e premte, 29 gusht 2008

Drejtuesit e ekspeditës duke u treguar gazetarëve zbulimet e dy anijeve të rralla të shekullit 6 dhe 4 para Krishtit, Auron Tare, dr. Jef Royal, George Rob dhe dr. Adrian Anastasi

Zbulohen dy anije antike

Ekspedita nënujore shqiptaro-amerikane nxjerr në dritë në zonën ndërmjet Sarandës dhe Porto Palermos, dy anije të shekujve 6-4 para Krishtit të ngarkuara me amfora korintike. Zbulimi i rrallë për botën e arkeologjisë mesdhetare, mund ta vendosë bregdetin shqiptar në një pozicion shumë të rëndësishëm për studimin e lundrimit antik

Gazeta Shqiptare

Luan Sejdini

Diel, 17 Gusht 2008 08:33:00

Ekspedita nënujore shqiptaro-amerikane nxjerr në dritë në zonën ndërmjet Sarandës dhe Porto Palermos, dy anije të shekujve 6-4 para Krishtit të ngarkuara me amfora korintike. Zbulimi i rrallë për botën e arkeologjisë mesdhetare, mund ta vendosë bregdetin shqiptar në një pozicion shumë të rëndësishëm për studimin e lundrimit antik

Sarandë - Zbulohen në ujërat e Jonit dy anije të lashta, njëra e shekullit të 6-të dhe tjetra e shekullit të 4-të para Krishtit. Zbulimi i këtyre anijeve të periudhës klasike konsiderohet shumë i rëndësishëm për qarqet shkencore të arkeologjisë botërore.

Drejtori i palës shqiptare të projektit që përfshin ekspeditën nënujore përgjatë bregdetit shqiptar, dr. Adrian Anastasi, tha se “rezultatet e ekspeditës shqiptare-amerikane, e para e këtij lloji në vendin tonë janë të prekshme”. “Ditët e fundit - thotë ai - janë identifikuar dhe zbuluar dy anije antike. Anija e parë në thellësi 70 metra rezulton që të jetë një anije e shekullit të 6-të para Krishtit dhe anija e dytë e shekullit të 4-t para Krishtit. Anijet kanë ngarkesa me amfora të identifikuara si korintike të versionit A dhe B. Anija e shekullit të 6-të ka vetëm amfora korintike. Anija e shekullit të 4-t ka një ngarkesë të plotë me pllaka qeramike korintike.”

Arkeologët e ekspeditës të angazhuar në kërkimin nënujor vetëm në dy ekspedita, mendojnë se kjo është anija e parë e gjetur në Mesdhe e cila ka një ngarkese të plotë me materiale të tilla.

Sipas tyre, zbulimi i anijeve të kësaj periudhe janë nga zbulimet më të rralla në Mesdhe, çka do të thotë se me këtë zbulim bregdeti shqiptar vendoset në një pozicion shumë të rëndësishëm për studimin e lundrimit antik. Për këtë arsye “lajmi i zbulimit të anijeve të periudhës klasike është shumë i rëndësishëm për qarqet shkencore të arkeologjisë botërore”, -thonë specialistët të cilët nën zë shtojnë se të tjera surpriza priten nga zhytjet e “Herkulesit”.

Ekspedita “Expedition Albania 2008” nisi punë në terrenin e ujërave detare të vendit tonë falë një marrëveshjeje të nënshkruar midis Institutit të Arkeologjisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Fondacionit Amerikan “RPM Nautical Foundation”.

Në përbërje të ekspeditës shqiptaro-amerikane janë presidenti i Fondacionit George Robb, Drejtori i Projektit i palës amerikane dr. Jeff Royal, Drejtori i Projektit për palën shqiptare dr. Adrian Anastasi, koordinatori i Projektit Auron Tare dhe këshilltar shkencor prof. Neritan Ceka.

Anija e quajtur “Herkules” me të cilën po kryhet operacioni që prej vitit të shkuar, është e pajisur me aparaturat më bashkëkohore të fotometrisë dhe modelimit dixhital të relievit nënujor të studimit të pasurisë arkeologjike nënujore. Është i njëjti ekip dhe e njëjta anije që po eksploron në gjatësinë e bregdetit shqiptar.

Sipas drejtorit amerikan te projektit, dr. Jeff Royal, objektivat që parashikohet të arrihen me zbatimin e projektit, konsistojnë në krijimin e hartave dixhitale për trashëgiminë arkeologjike nënujore, identifikimin e relieveve arkeologjike, krijimin e një legjislacioni modern për mbrojtjen e trashëgimisë nënujore, e një qendre ndërkombëtare studimi për arkeologjinë nënujore, në trajnimin e studenteve shqiptarë në këtë fushë, krijimin e Muzeut të Arkeologjisë nënujore në Shqipëri dhe më shumë mundësi për zhvillimin e turizmit të nënujit etj.

Auron Tare, koordinatori i palës shqiptare, në lidhje me punën e kryer deri në mesin e muajit gusht thotë se “deri më tani është bërë i mundur skanimi i bregut të detit nga Kepi i Ftelesë në Jug të Sarandës deri në Porto Palermo. Ky skanim bëhet deri në 5 km nga bregu në thellësinë 300-400 m. Janë identifikuar një numër i madh anomalish të cilat kontrollohen nga roboti i anijes.”

Ekspedita shqiptare-amerikane e kërkimeve nënujore ka në dispozicion një ekip shumë profesionist si dhe përdor teknologjinë e fundit të kërkimeve nënujore në thellësi të mëdha. Kjo ekspeditë për mjetet që ka në dispozicion dhe dy anijet kërkimore është një prej më të rëndësishmet në Mesdhe. Kostoja ditore e ekspeditës është rreth 25 mijë USD në ditë.

Nuk ka komente: