e shtunë, 2 tetor 2010

Studiuesit takohen në Prishtinë

Besa Dodaj
Ka nisur punimet, konferenca vjetore ndërkombëtare e Institutit Alb-shkenca, në të cilën po marrin pjesë me kumtesa shkencore rreth 350 studiues shqiptarë.
Rreth 350 studiues dhe përfaqësues të institucioneve shkencore dhe studiues të botës shqiptare kanë marrë pjesë në konferencën vjetore ndërkombëtare të Institutit Alb-Shkenca, e cila u zhvillua dje në Universitetin AAB-Riinvest.
Ishte tema, “Shqiptarët dhe Evropa – çelësi i komunikimit”, që hapi punimet e kësaj tryeze shkencore, e përgatitur nga njëri prej personaliteteve më të shquara të shekullit XX, fituesi i çmimit Saharov, z. Adem Demaçi, mirëpo në mungesë të këtij të fundit, kumtesa u lexua nga të pranishmit tjerë në sallë. Kjo është konferenca e pestë vjetore, që mbahet në bashkëpunim me Institutin Albshkenca të Prishtinës dhe Universitetit AAB-Riinvest. Begzad Baliu, drejtor i Institutit ka bërë të ditur se brenda afatit të specifikuar në thirrjen për pjesëmarrje, për Konferencën vjetore janë paraqitur rreth 350 studiues nga gjithë hapësira shqiptare, ballkanike dhe evropiane me rreth 300 punime shkencore. Komisionet e formuara brenda dhjetë seksioneve shkencore kanë arritur të zgjedhin kumtesat më të mira, falë edhe kërkesës që kumtesat të dërgohen të plota, ndërsa kanë mënjanuar vetëm ato kumtesa, të cilat në nivel të abstrakteve nuk kanë premtuar nivel të qëndrueshëm kërkimor dhe shkencor. Gjatë këtyre dy ditëve konferenca pritet t’i zhvilloj punimet në dhjetë seksione shkencore dhe në disa seanca të tyre, në fushë të shkencave ekonomike, mjekësore, albanologjike, teknologjike, politike, elektronike, juridike, filozofike, të artit, të ambientit, të natyrës etj. Gjatë konferencës pritet të hapet edhe një ekspozitë arti, të shfaqen disa filma dokumentarë dhe të prezantohen një varg projektesh shkencore individuale apo kolektive, në mesin e të cilave do të përurohen veprat e plota, në shtatë vëllime shkencore të studiuesit Mentor Quku për Ndre Mjedën.
Ditën e tretë organizatori ka planifikuar një udhëtim nëpër Kosovë në vendet historike dhe pikat etnokulturore të saj. 

Gazeta Bota sot      02.10.2010

Nuk ka komente: