e diel, 29 qershor 2008


Gazeta Metropol

Skënderbeu "i harruar"
YLLI POLOVINA


22/06/2008 “Gjysma e harruar e Skënderbeut” është titulli i librit të fundit të dalë në treg nga autorit Ylli Polovina. Ai vjen për lexuesin në 264 faqe me prova, dëshmi dhe veçanërisht interpretime të reja, duke ngulur këmbë se tashmë po bëhet një zakon i keq që kohëve moderne "disa rishkrues bashkëkombës t’i përgjigjen duke e përshkruar Gjergj Kastriotin si një njeri që me luftën e tij të rezistencës ekstreme e përgjaku në mënyrë të panevojshme popullin e vet". Në libër ai denoncon me emra konkretë ata që kanë shkuar edhe më tej: e kanë shpallur Skënderbeun renegat, njeri që bashkëpunoi me fqinjët shovinistë kundër vetë interesave kombëtare.

“Sa herë që na gjallërohet dëshira për ta shkruar më të plotë historinë tonë, më së pari kemi të drejtë të gëzohemi. Një periudhë e tillë ka ndodhur pas vitit 1912 dhe u rizgjua e fortë pas vitit 1990. Ishte vepër e jashtëzakonshme komb- e shtetformuese një shekull më parë, e një dimensioni më të vogël tetëmbëdhjetë vjetët e fundit, por gjithsesi vijim i asaj fryme. Kjo nuk mohon kontributet e dhëna në diktaturë, por në këtë gjysmëshekull nëpërmjet rishkrimit ideologjik të historisë kanë ndodhur edhe gjymtime shumë të mëdha.

Vlerat e harruara e të mohuara, madje edhe ato të paraqitura si gjysmëvlera, kanë të drejtën e ligjshme të rikthehen. Por a do të ishte punë e mirë, madje e mençur dhe e arsyeshme në rast se në pasdiktaturë, pra në këta vjet, ku ne po rikthejmë në vendin e tyre të merituar gjithçka të shtrembëruar apo të mbajtur fshehur, të godasim vlerat që kemi pasur? Po vepruam kështu, nuk mund të jetë arsyeja me ne kur bëhet fjalë për Gjergj Kastrioti Skënderbeun.

Mirëpo këta vjetët e fundit, madje edhe ca javë më parë, kjo dëshirë për ta rishkruar Skënderbeun duke e përmbysur apo nëpërkëmbur, është gjallëruar së tepërmi. Ky pasion, ndryshe nga ç’mund të pritej, nuk i ka zënë historianët, pra profesionistët, por amatorët, ata që me jetën e tyre kanë të bëjnë shumë pak me këtë profesion rigoroz. Për fat të trishtë, përveç profesor Kastriot Frashërit, i cili dukshëm i është kthyer pozitivisht plotësimit të jetës e veprës së Gjergj Kastriotit, pjesa tjetër e elitës sonë të kësaj mjeshtërie nuk ka dalë akoma nga një lloj druajtjeje. Ndërhyrja e tyre e fuqishme është urgjente dhe e shumëpritur.

Libri im “Gjysma e harruar e Skënderbeut” nuk është një kontribut në historiografinë shqiptare, sepse unë jam thjesht një publicist. Kam të drejtën morale vetëm të interpretimit të ngjarjeve dhe të individëve. Jam marrë me zhvillime të ditës ose e shumta të gjysmëshekullit të shkuar. Për herë të parë shkoj larg në histori, por kjo nuk ka nisur disa muaj më parë, por mbi dhjetë vjet të shkuar, kur në 17 janar 1998, vetëm dyzetë ditë nga fillimi i punës në ambasadën tonë në Romë, ndesha me statujën e madhe të Skënderbeut në mes të kryeqytetit italian. Po atë ditë u shfaq edhe një i prezantuar në tribunë si pasardhës i familjes së Gjergj Kastriotit, që, siç dihet, pas vdekjes së tij u vendos në Napoli dhe Pulia. Gjithë kohën ai heshti dhe, kur kërkova ta takoja, iku me ngut. Hetimi im i parë, po ashtu edhe habia: ishte një intelektual i mirë dhe artist i talentuar, por aspak pasardhës i vërtetë. Ishte fals.

Libri “Gjysma e harruar e Skënderbeut”, në fakt pjesa e parë e një triptiku, do të tregojë çfarë kam kërkuar e zbuluar në këta vjet. Në librin që tashmë është botuar, dëshmoj se ne në Shqipëri njohim vetëm një pjesë të dimensionit historik të Gjergj Kastriotit. Atë jo vetëm nuk e kemi zmadhuar, por nën ndikimin e shumë faktorëve kemi bërë të kundërtën: mbajtjen në përmasa të zvogëluara. Gjysma e harruar e Skënderbeut është profili e rëndësia e tij evropiane. Më parë se të jetë një hero lokal, pra hero i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti është një hero i kontinentit tonë. Sipas meje, ai është më i madh si hero evropian sesa kombëtar. Më parë se t’u takojë shqiptarëve, ai u takon evropianëve.

Gjymtimi i madh i ndodhi në diktaturë. Për fat të keq, pas rrëzimit të saj po dilet me vështirësi nga kjo humnerë.

Gjysma e harruar e Skënderbeut janë edhe dy degët e ligjshme e natyrore të pemës gjeneologjike të tij, të cilat jetojnë në Napoli (Kazerta) dhe Leçe (Rufano). Janë Giorgio Maria Castriota Scanderbeg, drejtues i një dege banke, dhe Alessandro Castriota Scanderbeg, një mjek në nivele shkencëtari.

Në librin që dua publikisht të prezantoj kam bërë një përpjekje për të mbushur sadopak këtë zbrazësi mbi heroin tonë kombëtar edhe për një arsye tjetër. Mbi të i kanë zgjatur duart zellshëm dhe pa asnjë minimum vetëpërmbajtjeje disa rishkrues të pataksur. Ndërkohë Gjergj Kastrioti është zgjedhur nga të paktën pesëmbëdhjetë breza shqiptarësh si simbol i identitetit dhe i vetë qytetërimit tonë evropian. Do të duheshin të paktën të përmbyseshin njëherësh të gjithë pesëmbëdhjetë brezat që të mund të rishkruhej ai ndryshe nga më parë.

Tre vjet të shkuar kam shkruar edhe një libër tjetër për Skënderbeun, i gjithë i lidhur me raportet e tij me Italinë dhe Romën. Nuk e kam dërguar për botim, duke e lënë për në një kohë tjetër. Ngasjen për të nisur sa më shpejt një krijim tjetër, triptikun, dhe botuar pjesën e parë në maj të këtij viti, ndërsa jo më shumë se dyzetë ditë nga ai çast pata nxjerrë në treg librin “Lamtumirë kallashnikov,” erdhi si pasojë e zhvillimeve që po ndodhnin. Në librin tim prej 264 faqesh me prova, dëshmi dhe veçanërisht interpretime të reja, ngul këmbë se tashmë po bëhet një zakon i keq që kohëve moderne disa rishkrues bashkëkombës t’i përgjigjen duke e përshkruar Gjergj Kastriotin si një njeri që me luftën e tij të rezistencës ekstreme e përgjaku në mënyrë të panevojshme popullin e vet. Në libër denoncoj me emra konkretë ata që kanë shkuar edhe më tej: e kanë shpallur Skënderbeun renegat, njeri që bashkëpunoi me fqinjët shovinistë kundër vetë interesave kombëtare. Nuk përbën as histori dhe as art ta interpretosh Gjergj Kastriotin me shkujdesje deri edhe si hileqar province, gjysmëleshko apo të ngulësh këmbë se ishte i shëmtuar dhe i shkurtër. Nga rishkruesit modernistë nuk mund të kuturiset gjer kaq, të paktën për një minimum respekti ndaj së vërtetës, por edhe ndaj historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj. Që Skënderbeu ishte burrë i pashëm dhe shtatlartë, kjo është e dokumentuar që të paktën pesë dekada më parë.

Për të gjitha këto jap në libër argumentet e mia. Ato janë modeste dhe për këtë arsye edhe të kritikueshme. Këtë promovim e kryej jo aq shumë për publicitet ndaj librit, ç’ka për arsye të temës që rrah do ta dëshiroja sinqerisht, por mbi të gjitha sepse dua të këshillohem që t’i shkruaj më të plotë e më të argumentuar dy librat e tjerë të triptikut.”

Nuk ka komente: