e enjte, 17 dhjetor 2009

Rrugëtime bizantine

 

Maks Velo | 09/12/2009 | Kulture |

Ndërsa arti bizantin dhe postbizantin, pasuria jonë më e madhe në art, po vlerësohet në botë, kudo që ajo ekspozohet, tek ne gati nuk studiohet dhe nuk botohet asgjë për të.


Së bashku me Drejtorin e Muzeut Mesjetar në Korçë Lorenc Gliozheni dhe shefen e restaurimeve Tatjana Caca, më 6 nëntor shkuam në Selanik në inaugurimin e Ekspozitës "Arkitektura në ikona". Ishte një ekspozitë ndërkombëtare ku merrnin pjesë muzeumet më të rëndësishme bizantine të botës.

Muzeu i Korçës përfaqësohej me një ikonë, "Shën Dhimitri", punuar nga Kostandin Jeromonahu, më 1725 në Voskopojë.

Kjo ikonë është veçanërisht e rëndësishme për studiuesit dhe artdashësit grekë dhe veçanërisht ata të Selanikut. Sepse aty është pikturuar mbrojta e qytetit nga ushtritë bullgare.

E kam parë edhe njëherë tjetër reagimin e shkencëtarëve bizantologë, para tri vjetësh, kur u çel po në këtë muze, ekspozita madhështore "81 ikona të Muzeut Mesjetar të Korçës".

Ishte punuar për 6 vjet rresht nga ekipe të përbashkëta restauratorësh dhe ekspozita prezantonte këtë punë të jashtëzakonshme. Ishte një ngjarje madhore për artin bizantin dhe postbizantin shqiptar.

Me atë ekspozitë u afirmua vlera shumë e lartë artistike e ikonave shqiptare.
Atëhere shkuam në Selanik me Aurel Plasarin dhe Ardian Klosin.

Disiplinat artistike dhe shkencore kërkojnë origjinën e tyre në thellësi të shekujve.
Dhe mua më ka interesuar se si ideohej dhe zbatohej ndërtimi në Mesjetë tek ne.
Ne nuk kemi asnjë arkiv të dokumentuar për projektimin arkitekturor. Pushtimi Osman na nxori qeros. Dolëm si një vend bosh.

Të vetmet imazhe janë në ikonat dhe afresket. Kjo edhe ish arsyeja pse kisha vendosur të isha në inaugurimin e ekspozitës në Selanik. Por nuk do ta marr në analizë këtë ekspozitë të mrekullueshme, e cila do të bëjë udhëtim në shumë muzeume të botës.
Janë mbi 200 raste që në pikturat dhe afresket, kapakët e ungjijve apo miniaturë paraqiten ansamble apo objekte të veçanta arkitektonike.

Qysh kur 50 vjet përpara pashë për herë të parë në Voskopojë vizatimin në afreskun e Shën Kollit që dhuruesi ofron kishën në perspektivë, më erdhi mendimi për një studim "Arkitektura në ikona", bile hapa dhe një dosje që e kam të papërfunduar. Më ka dekurajuar sasia e madhe e materialit, duheshin shqyrtuar të gjitha kishat dhe ikonat.

Po shënoj se piktorët që janë më të përfaqësuar në këtë studim janë Onufri, Onufër Qiprioti, (shek. XVI), Kostandin Shpataraku (shek. XVI), Terpo dhe Eftim (shek. XVIII), dhe disa piktorë anonimë.

Arkitektura në këto raste është pjesë e sfondit të ikonës. Hapësira ku vendosen shenjtorët apo skenat biblike zakonisht është neutrale ose ka peizazh. Por ka edhe shumë shembuj kur ka kompozime arkitekturale.
Këto, në të shumtën e rasteve, janë formale, por ka edhe raste kur detajet janë të vizatuara si në një projekt me njohuri ndërtimore specifike. Bile ka edhe raste si në ikonën e një piktori anonim më 1873, ku na jepet edhe një urë me harqe dhe banesa dhe kisha shumë të detajuara.
Viti 1967 ishte i rëndë për studimet bizantine në Shqipëri.

Këtë vit vdes Viktori Puzanova dhe pastaj filloi lufta kundër institucioneve fetare. Është një koincidencë, por në ndërgjegjen time ka mbetur me një lidhje të çuditshme.
Mendoj se atë vit morën fund studimet bizantine. Jo vetëm se Puzanova ishte studiuesja më e aftë, por sepse pati një ngjarje të rëndë.

Shefja e sektorit mohoi dhe dënoi piktorët bizantinë. Kjo nuk kish ngjare në asnjë vend më parë, në asnjë akademi. Për këtë mban përgjegjësi edhe Akademia e Shkencave.
I vetmi që rezistoi në ato kushte ishte Theofan Popa.

Vazhduan edhe më vonë të botohen kumtesa, por të gjitha sikur përsërisnin Puzanovën.
Pastaj ndodhi ajo që nuk e prisja, ardhja e demokracisë i shoi gati fare studimet. Gati nuk botohet asgjë. Akademia e Shkencave as nuk bëri një sesion me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Puzanovës.
Gjithë studiuesit janë dhënë pas restaurimeve sepse këto paguhen mirë.
Arti Bizantin dhe postbizantin është pasuria jonë më e madhe në art. Kjo është e vetmja pasuri artistike e bërë nga artistët shqiptarë që po vlerësohet lart në botë, kudo që ajo ekspozohet.

Më shqetëson vazhdimisht një problem që sa vjen dhe bëhet më i rëndë. Territori përqark disa kishave "Monument Kulture", po kthehet në varrezë. Kështu e pashë gjendjen në Kishën e Shën Gjergjit në Shipskë (shek. XVIII), në Shën Mëhillin e Vithkuqit (1682), në Shën Mërinë e Leusës (1812), në Shën Thanasin e Voskopojës (1724), etj.

Është e vërtetë se territori rreth tyre në shekujt e kaluar, ka qënë edhe varreza, bile disa kanë akoma varre dhe kryqe të vjetër, por kjo nuk do të thotë të vazhdojnë varrime.

Një nen në ligjin "Për Trashëgiminë Kulturore", përcakton që është në mbrojtje edhe territori përqark monumenteve të kulturës. Ato kanë një vlerë të veçantë kur krahas kishës ruhen varret e vjetra pa u shtuar të reja.

Dëshira për t'u varrosur pikërisht aty nuk është e drejtë. Varret e reja me mermerin e bardhë po e shëmtojnë keq pamjen. Këshillat Bashkiake dhe ato të komunave duhet të respektojnë ligjin dhe të gjejnë parcela afër kishave për varreza të reja.

Dhe së fundi, do të ishte mirë që ekspozitën e Selanikut ta vizitojnë si studiuesit tanë që merren me bizantin, po ashtu dhe arkitektët.

Nuk ka komente: