e shtunë, 13 nëntor 2010

Garibaldi s'i duronte kafshët në kafaz

Anita Garibaldi një leksion për lirinë, bazuar në përvojën e jetës së marinarit dhe luftëtarit për Republikë, Xhuzepe Garibaldi

Aq më pak njerëzit.
Ka shumë histori që i vishen jetës së Garibaldit për të ilustruar me to idenë e tij mbi lirinë. Njëra për të cilën foli dje në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, stërmbesa, Anita, është vetë liria. Se si gjenerali që luftoi për Bashkimin e Italisë e fitoi, strukturoi dhe e aplikoi së pari me jetën e tij konceptin e lirisë.

Në vizitën e dytë në Tiranë, Anita Garibaldi e divulgoi Përvjetorin e Bashkimit të Italisë, 150 vjetorin, me njerëzillëk. Nuk foli për mitin Garibaldi, gjeneral dhe udhëheqës i lëvizjeve nacionalçlirimtare në Italinë e shek. XIX, Çlirimtari i Botës së Vjetër.

Por se si u bë njeri me një pavarësi mendore, fëmija që lindi në det, në Nisë (1807) dhe në det u rrit. I biri i një tregtari të vogël peshku që ishte transferuar nga Liguria në Nisë. Ky fëmijë u rrit kështu, duke u kacavjerrë nëpër litarët e velave, nëpër barka e anije, gjithnjë e më shumë i lidhur me natyrën e detit nga i cili mori zanatin, marinar.

I tillë qysh 5 vjeç kur ndiqte anijet e peshkimit andej nga i frynte velat tregtia, duke njohur në këtë mënyrë rregullat e jetës e të rreziqeve të detit, por edhe disiplinën e detit, "prandaj ai ishte shumë i përgjegjshëm për rëndësinë e disiplinës në jetë". Falë kontakteve me këto elemente esenciale të jetës ai fitoi kuptimin për hapësirën individuale të lirisë.

Dhe po t'i referohemi fjalëve të djeshme të Anita Garibaldit - mban emrin e stërgjyshes së saj, gruas braziliane dhe krahut të djathtë gjeneralit, - vendi ku takohet kjo liri është pika ku "deti puth horizontin".

"Ky koncept frymëzimi universal që ai e ruajti gjithë jetën." Kjo hyn te Urdhëresa e Garibaldit për Lirinë siç e quan ajo me të qeshur. "Doja t'ju flisja sot këtu për rëndësinë e lirisë, sepse e drejta njerëzore, e drejta civile bazohen në konceptin e lirisë, jo vetëm për njerëzit por edhe për kafshët.

Nuk është për të qeshur. Xhuzepe Garibaldi themeloi shoqatën e parë në mbrojtje të kafshëve sepse thoshte janë qenie të gjalla. Ai i urrente kopshtet zoologjike, nuk shihte dot kafshë në kafaz. Edhe ato kanë të drejta ta jetojnë botën siç e jetojmë ne.

Është një koncept bazë, që vjen nga personaliteti i tij, prandaj vendosa të flas me këtë gjuhë sonte. Për Garibaldin udhëheqës gjen në internet sa të duash. Historinë e gjeni gjithkund."

Gruaja përdori një krahasim të lundrimit virtual në internet të të rinjve të sotëm me lundrimin e vërtetë të gjyshërve dhe stërgjyshërve të sajët dhe tanëve, që udhëtonin nëpër botë dhe mësonin për qenien njerëzore për atë që ajo ka nevojë, për atë që ajo kërkon. Këtij i qëllimi ia mbërrin një njeri në liri, fjalë që sot "e përdorim në mënyrë të habitshme" thotë zonja Garibaldi.

"Po përpiqem që nëpërmjet ideve të tij, koncepteve dhe sidomos nga aktet e jetës së tij të rikrijoj para jush një kuptim për jetën në bashkësi, një kuptim i zhvlerësuar dhe refuzuar

" Tekefundit Italia që u formua, nuk ishte Italia që desh Garibaldi, nuk u bë ajo për të cilën kishte luftuar. Ja këtë thotë Anita, që është rritur me kujtimet e gjyshes, e shoqja e Ricciotti Garibaldit i cili kërkonte të vinte në Shqipëri për të ndihmuar shqiptarët, në fakt luftoi në Greqi, kundër turqve.

Prej gjyshes që jetoi deri në vitet 40 të shekullit të kaluar mësoi se të ishe grua apo nënë e një Garibaldi ka qenë gjë e vështirë. Burrat në luftë, mbronin popujt, gratë pa punë, pa para, mbanin barrën e traditës dhe të vlerave, të vetëdijshme megjithatë për të drejtën për edukim dhe shkollim.

A ndihet edhe kjo grua që i ka kapërcyer të shtatëdhjetat, një grua Garibaldi? Po, thotë se po, sepse përpiqet të gjejë raportin e duhur mes njerëzve, pushteteve, popujve. Në mënyrë që njerëzit të jetojnë më mirë, t'i shprehin idetë e tyre, të jetojnë në një botë më të qetë e më harmonike.

"E di që është ideal ky, por dikush duhet t'i vendosë ca objektiva dikujt që qeveris. Idealet nuk mund të mbërrihen, sepse as Zotin nuk e mbërrijmë dot, por le të ndjekim këtë rrugë, sepse të gjetur ndoshta atë më të mirën."

Anita Garibaldi drejton sot Qendrën e Studimeve Politike Evropiane, kujdeset që të mbajë gjallë kujtesën historike që lidhet me stërgjyshin e saj. Është autore e "La donna del Generale" një vepër mbi rezultatet e një kërkimi në Amerikën e Jugut për jetën e stërgjyshes së saj Anita Garibaldi.

Prej vitit 1999 drejton Shoqatën Kombëtare Garibaldine që mban gjallë epopenë e Bashkimit të Italisë. Në vitin 2003 ka botuar "Nate dal mare" një sagë historike ku Anita Garibaldi rrok 150 vjet histori të tre brezave Garibaldi.

Pas këtij takimi, Flavia Tibaldi, Drejtoreshë e Institutit Italian të Kulturës njoftoi së aktivitetet për 150-vjetorin e Bashkimit të Italisë vazhdojnë nesër, ora 11.00 në Bibliotekën Kombëtare. Prezantohet "Arbëreshët dhe Garibaldi" (ribotim "Onufri") i studiuesit Koli Xoxe, ndërsa studiuesi arbëresh Elio Miracco, profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Universitetin "La Sapienza" të Romës, flet për "Kontributin e arbëreshëve në Rilindjen Italiane".

"Sepse ata vërtet që kanë dhënë kontribut të madh", shtoi Tibaldi. "Emra të mëdhenj italianë si Gramsci, Crispi, Cuccia që kanë dhënë për Italinë, janë të gjithë arbëreshë."

11.11.2010         Gazeta Shekulli

Nuk ka komente: