e diel, 27 dhjetor 2009

Çmimi “Rexhai Surroi” në duart e Kadaresë

Besa Dodaj
Romani i Kadaresë u vlerësua nga juria si romani më i mirë i vitit, gjithashtu me këtë çmim u shpërblyen edhe gazetarët Serbeze Haxhiaj dhe Rexhep Krasniqi.
“Rexhai Surroi”, është çmimi më prestigjioz që ndahet tashmë çdo vit për krijimet më të mira letrare të vitit. Ky çmim ndahet në Prishtinë dhe deri më sot u është ndarë shumë emrave të njohur të letrave dhe publicistikës shqiptare.
Ndërkaq në ceremoninë e sivjetme të ndarjes së këtij shpërblimi, shkrimtari botëror i letrave shqipe Ismail Kadare është vlerësuar me këtë çmimi për romanin më të mirë të këtij viti. Juria e përbërë nga akademikët Sabri Hamiti e Eqrem Basha dhe Dr. Bardh Rugova, nga prodhimi i pasur i sivjetshëm i romanit shqiptar, veçoi “Darkën e Gabuar” të këtij shkrimtari të madh, tashmë me përmasa ndërkombëtare. Ai, duke iu falënderuar Grupit “Koha” dhe jurisë, e quajti këtë shpërblim me rëndësi e vlerë të veçantë për të, që i sjell më shumë gëzim se vjen nga Kosova.
Çmimin për gazetari të shkruar “Rexhai Surroi”, u takoi dy gazetarëve, për shkrimin “Jeta në kërkim të një varri”, me autorë Serbeze Haxhiaj nga “Radio Kosova” dhe Rexhep Krasniqi nga e përditshmja “Koha Ditore”. Këta publicistë dhe gazetarë u vlerësuan nga juria e përbërë prej anëtarëve Zenun Çelaj, Kelmend Hapçiu e Naser Miftari, të cilët u shprehën se ishin të një mendjeje kur u përcaktuan për këtë shkrim e këta autorë. Me këtë rast u promovua edhe libri “Tunelet e tmerrit”, me rrëfimet rrëqethëse të shqiptarëve të izoluar nga regjimi diktatorial para 20 vjetësh.

Bota Sot

Nuk ka komente: