e mërkurë, 17 shkurt 2010

Një ditë me koleksionistin Omer Dajbabiq

Madhesia e shkronjave: Decrease font Enlarge font
image
Një dhomë, një muze
Koleksioni i tij llogaritet ndër më të mëdhatë në Mal të Zi dhe ndër më të sistematizuarit, i cili pasqyron lashtësinë tonë. Numri i objekteve të këtij koleksioni i tejkalon një mijë copë. Ai nuk është vetëm një grumbullim i thjeshtë i monedhave të vjetra, por përbën një koleksion unik të llojit të vet në Mal të Zi. Pjesë e koleksionit të Omerit janë monedhat që nga koha ilire, shekulli III p.e.s. dhe monedha nga qyteti i lashtë ilir, Apollonia. Koleksioni i tij përmban edhe monedha që datojnë nga koha e perandorëve remake.


Një dhomë, një Muze. Kështu do ta definoja godinën që gjendet para shtëpisë së Omer Dajbabiqit nga Tuzi. Ai është koleksionist i antikiteteve të cilat i ka të eksponuara në dhomën e tij. Aty ku i pret mysafirët dhe vizitorët e shumtë, të cilët duan të vizitojnë atë. Ajo çfarë e karakterizon këtë hapësirë, e cila na kujton lashtësinë tonë, është se përveç rëndësisë dhe vlerave kulturore-historike, ai me kujdes të veçantë i përkushtohet punës së pastrimit dhe sistematizimit të eksponateve të vendosura në muret e dhomës. Kurse vetë  Omeri jep sqarime dhe rrëfen për prejardhjen e çdo monedhe.
Omer Dajbabiq, përndryshe i njohur edhe si  Elektro dhe TV Mekaniku nga Tuzi, shprehet se ”krejt rastësisht, para 36 viteve, duke punuar në kopsht në afersi të shtëpisë, kam gjetur disa monedha bakri, të cilat ia tregova profesorit të historisë Milan Preleviq. Dhe kështu filloi dhe vite më pas u rrit dëshira dhe pasioni im për të grumbulluar monedha, enë, vazo të vjetra dhe shumë e shumë objekte antike nga lashtësia e kësaj treve dhe më gjerë”.
Që nga kjo kohë ai u bë edhe numizmatiku i parë nga Tuzi dhe Malësia, si dhe ndër anëtarët e parë të Shoqatës së Koleksionistëve të Podgoricës, e cila ekziston nga viti 1985 e që në atë kohë quhej Shoqata e Koleksionistëve “Brskovo”.
Koleksioni i tij llogaritet ndër më të mëdhatë në Mal të Zi dhe ndër më të sistematizuarit, i cili pasqyron lashtësinë tonë. Numri i objekteve të këtij koleksioni i tejkalon një mijë cope. Ai nuk është vetëm një grumbullim i thjeshtë i monedhave të vjetra, por përbën një koleksion unik të llojit të vet në Mal të Zi. Pjesë e koleksionit të Omerit janë monedhat që nga koha ilire, shekulli III p.e.s. dhe monedha nga qyteti i lashtë ilir, Apollonia. Koleksioni i tij përmban edhe monedha që datojnë nga koha e perandorëve remake, si Konstantini i madh, Trajani, Hadriani, Konstantini i dytë, Probiusi, Maksimiliani, Marculius, Aureliani, Klaudije gotiku, etj. si dhe monedhën e parë që e prodhuan osmanlinjtë në kohën e sulltan Orhan Gazit, e vitit 918 sipas Hixhrit, apo e vitit 1318.
Në mes të dhomës qëndron “Tangari”, që është përdorur në kohën e Përandorisë Osmane, si dhe enë, ibriqe, gjygyma, legena dhe shumë antikitete të kohërave të lashta që përdoreshin në trevën e Malësisë. Përveç monedhave nga periudha ilire, romake, bizantine, osmane, ai posedon edhe monedha nga koha e Mbretërisë malazeze, Mbretërisë Austrohungareze, Mbretërisë jugosllave, si dhe shumë monedha të shteteve të Evropës që janë përdorur në të kaluarën.
Ai ka grumbulluar edhe shumë fotografi që datojnë në vitet 1908-1910, si dhe shumë libra dhe dokumente të vjetra. Këto ditë ai pret të marrë ftesë nga Qendra Malazeze për Kulturë për të ekspozuar fotografitë e vjetra që janë pjesë e koleksionit të tij.
Por surpiza më e madhe për ne, nuk është vetëm veprimtaria numizmatike e tij që e kryen me shumë pasion dhe dashuri. Omeri merret edhe me pikturë ashtu që dhomën e tij e zbukurojnë pikturat e tij të punuara në teknikën vaj në pëlhurë. Motivet e pikturave të tij paraqesin pasionin e tij për të kaluarën, siç mund të vërehet në pikturat me titull: “Kalaja e Shipshanikut”, “Kalaja e Rrogathit”, “Ubla e Mileshit”, “Rruga e Lëmasë”, etj. Të gjitha këto gjurmë nga lashtësia nuk ekzistojnë më, por Omeri na i sjellë ato dhe nga imagjinata e tij na i bën realitet. /M. Gjokaj - Koha Javore/

Nuk ka komente: