e shtunë, 13 nëntor 2010

Koha e Haydn-it në Londër

Qëndrimi i kompozitorit austriak Joseph Haydn në Londër. E vizitoi dy herë: nga Janari 1791 deri më Korrik 1792 dhe nga Shkurti 1794 deri më Gusht 1795.

Jeta në Londër ishte krejt e ndryshme nga ajo në Vjenë, dhe të dyja qëndrimet e Haydn-it jo vetëm e ndryshuan personalitetin e kompozitorit, por edhe ndikuan në rrjedhën e historisë së muzikës, e cila do të ishte formuar ndryshe, në qoftë se ai do të kishte qëndruar në Vjenë.


Biografi rreth Joseph Haydn-it nisën të publikohen sapo ky ndërroi jetë, ndërsa botimi i plotë i veprave të tija mbeti në shekullin e 19-të një ëndërr. Që nga mesi i shekullit të njëzetë gjejmë studime të plota mbi Haydn-in.

Por derisa të përpilohej një katalog i saktë i veprave të tija, u desh të kalonte kohë. Anthony van Hoboken botoi në vitin 1957 tri vëllime të katalogut tematik të veprave të Haydn-it në shtëpinë botuese Schott në Mainc të Gjermanisë.

Volumi i tretë dhe i fundit doli në vitin 1978. Hoboken posedonte një koleksion të rëndësishëm të Haydn-it, të cilin ia dhuroi arkivit të koleksionit muzikor të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë.

Sot Haydn-i mbahet si një klasik. Në vetëdijen e publikut të gjerë ai është i njohur ndër të tjera edhe për kompozimin e himnit kombëtar të Gjermanisë. E megjithatë thuajse për asnjë kompozitor tjetër të kalibrit të tij nuk ka pasur post'hum një mori vlerësimesh aq kontradiktore sa për Haydn-in. Imazhi i Haydn-it është i dyanshëm.

Nga njëra anë ai konsiderohet si krijuesi i klasikës vjeneze dhe gëzon prestigj të pareshtur, nga ana tjetër mund të thuhet se ai asnjëherë nuk mund të dilte prej hijes së gjigandëve si Moxarti dhe Bet'hoveni. Nëse pa ngurrim Bet'hovenin e quan "titan" dhe Moxartin "fëmijë gjeni", për Haydn-in je i pasigurt.

Repertori i Haydn-it është mjaft i pasur: të paktën 104 simfoni, katër oratoriume të mëdha, mbi dhjetë opera, qindra këngë dhe një numër i pafund pjesësh për muzikë dhome. Në kohën e tij Haydn-i ishte një kompozitor mjaft i vlerësuar.

Ai shpikte zhanre të reja muzikore, nuk u nënshtrohej rregullave të tonalitetit dhe si rrallë kompozitorë të tjerë ia ka dalë që të shprehte në nota edhe shakanë dhe komiken. Me surpriza, me mënyra konvencionale dhe jokonvencionale, me simetri dhe asimetri Haydn-i e bënte publikun për të qeshur.

Është një nga paradokset e jetës së gjatë të Haydn-it që ai, pa udhëtuar shumë, ishte i famshëm në gjithë Evropën.

Vetëm 1790, në moshën 58 vjeç, kur detyrimet e tija si dirigjent orkestrine në oborrin Esterházy përfunduan me vdekjen e princit Nikollë, ai ndërmori udhëtimin e tij të parë të gjatë, duke pranuar ftesën e violinistit dhe impresarios Johan Peter Salomon-it për të qenë në qendrën e një serie të re koncertesh në Londër dhe për të shkruar atje një operë italiane për teatrin e saporindërtuar të Mbretit.

Kështu Haydn-i e vizitoi dy herë Londrën: nga Janari 1791 deri më Korrik 1792 dhe nga Shkurti 1794 deri më Gusht 1795.

Jeta në Londër ishte krejt e ndryshme nga ajo në Vjenë, dhe të dyja qëndrimet e Haydn-it jo vetëm e ndryshuan personalitetin e kompozitorit, por edhe ndikuan në rrjedhën e historisë së muzikës, e cila do të ishte formuar ndryshe, në qoftë se ai do të kishte qëndruar në Vjenë.

Popullariteti i tij u rrit aq shpejt sa ai u bë si të thuash një "mall publik", një zhvillim që do të kishte qenë i paimagjinueshëm dhe i pamundur në Vjenë ose në Esterházy. Pas vetëm pak ditësh Haydn-i priste vizita të rregullta, hante çdo darkë jashtë dhe festohej në koncerte publike; pas javësh ai ishte prezantuar me princin e Wales-it dhe me dukën e York-ut, të dy bijtë e mbretit britanik.

Monarku sundues Georgu III ishte mbreti i tretë nga principata gjermane Hannover, dhe në oborrin mbretëror flitej rregullisht gjuha gjermane. Kështu që Haydn-i si "gjerman" gjeti pa probleme një publik për muzikën e tij instrumentale.

Pozita qendrore e repertorit të orkestrës "gjermane" dhe akceptanca e gjerë e kulturës muzikore "gjermane" e përcaktonin jetën e muzikës në Londër për mbi një shekull deri në kohën para Luftës së Parë Botërore. Planet e vagullta për të ftuar Moxartin dhe Bet'hovenin në fillim të viteve 90' të shekullit 18 për në Londër, përputheshin me këtë ambient "gjerman" muzikor.

Mirëpo Haydn-i do të merrej në Londër edhe me traditën italiane dhe - si një përvojë krejt e re - me atë angleze, duke e plotësuar rolin e tij të dyfishtë si kompozitor i operave italiane dhe si kompozitor i simfonive për koncerte publike.

Krahas dymbëdhjetë simfonive londineze nr. 93 deri 104 si rezultat kryesor i të dyja qëndrimeve të tija, opera dhe muzika instrumentale do të ishin të rëndësishme gjithashtu. Por gjatë jetës së tij asnjëherë opera e tij nuk u shfaq, as në Londër as diku tjetër. Megjithatë fryti i këtij fillimi zhgënjyes ishte përqendrimi i Haydn-it në kompozimin e muzikës instrumentale për koncerte në sallë.

Ai kompozoi një varg kuartetesh, dy grupe këngësh angleze "Canzonettas", tri grupe me trio pianoje, 150 këngë skoceze, korin e barinjve ose Madrigal-in, siç e quante ai vetë, "Stuhia" (angl. "The Storm"), një sinfoni koncertante dhe përpunoi disa vepra për mbretin e Napolit.

Koncertet mahnitëse të festivalit në përkujtim të Georg Friedrich Händel-it në Westminster Abbey e zgjuan tek Haydn-i interesin për muzikën korale dhe e shtynë në kompozimin e veprave "Krijimi" (gjerm. "Schöpfung") dhe "Stinët" (gjerm. "Jahreszeiten").
Haydn-it i bënte shumë përshtypje krenaria kombëtare e britanikëve, prandaj ai ishte i gatshëm ta shprehte patriotizmin britanik në veprën e tij. Kështu ai kompozoi një ode për solo në bas, kor dhe orkestër me titullin "Thirrja e Neptunit" ("Invocation of Neptune"), që shpallte të drejtën e vjetër të Britanisë së Madhe për të pushtuar territore të huaja; ai e përpunoi himnin kombëtar "Zoti e mbroftë Mbretin" ("God save the King"); ai kompozoi një marsh për princin e Wales-it dhe muzikoi fjalët e "Kënga e detarit" ("Sailor's Song").

Afrimi i tij me patriotizmin britanik e arriti kulmin e vet më 1794, i nxitur edhe nga sundimi i tmerrshëm i revolucionarëve francezë në Paris. Asokohe kishte shumë refugjatë nga Parisi në Londër.

Disa prej tyre i vizitonin koncertet e Haydn-it. Në simfoninë e re Nr. 100, e cila u dha në koncertin e tetë të sezonit, Haydn-i e përcolli në mënyrë të përkryer atmosferën e këtyre ditëve, prandaj ajo e mori nofkën "simfonia ushtarake" dhe u shfaq disa herë.

Haydn-i ishte i vetëdijshëm për faktin se Britania e Madhe dhe Austria kishin interesa të përbashkëta. Të dyja vende e kishin luftuar të njëjtin armik, Francën, dhe në kohën e revolucionit francez dhe e luftërave napoleonike ata do të mbeteshin aleatë ndërkombëtarë.

Aleanca e vazhduar midis Austrisë dhe Britanisë së Madhe do të kishte pasojat e veta për muzikën e Haydn-it dhe për pozitën e tij në të dyja vendet gjatë viteve pas kthimit të tij për në Vjenë.

Dëshira e Haydn-it për të botuar veprën e tij "Krijimi" në dy gjuhë, anglisht dhe gjermanisht, në lidhje me një listë porosish të udhëhequr nga familja perandorake austriake dhe familja mbretërore britanike, ishte një pohim i qartë i vlerave të përbashkëta kulturore. Më 1798 u botua grupi i dytë i këngëve "Canzonettas" në dy gjuhë me këngën e detarit "Sailor's Song" si "Matrosenlied".

Kur erdhi heroi britanik admirali Horatio Nelson më 1800 me të dashurën e vet Emma Hamilton dhe me poeten Ellis Cornelia Knight në Eisenstadt, muzika e Haydn-it ishte një pjesë e rëndësishme e programit argëtues. Emma Hamilton dhe Haydn-i së bashku vunë në skenë veprën "Arianna a Naxos" si dhe në Vjenë ashtu edhe në Londër, dhe ai shkroi për atë kantatën krejt të re "Beteja e Nil-it" ("The Battle of the Nile").

Trashëgimi më i qëndrueshëm i lidhjes muzikore dhe politike midis Austrisë dhe Britanisë së Madhe ka qenë vepra e shkurtër e Haydn-it "Zoti e mbroftë Perandorin Franc" ("Gott erhalte Franz den Kaiser"), himni i popullit austriak, i dhënë me porosi nga autoritetet perandorake, i cili duhej të synonte për një krenari të ngjashme kombëtare. Katër vargjet e Lorenz Leopold Haschka-s e kishin zanafillën në tekstin "God save great George our King".

Megjithëse ky himn lindi në zemrën e shtresës udhëheqëse habsburgase, administrata shtetërore nuk iu drejtua një kompozitori të oborrit, por Haydn-it që në karrierën dhe në muzikën e tij i mishëronte në mënyrë shembullore marrëdhëniet austro-britanike, të cilat ajo kërkonte t'i kultivonte.

Si pasojë e të dy qëndrimeve të tija në Londër në vitet 90 të shekullit 18, kompozitori austriak Jozef Haydn-i ishte bërë jo vetëm një nga personalitetet udhëheqëse muzikore të Evropës, një hero i nderuar i kulturës, por edhe një personifikim i pashoq i marrëdhënieve austro-britanike.

Autori është docent i gjermanistikës në Universitetin e Gracit dhe Shkodrës

Aleanca e vazhduar midis Austrisë dhe Britanisë së Madhe do të kishte pasojat e veta për muzikën e Haydn-it dhe për pozitën e tij në të dyja vendet gjatë viteve pas kthimit të tij për në Vjenë.

Dëshira e Haydn-it për të botuar veprën e tij "Krijimi" në dy gjuhë, anglisht dhe gjermanisht, në lidhje me një listë porosish të udhëhequr nga familja perandorake austriake dhe familja mbretërore britanike, ishte një pohim i qartë i vlerave të përbashkëta kulturore

Diçiture: H.C. Robbins Landon with a bust of Joseph Haydn. Photograph © Philippe Matsas.

 08.11.2010      Gazeta Shekulli

Nuk ka komente: