e premte, 13 nëntor 2009

“Incidenti i Korfuzit, anijet ranë në mina në ujëra shqiptare”

Nga Skënder Minxhozi
James Delgado, njëri ndër arkeologët më të shquar të nënujit, është drejtuesi i një ekspedite, e cila gjatë këtij viti kreu një zbulim tepër të rëndësishëm në brigjet e Sarandës. Revista “Mapo” ka botuar në numrin e shkuar rezultatet e këtij kërkimi të kryer me teknologjinë më të lartë dhe të konsultuar me autoritetet më të njohura botërisht të arkeologjisë nënujore...


... Fjala është për gjetjen në ujërat territoriale shqiptare të një pjese të bashit të anijes luftarake HMS Volage, e cila ra në vitin 1946 së bashku me një anije tjetër në mina detare. Kjo ngjarje, e njohur gjerësisht si Incidenti i Korfuzit, përbën konfliktin e parë të Luftës së Ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit dhe solli ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Kjo gjetje, në vendin ku ndodhet, konfirmon indirekt se anijet britanike ranë në mina në territorin shqiptar, çka përbën një rishikim të plotë të konkluzioneve zyrtare që kanë ekzistuar gjatë 50 vjetëve të fundit në lidhje me incidentin, dhe që kanë bërë që Gjykata e Hagës të bllokojë arin shqiptar të rrëmbyer nga gjermanët. Zbulimi në fjalë ka bërë tashmë xhiron e botës, duke u transmetuar nga më shumë se 300 televizione, radio e gazeta në të gjithë globin.
Në këtë intervistë ekskluzive për “Mapo”, Delgado shpjegon se si ekspedita e tij arriti në përfundimet e mësipërme dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen me këtë zbulim.


Prof. Delgado, revista “Mapo” sapo ka publikuar rezultatet e ekspeditës nënujore, e cila duket se ka arritur në disa rezultate të rëndësishme lidhur me Incidentin e Korfuzit të vitit 1946. Çfarë do të thotë ky zbulim shkencor për ju si një arkeolog? Si keni arritur në këtë konkluzion?
Ky zbulim tregon edhe njëherë tjetër se arkeologjia mund të luajë një rol të rëndësishëm lidhur me të shkuarën, duke i shtuar asaj elementë të rinj të panjohur, madje shpesh edhe duke e korrigjuar versionin zyrtar. Kam pasur fatin të punoj me shumë ekspedita në kërkime për anije të periudhave të ndryshme historike, por më tepër kam qenë i përqendruar në anijet e fundosura në njëqind vitet e fundit. Pikërisht në këto “fundosje moderne” kam vënë re rolin substancial të arkeologjisë për të kuptuar më mirë të shkuarën. Konkluzioni lidhur me identifikimin e mbetjeve që u gjendën në Gjirin e Sarandës erdhi pas një ekzaminimi të kujdesshëm të provave, kjo për arsye se shikueshmëria ishte shumë e ulët. Konkluzionet e mia janë edhe rezultat i bashkëpunimit dhe mbështetjes prej kolegëve, pa punën e të cilëve kjo punë nuk do të ishte mundësuar. I jam mirënjohës veçanërisht Shqipërisë për këtë bashkëpunim të gjerë dhe Fondacionit Naval RPM, veçanërisht George Robb, që e bëri këtë punë të mundur.
Gjetjet e bashit të HMS Volage duken qartë se janë bërë në territor shqiptar, sipas koordinatave tuaja. A vërteton kjo se anijet britanike kanë rënë në mina në territor shqiptar?
Ka mundësi. Qëndrimi zyrtar britanik është se HMS Volage kaloi në ujëra shqiptare, pasi kishte rënë në mina, ndërkohë që gjetjet tona tregojnë të kundërtën.
Cilat janë hapat për të vërtetuar pikërisht këtë që sapo thamë, për të mos mbetur vetëm në kushtet e një hipoteze?
Kërkohet më tepër punë dhe një vëzhgim më i detajuar i zonës. Nëse Britania bie dakord, pasi mbetjet e anijes cilësohen një varr lufte, mbetjet mund të merren për studim të mëtejshëm, sidomos disa nga pjatat dhe municionet.
Nëse kemi bashin e HMS Volage në ujëra shqiptare, a mendoni se verdikti i Gjykatës së Hagës, se anijet britanike ishin duke udhëtuar paqësisht në Kanalin Medri, është i saktë?
Unë nuk jam gjykatës apo jurist, jam thjesht një arkeolog. Do të kisha një opinion të ndryshëm nga ai i juristëve lidhur me këtë çështje.
Jeni presidenti i INA, të famshmit Institut për Arkeologjinë Nënujore. Tani që keni ardhur këtu dhe keni eksploruar hapësirën shqiptare nënujore, a mendoni për potencialin që ka kjo lloj arkeologjie në Shqipëri?
Shqipëria është një vend me histori të gjatë dhe me shumë site arkeologjike të rëndësishme. Sigurisht që pasuria arkeologjike e vendit tuaj duhet të jetë e shumtë edhe nën ujë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Keni shansin që këto pasuri kanë ngelur të paprekura dhe të padëmtuara dhe kjo mund të jetë gati unike në të gjithë botën. Falë kësaj, mund të nxirrni në pah shumë prej historisë tuaj. Falë punës së Fondacionit Naval RPM dhe ekspertëve shqiptarë, kuptojmë se kjo pasuri është aty dhe kërkon të mbrohet, të studiohet dhe të përhapet në muzetë e ndryshme dhe botimet, duke kënaqur interesin e publikut shqiptar dhe atij botëror.
Çfarë do t’i sugjeronit autoriteteve lidhur me mbrojtjen e këtyre pasurive nënujore?
E para do të ishte një legjislacion që mbron këto zona, sanksione ndaj atyre që i grabisin dhe i tregtojnë ato, koordinimin me peshkatarët për të evituar dëmtimin e këtyre mbetjeve nënujore dhe një qendër kombëtare për të vazhduar studimet në këtë fushë. Do të ishte shumë me interes edhe promovimi i turizmit, ekspozitat në muze, zhytja e kujdesshme në këto site, e cila do të promovonte më së miri pasurinë tuaj nënujore, por edhe trashëgiminë kulturore në përgjithësi. Sigurisht që do të ishte me shumë rëndësi edhe vazhdimi i studimeve në bashkëpunim me akademikët e universiteteve të huaja.



“Si e rizbuluam të vërtetën e Incidentit të kanalit të Korfuzit”

Adrian Anastasi
Arkeolog

Në kuadër të punës për Hartën Arkeologjike Nënujore të Bregdetit Shqiptar, një bashkëpunim ndërmjet Institutit të Arkeologjisë së Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe RPM Nautical Foundation, e filluar në verë të vitit 2007 e në vazhdim, janë zbuluar një sërë reliktesh, të cilët datojnë nga shekulli i VI para Erës sonë e deri në fund të shekullit të XX, si dhe një numër shumë i madh anomalish, të cilat janë në verifikim e sipër. Pra është mbuluar një hapësirë kohore prej rreth 2600 vitesh në një sipërfaqe nënujore, e cila fillon nga Kepi i Stillos dhe përfundon në veri të Porto Palermos (skanimet e fundit të nënujit, korrik 2009).
Gjatë punës së përbashkët të ekipit shqiptaro-amerikan për skanimin e Gjirit te Sarandës, qershor-korrik 2007, u identifikuan një numër i madh anomalish, të cilat vazhdojnë të jenë në proces verifikimi. Një nga këto anomali, hipotetikisht Gj. S. 2007. XXX, brenda Gjirit të Sarandës dhe në një distancë rreth 1.5 km larg qytetit të Sarandës, rezultonte si një anomali e verifikuar “Relikt Modern” (mbetje moderne).
Në verë të këtij viti, grupit kërkimor-shkencor iu bashkua edhe presidenti i Institutit amerikan të Arkeologjisë Navale, INA, profesor James Delgado, personalitet i padiskutueshëm ne fushën e arkeologjisë nënujore dhe asaj navale, si dhe një ekspert i relikteve të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Gjatë operacioneve të verifikimit të disa anomalive në afërsi të Gj. S. 2007. XXX, grupi i përbashkët i kërkimit vendosi që të konsultonte edhe njëherë anomalinë e përcaktuar “Relikt Modern”, me prof. Delgado, me qëllim që të bëhej identifikimi i saktë.
U vendos që anija “Hercules” të pozicionohej për dy ditë në Gj. S. 2007. XXX dhe të kryente verifikime me ROV, robotin nënujor, pa përdorur metoda destruktive. Nga analizimi i sekuencave filmike dhe fotografive të kryera nga roboti u konstatuan materiale luftarake (arka fishekësh), enë kuzhine, pjesë anijeje, fragmente eshtrash etj., i gjithë materiali rezultonte i shpërndarë në mënyrë jo të rregullt dhe që nuk i korrespondonte një strukture kompakte, pra s’paraqiste një relikt modern të plotë, siç ndodh në këto raste, por fragmentin e një anijeje.
Nga studimi i mëtejshëm i materialit për rreth 3 muaj, u ngrit një hipotezë pune, e cila në 95% të saj korrespondon me bashin e HMS Volage, një nga dy destrojerët anglezë të përfshirë në Incidentin e Kanalit të Korfuzit, më 22 tetor 1946.
Për të thelluar më tej studimin e provave materiale arkeologjike, si dhe për të qenë 100% të sigurt në verifikimin e kësaj hipoteze del e nevojshme që të ndërhyhet në sit, si dhe të merren materiale kampion për t’u analizuar dhe krahasuar. Për të ndërmarrë hapa të tillë sigurisht që del i nevojshëm një bashkëpunim ndërmjet qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
Pa dyshim që kjo provë e rëndësishme arkeologjike, e cila identifikon pozicionin e saktë të bashit të HMS Volage, në radhë të parë duhet interpretuar si një gjest human, në respekt të marinarëve të vrarë dhe familjeve të tyre. Në radhë të dytë, me siguri do të hapë një debat të gjerë me specialistë të fushës, për një interpretim të drejtë dhe të paanshëm të asaj që ndodhi me të vërtetë në Kanalin e Korfuzit dhe në radhë të tretë duhet të hapë një debat brenda vetë arkeologëve shqiptarë për të analizuar kompetencat, kronologjinë kohore si përcaktuese apo jo, metodologjitë e studimit të vetë arkeologjisë në përgjithësi, si dhe të arkeologjisë nënujore në veçanti.

Gazeta Tema     13.11.2009

Nuk ka komente: