e diel, 29 qershor 2008

Gazeta Albania

Dervishët fluturues, turne mistik nga Gjirokastra në Prishtinë



Petrika GROSI
Shoqatat “Argjiro” dhe “Artkontakt” sjellin duke filluar nga Gjirokastra, në Tiranë, e më pas në Prishtinë, turneun mistik të dervishëve flutures. Më 28 qershor në Kalanë e Gjirokastrës starton shfaqja e veçantë, për të ardhur në kryeqytet më 30 qershor, (në Akademinë e Arteve) e më 2 korrik, në Amfiteatrin në Gërmi të Prishtinës. Sharmi mahnitës i Anadollit do të shfaqet për publikun shqiptar dhe turistët e huaj. Poezia e kërcimit të dervishëve vjen në tri data me tri performanca të dervishëve “Hasan Dede dhe Ashikët Bashkëkohorë të Rumiut”. Ky spektakël është i pari i këtij lloji që organizohet në vendin tonë. Organizatorët thonë se “Vallja e sufive mevlevi a quajtur “Sema” (qielli) vjen për herë të parë në Shqipëri me performancën e ansamblit të fondacionit “Hasan Dede dhe Ashikët Bashkëkohorë të Rumiut”. Ajo është e perceptuar me kohë si një koncept me ngjyra religjioze, semaja është më tepër një disiplinë muzikore dhe shpirtërore që konsiston në rrotullimin e dervishëve rreth vetes duke simbolizuar lëvizjen e trupit në univers dhe kërkimin e parreshtur të njeriut për t’u kthyer në origjinën e gjithçkaje, ç’ka është Zoti. Më tepër se një doktrinë fetare, ashtu si dhe vetë poezia e Mevlana Xhelaledin Rumit, ku ky vallëzim ka gjetur frymëzim, semaja përfaqëson një ritual të urdhrit mevlevi si një rrugë e veçantë e lidhjes së drejtpërdrejtë me krijuesin, ose e shprehjes së përmallimit të njeriut për të. Tek semaja ngërthehen poezia, muzika, e bukura, harmonia estetetike dhe simbolike si dhe vallja si shprehje e aspirimit të shpirtit nëpërmjet trupit.
Vizualisht, vallja e dervishëve rrotullues është një performancë ku dervishët të veshur me fustanella të bardha, rrotullohen rreth vetes në unison me një ritëm muzikor, përmes të cilit synohet kulmi i transhendencës.



26 Qershor 2008

Nuk ka komente: