e martë, 30 mars 2010

Kadare në psikoanalizë
 
Ornela Domi         02.03.2010
 
Kadare në psikoanalizë “Kadare në Psikoanalizë” përbën një dëshirë të brendshme për ta parë Ismail Kadarenë ndryshe, nga një këndvështrim tipik frojdian. Është fjala për një studim monografik, i cili përmbledh 5 vepra të Kadaresë me karakter autobiografik : “Kronikë në Gur“, “Rrëfim trikohësh”, “Marrëzia kadaerane”, “Qyteti pa reklama”, “Muzgu i perëndive të stepës”. Ka qenë një sprovë jo e lehtë, e cila ka rrekur të qëmtojë elementët autobiografikë, që lidhin jetën me veprën e një shkrimtari, nëpërmjet një metode letrare moderne siç është “Psikoanaliza e letërsisë’. Këto materiale biografike të kamufluara dhe herë-herë jo, janë të koleksionuara dhe të sistemuara sipas kompleksve të tezës frojdiane duke u nisur nga skema klasike e ajsbergut me tre përbërësit dhe njëkohësisht nga instinktet bazë: seksual, agresiv (thanatos). Njëkohësisht një shtyllë tjetër themelore e psikoanalitikës, në të cilën është bazuar këndvështrimi im, ka qenë pikërisht shpjegimi i procesit krijues të autorit dhe rrethanat, që kanë ndikuar tek shkrimtari gjatë momenteve të të bërit letërsi. Gjithashtu, brenda këtij libri janë të komentuara edhe marrëdhëniet në familje të Kadaresë fëmijë, marrëdhëniet me babazotin, ngjashmëria me të atin, karakteri i ftohtë i Kadaresë, etj. Siç e thamë edhe më sipër, në të tërësi është operuar me skemën e ajsbergut, ku sipas meje Superego përfaqësohet nga vëzhgimi i regjimit me instancat e tij deri tek Sigurimi i Lartë i Shtetit. Unë kam menduar se, shkrimtari Kadare gjatë krijimit të veprës së tij në tërësi, para viteve ‘90, ka pranuar artificialisht, pra i detyruar, rregullat e Superegos, të të ashtuquajturit art të Realizmit Socialist, duke pasur parasysh edhe pasojat e ndonjë refuzimi të mundshëm. Pra ashtu siç edhe veproi regjimi i atëhershëm për këdo që shpalli luftë të hapur me të, me ekstremitetet e vrasjeve apo internimeve jo vetëm të artistëve por edhe të familjeve të tyre. Kështu, kompromisi u bë duke paguar taksën e përmendjes së figurës së diktatorit tek “Dimri i madh” dhe kjo e gjitha për një mision fisnik, hyjnor për të shpëtuar dhe për të na dhënë atë veprën e tij të madhe epope, por duke e sulmuar laboratorin e bërjes së letërsisë në mënyrë të tërthortë me alegoritë , fantazitë, simbolet e tij. Së pari, vepra e Ismail Kadaresë, them se shihet nga një këndvështrim psikoanalist, pasi ajo ka tiparin e të qenit universale si në ide, botëkuptim dhe formë e stilparaqitje. Të gjithë ne kujtojmë risitë që solli vepra në planet psikologjike dhe të botës së brendshme të karaktereve, pra dramën e njeriut te kohës. Së dyti, vepra e Kadaresë përmbush një tipar tjetër të teorisë së psikoanalitikës, atë të kënaqësisë estetike. Dhe sërish këtu përmendim, kulmet e formave estetike ligjërimore, ku autori na shprehet si mjeshtër i niveleve të larta artistike të rrymave moderne evropiane. Kjo është një poetikë simbolike e intrigës si katalizatore themelore e veprës së këtij autori duke plotësuar thelbin e psikoanalitikës, ku mbizotëron mendimi në krahasim me ngjarjen dhe fabulën e saj e duke nxjerrë në pah rrjedhat e pavetëdijes dhe raportet me botën e brendshme. Së treti, koha kadaerane bëhet material faktik i tezës psikoanalitike, duke qenë se ajo në vepër është ashtu si Frojdi e projekton. Pra, koha përdoret e përbërë, ku ato ndërthuren në më shumë se një kohë, pa datime konkrete. Koha kadaerane është siç e përcakton Frojdi, ku shkrimtari merr spunto nga një moment aktual duke u rikthyer një kujtimi në të kaluarën për të dhënë filozofinë e një zezone të ardhme(kujto këtu Prometeun ose luftën e Trojës, mite ricikluese).
Dhe së fundi për të përmbyllur tiparet qe duhet të ketë një shkrimtar teksa bën letërsi është edhe trajtimi që i bën ai lëndës mitologjike. Sikurse projekton Frojdi idenë për baladat dhe mitet, ku ato përbëjnë elementë të shpjeguar për jetën e një populli në një kohë x, edhe autori ynë i realizon veprat me natyrë të këtillë me anë të fantazive dhe imagjinatave si realizime të dëshirave dhe ëndrrave të ndërgjegjes së popullit shqiptar, ku e pavetëdijshmja historike del në pah. Kadareja bën kështu që mitin ta nxjerrë nga miti i kohës dhe nga vjetërsia, pluhuri i antikitetit, për ta përpunuar me velin e bashkëkohësisë, dhe për të komunikuar kështu me mentalitetin e kohës së tashme, por edhe të ardhme. Për “Kronikë në gur” vlen të
thuhet ndikimi që ka pasur familja e babazotit (gjyshit nga e ëma), ose familja e Dobatëve, të cilët ndikuan në kulturën, edukatën për librin, tek fëmija Kadare. Tek fëmija Kadare dhe procesi i tij krijues, kanë pasur ndikim të njëjtë edhe librat që lexonte në bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës, karakteristikat e shtëpisë së tij: pjesa nëntokësore dhe kubet që lidhnin “dy zonjat”. Interesante në këtë kapitull është edhe kompleksi i verbërisë, për të cilin do të lexoni edhe tek “Qyteti pa reklama“, ku siç duket kompleksi gjallon si i tillë. Ky kompleks është ekzaminuar në vepër nga aludimet që autori
fëmijë i bën shikimit, verbërisë, humbjes së dritës së syve. Kemi po këtu edhe kompleksin tjetër, atë të seksualitetit të parakohshëm apo të hershëm, i cili shfaqet po në fazën e fëmijërisë. Shpesh fëmija Kadare imagjinon për një nuse të zbukuruar nga Kako Pino, pra këtu kemi të bëjmë me dëshirën për të imituar një burrë, dëshirë e cila e pozicionon atë në një burrë të vogël. Seksualiteti i hershëm dhe tejet i zhvilluar (mendërisht kuptohet) shfaqet edhe tek ëndërrimi për dy figura femrash më të mëdha se ai në moshë: Nusen e Nazos dhe Margeritën e bukur, komshijen e babazotit. Erotizmi i zhvilluar ka edhe tiparin e dyzimit, ku fëmija flirton në një farë mënyre me një bashkëmoshatare të tij, personazhin e Suzanës. Ky seksualitet kompleks në përbërje, padyshim ngelet i tillë vetëm në kornizat e elozheve dhe ndjesitë e simpative të imagjinatës dhe ëndërrimit, tek i cili ka ndikuar stadi mental i zhvilluar i një fëmije jo të zakonshëm (artist), por ka ndikuar edhe thyerja e tabuve të mentaliteti shqiptar, siç ka qenë edhe shtëpia publike e hapur nga italianët në atë periudhë. Tek kapitulli për “Koha e shkrimeve“, interesant për t ‘u lexuar është përshkrimi i fazës së parë, ku fëmija Kadare, tashmë i rritur, disi fillon dhe hedh hapat e parë drejt krijimit artistik. Vjersha e botuar në një gazetë në Tiranë dhe entuziazmi për suksesin e saj, ngallëzimi i redaktorëve të gazetës deri tek aspirinat, ilaçet, magjepsja tregon për ekzistencën e një kompleksi tjetër të personalitetit të shkrimtarit, atë të madhështisë. Ndërsa tek “Koha e dashurisë”, jepet një eksperiment, një aventurë e parë adoleshenteske, naive në raport me femrën. Bëhet fjalë për një luftë të tmerrshme të dëshirave, instinkteve seksuale, të cilat në këtë moshë më shumë se kurrë duan të shpërthejnë në vetëdije, porse Mbiuni, pra normat familjare, sociale janë tepër të rrepta dhe drastike në botëkuptimin e heroit- shkrimtar. Një eksperiencë, që le gjurmë të mëvonshme tek rinia e hershme, pikërisht gjatë qëndrimit të tij në Moskë (Muzgu i perëndive të stepës), ku heroi teksa përcillte një mikeshë për në shtëpi, i kujtohet pikërisht ajo eksperiencë negative me Violën, dhe ai nuk arrin dot ta puthë aty afër portës së shtëpisë së saj. Është një bllokim, një ndërprerje e rrjedhës së raportit idilik të dashurisë. Kurse tek “Koha e parasë”, shfaqet një tjetër kompleks, i obsesionit, fiksimit ndaj kultit të parasë. Ky kult kthehet në këtë moshë në mani për të plotësuar dëshirën e madhe e të qenit të pasur me anë të mjetit, i cili në këtë rast qe falsifikimi i monedhave 5-lekëshe me shokun e tij të fëmijërisë, Ilirin.
Tek “Marrëzia kadaeriane”, flitet për marrëzitë e çuditshme të fisit të Kadaresë dhe shpjegohet deri diku anomalia në to dhe lidhja me marrëzinë tjetër e të qenit artist i madh, si shkrimtari ynë. Kadare nuk ka pasur një afrimitet me të atin, madje tek ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit babazotin, i ati nuk i është afruar fare të birit, pra Kadaresë fëmijë, qoftë edhe për ta ngushëlluar, ashtu sikur kishte pjesë të ditës ku ai dukej sikur nuk e njihte fare atë. Dhe duket se vetë personaliteti dhe karakteri i Kadaresë ngjason shumë me babain e tij.
Ka ekzistuar një dëshirë në mendjen e shkrimtarit për të realizuar një përmbysje të mitit apo për ta demistifikuar atë, teksa ai projekton tharmin e parë të mitit të Luftës së Trojës. Kadareja e ka parë në ëndërr Luftën e Trojës dhe dëshira e tij ka qenë për ta shmangur atë luftë të tmerrshme nëpërmjet një strategjie të tillë: sikur ai dhe shoku i tij i ngushtë hynin natën në Trojë me kalin e famshëm dhe paralajmëronin
trojanët për rrezikun, që i kanosej. Tek “Qyteti pa reklama“ do të lexoni të gërshetuar instinktin seksual, që pulson me aventurat me Luisa Angonin, femrën e bukur dhe me eksperiencë dhe dashurinë nga ana tjetër platonike me Stelën. Gjithashtu i veçantë në këtë kapitull është edhe falsifikimi i historisë dhe letërsisë shqiptare për të bërë disa dokumente të tjera të datuara më herët, tepër të rëndësishme. Kjo vetëm e vetëm për të arritur dëshirën për transferim në Tiranë dhe largimin nga Gjirokastra, ku Gjonin e kishin emëruar një mësues të thjeshtë. Aludime shumë të bukura gjejmë edhe për dobësinë e tij për vdekjen, dheun, varrezat e Vasilikojt, parashikimin e kohës nga vetë Kadareja për të vdekur. Kjo përbën edhe kompleksin e agresivitetit, së bashku me falsifikimin e dokumenteve të historisë. Ndërsa tek kapitulli i fundit jepet shtysa për të krijuar “Muzgun e perëndive të stepës, pikërisht me kujtimet dhe
nostalgjinë për Lida Snjeginën. Dhe dëshira për këtë vajzë, impulset erotike nga të pavetëdijshme kthehen në të vetëdijshme, sapo ai e sublimon atë në vepër. Po në këtë kapitull, do të gjeni
edhe sythat e parë të legjendës së bujshme të Konstandinit dhe Doruntinës, të cilën ia tregon për herë të parë Lida Snjeginës .
 
GAzeta Tirana Observer

Nuk ka komente: