jemi distancuar nga Enveri, por nuk jemi distancuar nga përfundimet dogmatike të historisë së shkruar në kohën e tij mbi figurat historike që e kanë rivalizuar Enverin. Nuk mund të jetë lëvruar shkencë historike e pavarur, aq më shumë për gjykimin e bashkëkohësve të tij si Ahmet Zogu, Mbreti i Shqiptarëve, apo i biri i tij, sepse Enveri e donte të pastër nga rivalët periudhën e tij. Ndërkaq, nëse ne e konsiderojmë regjimin e Hoxhës si regjim diktatorial, atëherë si duhen quajtur grupet antikomuniste që e sfiduan atë, diku të sponsorizuar nga Leka Zogu, diku nga amerikanët dhe perëndimorët? Si i quante Enveri – grupe subversive që cenonin një regjim të ligjshëm, siç pretendon dhe sot një sociolog i njohur? Ku mbështetej legjitimiteti i Hoxhës? Te çlirimi i vendit prej UNÇ? Çërçilli çliroi botën, por iku menjëherë pas Luftës me zgjedhje të lira, ndërsa Enveri nuk organizonte zgjedhje të lira. Dakord, janë të dënueshëm grupet që kanë bërë veprime terroriste, që mund të kenë cënuar jetë njerëzish të pafajshëm, po si mund të gjykojmë për grupet e tjera, që të mbështetur nga fuqitë perëndimore kanë sfiduar komunizmin duke vdekur për rrëzimin e regjimit? A mjafton fakti se disa prej tyre vinin prej forcave të mundura në Luftën e Dytë, për të paragjykuar tërësisht veprimet e tyre? A do të vazhdojmë të injorojmë faktin se deri në vitin 1942, vetëm nacionalistët shqiptarë të grumbulluar rreth Legalitetit, partisë zogiste, ishin të vetmit që zhvilluan rezistencë antifashiste? Aq e vërtetë është kjo rezistencë, sa e Enver Hoxha u detyrua ta ftonte Abaz Kupin në Konferencën e Pezës dhe ta bënte anëtar të Shtabit të Përgjithshëm.
 
Baza e kësaj inercie është dhe dominimi i historianëve të majtë
Mjerisht, ky dogmatizëm, kjo inerci gjykimesh ndaj një figure, ndaj një periudhe, ndaj një regjimi të ligjshëm shqiptar, siç ishte Mbretëria dhe trashëgimtari i saj, kultivohet edhe nga fakti se historiografia dominante shqiptare përbëhet kryesisht nga historianë të majtë që kanë shkruar në mijëra kopje tekstesh shkollore të vërtetën e tyre. Janë historianë, të cilët nuk duan të rishikojnë qëndrimet e tyre të shprehura në libra të shkruar në kohën e Enver Hoxhës, madje në përpjekje për t’u dukur koherentë, ata dhe në librat e tanishëm konfirmojnë qëndrimet e tyre të hershme. Disa prej tyre pretendojnë se Mbreti Zog u vetëshpall, por nuk shpjegojnë se Shqipëria nuk kishte traditë dinastike, dhe se në fund të fundit dhe në Mbretëritë europiane ka gjithnjë një fillim në bazë të vetëshpalljes, dhe jo të ndonjë lidhjeje direkte me Zotin. Këta historianë, në fund të fundit, nuk merren me pasojat pozitive të shpalljes së Mbretërisë, produkt i rrethanave shqiptare, por me detaje të mbretërimit. Këta historianë merren me rrugët autoritare të mbretërimit të Zogut, por jo me metodat aspak ortodokse të kundërshtarëve të tij. Një pjesë tjetër ekzaltojnë faktin se Ahmet Zogu erdhi nga Jugosllavia (po roli pro Zogut i Anglo Persianës dhe interesi i saj ndaj naftës shqiptare??) për ta rrëzuar qeverinë e Nolit. Harrojnë se kjo mbetet diçka normale për pushtetarët shqiptarë që janë mbështetur te fqinjët për të ardhur në pushtet (Enver Hoxha te serbët e Titos; Sali Berisha te grekët e Nea Demokratias; Fatos Nano te grekët e PASOK-ut). Këta historianë, ndërkaq, harrojnë se pikërisht traktatet që Zogu nënshkroi me Italianë vetëm dy vjet pasi erdhi në pushtet (1926-1927) ishin traktate antijugosllave apo antigreke. Kaq e vërtetë është kjo, sa dhe sot kosovarët e respektojnë më shumë se në Shqipëri Mbretin dhe Mbretërinë. Të njëjtët historianë flasin për shitje të Shën Naumit, duke injoruar faktin se Shën Naumi u shkëmbye me territor tjetër ngjitur me rrugën Tiranë-Korçë, territor me rëndësi strategjike për lidhjen e kryeqytetit me një zonë jetike për mbijetesën kombëtare, si pellgu i Korçës. Dikush prej këtyre historianëve, apo shumica e tyre, flasin për një Mbret që e shiti Shqipërinë tek Italia, por e kanë të vështirë të shpjegojnë se pse Mbreti iku dhe nuk qëndroi dhe për ca kohë, duke pranuar ultimatumin italian, duke mbetur si mbret i mbrojtur prej bajonetave italiane. Nuk shpjegojnë dot pse Mbreti organizoi rezistencën, pse zogistët ishin grupi më kompakt antiitalian nga 1939-a deri më 1942-shin, si afirmojnë unanimisht studiuesit e huaj. Është për t’u habitur një historian tjetër, i cili nuk e fsheh urrejtjen ndaj Mbretit Zog, urrejtje që e bën të injorojë tërë ngjyrat e qëndrimit anglez ndaj tij në vitet e Luftës. Ky historian i shquar edhe pranon se qeveria britanike, tërësisht në mbrojtje të pretendimeve greke ndaj Jugut të Shqipërisë, vazhdonte të mbante pranë Mbretit në Londër të njëjtin ministër (shefin e legatës, Ryan), që kishte në Durrës, edhe thotë se Mbreti nuk konsiderohej si qeveri e ligjshme nga britanikët. Ky historian injoron legjitimitetin e Zogut jo pse nuk kupton rëndësinë juridike të konceptit të vazhdimësisë shtetërore, përkundër tezës greke dhe britanike të mbrojtur dhe në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946, se regjim i ligjshëm ishte ai i kuislingëve të Vërlacit. Ai realisht don të mbrojë legjitimitetin e qeverisë së Hoxhës duke injoruar konceptin e vazhdimësisë shtetërore, e cila kështu shkëputej për 5 vjet dhe nuk mund të qepej me vendimin e Kongresit të Përmetit. Tërësisht ndryshe do të ishte nëse komunistët do të kishin organizuar një referendum për formën e regjimit në 1946-n.
Në rrethana të tilla, me të vërtetë që Shqipëria ka nevojë për një rishikim tërësor të historisë që mësojnë brezat e rinj. Këtë rishikim, sigurisht, nuk mund ta bëjë qeveria e Sali Berishës, i cili komprometon edhe njëherë tjetër seriozisht figurën e tij me kërcimet pindarike brenda një kohe kaq të shkurtër nga Nolist në Zogist. Nuk është ndershmëri apo koherencë politike kërcimi prej sjelljes së tij të turpshme ndaj Leka Zogut në 1993-shin te sjellja servile në 2011-n. Këtë rishikim duhet ta bëjnë vetëm shkencëtarët, madje dhe duhet ta kishin bërë prej kohësh. Por ndërkohë, shoqëria, e majta veçanërisht, vërtet duhet të shkëputet nga qëndrimet dogmatike, trashëgimi e një pjese të elektoratit, brezit të vjetër të ish-kuadrove komunistë. Leka Zogu vërtet mund të mos e njihte realitetin, por ai përfaqësonte pinjollin e dikujt që kishte jetësuar idenë e rilindësve për shtetin shqiptar të fortë dhe dinjitoz. Babai i tij si Mbret kishte lundruar me mjeshtëri ashtu si kishte ditur për ta ruajtur pavarësinë e shtetit shqiptar, madje dhe si i shfronësuar ishte treguar i matur, kur kërcënohej integriteti ynë territorial nga grekët, pa iu kundërvënë regjimit komunist. Edhe Leka Zogu, që luhatej midis impulsivitetit tipik shqiptar dhe qetësisë që i vinte prej nënës së tij, e kishte sfiduar regjimin komunist, por kurrë nuk kishte bërë lojën e armiqve të Shqipërisë. Ndaj, fjala kyçe në sjelljen e shtetit dhe shoqërisë ndaj figurave të tilla, duhet të jetë si kudo në Perëndim: respekt ndaj vazhdimësisë shtetërore. Kjo do të thotë: respekt ndaj figurave historike me dritëhijet e tyre; njohje e vazhdimësisë shtetërore pa shkëputje, respektim i statusit të Familjes Mbretërore (jo përdorim i saj koniunktural për qëllime banale elektorale). Kështu respektojmë veten dhe tregojmë se shqiptarët vërtet kanë pasur shtet, me përjashtim të periudhës së pushtimit.

Gazeta Panorama

Nuk ka komente: