e diel, 27 dhjetor 2009

Tryezë shkencore për Flamur Hadrin

Pirraku: Studimet e Hadrit kontribut i çmuar për hitoriografinë
Në dhjetë vjetorin e vdekjes së Prof.Dr. Flamur Hadrit, Instituti Albanologjik i Kosovës i ndau mirënjohjen Post Mortum, për kontributin e veçant në fushën e historisë dhe albanologjisë.
I ndjeri profesor Hadri, njihet si nismëtar i studimeve të epokës së Skenderbeut në Kosovë. Në tryezën shkencore kushtuar veprimtarisë së tij u tha se vepra e tij, "Gjergj Kastrioti Skenderbeu në historiogrqafinë shqiptare" shenon kulmin në verimtarinë e tij shkencore lidhur me epokën skënderbegiane.
Tryeza shkencore kushtuar dhjetë vjetorit të vdekjes tragjike të Prof.Dr Flamur Hadrit, shtjelloi veprimtarinë tij në studimet e epokës skënderbegiane.
Specializimi i ngushtë i Dr. Hadrit ishte Skënderbeu dhe epoka e tij.
“Periudha shumë e shkurtër midis studimeve pasuniversitare, si mbrojtës i magjistraturës dhe mbrojtës i doktoratës është një dëshmi se Flamur Hadri në rrugën e shkollimit dhe të ngritjes profesionale , thënë me entuziazëm gëzoi privilegje administrative, si askush tjetër në fusha të albanistikës dhe si punëtor shkencor dhe si kolegë në Institutin Albanologjikë”, ka thënë Prof. Dr. Muhamet Pirraku.
Sipas tij, Hadri në veprat e tij e ka trajtuar ngjarjen duke u mbështetur në materiale të klasifikuara e studiuara mirë, si dhe duke përdorur metoda moderne të njohura në qendra të mëdha historiografike.
Prof. Dr. Flamur Hadri, kishte mbrojtur doktoraturën me temën "Gjergj Kastrioti- Skënderbeu në historiografinë shqiptare" të cilën e botoi në vitin 1987.
Referuesit e kësaj tyeze thanë se në këtë punim monografik, Hadri ka trajtuar dhe analizuar për të parën herë rrugën e gjatë që ka përshkruar hitoriografia skenderbegiane shqiptare.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, i cili tha se Flamur Hadri ishte duke u përgatitur sa më mirë e profesionalisht dhe bënte gjithçka qe në historiografinë shqiptare të linte gjurmët me kontributet e tij për Skënderbeun.
Ndërkaq, sekretari shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Lulëzim Lajçi vlerësoi se me veprat e tij Hadri më mirë se kushdo tjetër e ka trajtuar luftën e madhe shqiptare kundër pushtuesve osmanë në shekullin XV.
“Duke analizuar kontributin që ka dhënë historiografia shqiptare në studimin e personalitetit të Skënderbeut dhe të epokës së tij autori ka arrit në përfundim se asnjë historian cili do qoftë ai, i lindjes ose i perëndimit nuk mund ta trajtojë me sukses luftën e madhe shqiptare osmane të shekullit XV dhe portretin historik të udhëheqësit të saj në qoftë se nuk konsultohet gjerësisht dhe thellësisht historia shqiptare skenderbiane”, është shprehur Prof.Dr. Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor në Insitutin Albanologjik.
Flamur Hadri ka lënë në dorëshkrim dhe të papërfunduara shumë studime, monografi dhe studime letrare.
Në emër të familjes foli i vëllai i autorit, Arbër Hadri i cili tha edhe dha zotimet se familja do të botojë të gjitha veprat e Flamurit, punimet shkencore, monografitë dhe veprimtarinë e tij letrare në momentin kur instituti do të jetë i gatshëm në përmbledhje të punimeve të tij.
Instituti Alabanologjik ka nderuar profesor Flamur Hadrin me mirënjohjen Post Mortum, për kontributin e veçant në fushën e historisë dhe albanologjisë. Mirënjohjen e pranoi djali i tij, Flamuri.
Historiani Flamur Hadri ishte i lindur më 1 janar të vitit 1955 në Pejë. Ai e humbi jetën tragjikisht në një fatkeqësi komunikacioni më 29 tetor të vitit 1999.

Bota Sot

Nuk ka komente: