e diel, 10 prill 2011


Bujar Kapexhiu: Vdekja e Mehmet Shehut, shkaku i censurimit të filmave “Kur shefi merr flakë” dhe “Autogol”

Nisin ditët e filmit të animuar në AQSHF, për publikun për herë të parë dhe filma të ndaluar

Krijimtaria e regjisorit Bujar Kapexhiu me shfaqjen e katër filmave, që përfaqësojnë punën e tij shumëvjeçare në artin e animacionit çelën ditët e filmit të animuar në AQSHF. Muaji prill i është kushtuar krijimtarisë së animacionit, ndërsa do të jenë dhe disa regjisorë të tjerë të cilët do të prezantojnë krijimtarinë e atyre artistike. Kapexhiu është një nga themeluesit e këtij

zhanri filmik së bashku me regjisorin Vlash Droboniku dhe në këtë program u risoll edhe puna e tij e parë “Pika e ujit” prodhim i vitit 1976, që në fondin kronologjik të filmit të animuar mban numrin 3, gjithashtu dje u shfaqën edhe dy filma të ndaluar më parë për motive biografike të bashkëskenaristit Bashkim Shehu “Kur shefi merr flakë” prodhim i vitit 1980 dhe“Autogol” prodhim i vitit 1981, po ashtu po dje erdhi dhe filmi i animuar “Pipiruku në pallat” 1985. Për këtë aktivitet Bujar Kapexhiu shpreh vlerësime, ndërsa tregon dhe shkaqet që çuan në censurimin e dy filmave prodhim të viteve ’80. “Për herë të parë në kuadrin e filmave vizatimorë që prodhoheshin në atë kohë unë tentova të bëj dy filma të animuar për të rritur. Unë mora dy probleme që ishin arroganca dhe punët e dobëta të punëtorëve, i cili ndërsa punon e ka mendjen diku tjetër. Së bashku me skenaristin Bashkim Shehu ne i realizuam filmat, por në kohën që ne mbaruam filmat ndodhi vrasja ose vetëvrasja e ish kryeministrit Mehmet Shehu, kështu që nuk mund të dilnin filma me skenar të Bashkim Shehut”, u shpreh regjisori Bujar Kapexhiu. Më tej ai tregon se edhe vetë ishte kureshtar që ti shikonte këto filma, pasi kanë qenë të ndaluar për shumë vite. Regjisori në ditët e filmit të animuar në AQSHF tregon se në atë kohë punohej shumë për filmin dhe gjithmonë ishin vlerat artistike në fillim. “I gjithë stafi punonte shumë, sepse në fillim ishte pasioni. Mbaj mend që autobusi i linjës Kombinat-Kinostudio për në qendër ishte deri në orën 1 të natës. Në ato vite i pari ishte pasioni, ndërsa sot është paraja ajo që i mobilizon njerëzit të punojnë”, pohon regjisori Bujar Kapexhiu. Ditët e filmit të animuar do të vijnë me të tjera prodhime të animacionit, duke sjellë emra të tjerë krijuesish shqiptarë të filmit të animuar.


Kapexhiu mes regjisë, skenaristit dhe aktorit
Bujar Kapexhiu “Artist i Merituar”, aktor, piktor, regjisor, skenarist. Studioi për aktor në shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar, si edhe kursin e lartë pasuniversitar për regjisor po aty. Më 1968 filloi punë si regjisor në Teatrin e Estradës së Tiranës, ku shkroi shumë skeçe, parodi, kuplete si edhe u mor me karikaturë për organet e shtypit. Pas një periudhë 2 vjeçare largimi nga Tirana, për shkak të "shfaqjeve liberale dhe moderniste" në Festivalin e 11-të Këngës në RTSH, ku ishte autor teksti dhe konferencier, u rikthye më 1975 si regjisor dhe piktor në sektorin e sapo ngritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios "Shqipëria e re". Filmi "Zhgarravinat" (1977) ku Kapexhiu krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë u vlerësua me çmimin e I të Festivalit të III të filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll,Turqi 1979; me Kupën e Festivalit të III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979, si dhe me çmim në Napoli të Italisë në 1984. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma vizatimorë në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor; mes tyre spikat edhe Pipiruku, personazhi i dashur për fëmijët i ndërtuar prej tij. "Pipiruku pret 2 miq" u vlerësua me çmim të dytë në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor. Pas vitit '85 iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë, duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistike "Dy herë mat", 1986, "Tela për violinë" 1987, "Stolat ne park" 1988 "Edhe ashtu, edhe kështu" 1989.




Nga Julia Vrapi               Gazeta SOT       

Nuk ka komente: