e premte, 11 shkurt 2011

Pëllumb Xhufi: Historia e Voskopojës, e vërteta gjendet në arkiva



Historiani sjell një histori 100-vjeçare të Voskopojës bazuar në dokumente arkivore. “Shekulli i Voskopojës (1669-1769)”, botuar nga “Toena”, paraqitet sot në mesditë në Akademinë e Shkencave. Ky studim është edhe një përgjigje ndaj tezave greke e rumune  për përvetësim
Cila është e vërteta e një shekulli histori të Voskopojës? Lulëzimi, rrënimi dhe faktorët që e çuan drejt fundit, janë pjesë e një studimi shkencor që historiani Pëllumb Xhufi e ka konkretizuar në një botim. “Shekulli i Voskopojës (1669-1769)”, botuar nga “Toena”, paraqitet sot në mesditë në Akademinë e Shkencave. Provokimi i historisë ka qenë një shtysë e pashmangshme për Xhufin, ndërsa konsultimi me dokumentet arkivore e ka vënë atë përballë tezave të fryra greke dhe rumune. Në një mënyrë, ky studim është edhe një kundërpërgjigje e manisë për ta etiketuar këtë territor si të njërit apo tjetrit.

Si nisi shtysa për këtë libër studimor?

Mendimi për të konkretizuar në një libër këtë studim, që kishte nisur të konceptohej prej kohësh, më lindi në pranverën e vitit 2008, kur mediat shqiptare u pushtuan nga debati për librin e shkrimtarit Ben Blushi, “Të jetosh në ishull”. Atë kohë u fol shumë për suksesin e pazakontë të këtij libri, dhe me të drejtë ky iu atribua talentit të padiskutuar të autorit, por edhe një fushate publicitare në shkallë të gjerë si dhe një marketingu të pakursyer që parapriu e shoqëroi botimin e tij. Ndërkohë, lexues e studiues të vëmendshëm kanë nënvizuar edhe një arsye të tretë të suksesit, jo më pak të rëndësishme se të parat: provokimin me historinë (Shaban Sinani, Për letërsinë shqipe të shek. të 20-të, në “Gazeta Shqiptare”, e martë, 7 shtator, f. 19). Në fakt, edhe pa këtë sprovë të Blushit, historia është provokuar rëndë në këto 20 vjet të tranzicionit shqiptar. Me sponsorizim të politikës, sigurisht, ose të parasë. Kujtojmë  këtu “tezat” e reja mbi identitetin e shqiptarëve, mbi rolin e familjeve të mëdha, mbi Luftën Nacional-Çlirimtare, revizionimet e figurave historike, që arrijnë deri aty sa Noli të paraqitet si “bashibozuk”, kurse Zogu si “demokrat”, për të arritur pastaj tek ajo që u shit, gjithashtu nëpërmjet një fushatë të ethshme marketingu, si ngjarja shkencore e shekullit: historia “ndryshe” e Skënderbeut e studiuesit zviceran Oliver Schmitt, i cili deshi të “demitizojë” heroin tonë kombëtar, por përfundoi në dehistorizimin e tij. Sigurisht, kritikave për një shpërfytyrim të historisë, që nuk munguan edhe ndaj tij, Blushi iu përgjigj fare i qetë se, ai vetëm ka trajtuar artistikisht një temë historike. Shpjegim që nuk ngushëllon askënd. Ndaj, vendosa që ta shfrytëzoj provokimin “artistik” që Blushi i bëri historisë, për të përfunduar një projekt që kishte nisur vite më parë, edhe ai si provokim, por si një provokim shkencor. Në verën e vitit 1990, pata rastin të shoqëroj Prof. Maximilian D. Peyfuss në një udhëtim të gjatë në malësitë e jugut shqiptar, e posaçërisht në disa vendbanime malore të njohura historikisht si vendbanime vllehe. Historiani austriak ka një origjinë të largët nga Voskopoja, origjinë vllahe, për të cilën ishte shumë krenar. Takimet e tij spontane me banorë vlleh të Voskopojës e të fshatrave Shipskë, Llëngë e Niçë, larg syve e veshëve të njerëzve të Sigurimit, shkaktonin një elektrizim të vërtetë emocional tek Maximiliani, që vinte thellë qenies së tij dhe që unë e kuptoja mirë. Kështu, falë atij udhëtimi në shoqëri të Prof. Peyfuss, fitova ndjeshmërinë e duhur për të nënvizuar e regjistruar çdo informacion historik që ndeshja në lidhje me vllehtë e Shqipërisë e të Ballkanit. Në këtë mënyrë preka me dorë edhe rastin “Voskopojë”.

Cilat ishin konkluzionet e para pas shfletimit të literaturës?

Ballafaqimet e para me literaturën historike mbi qytetin më kishin dhënë ndjesinë e pakëndshme të dhunimit të një territori të huaj: Voskopoja më shfaqej si një monopol i shpallur për historianë grekë e rumunë, që ndesheshin prej shekujsh mes tyre, për të provuar, secili në favor të vetes, që ky qytet emblematik ishte përkatësisht “helen”, d.m.th., grek apo “arumun”, d.m.th. rumun. Me kohë m’u krijua perceptimi se zërat e dobët të historiografisë së re shqiptare, që kishte arsyet e veta serioze për të treguar që Voskopoja ishte një vendbanim shqiptar, po aq sa ishte edhe vendbanim vllah (pa qenë aspak vendbanim grek), injoroheshin sistematikisht nga këta “pronarë” të vetëshpallur të Voskopojës dhe priteshin me bezdi sikur të ishin ndërhyrje në punët e brendshme të tyre. Nuk u desh shumë kohë që edhe unë, si mjaft kolegë të vjetër e të rinj shqiptarë, të bindesha se historiografia greke dhe ajo rumune për Voskopojën ishte e mbytur nga paragjykime me sfond të qartë nacionalist, dhe jo thjesht e vetëm për çështjen e përbërjes etnike, por për të gjithë problematikën që ka të bëjë me jetën e këtij qyteti, duke filluar nga dita e parë e lindjes së tij e deri në ditën e tragjedisë, asaj të vitit 1769, nga e cila Voskopoja nuk e mori më veten. Për një gjë të tillë më kishte sinjalizuar Prof. Maximilian Peyfuss që në vitin 1990, kur edhe më dha shtysën e parë për t’u marrë me Voskopojën.

Është ky studim një kundërpërgjigje ndaj tezave të tilla?

Ky studim mbështetet kryekëput në shfrytëzimin dhe vlerësimin e një dokumentacioni historik mjaft të gjerë, si dhe në ballafaqimin kritik me literaturën historike, deri tani të prodhuar mbi çështje të veçanta të historisë së Voskopojës. Nëse do të duhej të flisnim për ndonjë paragjykim (paragjykimet gjarpërojnë shpesh, qoftë edhe në formë të fshehtë, në shumë vepra historike), paragjykimi ynë do të ishte thjesht metodologjik: kemi refuzuar ta trajtojmë Voskopojën si një “ishull”, i palidhur e i pangjizur me mjedisin përreth, siç kanë bërë deri tani shumë nga autorët grekë e rumunë që janë marrë me historinë e saj. Përkundrazi, e kemi projektuar rastin Voskopojë në një kuadër shumë më të gjerë, në lidhjet e saj të shumëllojshme me mjedisin e afërt e të largët gjeografik e shoqëror, të bindur se asnjë përfundim nuk do të mund të ishte i saktë dhe i drejtë, pa marrë në konsideratë dimensionin krahinor, shqiptar, ballkanik e europian të këtij qyteti prodige. Duke hulumtuar hap pas hapi këto lidhje, ne kemi dalë në një përfundim, që përbën edhe kontributin thelbësor të këtij libri, sipas të cilit nuk janë faktorët ideologjikë, kulturorë, racorë e fetarë ata që shënuan fatin e këtij qyteti, ngritjen e shpejtë dhe rënien po aq të shpejtë të tij. Historiografia greke e ka ngritur prej kohësh një skemë të tillë, pas së cilës Voskopoja ishte një produkt i “frymës helene”, një “ishull mes barbarisë shqiptare”, që në fund të fundit u shkatërrua nga myslimanët ziliqarë e nga Porta e Lartë. Asgjë nuk ka më të pavërtetë se thënie të tilla. Dokumentet e kohës, duke filluar nga Kodiku i çmuar i Manastirit të Shën Prodromit, tregojnë se historia e Voskopojës nuk mund të shkruhet duke ndjekur fillin e rremë të gjoja “helenizmit” të saj.

Ju keni marrë në shqyrtim Voskopojën e viteve 1669-1769. Referuar studimit tuaj, cila është kjo histori njëshekullore? 

Historia e 100 vjetëve të shkëlqimit të Voskopojës është historia e shkëputjes së vazhdueshme nga qerthulli kulturoro-fetar me epiqendër Patrikanën greke të Stambollit, dhe orientimin gjithnjë e më të vendosur drejt kulturës perëndimore, ku tashmë formoheshin e vepronin intelektualët e Voskopojës. Por, akoma më shumë se në faktorët kulturoro-fetarë, analiza jonë fokusohet në faktorët ekonomikë, që në fund të fundit krijuan edhe premisat për hopin e madh kulturor të Voskopojës. Ne kemi dokumentuar se aty nga mesi i shek. XVII, në ekonominë e Voskopojës ndodh një ndryshim i rëndësishëm strukturor. Nga një vend blegtoral që prodhonte kryesisht për nevojat e veta, Voskopoja na rezulton të jetë kthyer në një qendër mbarëballkanike të tregtisë së leshit e të produkteve të tij. Ky ndryshim përcaktohej nga një kërkesë e madhe për këto produkte, që vinte pikërisht nga fronti i gjatë austro-turk përgjatë Danubit. Këtu ishte dislokuar një ushtri e stërmadhe dhe e parregullt kufitare, e përbërë nga fshatarë ballkanikë, mes tyre shumë shqiptarë e vlleh. Kundrejt shërbimit të rojës, Monarkia e Habsburgëve u kishte dhuruar atyre nga një copë tokë dhe i furnizonte me uniforma e pajisje të tjera leshi. Prej këtij fronti ushtarak vinte, pra, ajo kërkesë e madhe për lesh, që përcaktoi rolin e jashtëzakonshëm të Voskopojës si protagoniste të kësaj tregtie, që kishte si qendër grumbullimi të mallit Voskopojën dhe si port evadimi të tij Durrësin. Mirëpo, kjo konjukturë e favorshme nuk vazhdoi gjatë. Së pari, me zhvendosjen e kufirit aktiv austro-turk drejt Danubit lindor, u zhvendosën drejt Lindjes edhe rrugët e tregtisë së leshit, dhe kjo e la Voskopojën në një rol margjinal. Nga ana tjetër, paqet e njëpasnjëshme austro-turke të gjysmës së parë të shek. XVIII krijuan kushtet për çmobilizimin e ushtrisë kufitare, duke ulur në minimum edhe kërkesën për leshin e produktet e tij. Këtu zë fill kriza ekonomike në Voskopojë, aq mirë e dëshmuar nga dokumentet e kohës, konfliktet e ashpra sociale brenda qytetit, emigrimi i familjeve më të shquara tregtare që kërkonin t’i iknin përndjekjeve të kreditorëve të tyre. Ishin këta të fundit ata që e sulmuan qytetin në shtator 1769, duke kërkuar të zëvendësonin me plaçkë borxhet e shumta që tregtarët voskopojarë u detyroheshin atyre. Edhe ky akt i fundit e tragjik i historisë së qytetit na ka ballafaquar me historiografinë greke, sipas të cilës autorët e tij ishin shqiptarët e rrethinave, myslimanë fanatikë e ziliqarë. Mbi bazë dokumentesh të pakundërshtueshme, ne na rezulton se sulmuesit e Voskopojës ishin kreditorët e voskopojarëve, të krishterë si këta, ndërkohë që ata të cilët e mbrojtën qytetin ishin njëmijë shqiptarë myslimanë me në krye bylykbashin Mustafa Korça, mik i voskopojarëve. Ne na rezulton qartë se kundërvëniet fetare, që aq shumë janë emfatizuar nga historiografia greke, nuk kanë të bëjnë fare me fundin e Voskopojës. Përkundrazi, gjithçka flet për atë që voskopojarët patën vazhdimisht marrëdhënie të mira me myslimanët, duke filluar nga dinjitarët vendas e duke përfunduar te Sulltani, i cili për shumë kohë e mori Voskopojën nën mbrojtjen e vet, për arsye se i siguronte atij të ardhura të mëdha në valutë të huaj. Voskopoja u rrit tej kapaciteteve të saj si rezultat i një kërkese konjukturale të tregut të jashtëm, dhe filloi rënien e saj kur kjo kërkesë filloi të bjerë. Një histori e ngjashme me atë të industrive të sotme “fason”, që kërcënohen nga të njëjtat rreziqe.

Oliverta Lila

Gazeta Shqip        11.02.2011

Nuk ka komente: