e diel, 27 dhjetor 2009

Owens: Si na shpëtoi mbreti Zog nga kampet naziste




Gjyshe Fritzi, deri tani e njohur për gatimet e saj, bëri debutimin e saj të parë kinematografik në moshën 85-vjeçare. Në të vërtetë kishte pritur plot 70 vjet për ta bërë një gjë të tillë. Por kjo nuk ka të bëjë me dëshirën e saj për të qenë një yll Hollivudi. Ajo donte të tregonte një histori shqiptare. Historinë se si Mbreti shqiptar, Zogu I shpëtoi atë dhe familjen e saj nga persekutimi nazist. Fritzi Owens, është një nga protagonistet e dokumentarit “Shtëpia e Zotit”, një nismë e fotografit Norman H. Gershman për të sjellë në dritë historinë e myslimanëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në veçanti shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë e Evropës nga vdekja e sigurtë. “Këta myslimanë në këtë vend të vogël bënë diçka të mrekullueshme”, thotë Gershman në filmin e tij.
E përcjellë fillimisht përmes fotografive, më tej përmes një libri, e tani në një dokumentar, historia e shqiptarëve ka tërhequr mjaft vëmendjen mes amerikanësh. Pak kohë më parë “The Wall Street Journal” i ka kushtuar këtij dokumentari një hapësirë të konsiderueshme në faqet e saj. Dhe këtë e ka bërë përmes njërës prej protagonisteve të dokumentarit, 85-vjeçares Fritzi Owens, e cila ka një histori personale për të treguar. Por jo një histori do kudo, por një histori me mbretër e mbretëresha.
Fritzi Weitzman (Owens) është një nga të shpëtuarat. Ajo ishte 13 vjeçe dhe jetonte së bashku me të motrën dhe prindërit në Vjenë, ku kishin një studio fotografike. Në vitin 1938 forcat hitleriane filluan mbledhjen e burrave hebrenj dhe dërgimin e tyre në kampet e përqendrimit. Hebrenjtë me dokumente kishin mundësinë të linin Austrinë e pushtuar e të shkonin në vende të tjera. Siç tregon e moshuara, i ati i saj dhe e motra kishin mundësi të siguronin dokumente e të shkonin në Amerikë. Por Fritzi dhe e ëma nuk u pajisën me dokumente dhe emrat e tyre u vendosën në listat e pritjes, ku duhet të qëndronin për 5-10 vjet. “Situata po ashpërsohej”, tregon Fritzi. “Im atë nuk donte të largohej në Amerikë pa time më”. Kështu që ata prisnin një mrekulli.
Detajet sesi ekzaktësisht mbërriti mrekullia në derën e familjes Weitzman, kanë humbur gjatë viteve. Ajo çka dihet është fakti që gjatë Luftës së Parë Botërore, i ati i Fritzit pati rastin që gjatë një shërbimi ushtarak të miqësohej me shqiptar të fesë myslimane, i cili më vonë do të bëhej mbreti i Shqipërisë. Ata u takuan sërish pas luftës, kur rastësisht kishin shkuar të dy në Operën e Vjenës. Më pas, në mes të dhunës së tmerrshme që nisi kundër hebrenjve vienezë, Mbreti Zog i dërgoi të atit të Fritzit dokumentet për të gjithë anëtarët e familjes Weitzman, duke i garantuar kalim të sigurt në Shqipëri. Fritzi dhe dymbëdhjetë të afërmit e saj emigruan në Shqipëri. Fritzi dhe familja e saj u larguan menjëherë nga Vjena dhe arritën në portin shqiptar të Durrësit. Gjithë çka kishin me vete ishin vetëm rrobat e trupit dhe ca para nëpër xhepa, që gjithë-gjithë bënin 3,33 dollarë. Menjëherë pasi familja Weitzman mbërriti në Shqipëri, Mbreti Zog i ftoi në pallatin e tij në Tiranë. Atje, ai i kërkoi babait të Fritzit t’i realizonte një portret zyrtar mbretëror. Më tej fotografia e shumëfishuar, e realizuar nga Weitzman u bë shumë popullore dhe u vendos në çdo shkollë të vendit. Më vonë Weitzman do të përmendet edhe si fotografi i oborrit mbretëror. “Mbreti Zog ishte shumë i mirë me ne”, thotë Fritzi.
Në më pak se një vit, ajo dhe e ëma morën dokumentet, që mundësonin largimin e gjithë familjes drejt Amerikës në vitin 1939. Në vitin 1943, Fritzi u martua në Nju Jork me Herbert Owens, gjithashtu një refugjat austriak. Herb dhe Fritzi ndërtuan një jetë në Manhatan, ku erdhën në jetë edhe tre fëmijët e tyre. Vetëm dy vjet më parë, në gusht të vitit 2007, Ruth, një prej fëmijëve të Fritzit bisedon me një mik të sajin, Stu Huck, i cili po përgatitej për të lënë qytetin për tre javë, për të ndihmuar fotografin Norman Gershman gjatë një udhëtimi nëpër Shqipëri.
Ajo mbeti e mahnitur. “Jam rritur me historitë e Mbretit Zog, mbretëreshës Geraldinë dhe të Shqipërisë”, i thotë ajo. Kaq u desh që ajo të komunikonte vetë me Gershmanin, madje qysh atë ditë. “Jam duke kërkuar në gjithë botën njerëz që janë strehuar nga shqiptarët myslimanë dhe ja ku na qenka një prej tyre pikërisht këtu”, mësohet t’i ketë thënë Gershman. Pas një bisede telefonike, Gershman dhe Fritzi planifikuan takimin e tyre në Nju Jork.
“Shtëpia e Zotit” tregon se si Gershman, zbuloi shqiptarët heroikë, hebrenjtë e shpëtuar dhe pasardhësit e tyre për librin e tij, “Besa: Myslimanët që shpëtuan hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”, i cili u botua vitin e kaluar nga Syracuse University Press.
Fritzi nuk është protagonistja e vetme e dokumentarit, por përmes shënimeve, që ajo dhe Herb kanë mbajtur gjatë viteve të jetës së tyre, ishin në gjendje të ndihmonin Gershman, me studimin e tij.
Realizuesit e dokumentarit janë mrekulluar nga mënyra se si ata kanë ruajtur kujtimet e tyre, por edhe shumë objekte, duke i ndihmuar të ndërtonin një histori gati të harruar.
Tanimë, Fritzi është e kënaqur që më në fund ajo mund të ndajë me gjithë botën historinë se si një burrë mysliman u përball me antisemitizmin dhe shpëtoi jetën e saj dhe të gjithë familjes. “Për 70 vjet me radhë jam përpjekur t’i tregoj botës se çfarë bëri Mbreti Zog”, thotë ajo.


Dokumentari
“Shtëpia e Zotit” (“God’s House”) titullohet dokumentari i cili po realizohet nga një staf amerikan nën drejtimin e producentit Jason Williams, një prodhim i “JWM Production”. Filmi mbështetet mbi imazhet e realizuara nga fotografi Norman Gershman, gjatë një udhëtimi nëpër Shqipëri dhe Kosovë. Filmi ka për qëllim të tregojë rastin e rrallë se si shqiptarët ndihmuan popullsinë hebreje gjatë persekutimit nazist.

Të intervistuarit
Gershman erdhi në Shqipëri për herë të parë në vitin 2003 dhe përgjatë 4 viteve udhëtoi kryq e tërthor Shqipërisë për të mbledhur histori shpëtimi. Intervistoi rreth 70 familje për të kuptuar konceptin e tyre mbi fenë, besimin dhe luftën. Gjatë udhëtimit ai bëri fotografi, regjistroi imazhe e intervista. Fotografitë janë ekspozuar në Amerikë, Izrael dhe disa muaj më parë edhe në Tiranë.

Planet e Mbretit për hebrenjtë
Në vitet ‘30 kanë ekzistuar projekte ndërkombëtare për krijimin e një etniteti hebraik në Shqipëri dhe qeveria mbretërore i është përgjigjur pozitivisht këtij vullneti. Hebrenjtë hynë në Shqipëri me dokumente të ligjshme dhe me identitet të fshehur. Mbreti Zog e vazhdoi politikën e vet pro-hebraike edhe në prag të largimit politik dhe fizik nga atdheu, kur gjendej në Britani dhe pati premtuar se, po të rikthehej në pushtet, në këmbim të mbështetjes dhe simpatisë britanike, do të mundësonte strehimin e mbi 25 mijë familjeve hebraike në vendin e tij.

Gazeta Panorama                    02/12/2009

Nuk ka komente: