e enjte, 31 dhjetor 2009

Shtjefën Gjeçovi: Hulumtuesi diturak i mitologjisë iliro-shqiptare

Luan Canaj

Duke kuturisur në viset e Albanologjisë, në kërkim të diçkaje të përbashkët për lëvruesit e kahershëm të letërsisë e kulturës shqiptare, pikas me kënaqësi që më parësorja në këtë rast, është prirja e tyre gjurmuese e hulumtuese në moçmëritë tona mitologjike. Në këtë aradhë kërkimtarësh të zellshëm, Shtjefën Gjeçovi zë një vend me vlerë të veçantë.
Falë përçapjeve të para përmes shkrimesh të shumta në shtypin e kohës së vet, ai nisi të mblatojë një vepër vetjake, kryesisht me karakter të spikatur kulturologjik, siç shfaqet tek Agimi i Gjytetnisë e, në të njëjtën kohë, u mor me një mori gjurmimesh e hulumtimesh arkeologjike, të cilat u kurorëzuan me studimin e vyer: Trashigime thrako-ilirjane.
Shtjefën Gjeçovi u lind në Janejvë, më 12 korrik të vitit 1874. Pas mësimeve të para, në vendlindje, dërgohet për shkollim të mëtejshëm në Kolegjin Françeskan të Troshanit. Më tej, pas mësimeve liceore e filozofike në Bosnjë, kryen studime teologjike në Kuvendin Françeskan të Kreshevës. Fill pas kësaj, fillon shërbesa si famullitar në Pejë, në Laç e mandej në Gomsiqe të Mirditës, ku nis sakaq veprimtaria e tij e dendur si qëmtues folklori e i "dishmimeve të të vjetërve" të vet.


Me përkushtim imtësor, falë gjurmimeve e gjetjeve arkeologjike të zbuluara nga ai vetë, ashtu sikurse zbulonte e mblidhte, si bleta pjalmin, trashëgiminë e visarit të vyer folklorik, Gjeçovi diturak grumbulloi në famullinë mitike të Gomsiqes një mori tejet të larmishme veglash e enësh, monedhash e objektesh të qëmtuara nëpër tumulat (varret) ilire. Kur i shkoi një vizitë në Gomsiqe, Konica pati rastin të shihte nga afër frytet e punës shumëvjeçare të Gjeçovit në fushën e kërkimeve arkeologjike dhe ja se si shprehet për atë koleksion objektesh të çmuara: "Mbaj mënt, veçan, një enë të vogël, të quajtur lacrumatorium, lotore, asish që të vjetrit, në besim se të vdekurit qajnë të shkuarit e jetës së tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdekurin që ky të kish se ku t'i mblidhte lottë." Me siguri që ky thesar ka qenë i pasur e i çmuar po të kemi parasysh disa dëshmi, sipas të cilave thesari i Gjeçovit u vizitua e u vlerësua shumë lart edhe nga arkeologë a etnologë të përmendur në botë si Ugolini, Maruki, Nopça, etj. Këtë gjë e thekson edhe studiuesi Anton Çeta në kumtesën e tij: "Kultura shqiptare në periudhën e Rilindjes".

Kështu, Gjeçovi u përpoq ta ndriçojë botën e lashtë ilire e thrake me tëhollinë e punimeve: Trashigime iliro-thrakase, duke i krahasuar doket e zakonet e të parëve tanë dhe gjetjet e shumëllojshme arkeologjike me ato greko-romake si dhe të popujve të tjerë të Ballkanit. "Herët-herët, shkruan ai, i zbukurojshin vorret me shtylla, me trungj, me kamë guri e kso tjerash, e kto mnyrë e doke i kishin pasë edhe nierzë të mire sikuerse na e ban dishmi Shrimi shejt: Jakobi e pat da me shej vorrin e Raheles. Malcorët e Mi-Shkodrës i zbukurojnë vorret me rrasa e kryqa gurit, e, a mi rrasë qi e mlon vorrin a rreth kryqash i njeshin armet e fishektoret te nxjerrme në gur..."
Krahas këtij shqyrtimi, Gjeçovi rreket të shkoj diturisht edhe më larg, kah zbërthimi i shumëfishtësisë simbolike të disa objekteve, për një përcaktim edhe më të saktë mitologjik, teksa shton: "Kto shêje a titulla quheshin Matceva prej Hebrejsh, e prej Grekësh Sele, a se shtylla, trûngj, kamë guri, pyramida a edhe gurë të mdhaj e të dhênun kater skepesh, e kta gurë kjenë majtë [Vini re!] për hyj prej nierzsh me të gjitha shêjet tjera...".

Duke shkoqitur gojëdhana e legjenda të moçme, Gjeçovi thekson se si shumë hyjnive të lashta nuk u është shkulur ende "rraja nene prej tokës Shqypëtare, bie fjala Emni i të Madhit Perëndi Jehova i Hebrenjve gjithnduer emnash bajti, ... veç: Hy, Zojëz, Ejt, Gjues prej Shqyptarësh, sidomos nder malcijnat t'ona...". Edhe lindja e Hyut shtjellohet përmes Kronit, i biri i Uranit (...). Emri i Kronit e ka rrënjën tek gjuha shqipe "e don me thane Mbret a Kryekunoruem", saktëson Gjeçovi. Dhe për të qënë sa më bindës thërret sërishmi në ndihmë legjendat e stërlashta, ku falë edhe përkimeve të pacënueshme toponimike, ja se si thuret natyrshëm rrëfenja mitologjike: "Për nderë të Kronit shqypëtarët ngrêhen nji Kështiel në majë të Gurit të Kuq, i cilli gjindet në fushë të Finikut, ku u gjête edhe gjyteti i Kronit. Sot n'at vend asht fshati qi quhet Krongji, në rrethinë të Delvinës. Permbi fshatin Krongji gjinden germadhat e motnueme të kohës së Pellazgjve. Zoti (Zeusi) pra, mbas gojëdhanet Epirote nuk u lind në Dodonë, në pallat të Kronit, por në Palavli kû ishin të banat (stanet) e Kronit e prej këndej u dergue neper Butrint me lundër e në Kretë." ...


Gjeçovi i palodhur, përfundoi edhe punën më të arrirë, mbledhjen e ligjeve të maleve, të përfshira në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Të gjitha ato norma zakonore që kishin patur fuqi ligjore për aq e aq kohë, ai i plotësoi dora-dorës me durim, për të nxjerrë sa më qartë në pah mënyrën se si rregulloheshin marrëdhëniet shoqërore, morale a ekonomike dhe ato mes njerëzve në familje, bajrak, fis e shoqëri, duke theksuar qartas disa ideale shpirtërore e estetike të stërgjyshërve tanë, pasqyrë e etikës së tyre të lartë, të ruajtur gjer në ditët tona në virtytet e epërme të besës, burrërisë, mikpritjes e bujarisë.
Mirëpo veprimtaria diturake e Gjeçovit në lëmin e Albanalogjisë, nuk mund të linte në harresë nektarin fillestar popullor.

Botimet e shpeshta sidomos në të përkohshmen Albania dëshmojnë dukshëm prirjen e tij të rrallë si mbledhës sqimatar i letërsisë gojore, ku spikatin përralla, thënie, fjalë të rralla e fjalëzime tingullore nga lojna fëmijësh, por sidomos këngë e valle popullore, pasi siç shkruante rreth dyqind vjet më parë dijetari e folkloristi i mirënjohur gjerman Johann Gottfried Herder: "...Të gjithë popujt këndojnë... Këngët që kanë janë arkivat e tyre, thesari i shkencës dhe i religjionit, i teogonisë dhe i kozmogonisë, i bëmave të stërgjyshërve dhe i ngjarjeve që kanë mbushur gjallmimin e tyre, janë pasqyrimi i zemrës e tabloja e jetës familjare në kob e në gëzime, që nga djepi e gjer në varr...".


E shikuar në këtë kahje, sidomos në kontekstin më të rishtë ballkanik, veprimtaria albanologjike e Shtjefën Gjeçovit, krahas prurjeve më të arrira të shumë diturakëve tanë të përmendur nëpër kohëra, përfton edhe më tepër vlerë e shënon një trashëgimi mëse të vyer që pret të pasurohet nga brezi në brez dhe të përcillet krenarisht më tej.

Gazeta Shekulli              20/12/09

Nuk ka komente: