e mërkurë, 17 shkurt 2010

REPUBLIKA “AUTONOME” E KORÇËS
A duhet lejuar zhdukja e një vlere historike që perkujton rezistencën antishovinste greke ???
Lufta e Parë Botërore ishte në zhvillim. Shqipëria ishte bërë shesh beteje, Ushtritë italiane dhe franceze, kishin zënë Shqipërinë e Jugut, kurse ushtritë austro – hungareze e bullgare, Shqipërinë e Mesme.
Në Korçë, ishin vendosur forcat pushtuese greke. Rreziku i copëtimit dhe aneksimit të Shqipërisë së Jugut, nga shovinistët grekë, ishte i madh. Pikërisht në këtë periudhë kaq të vështirë, forcat patriotike ngritën popullin në këmbë, për t’i dalë zot vendit, vecanërisht patrioti i shquar Themistokli Gërmenji, duke përfituar nga rasti i shtrirjes së ushtrisë franceze në Korcë dhe në qarkun e saj, ngritën një komision, dhe në emër të popullsisë së krahinës, u kërkuan forcave franceze, largimin e grekëve nga Korca dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Më 10 dhjetor 1916 në qendër të qytetit të Korçës, në hollin e ndërtesës së Bashkisë, një kompani këmbësore franceze kishte marrë një qëndrim ceremonial. Komandanti i tyre Henri Descoins, i rrethuar prej një morie delegatësh, po shihte për herë të fundit faqet e daktilografuara të marrëveshjes që do të firmosej nga ai dhe katërmbëdhjetë delegatët shqiptarë të kazasë së Korçës, ku përfshiheshin shtatë ortodoksë dhe shtatë myslimanë. Autoritetet franceze, u ndodhën përballë një lëvizjeje të fuqishme patriotike shqiptare, që kërkonte me çdo kusht largimin e pushtuesve grekë, nga Korça.
Komandanti francez i zonës së Korcës, koloneli Descoins, sipas udhëzimeve të komandës së Armatës së Lindjes, vendosi të largonte nga Korça, venizelistët grekë dhe hyri në bisedime me udhëheqësit e lëvizjes shqiptare.
Ishte pikërisht,10 dhjetori, i vitit 1916. Njerëzit u mblodhën në shkollën e Shën Gjergjit, që në orën 9:00 të mëngjesit. Aty, vjen Themistokliu dhe paria e Korçës. Ndërsa përpara Bashkisë, ushtarët francezë, veshur me uniformë festive, qëndronin për nder armë.
Sipas protokollit të 10 dhjetorit 1916 , qyteti i Korcës, Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora, formonin një krahinë “autonome”, që do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. Krahina do të administrohej nga një këshill administrativ, i përbërë prej katërmbëdhjetë vetash, i cili do të kishte edhe xhandarmëri për të mbajtur rregullin. Themistokli Gërmenji, u caktua me detyrën e prefektit të policisë një njesi ushtarake që me dinjitet u vu në krah të Armatës franceze të Orjentit për garantimin e rendit publik dhe që Presidenti Francez ka nderuar disa luftëtar shqiptar.
Gjuha zyrtare ishte shqipja dhe flamuri i Krahinës “autonome”, ai shqiptar, me një shirit të trengjyrëshit francez. Protokolli u firmos nga të dyja palët .Themistokliu doli në ballkon dhe ngriti flamurin së bashku me Kolonelin.Marrëdhëniet e funksionarëve të këshillit administrativ shqiptar, me forcat franceze dhe sidomos, me kolonelin Dekoen, kanë qënë të mira dhe pozitive. Krahina “ autonome”e Korçës, pati rëndësi të madhe dhe ishte sukses i shënuar, i forcave patriotike shqiptare. Ajo, megjithëse pati autonomi të kufizuar, arriti të sigurojë mjaft të drejta për popullin, të krijojë kushte qetësie dhe zhvillimi ekonomik, si dhe të paralizojë veprimtarinë shoviniste greke, në Shqipërinë e Jugut.Por tashmë në vitin jubilar të 90-të vjetorit të largimit të armatës franceze nga Korça dhe fitores së pavarsisë përfundimtare të krahnës së Korçës , Shtëpia muze është lënë në mëshir të fatit dhe Pllaka që përkujtonte ditën kur patrioti i shquar Themistokli Gërmenji dhe Koloneli Francez ngriti flamurin që shpallte Korçën Republikë Autonome nuk është më.
Persona të paidentifikuar, (nuk dihet prej sa kohësh), e kanë grabitur pllakën dhe shtëpia është lënë në mjerim të plotë, kjo të bën të mendosh se ka qarqe të interesuara që kjo banesë me vlera historike të shumëllojshme të humbasë si vend ngjarje historike duke marë me vete edhe vlerat e shumta të saj dhe duke konkretizuar shuarjen e kujtesës historike mjaftë të ndjeshme që kjo godinë dhe pllaka përkujtese ka për banorët e qytetit. Ja disa vlera të rëndësishme që përkujtohen nëpërmjet kësaj godine.
1. Në këtë pllakë përkujtimore shkruhej se data 10 dhjetor 1916, që përkon me ditën kur patrioti Themistokli Germenji e shpalli nga godina e administratës vendore , Korçën, Republikë Autonome, duke e shpëtuar atë nga lakmitë që kishin trupat pushtuese për këtë qytet.
2. Kjo godinë kreu funksionin e selisë qëndrore të Republikës Autonome të Korçës që ndikoi fuqishëm në zhvillimin e lëvizjes patriotike në vendin tonë dhe hodhi bazat e zhvillimit kulturor perendimor.
3. Edhe në maj të vitit 1920, kur trupat franceze nisën të largohen dhe grekët përparuan drejt Korçës banorët ringritën menjëherë flamurin po nga kjo godinë dhe organizuan rezistencën që çoi nënshkrimin e protokollit të Follorinës më 15 maj 1920. Bashkëveprimi i vullnetarëve nga e gjithë shqipëria që u mblodhën në Korçë dhe dorëzimi gradual i qytetit nga francezët ( data e fundit 21 qershor 1920 ) bëri që shqipëria e jugut të mbetej e lirë nga trupat greke.
4. Gjatë luftës iralo-greke që u zhvillua edhe në teritorin shqiptar, mbasi hynë grekët në Korçë, nuk e kishin haruar goditjen e 1916 dhe 1920. Grekët si fillim u treguan të matur. Por më pas në këtë godinë historike që frenoi okupimin e Korçës disa vite më parë, veç flamurit shqiptar vunë edhe flamurin grek tamam në prag të 28 nëntorit 1940. Pas ca kohësh, në janari i ‘41-it, flamuri ynë u hoq dhe mbeti vetëm ai grek.
garnizonit të qytetit, Gjenerali Theodhoraqis Dhimitros, nga ballkoni i Bashkisë deklaroj: “ Është gëzim i madh të shohësh Korçën të “lirë”, këtë qender të kulturës greke të bashkohet me atdheun helenik”.
5. Bashkia e Korçës që instuticionalisht funksjononte në këtë godinë ka edhe një meritë tjetër me vlera patriotike. Edhe pse me forcën e armëve në të valvitej flamuri grek , drejtuesit e arsimit dhe shumica e arsimtarëve korçar kundërshtuan zbatimin e mësimit të detyrueshëm të gjuhës greke ashtu siç kishin bërë disa kohë më parë ndaj zëvëndësimit të mësimit tradicional të gjuhës franceze me atë italina.
6. Mëkëmbësi i mbretit fashist italjan Viktore Emanuel III në Shqipëri, Gjenerali Francësko Jakomoni kujton gjatë vizitës në Korçë disa ditë pas largimit të forcave greke: “ Në Korçë bëmë homazhe tek monumenti i patriotit Themistokli Gërmenji që kishte dhënë jetën për pavarësinë e qytetit të tij dhe konsiderohej si simbol i lirisë shqiptare. E përshkova në këmbë rrugën kryesore të qytetit deri tek bashkia, aty shfrytëzova rastin për të ftuar muslimanët dhe orthodoksët që të hidhnin pas shpine gjithshke të papëlqyeshme që mund të kishte ndodhur mes tyre në periudhën e pushtimit grek “.
Në historinë e qytetit të Korçës, “Banesa ku u ngrit Flamuri Republikës së Korçës’’ (Muzeu Historik që nga viti 1977) tashmë është renuar plotësisht , aktualiasht mezi po qëndron në këmbë dhe duket si faqe e një libri historik të djegur ku kopertina është duke u shkërmoqur mbas flake. Dhe ky imazh ndodh sot kur për vlerat e kësaj encikopedie të gjallë historike ka mjaftë interes dhe referenca.
I nderuar lexues, nuk po rendis këtu pergjegjesit e kësaj gjendje pasi menjëherë do të politizohet duke e kthyer në top futbolli por rendita gjendjen e saj i bindur se ligji pëcakton përgjegjësitë dhe mënyrën e trajtimit , le të shërbej ky shkrim që si një dukuri ku ligji sundon mbi politikën që tenton të mposhtë ligjin.

Nuk ka komente: