e enjte, 31 janar 2008




Ne foto: Performanca e studenteve per Holokaustin. Poshte Edvin Shvarc

Leximi shqiptar i Eli Vizelit


Alma Mile
Gazeta Shekulli - 29-01-2008


Përkthyes i nobelistit Eli Vizel, i mbijetuar nga Holokausti, Edvin Shvarc ia kushton librin dy kushërirave të zhdukura në Shkodër.

Ai nuk bën komente për letrën e të atit, Robert Shvarc, e publikuar më 2007 ku flitet për trajtimin e hebrejve në Shqipëri. I riu miraton padyshim atë çfarë me rreptësi ka shkruar i ati

Të përkthente Eli Vizelin, ishte si të tregonte historinë e familjes. "Thirrje të të parëve", e quan Edvin Shvarc shqipërimin e librit "Natë" të Nobelistit për Paqe, hebreut Vizel. Biri, i përkthyesit Robert Shvarc, Edvini thotë se iu fut përkthimit 20 vjet para dhe jo thjesht për shkak se ishte profesion i të atit, edhe e ëma është linguiste. "Thjesht dashuria për letërsinë", - thotë ai. Por në rastin e Vizelit është një lidhje më e thellë. "Ky libër ka shumë gjëra personale. Unë kam 40 kushërinj dhe të afërm që janë zhdukur gjatë Holokaustit dhe meqë ishte Dita e Kujtesës promovimi i librit vjen tamam në kohën e duhur", - vazhdon ai. Ia dedikon këtë përkthim të atit, Robertit, së ëmës dhe në veçanti dy kushërirave të tij (vajzave të xhaxhait të të atit), Adela dhe Frida Shvarc që jetonin në Shkodër e u shfarosën gjatë përndjekjes naziste. Duket se Shvarc (i riu) mbron testamentin e të atit.

Jo shumë larg në kohë, gjatë Tetorit Gjerman, Ardian Klosi boton monografinë kushtuar përkthyesit Robert Shvarc, ku për herë të parë publikohej edhe një letër që shqipëruesi i dërgonte të birit. Përveç rrëfimit për jetën nën regjimin komunist, prek edhe çështjen e trajtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndryshe nga ç'tregohet, aty Shvarc thotë se nuk është e vërtetë që shqiptarët i mbrojtën hebrejtë. Sipas tij, fakti që ata nuk u deportuan lidhet thjesht me atë që Shqipëria ishte jashtë vëmendjes gjermane, gjë që u jepte liri lëvizjeve të hebrejve. "Edhe nën okupacionin gjerman kanë punuar dhe lëvizur lirisht. Kjo ndoshta shpjegohet se këtu nuk vepronte Dega e Eichmannit, e ngarkuar për zhdukjen e tyre", - thotë Shvarc dhe shton që nëse qendra e Gestapos do të ishte këtu, të gjithë hebrejtë do të ishin zhdukur. Ai sjell shembullin e të vetmes familje hebreje në Shkodër, që u deportua dhe u zhduk në kampin e Prishtinës dhe më tej, se çështja e mbrojtjes së hebrejve është "fryrë" nga komunistët, duke sjellë si shembuj Danimarkën e Italinë që mbrojtën hebrejtë e tyre.

Edvini, të cilit i drejtohet kjo letër, nuk do të bëjë komente në lidhje me të, por duket se nuk mund të jetë veçse në një mendje me atë që thotë i ati. "Letra është shumë private unë mendova ta sjell e ta publikoj, duke hequr faqen e parë. Thjesht tregon historinë e familjes sime. Nuk ka nevojë për komente. Komentet le t'i bëjnë të tjerët. Historianët le të bëjnë analizat, kur të kenë shqyrtuar të gjitha faktet", - thotë i biri. Pas shqipërimit të "Natës", rrëfimit të Elisë së vogël, që sipas Shvarcit mbijetoi vetëm për të treguar tmerret që përjetoi në kampin e Aushvicit dhe të Bukenvaldit, ku iu shfaros familja, përkthyesi vjen me një tjetër libër të Vizelit. Për të Eli Vizel, është një shkrimtar shumë i mirë. Gjuha e tij është shumë koncize me fjali të shkurtra. "Çdo fjalë është e peshuar mirë dhe ka ngjyra tmerrësisht shprehëse". Por vlerëson në të edhe nobelistin për paqen, që në këto kohëra që jetojmë, lëshon mesazhe për paqe, begati, qëndrueshmëri. Me këtë libër, të cilin e vlerëson të të njëjtit nivel me Ditarin mitik të Anna Frankut, i drejtohet të rinjve.

Sipas Edvin Shvarcit historitë e këqija kanë tendencë të përsërisin veten, siç ndodhi në vitin 1990 në Bosnjë e më pas në Kosovë, ndaj të rinjtë duhet të dinë se ç'ndodhi që të mos bëjnë të njëjtën gjë.

Libri i Eli Vizelit, i botuar nga shtëpia botuese "ABC" u promovua dje në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës.

Studentët e Arteve, performancë për Holokaustin

Në një kohë rekord improvizuan një performancë-konkurs. Shumë të rinj për ta njohur, por shumë të zotët për të vjelë informacionin që ofron interneti, studentët e Arteve Figurative në Akademinë e Arteve ofruan dje krijimet e tyre kushtuar Ditës së Kujtesës. Holokausti apo çmenduria hitleriane e shfarosjes së hebrejve në art. Eshtra që rëndojnë në peshore, jetë të kthyera në numra, trena vdekjeje me biletë vetëm vajtjeje… Përmes mediumeve që ofron arti bashkëkohor si instalacioni, piktura, etj, studentët nën drejtimin e pedagogëve Ardian Isufi, Najada Hamza dhe Vladimir Myrtezai, realizuan në odeonin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës ekspozitën në fjalë e cila organizohej nga QNK, AA dhe Ambasada Amerikane. Për punët më të mira u ndanë edhe tre çmime për fituesit Anjeza Dyrmishi, Ermir Bilani dhe Elda Kadia.

Nuk ka komente: