e enjte, 31 dhjetor 2009

"Hylli i Dritës", në treg botimi i tretë 

J.P

Hidhet në qarkullim numri i tretë i revistës "Hylli i Dritës", tre mujore, e themeluar që në vitin 1913 prej At Gjergj Fishtës. Në këtë botim, trajtohen tema për historinë, gjuhësinë, letërsinë arbëreshe, epigrafinë françeskane në Shqipëri, mitologjinë greke, recensione mbi veprën e Kutelit, Poradecit, figurën e Skënderbeut.

Artikujt për shqipen u përkasin kapitujve: "Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe dhe gjeografia gjuhësore" nga Bahri Beci, "Albanian loan nouns in Bulgarian and Macedonian: word-formation, morphological adaptation and derivational productivity" nga Corinna Leschber dhe trajtimi i helenistit francez Gabriel Ancey "L'albanais Dans le Mythe Grec" (Gjuha shqipe në mitin grek).

"Muri i Berlinit dhe letërsia që di unë" nga shkrimtari Visar Zhiti, ai "Agesilao Milano: patriota arbёresh, tra storia e letteratura"që flet për arbëreshin Axhezilao Milanos dhe studimi i Michael Schmidt-Neke "'Escandalor' gjurmë shqiptare në romanin "Tirant lo blanch" të Joanot Martorell" janë artikujt letrarë që lexuesi gjen në këtë numër.

Një vend më rëndësi kanë temat historike: "E drejta dokësore shqiptare në vështrimin etnik, trajtuar nga studiuesi Kazuhiko Jamamoto" studim i historianit Mark Tita, apo "Mite dhe fakte rreth etnogjenezës dhe "Atdheut të hershëm" të shqiptarëve. Aspekte historike dhe gjuhësore diakronike" të diskutuara në mbledhjen e Institutit të Juglindjes në Regensburg më 24 prill 2009.

Anton Çefa paraqet në këtë botim të "Hyllit të Dritës", një analizë për "Kuptimësinë e dhembjes në poezinë e Lasgush Poradecit", me titull "Kush ma diti poezinë, dhembjet nuk m'i diti dot".

" 'E madhe është gjëma e mëkatit'. Mes Tatës dhe Uratës", është recensioni që poetja e re Alisa Velaj ka bërë për veprën e Kutelit. Në revistë është botuar gjithashtu, kapitulli i tretë i librit të teologut amerikan John Baldovin me titull "Joseph Ratzinger-i dhe kritika teologjike e reformës liturgjike"

Rubrika e përhershme "Kujtesa e Hyllit" i është kushtuar At Vinçenc Prennushit, me rastin e 60-vjetorit të vdekjes.
Kurse tek "Arkivi i Hylllit", botohet një biografi e shkurtër për përkthyesin e letërsisë klasike Mark Dema dhe disa faqe me shënime biografike dhe kujtime të shkrimtares Elena Gjika Merlika-Kruja,

Botimi i tretë, për vitin 2009, i "Hyllit të Dritës" mbyllet me një recension për figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Gazeta Shekulli       28.12.09

Nuk ka komente: