e enjte, 17 dhjetor 2009

Të pathënat e jetës së Qemalit

28.11.2009-13:34         Gazeta Panorama

Alma Mile

Dritan Egro nuk është thjesht një historian tavolinash. Mbi të gjitha ai është i pasionuar pas punës së tij.
Në përpjekje për të zbuluar diçka të pathënë në fletët e historisë së Shqipërisë, por të njerëzve që e bënë atë, Egro na sjell këtë herë një dokument që flet për jetën dhe pozitat e Ismail Qemalit në Perandorinë osmane. Për historianin osmanist, ky dokument, më i ploti që na ka ardhur ndonjëherë mbi një nga njerëzit më të rëndësishëm në historinë shqiptare, është vetëm një ndër shumë të tjerë që gjenden në arkivat osmane. Sipas tij, ato janë tërësisht të pashfrytëzuara dhe presin vetëm që studiuesit shqiptarë të venë e t’i shfrytëzojnë.
Z. Egro, për herë të parë publikohet jetëshkrimi origjinal i Ismail Qemalit, cili është burimi i këtij dokumenti?
Është një dokument krejt i zakonshëm për arkivin osman, i dalë nga një fond i posaçëm, i cili quhet “Regjistrat e nëpunësve të perandorisë osmane”. Në këtë fond që përbëhet nga shumë regjistra janë të regjistruara jetëshkrimet e të gjithë nëpunësve të Perandorisë Osmane, në shekullin XIX. Aty nuk mendoj se ndodhet vetëm jetëshkrimi i Ismail Qemalit, por edhe karriera, jeta burokratike në strukturat e Perandorisë Osmane, të shumë personaliteteve shqiptare, të cilat më pas erdhën në Shqipëri dhe u vendosën në instancat më të larta të shtetit shqiptar. Pra, kemi të bëjmë me një nga kategoritë e rëndësishme të fondit arkivor osman, i nevojshëm dhe për historinë e Shqipërisë.
Përse është kaq i rëndësishëm ky dokument, çfarë sjell ai të re?
Ky dokument ka një rëndësi të madhe, sepse na jep një faqe të panjohur për jetën e Ismail Qemalit, pjesën dërrmuese të jetës së tij. Ndoshta është një dokument i ftohtë, burokratik, shkresor, por duhet të kemi parasysh që në këtë shkresë kemi jetën e tij në disa etapa, që në momentin që ai ka hyrë në administratën osmane, deri në momentin, kur e lë administratën, për të kontribuar si deputet në parlamentin osman. Madje, aty kemi të dhëna interesante dhe për shkollimin e tij, për mësimin e gjuhëve të huaja. Ky dokument shërben edhe si kartelë, që na tregon etapat nga njëra fazë në tjetrën në ngritjen në pozicionet shtetërore të Ismailit.
Si ratë në gjurmë të këtij dokumenti?
Ai është botuar me një tufë dokumentesh të tjera në një edicion dokumentar, të përgatitur nga arkivi kryeministror në Stamboll në bashkëpunim me Arkivin e Shtetit në Shqipëri. Është një tufë dokumentesh që i jepen studiuesve dhe lexuesit të interesuar për të parë se cila është natyra e dokumenteve që fshihen në arkivin e Stambollit. Dhe aty nuk ka vetëm dokumente që lidhen me shek. XIX, por që me fillimin e pushtimit osman dhe deri në kohën kur osmanët u larguan përfundimisht nga viset osmane. Një praktikë e tillë është ndjekur edhe për Kosovën, Maqedoninë dhe sipas informacioneve të fundit, është bërë edhe për Bosnjën. Pra, janë botime treguese që japin vetëm disa elementë se çfarë dokumentacioni ka për rajone të caktuara, që kanë qenë pjesë e perandorisë dhe tregojnë dhe njëherë se sa të pashfrytëzuara është ky arkiv. Është një lloj ftese për të qenë të pranishëm në këto arkiva për të krijuar një imazh të saktë për një sundim 5-shekullor dhe nuk është pak.
Ju thatë se në këto regjistra mund të gjenden jetëshkrimet e të tjerë emrave të njohur shqiptarë, ç’na pengon t’i gjejmë?
Përmes këtij dokumenti mua më jepet e drejta të ngre edhe një herë zërin për mbështetjen e studimeve osmane. Është zbuluar vetëm maja e ajsbergut dhe pjesa më e madhe është ende e panjohur. Aty mund të gjejmë shumë anë komplekse të jetës, e cila është reflektuar në këtë dokumentacion, i cili fatmirësisht është ruajtur shumë mirë dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të shkojmë të hedhim dritë, në shumë aspekte që ne i quajmë të errëta. Kjo errësirë fillon qysh me jetën e Ismail Qemalit dhe janë pikërisht ato pika, të cilat nuk na i sqaron ky dokument, që na shtyjnë që të shkojmë e të kërkojmë më shumë për këtë figurë qendrore të krijuesit të shtetit shqiptar.

Ndoshta është një dokument i ftohtë, burokratik, shkresor, por duhet të kemi parasysh që në këtë shkresë kemi jetën e tij në disa etapa, që në momentin që ai ka hyrë në administratën osmane, deri në momentin, kur e lë administratën, për të kontribuar si deputet në parlamentin osman. Madje, aty kemi të dhëna interesante dhe për shkollimin e tij, për mësimin e gjuhëve të huaja. Ky dokument shërben edhe si kartelë, që na tregon etapat nga njëra fazë në tjetrën në ngritjen në pozicionet shtetërore të Ismailit

Nuk ka komente: